Prof.dr. Lush CULAJ
PRETENDIMET GREKE NDAJ SHQIPTARËVE DHE SHQYRTIMI I KËRKESAVE TË TYRE NË KONFERENCËN E VERSAJËS
Në Konferencën e Versajës në Paris, Greqia përfaqësohej nga Venizellosi dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, Politis. Përfaqësuesi grek, sipas studiuesit Haris Silajxhiç, paraqiste përparësi për palën greke në raport me Shqipërinë, delegacioni përfaqësues i së cilës jo vetëm që nuk kishte përfaqësues aq të aftë, por gjithashtu në Konferencën e Paqes erdhën disa delegacione përfaqësuese shqiptare, të cilat nuk vepruan gjithmonë në harmoni, duke e përmendur këtu në mënyrë të veçantë rastin e Esat Pashë Toptanit.
Venizellosi, duke shkuar në Paris për ta përfaqësuar kombin e tij, po përpiqej të gjente parakushte të favorshme për realizimin e ëndrrës së madhe greke të një shteti të madh. Natyrisht Venizellosit i duhej të ndeshej tejet fuqishëm për t’u përballur me pengesat sepse pretendimet kombëtare të Greqisë shtriheshin në drejtime të ndryshme dhe preknin interesat e shumë fuqive.
Delegacioni shqiptar në Paris pati vështirësi të natyrave të ndryshme. Përveç vështirësive administrative përfaqësuesit amerikanë u detyruan të ndërhyjnë në rastin e Mihajl Turtullit dhe Mit’hat Frashërit, të cilëve u ishte ndaluar hyrja në territorin francez. Lidhur me këtë çështje përfaqësuesit amerikanë u shprehën se italianët dhe francezët duan të pengojnë hyrjen në Francë të atyre personave që kanë mendime të ndryshme me ta.”
Në Paris kishin mbërritur rivendikimet territoriale të Greqisë të paraqitura në një parashtresë të Venizellosit, kryeministër i Greqisë. Organi drejtues kryesor i Konferencës së Paqes, Këshilli i Kryetarëve të Qeverive dhe Ministrave të Punëve të Jashtme, i përbërë nga përfaqësues të SHBA, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë, vendosi në mbledhjen e tij të 4 shkurtit 1919 që të caktohej një komision i posaçëm për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Komisioni do të përbëhej nga përfaqësues të katër fuqive: SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca dhe Italia.”
Gjithsesi Konferenca e Paqes do të krijonte një komision të veçantë për t’u marrë me shqyrtimin e kërkesave greke. Më 24 shkurt Këshilli i Kryetarëve të Qeverive dhe Ministrave të Punëve të Jashtme e dëgjoi edhe kryeministrin shqiptar Turhan Pasha. U vendos që problemet e ngritura prej tij t’i përcilleshin për shqyrtim pikërisht Komisionit të krijuar për problemet greke.
Komisioni i ngarkuar me çështjet greke i zhvilloi punimet prej 12 shkurtit deri më 21 mars 1919 në 12 seanca. Çështjet që kishin të bënin me kufirin jugor të Shqipërisë u shqyrtuan në debate të zgjatura në 7 seanca të Komisionit, prej 12 shkurtit deri më 6 mars.
“Komisioni për Marrëdhëniet Greko- Shqiptare përbëhej nga:
Kryetar: M. Jules Cambon – Francë, nënkryetar: Rt. Hon. Sir. Robert Borden, Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Dr. W. L. Westermann, Dr.
Clive Day,
Britania e Madhe: Rt. Hon. Sir. Robert Borden, Sir Eyre
Crowe,
Franca: M. Jules Cambon- (Kambon), M. Gout, Italia: M. G. De Martino, Kolonel Castaldi.”
Që më 12 shkurt Venizellosi në paraqitjen e tij përsëriste synimet e vjetra mbi Shqipërinë Jugore (Epirin e Veriut). Duke u frikësuar se nuk do të gjente mbështetjen italiane lidhur me këtë çështje, Venizellosi fillon me lajka për shtetin e Italisë, duke e quajtur Greqinë një fuqi të vogël, kurse Italinë një fuqi të madhe dhe duke konkluduar se do të ishte në interesin e të dyja palëve që të arrihej një marrëveshje miqësore.
