Nga Elis Buba
“Çfarë fati për sundimtarët kur njerëzit nuk mendojnë.”
Ja ka mbërritur dita që me fatkeqësitë dhe masakrat e mënxyrshme të serbeve ndaj shqiptreve, vetë shqipëtarët në një anë tjetër të kufirit, të bëjnë propagandë partiake, për të batuar nga pozita kundërshtarët politikë….
Njëqind djaj s’mund të trembin, dy hamaj të çmendin
Sa e sikletshme që po bëhet sikur po harrohet historia, “Europa, e mrrutё e ndyt’” s’ka aq faj sa niveli kulturor mizerje, i atyre që duhet ti dalin per zot vendit . E ndonëse korifejtë televizivë janë të informuar, çështjen e përbashkët e ngushtojnë kaq shumë në interesat e tyre të shitblerjes, sa shqiptarisë i kanë mbetur vetëm simbolet e bukura dhe ngjyrat kombëtare si konotacione përbashkuese.
Vitet kalojnë dhe të vërtetat treten si pikselët e fotografive të dhunës serbe ndaj shqiptarëve. Ato foto përcillen gjithnjë e më të vogla, pasi cilësia u ka humbur. E megjithatë ato janë aty, siç është aty tok korrupsioni aktual i shumë zyrtarëve, që u kanë dalë nga zemra e zhgënjyer popullit.
Serbia po ndëshkon ata qe po i bëjnë keq Kosovës?!
Ështe braktisur populli deri në pikën që shumë shqiptarë të Kosovës janë të lumtur që Thaçi është para drejtësisë, qofte edhe për krime lufte, sepse dëshira për ndëshkimin e një abuzuesi, sipas tyre, është më e fortë se arsyet pse ndëshkohet ky abuzues. Pra politika e hajnave po luan një rol minues, vëllavrasës dhe përçarës.
Edhe në rastin fatlum, kur një gjykatë X apo Y do ngrihej për të gjykuar krimet hipotetike të të shkuarës, së politikanëve kryesorë në Shqipëri, sigurisht që populli do ishte në një nivel gati neutral reagimi. Pasi thellë thellë populli do që këta keqberës të sprovuar të ndëshkohen për diçka. Të privohen nga diçka, ta ndjejnë thikën e drejtesisë në palcë dhe të kuptojnë se askush mbi dhe s’është i paprekshëm. Kjo është drejtësia poetike që kërkojnë shqiptarët. Dhe Kosovës kjo drejtësi i erdhi nga dora e armikut të betuar, që ngre pikpyetje të padrejta në veprat e mira të njerëzve tashmë të tjetersuar nga pushteti. Me një lëvizje shtazarake në diplomacinë e prapaskenave, kërkon të përmjerrë të vërtetat historike, siç ka bërë ngahera. Sepse politikëbërësit serb e dinë shumë mirë se historinë e shkruajnë te fituarët ndaj edhe konfliktin me shqiptaret Vuçiç nuk e quan të mbaruar. Sepse edhe ai është në krye të një populli që gjallon me nacionalizma të semura, me shovinizma e simbolika deri diku empirike e të padiskutueshme. Siç jetojnë shqiptarët me flamuj të ngritur me drone nëpër stadiume ku luhet futboll e jo gjeopolitikë. Por s’është ajo atdhedashuria. Atdhedashuria është t’i dedikosh jetën dhe veprën vendit tënd. Me punë të efektshme dhe afatgjatë. S’mund të rrokesh kontribute e merita si çlirimtar i një vendi, qe më pas e vjedh më keq se okupatori nga i cili e çlirove.
Kosova është çeshtje e humbur për Serbinë, dhe të vetmit që s’e gëllisin dot këtë, janë politikanët ekstremistë serb dhe disa krerë të klerit që nakatosin politikën me meshat e tyre të pashenjta. Vuçiç me shokë, me këto skena në arenën ndërkombëtare sigurojne elektorat dhe mbeshtetje popullore në shtëpi. Me fare pak punë dhe me një marketing shurdhues politikanët ballkanas ruajnë konstante varferinë e popujve të tyre, që të mund të shijnë lirshëm në lëmet e abuzimit.
“Çfarë fati për sundimtarët kur njerëzit nuk mendojnë.”
Shprehje e shëmtuar nga një personazh po kaq i shëmtuar sa Hitleri. Por kjo nuk e zbeh vërtetësinë e pohimit.
Të vërtetat e luftës së fillimviteve ’90 në Kosovë janë përkrahëse të palës së vuajtur, dmth ajo shqiptare. Ndonjëherë i marrim si të mirëqena faktet…. Njerëzit kanë harruar ose edhe më thjeshtë, nuk u bën më përshtypje. Ata që kanë qenë 4 vjeç në ’99-ën, sot janë 25 vjeç. Nuk dinë të definojnë dhe identifikojne lirinë, pikërisht për shkak se kanë lindur ose janë rritur në liri. Dhe falë kësaj lirie të pavetëdijshme sot jemi në një pikë indiferentizmi. Indiferentizëm popullor dhe politik, që po e zbraz si Kosovën edhe Shqipërinë, nga mungesa e theksuar e shpresës për jetë. Indiferentizëm dhe apatizëm që lejon premisat per deklarata nga më rrëqethëset, nga ana e palës që s’i intereson integriteti territorial i Kosovës.
Deklarata që Vuçiç bëri duke hequr një paralele me konfliktin në Nagorno-Karabakh, duke theksuar se me shqiptarët konflikti nuk është përfunduar, por thjesht është në një fazë ngrirje, erdhi pas një takimi që presidenti serb zhvilloi me ambasadorë të Shteteteve të Bashkuara dhe vendeve të Bashkimit Evropian në Beograd.
Ai paralajmëroi se “situata mund të përshkallëzohet deri në një katastrofë të vërtetë”.
Reagimet e ashpra të Prishtinës dhe Tiranës që i bënë thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të mbajnë qëndrim për këto komente, sollën si rezultat një demarsh të presidentit serb, i cili u përpoq të justifikonte fjalët e tij me parrulla paqësore.
Kësisoj ai është i balancuar me popullin serb që aspiron Europën, por edhe me atë pjesë dominante të politikës serbe, që është pro-ruse e që ngadhnjehet nga këto deklarata heroike serbomëdha. Vuçiç, nuk është thjesht një këlysh i Rusisë, siç e cilësoi Vjosa Osmani. Është një potitikan tipik ballkanas. Sqimatar i interesave kombëtare, por pa anashkaluar, ato politike e sigurisht ato personale.
Në pikpamjen time, presidenti serb, shokët e miqtë e ngjashëm i ka me shumicë në rajon. Vetëm flamujt i diferencojnë, sepse përsa i përket filozofisë, teknikave dhe taktikave politike ngjajnë së tepërmi.
Pikërisht kjo ngjashmëri e politikanëve milionerë të ballkanit, e frenon, urojmë jo përjetësisht bashkimin kombëtar të shqipëtarëve. Askush s’po kërkon të ndryshojnë kufijtë shtëtëror, por thjesht të hiqen kufijtë mes nesh. Jo detyrimisht nën një qeveri gjithëpërfshirëse, por qoftë edhe me heqjen simbolike të kufijve, të doganave, njësimin e arsimit, sportit, kulturës etj. Asnjë hap s’bëhet në këtë drejtim, dhe e vetmja pengesë është vullneti politik. Vullneti i atyre që flamuri kombëtar shpesh u ka shërbyer si mbulesë tryezash të përbashkëta, e që e kanë më të lehtë të vijojnë të ndarë në interesa por të bashkuar në nevoja./usalvision