Libri i tij më i fundit “Roli mesianik i Shqipes. Rënia e Kullës së Babelit”, e pa dritën e botimit ndoshta një javë përpara se profesori të ndahej nga jeta. I kënaqur teksa mbante në duar botimin me peshë, si njeriu që e di se e ka përmbushur misionin e tij në tokë, vendosi të largohej, duke e lënë vdekjen të kryejë punën e tij. Kjo ishte dhurata e mbrame që ai u la shqiptarëve dhe shqipes, një pasuri që i bashkohet gjerdanit me gurë të çmuar të studimeve të tij.
Mbarë toka kishte vetëm një gjuhë dhe fjalë të njëjta. Kur u çuan prej lindjes, gjetën një fushë në dheun e Senaarit dhe aty ngulën banimin. I thanë njëri‑tjetrit: “Ejani të presim tulla dhe t’i pjekim në zjarr”. Tullat i përdorën në vend të gurëve e bitumin në vend të llaçit. Dhe thanë: “Ejani ta ngrehim për vete një qytet dhe pirg, maja e të cilit do të prekë qiellin. T’ia rrisim vetes zërin që të mos shpërndahemi faqes së dheut”.
Zoti zbriti përmbi tokë për të parë qytetin dhe pirgun që e ndërtuan njerëzit. Zoti tha: “Njëmend qenkan një popull dhe paskan vetëm një gjuhë! Ky është fillimi i veprimtarisë së tyre dhe tani e tutje nuk do ta kenë vështirë të kryejnë gjithçka të synojnë. Ejani, pra, të zbresim e t’ua pështjellojmë këtu gjuhën e tyre, që të mos mund të merren vesh njëri me tjetrin”. Prej andej Zoti i shpërndau nga ai vend mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.
Prandaj edhe quhet Babel, sepse aty u pështjellua gjuha e mbarë tokës dhe prej andej Zoti i shpërndau mbi faqen e dheut…
Ky pasazh i gjetur në librin e Zanafillës, në Dhjatën e Vjetër të Biblës, është misteri që ka nxitur besimtarë e jo të tillë në përpjekjen sizifiane për të zbuluar më shumë rreth gjuhëve, për t’i shkuar deri në gjenezë enigmës, prej ç’lënde ka qenë ajo, e para gjuhë që flisnim i gjithë lloji njerëzor përpara se të mblidheshim në plane për të rrokur qiejt…
Për t‘iu nisur kësaj udhe studimi, shkenca e vetme, është e dobët, e pafuqishme dhe e pazonja t’i dijë të gjitha, ndaj studiuesit i duhet të armatoset mirë me dijen universale, me njohuritë e religjionit, me besimin, me hipotezat, tezat e gjysmë vërtetuara e ato të pavërtetuara fare…Me një fjalë studiuesi i gjuhëve, i këtij mjeti të çuditshëm komunikimi, të zbritur nga së larti në shërbim (edhe ngatërrim) të vdekatarëve , që u jep formë simboleve, duhet të jesh një lloj “mesieje” – i dërguar prej qiellit, i vajosur me misionin e zbërthimit të dijes së amshuar për tokësorët…Një ndërmjetësues! Ashtu siç ishte edhe studiuesi, gjuhëtari, përkthyesi, eruditi PetroZheji, i cili pak ditë më parë kaloi në jetën e përtejme, duke lënë pas një vepër të përmasave apokaliptike- jo të gjëmave, por të zbulimeve…Sepse në fund gjithçka bëhet e ditur…
Libri i tij më i fundit “Roli mesianik i shqipes. Rënia e Kullës së Babelit”, e pa dritën e botimit ndoshta një javë përpara se profesori të ndahej nga jeta. I kënaqur teksa mbante në duar botimin me peshë, si njeriu që e di se e ka përmbushur misionin e tij në tokë, vendosi të largohej, duke e lënë vdekjen të kryejë punën e tij. Kjo ishte dhurata e mbrame që ai u la shqiptarëve dhe shqipes, një pasuri që i bashkohet gjerdanit me gurë të çmuar të studimeve të tij.