Kryetari francez i seancës, Jules Cambon (Zhyl Kambon), pasi bëri disa arsyetime të përgjithshme mbi “përzierjen e racave në Lindje”, veçanërisht në hapësirat e ish-Perandorisë Otomane, si kriter të kombësisë e trajtoi përkatësinë fetare (“kisha është ajo që karakterizon kombësinë”). Dy përfaqësues të tjerë të Francës Gout ( Gut) dhe Laroche (Larosh) u shprehën më drejtpërdrejt dhe morën haptazi anën e rivendikimeve greke.
Rivendikimet në këtë formë i kundërshtoi delegati amerikan Day (Dej), duke menduar se “nuk mund të pranonte zgjidhjen e propozuar nga Venizellosi për kufijtë etnikë”. Ai, ndër të tjera, do të deklaronte: “Nuk mund të pranojmë zgjidhjen e propozuar nga Venizellosi për kufijtë”, sepse siç u shpreh ai, në përkujtesën e tij “ato nuk përkojnë me kufij etnikë”.”
De Martino i Italisë u paraqit si njohës i mirë i çështjes dhe solli një varg argumentesh për të kundërshtuar rivendikimet greke, duke shprehur mendimin se “kombësia shqiptare nuk mund të përcaktohet lehtë; feja aty nuk është një element përcaktues; ka në veri katolikë që janë shqiptarë të mirë, sikurse ka në jug të fesë ortodokse”.! 10
Edhe kolegu i tij kolonel Castoldi (Kastodi), i cili solli përvojën e tij si ish-anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve të vitit 1913, që caktoi kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë konstatoi se “Konferenca e Londrës e përjashtoi kriterin fetar”, si element bazë të kombësisë dhe “e ngarkoi Komisionin të bazohej para së gjithash te gjuha”, duke nënvizuar se procesverbalet dhe hartat përkatëse u hartuan pikërisht në këtë bazë.
Francezi Laroche në vijim solli të dhëna në favor të tezave greke dhe ngjarjeve të verës së vitit 1914 në jug, duke e quajtur “autonominë verio-epirote” të Zografos si një manifestim të vullnetit të popullsisë së kësaj ane për t’u bashkuar me Greqinë. Koloneli Castoldi kundërshtoi përsëri duke theksuar se “qeveria epirote nuk ka qenë asnjëherë shprehje e vullnetit popullor”. Ai përmendi mizoritë e andartëve, vrasjet dhe djegiet e fshatrave, shpërnguljet e mijëra banorëve në ullishtat e Vlorës për t’iu shpëtuar mizorive greke.”
Në këtë seancë të parë bie në sy pozicioni disi i tërhequr i përfaqësuesit të Britanisë së Madhe, Sir Eyre Crowe (Eir Krou). 12
Mbledhja e parë mund të cilësohet si një këmbim paraprak mendimesh, gjatë të cilit u ndanë dy qëndrime: njëri i përfaqësuar nga delegatët e Francës dhe të Britanisë së Madhe në mbështetje të kërkesave greke dhe i dyti i përfaqësuar nga delegatët e SHBA-së dhe sidomos të Italisë, që shprehën rezerva në lidhje me këto kërkesa. Megjithatë, nga fundi i kësaj seance, De Martino i Italisë bëri një lëshim, duke pranuar se “me një shikim më të thelluar mund të arrihej në një ndryshim të vijës së kufirit të hequr nga Konferenca e Londrës dhe Protokolli i Firences dhe kjo në favor të Greqisë”. 13
Më 18 shkurt 1919 u mbajt seanca e dytë. Fillimisht e mori fjalën delegati i SHBA-së, Day. Ai iu referua një vije të hequr në një hartë të veçantë dhe nisej nga dy parime: 1) parimi i parë synonte “të ruante rrugët e komunikacionit për të dy popujt”, grekët do të kishin rrugën në drejtim të Janinës, kurse shqiptarët do të kishin atë në drejtim të Vlorës; 2) parimi i dytë synonte “t’i ndante të dy shtetet sipas vetë përbërjes së popullsisë”.
kazatë Day në vijim u ndal edhe në përbërjen fetare të popullsisë (“në e Veriut shumica është qartazi myslimane, kurse në jugperëndim shumica është e krishterë”) edhe në statistika gjuhësore (“në veri shumica dërrmuese flasin shqip”, kurse “në jug ka 35.000 grekë kundrejt 50.000 banorëve që flasin shqip”). 14
Këto të dhëna të delegatit amerikan nxjerrin konkluzionin se “pjesa” veriore e krahinës në diskutim është me prirje shqiptare”, kurse pjesën jugore ai ia njeh Greqisë.
————————-
Fragment: Ceshtja Shqiptare Ne Konferencen E Parisit – Dr. Prof. L.Culaj Prishtinë 2010