E diel, 7 Korrik, 2024
Kontakt: info@usalbanianmediagroup.com

Posta e Kosovës lëshon në qarkullimin pullat postare me imazhin e Kongresit të Manastirit

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka bërë të ditur se nga dita e sotme ka vënë në qarkullim pullën postare me imazhin që shënon 115-vjetorin e Kongresit të Manastirit, vendimet e të cilit konsiderohen si zanafilla e letërsisë shqiptare përmes krijimit të alfabetit të unifikuar shqiptar.

Ndërsa nga ajo u bë thirrje që qytetarët të shërbehen me këtë pullë postare.

“Kongresi i Manastirit ishte njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore, arsimore dhe kombëtare që e karakterizonte Lëvizjen e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në fillim të shekullit XX, në të cilin u përpilua dhe u njësua për herë të parë alfabeti i gjuhës shqipe.

Ky Kongres historik ishte organizuar në kushte e rrethana të rënda kombëtare dhe ndërkombëtare. Me prezencën e 150 delegatëve, të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë etnike, me përfaqësim edhe nga shoqëritë shqiptare jashtë atdheut, u vendos që alfabeti i gjuhës shqipe të ketë bazë shkronjat e alfabetit latin”, thuhet mes të tjerash.

Ndryshe, rilindësit mendjendritur, me vendimet e Kongresit të Manastirit, jetësuan punën e palodhshme dhe shumëvjeçare të atdhedashësve shqiptarë, si dhe avancuan zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejmë të çështjes arsimore, kulturore, publicistike, të lëvizjes shqiptare për të drejtat kombëtare, të cilat përbënin bazamentin e formimit të shtetit të ardhshëm shqiptar.

Njëherësh Posta e Kosovës, si çdoherë, afirmon ngjarjet kulturore dhe historike të vendit tonë me pulla të bukura postare në tërë botën. Me respekt dhe krenari ftojmë qytetarët tanë që të shërbehen edhe me këtë pullë postare, e cila në dërgesat e tyre i bartë imazhet e Kongresit të Alfabetit Shqip.