Vite e vite të tëra punë mes pirgjeve të letrave të shtypura me makinë shkrimi e librave të studiuar në gjuhë të ndryshme të botës , nga ato prej të cilave ai njihte jo pak, por plot dhjetë gjuhë të huaja, një poliglot i kalibrit të lartë, libra dhe fusha studimi të shkruar njëherazi…Edhe kur nuk e shihnin dritën e botimit, për shkak të politikës së regjimit deri përpara viteve ’90. PetroZheji shkruante, shkruante si një misionar në zbulim të së vërtetës, asaj absolute… E ka kërkuar dhe i ka gjetur gjurmën e forta të shqipes, larg, thellë, atje përpara ngatërrimit babelian… Na ka lënë pasuri të prekshme, të shfletueshme, të zbërthyeshme…Na takon ne ta përdorim çelësin. Dy vëllimeve “Shqipja dhe Sanskritishtja” dhe librit të Aforizmave, i bashkohet më i fundit, i botuar nga shtëpia “UET Press” ku shqipja shpërfaqet në rolin e saj mesianik, qysh me mitin e Kullës së Babelit…Sipas drejtoreshës së botimeve “UET Press”, Vepra e Zhejit ka qëllim ‘të tregojë praninë e rrënjëve të stërlashta (operatorëve të lirë) të shqipes në të tëra gjuhët e botës, pa përjashtim’. Një lloj ‘testamenti i ri’ për gjuhën tonë, rrjedhojë e një pune titanike dhe mendimi të shkëlqyer. Në këtë libër, Petro Zheji shfaqet si përfaqësuesi i vetëm shqiptar i filozofisë mesianike, por në dallim nga përfaqësuesit e “pastër” të kësaj lloj filozofie, vepra e Zhejit ngrihet jo mbi kanon, por mbi një metodologji të përsosur. Konkrete, e mbështetur në argumente e fakte shkencorë, me shtrirje të pafundme në kohë e në hapësirë. Nga lashtësia te konceptet moderne të fizikës, të sjella jo sipas një rendi kronologjik, pasi për studiuesin e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë një… Filozofia që ka përqafuar shprehet që në krye, ku faqja e parë çelet me një simbol, dragoi Ouroboros që ha bishtin e vet, simbol i lashtë kinez që tregon se koha është ciklike…I ka përfshirë të gjitha, në një tekst ezaurues të të gjitha religjioneve, filozofeve dijeve të matematikës e fizikës, algoritmeve dhe simboleve…disa numra, algoritme e formula që vijnë si udhërrëfyes në labirintin që mendja e studiuesit ka ndërtuar.
Sjell shembuj gjuhësh të pafundmë nga gjuha kineze, sanskritisht, anglisht, rusisht, hindisht, turqisht, greqisht, latinisht, hebraisht, gjermanisht, protogjermanisht, italisht, japonisht, indonezisht e persisht. Për Zhejin, ndryshimet mes gjuhëve janë vetëm në sipërfaqja. Nëse do të shohim thellë siç ka bërë edhe ai me veprën e tij të një jete, në nivelin simbolik, kemi të bëjmë me të njëjtën gjuhë. Shembujt që e mbështesin dhe faktet janë të shumta.
Për një njohës të gjuhëve si profesor Zheji, shqipja është e aftë ta kapërcejë kufirin nga një gjuhë në tjetrën…Rrugëtimin e nis nga sanskritishtja, të cilës duke e krahasuar me shqipen e ka sjellë në dy vëllime në punët e tij më të hershme.
