Në Lezhë është përkujtua 323-vjetori i Kuvendit të Arbërit, një ngjarje historike e rëndësishme për kombin shqiptar, pas Besëlidhjes së Skëndërbeut.
Në nderim të kësaj dateje, në kishën mesjetare të fshatit Merqi, ku u mbajt Kuvendi në vitin 1703, Bashkia Lezhë organizoi një veprimtari përkujtimore, e cila u ndoq nga historianë, autoritete lokale, përfaqësues të klerit katolik dhe banorë të zonës.
Në këtë ngjarje, Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, Otavio Vitale, u shpreh se pa Kuvendin e Arbërit, historia e kishës në Shqipëri nuk do të kishte qenë e njëjtë.
Kuvendi Kishtar i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703 në Kishën e Shën Gjon Kryepremit në fshatin Merqi të Lezhës, ishte një ngjarje e rëndësishme për forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.
Ky kuvend mori mbështetje nga Papa me prejardhje shqiptare, Klementi XI, dhe miratoi vendime të rëndësishme për hapjen e shkollave dhe botimin e librave në gjuhën shqipe, të cilat do të zbatoheshin gjatë shekujve XVIII dhe XIX.
Veprimtaritë e organizuara për këtë përvjetor nderojnë trashëgiminë e Kuvendit të Arbërit dhe rëndësinë e tij për formimin e kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
