Vepra e tij, siç e quan përmbledhësi dhe redaktori i librit të fundit të Petro Zhejit, Albjon Bogdani, është një diamant që shihet në të gjitha dimensionet e tij, dhe me studimet e kryera prej profesorit ta shohësh diamantin në përsosmërinë e tij. Vepra e Petro Zhejit për kritikën është një monument mendimi shkencor dhe akademik, mes dialogimeve të historisë dhe filologjisë, filozofisë dhe matematikës, simbolikës dhe kozmogonisë, religjionit dhe interpretimeve transhedentale. Libri hapet me dy fjalë falënderuese të autorit, të thjeshta, me përulësinë e një burri që gjithë jetës foli me zërin e një “mesiaje” – të dërguar për të ndriçuar me dije vdekatarët në tokë. Profeti thuhet se nuk mirëpritet në vendin e vet, dhe vepra e tij, dikur e mohuar për të parë dritën e botimit, e pavlerësuar me çmimin e merituar, por në fund fjala e profetit përmbushet duke na ndriçuar rrugën, ashtu si vepra e Petro Zhejit për letrat shqipe…
Kanë thënë për Petro Zhejin
Shkenca është arti i tij- Astrit Cani
Në tollovinë e botimeve të sotme në gjuhë shqipe, ku forca e verbët fizike e mbisundon sensin e masës, energjia e rritjes e përpin energjinë e nisjes, vepra përkthimore e Zhejit, mbetet nji etalon i matunisë, duke qenë Zheji artisti i matun dhe njeriu me formim të mirëfilltë shkencor, që e ka rrokë artin si mbishkencë, por ruen të paprekun higjienën mendore të intelektualit të mbrujtun me logjikë.
Petro Zheji, një magjepsje- Preç Zogaj
Një shpirt që endet mbi zinë dhe trishtimin, sikur nuk ka lidhje me lotët që dikush po derdh për të, Petro Zheji ka qenë dhe është mbi të gjitha një magjepsje. E konsideronte të denjë të ndërronte jetë në Alpe, në tokën ku ruhet e flitet ende “gjuha e gjuhëve”. Në të vërtetë askush nuk mund të thotë se i ka mbyllur sytë përgjithmonë, duke dëgjuar prej së largu, me veshët e mendjes dhe kujtesës, muzikën e erës në degët e lisave shekullorë. Atje besoj do të ngrihet një ditë monumenti i parë i tij me pamjen prej zotërie dhe me flokët përherë të rrahur si nga një stuhi e brendshme e shpirtit.
Petroja, alkimisti i gjuhës- Robert Qafzezi
Jeta e Petros është si një udhëtim nga “periferia” drejt “qendrës”, drejt qendrës mistike ku ndodhet informacioni total i Universit, pra në të cilën shuhen kontradiktat, ku nuk ekziston as shkaku e as pasoja, pra ai shprehej: (A=-A). Petroja është alkimisti i gjuhës në përgjithësi si shprehje e mendimit mitik dhe i gjuhës shqipe në veçanti.
Adhurim për ty, Petro Zheji- Përparim Kabo
Faleminderit, Petro Zheji! Ulur në gjunjë për ty të them: Të adhuroj, Petro Zheji! Erdha te ti dekada më parë të mësoja një gjuhë të huaj, por mësova dhe mësoj nga ty edhe sot për të mos qenë i huaj me gjuhën shqipe, me veten, me identitetin historik si shqiptar, me botën dhe me ekzistencën. Fola për Ju dhe shpëtova shpirtin tim, mësuesi im, Petro Zheji! Historia vazhdon… Amin!
Petroja fjeti!- Lekë Tasi
Petro Zheji vdiq në 15 Mars. Përdora foljen “fjeti” më lart, sepse kështu thuhej dhe vazhdon të thuhet për besimtarët kur ikin nga kjo jetë. Të njëjtin kuptim ka dhe shprehja “ ndërroi jetë”, sepse nënkuptohet me të që jeta vazhdon mbas atij momenti. Jo vetëm bisedat e Petros me këdo dhe kurdoherë e shpallnin besimtarinë e tij, por edhe vepra e tij e shkruar vazhdon ta shpallë atë, duke e përkufizuar madje ai vetëkërkimin e tij filozofik si Kristologji, çfarëdo lëmë të shkencës të ketë pasë përfshirë kërkim i tij. Këtë cilësim e thekson edhe titulli i veprës së tij të fundit, “Roli Mesianik i Shqipes”, libër që doli nga shtypi pak ditë para se Petroja të jepte frymën e mbrame.
Albjon Bogdani: Libri, një thesar i paçmuar për shqiptarët
Përgatitja e “Rolit Mesianik të Shqipes” për botim ka qenë sikur të punuarit në laboratorin e një alkimisti për të sistemuar dhe shkëlqyer qelqe dhe instrumente të mrekullueshëm e të mistershëm. Bashkëpunimi me Prof. Zhejin për sistemimin dhe rishikimin e bocetit për publikim ka qenë një proces inicimi në krejt një tjetër përmasë logjike të të parit të botës dhe dijes. Jam falënderues Zotit që ky libër doli në dritë, si një thesar i paçmuar për shqiptarët dhe si një pikë reference në horizontin e ri shkencor e kulturor të civilizimit.
Albjon Bogdani: Libri, një thesar i paçmuar për shqiptarët
Përgatitja e “Rolit Mesianik të Shqipes” për botim ka qenë sikur të punuarit në laboratorin e një alkimisti për të sistemuar dhe shkëlqyer qelqe dhe instrumente të mrekullueshëm e të mistershëm. Bashkëpunimi me Prof. Zhejin për sistemimin dhe rishikimin e bocetit për publikim ka qenë një proces inicimi në krejt një tjetër përmasë logjike të të parit të botës dhe dijes. Jam falënderues Zotit që ky libër doli në dritë, si një thesar i paçmuar për shqiptarët dhe si një pikë reference në horizontin e ri shkencor e kulturor të civilizimit.
Si e keni njohur Prof. Zhejin?
Desh Zoti…
Që do të thotë…
Ka qenë pranverë, pesë vjet më parë…Pas kthimit nga Amerika pata rastisur të njoh të njohur të Profesor Zhejit dhe pas një bisede të frymëzuar për punë të Gjuhës Shqipe, pata pranuar t’i bashkohesha një grupi të vogël që ishte i ftuar në shtëpinë e tij. Që pas atij takimi të parë, pat nisur një ritual thuajse i përditshëm i takimeve, bisedave dhe eventualisht bashkëpunimit me Prof. Zhejin për sistemimin për efekt të publikimit të studimeve të tij.
Çfarë sjell kjo vepër e Petro Zhejit, tek e cila jeni si redaktor/kurator?
Për ato që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar është inauguruar Etimologjia e Re, etimologjia e thellësive të Fjalës. Në fushë të Gjuhësisë kjo implikon një përmbysje të“kuadrit logjik” përmes të cilit është parë Gjuha. Gjuhësia Klasike i sheh fjalët si mjet komunikativ, si artefakte “konvencioni” ku përmbajta dhe forma mbeten “arbitrare”, a ndryshe “të papajtueshme”, të ndara logjikisht nga një zbarrë e tipit “S / s” (d.m.th. “le Signifiant” / “le signifie” në termat e Lacan, Saussure etj.). Sikurse Studimi argumenton mbarë e shtruar, impasseku e gjen veten Gjuhësia Klasike buron nga premisa logjike e referimit të fjalës te një koncept – përkundër Shkencës së re të Etimologjisë sipas të cilës referenca e mbrame e fjalës nuk është koncepti por simboli. Dhe në kuadrin e zgjeruar të logjikës simbolike, procesi etimologjik në Gjuhësi arrin thellësi të paimagjinueshme për linguistikën klasike dhe më së fundi “rikuperohen” kuptimet e thella të fjalëve dhe qartësohen “mistere” gjer më sot të padeshifrueshme brenda dhe ndër-gjuhësore (si p.sh, polisemantizmi a homonimitë dhe thuajse-homonimitë që popullojnë gjuhët e botës mbarë).
Çfarë veçantish ka kjo Shkencë e Re e Etimologjisë?
Shkenca e Re e Etimologjisë operon përmes instrumentit të Algoritmit Simbolik, si një artikulim logjik i Mendimit Mitik e Mistik që vjen në bashkëkohësi si trashëgimi e “PhilosophiaPerennis” (Filozofisë së Përjetshme), e cila përbën sfondin logjik dhe botëkuptimor të arkaicitetit më të thellë të njerëzimit kur dhe Gjuha u krijua. Përmes Algoritmi Simbolik mundësohet një zbërthim etimologjik që vë në korrespondence kuptimin a kuptimet e ndryshme të së njëjtës fjalë me referencën simbolike ku ato “ankorohen”. Duke rikuperuar “logjikisht” vizionin (“Weltanschauung”) në atëherë kur u krijua Gjuha, më së fundi Linguistika arrin vërtet t’i afrohet të vërtetave të thella të Fjalës.
Dhe çfarë nxjerr në pah kjo metodë lidhur me Gjuhën Shqipe dhe lashtësinë e saj?
Studimi tregon qartazi se në këtë proces etimologjik, Shqipja është pikërisht gjuha e cila, me aftësinë e saj për të zbërthyer fjalët në operatorët më të thjeshtë përbërës (d.m.th. njësitë “elementare” kuptimore, kuptimbartëse), mundëson vënien në korrespondencë të glosave të huaja (bërthamës së tyre semantike) me simbolet tek të cilat ato “pa kuptuar” referojnë. Në këtë mes emergon dhe Roli i Shqipes si një gjuhë “ndërmjetësuese” (mesianike).
“Roli Mesianik i Shqipes” paraqet një ballafaqim frontal të Shqipes me gjuhë të stërvjetra e të reja, të gjalla e të vdekura, në gjeografi të afërta e të largëta. Ajo shfaqet karshi tyre si një Gjuhë Motivuese a, thënë ndryshe, si një gjuhë e cila i mundëson glosave në gjuhë të huaja të “zbërthehen” dhe më së fundi “çlirojnë” kuptimin e tyre të thellë. Sikurse shprehet Autori, Shqipja i pajis fjalët e huaja me një “kartë identiteti” dhe u lejon të kuptojnë përse ato thonë bash atë që thonë.
Studimi procedon adlibitum me zbërthimin e glosave të huaja (por edhe një dore të mirë fjalësh të Shqipes) në pjesët më të thjeshta përbërëse a ndryshe “operatorët e lirë” të cilët në kombinacione e permutacione lloj-soj gjenden gjithandej ndër gjuhë të botës. Dhe Shqipja ka një bollëk të tillë operatorësh të lirë që mundësojnë “motivimin” e fjalëve në gjuhë të cilat, pikërisht për shkak të mungesës së këtyre operatorëve, nuk janë në gjendje të “shpjegojnë” përse-në e fjalëve të tyre… Kështu me Sanskritishten, Hebraishten, Persishten, Greqishten, Latinishten, Turqishten, Kinezçen, Asirishten etj. etj., Shqipja vihet në komunikim të thellë, intim, të drejtpërdrejtë me morinë e gjuhëve të arkaicitetit më të thellë – dhe me thjeshtësinë e saj, me lehtësi dhe koherencë shpartalluese është në gjendje të “rikuperoje” bërthamën semantike të glosave e të shkyçë kuptimet e tyre. Kjo fuqi motivuese e Shqipes përbën dhe dëshminë e primatit të saj. Thënë ndryshe, në gjuhën e Autorit, “kriteri i motivimit” shërben edhe si “kriter i vjetërsisë”. Dhe në ballafaqimin e ekspozuar në këtë Studim, Shqipja emergon si një gjuhë “qendrore”, d.m.th. mu në qendër të muhabetit a kuvendit mes gjuhëve.
Pra është një kriter vjetërsie që nuk bazohet në artefakte mbishkrimesh, pergamenash a papirusesh?
Bukur! Metodologjia e Etimologjisë së Re i ballafaqon gjuhët në “sinkronicitet’, pra i merr “faktet gjuhësore” të stërlashtësisë dhe të bashkëkohësisë mbarë, ashtu siç mbërrijnë tek ne me gjithë mangësitë dhe obfuskimet e sjella nga koha dhe ideologjitë… Dhe përmes Algoritmit Simbolik si instrument kërkimor, në këtë ballafaqim arrihet të vërtetohet stërlashtësia e Shqipes karshi gjuhëve mbarë… Më së fundi pra Shqipja arrin të madhështohet si një Gjuhë e Parë dhe kjo falë metodës e cila kapërcen kufizimet dhe tendenciozitetet e pleksura në konjektura politike dhe të “certifikuara” nga paradigma të mangëta teorike gjuhësore, të cilat i kanë njohur arkaicitetin, por e kanë mbajtur të “izoluar”… Ndërkohë që Shqipja jep e merr lirshëm me gjuhët e stërlashta dhe ato më të vona, është thënë e stërthënë, “adnauseam”, që ajo qenkësh e vjetër, por veç e izoluar…
Dhe ç’do të thotë kjo për Shqipen dhe trashëgiminë kulturore që ajo përfaqëson?
Horizonti i hapur nga Shkenca e Re e Etimologjisë ka nxjerrë në pah krejt një tjetër pozicion të Shqipes dhe trashëgimisë së thellë që ajo mbart ende sot të gjallë. Ajo emergon sikur shprehet De Rada si një “Lingua Primeva” – dhe kjo ka reperkusione të jashtëzakonshme për imagjinatën kulturore e shpirtërore europiane dhe në fakt për historiografinë e arkaicitetit të stërthellë të njerëzimit.
Duke iu referuar “ zgjerimeve të bisedës” sikurse i quan Autori, zgjerime të cilat përfshijnë shkencat dhe fushat e ndryshme të dijes, çfarë tregon Studimi për marrëdhënien e Gjuhësisë pikërisht me disiplinat e tjera shkencore dhe kërkimore?
Zbulim me pasoja katastrofale i studimeve të Autorit është fakti se Algoritmi Simbolik (i cili operon me dy “regjistrat logjikë” a ndryshe “kodet”: logjika formale konceptuale / kodi F dhe logjika esenciale simbolike / kodi E) përbën sfondin logjik mbi të cilin strukturoren gjuhët në kuptimin më të gjerë të fjalës, duke përfshirë këtu jo vetëm gjuhët e folura, por edhe çdo Shkencë a sistem të strukturuar njohjeje. Thënë ndryshe, ky libër dhe studimet e tjera të Prof. Zhejit rikuperojnë një lloj Izomorfizmi strukturor jo vetëm mes të folmeve të njerëzve (gjuhëve në kuptimin e ngushtë), por dhe të folmeve të shkencave, filozofive, religjioneve etj. Autori sjell shembuj të bollshëm që vënë në korrespodencë të vërtetat dhe rezultatet e fushave të ndryshme të dijes dhe njohjes me të vërtetat e thella që Gjuha mbart në gjirin e saj. Dhe tregohet kështu se, në kuptimin e zgjeruar të fjalës, gjuhët i binden një grupi transformacionesh simbolike që përbën një Invariant Ndërgjuhësor. Arrihet më së fundi, në këtë mënyrë, të artikulohet uniciteti i thellë dhe tërëpërshkues i realitetit që kërkon Paradigma Holistike dhe fryma e kohës së “New Age” në të cilën është futur njerëzimi.
Ç’do të thotë kjo në horizontin e ri shkencor e kërkimor?
Kështu, Etimologjia e Re jo veç e fut Gjuhësinë në thellësitë e reja të kërkimit shkencor e shpirtëror të “New Age” (fizika kuantike, gjenetika, staminaliteti, psikologjia e inkoshientit etj.) – por ajo e vë atë, Gjuhësinë, mu në qendër të tyre, tamam në rolin e një “ReginaScientiorum”. Dhe kjo pasi përmes rikuperimit dhe artikulimit të Algoritmit Simbolik, të cilin Gjuha mbart në gjirin e saj që nga zanafilla, linguistika më së fundi është në gjendje të penetrojë dhe çlirojë informacionin kolosal që fshihet tek Fjala – informacion që tejpërshkon kufijtë ndarës (ku më të ri e ku më të hershëm) mes “disiplinave” të njohjes dhe “domeneve” në realitetit. Bëhet fjalë për një Gjuhësi të Re e cila shërben si “instrumenti heuristik” par excellence, që mundëson transpozimin a extrapolimin e diturive dhe zbulimeve të një dimensioni (shkencë, fe, mistikë etj.) në dimensionet e tjera. Dhe këtu nuk është fjala thjesht për “inter-disiplinaritet”, pasi që komunikimi i thellë dhe intim mes Shkencave dhe unifikimi tërëpërfshirës që realizohet përmes Algoritmit Simbolik aktualizon në mënyrën më eprore Paradigmën Holistike.
Në fillim të shekullit të kaluar, u lakua se “Its the turn ofLinguistics…””, e pra “E ka radhën Gjuhësia…” Studimet e Petro Zhejit i japin përmasën e vërtetë kësaj intuite të avangardave të filozofisë, shkencës dhe artit të shekullit të kaluar. Dhe vërtetë, me ta marrë radhën Gjuhësia (zbulimit përmes saj të Algoritmit Simbolik), është hapur shtegu për arritjen e Sintezës së Madhe, meqenëse projekti “Science of Everything” (shkenca e gjithçkasë) mund mjaft mirë tashmë të perifrazohet si “Language of Everything” (e pra “Gjuhë e Gjithçkaje”).
Dhe cilat janë implikimet e Teorisë së Algoritmit Simbolik, të zbuluar dhe artikuluar nga Prof. Zheji?
Vetë zbulimi i Algoritmit Simbolik nga studimet e Autorit (të cilat panë për herë të parë dritën e botimit disa tridhjetë vjet pas artikulimit të tyre në mes të viteve 1970) është dëshmi e emergjencës së logjikës së zgjeruar simbolike (në gjuhën e Autorit: “emergjenca e kodit E”) dhe pasojave të saj “katastrofale” në të gjitha dimensionet e Dijes dhe Realitetit. Ku më shumë e ku më pak, ku më herët e ku më vonë, duket se në gjithë spektrin e kërkimit shkencor është ezauruar logjika formale aristoteliane dhe po kalohet ne një tjetër logos, i cili është logos i Absurdit dhe Marrisë nga këndvështrimi klasik i logjikës formale. Emergjenca e kësaj logjike të re bën që të vërtetat përrallore të arkaicitetit të thellë (që na mbërrijnë të “shifruara” që nga krye e herës… nga “Golden Age” apo “Epoka e Artë” e civilizimit…) të përputhen e futen në rezonancë me të vërtetat fantastike të bashkëkohësisë apo “New Age”… Dhe kjo përputhje flet, sikurse Autori shtjellon gjerë e gjatë, për mbylljen e një cikli të madh –mbyllje që për të Parët tanë është konsideruar edhe si fundi i botës sikurse e njohim…. Ky është edhe motivi eskatologjik i Studimeve dhe mesazhi “profetik” që ato përcjellin nga Urtia e Gjuhës….
Si ndjeheni për kontributin për publikimin e veprës së fundit të një studiuesi të kalibrit të Zhejit?
Përgatitja e “Rolit mesianik të Shqipes” për botim ka qenë sikur të punuarit në laboratorin e një alkimisti për të sistemuar dhe shkëlqyer qelqe dhe instrumente të mrekullueshme e të mistershme. Bashkëpunimi me Prof. Zhejin për sistemimin dhe rishikimin e bocetit për publikim ka qenë një proces inicimi në krejt një tjetër përmasë logjike të të parit të botës dhe dijes…Jam falënderues Zotit që ky libër doli në dritë, si një thesar i paçmuar për shqiptarët dhe si një pikë reference në horizontin e ri shkencor e kulturor të civilizimit. Suadela Balliu-mapo.al