Në ambientet e Këshillit të Qarkut Korçë ka nisur sot konkursi “Gjuha Ime”, një aktivitet që zhvillohet në kuadër të muajit të alfabetit shqip.
Në këtë garë marrin pjesë nxënës të shkollave 9-vjeçare nga i gjithë qarku, të cilët do të testojnë njohuritë e tyre mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Kryetari i Këshillit të Qarkut, Petrika Tollkuçi, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti si një mënyrë për të nxitur dashurinë dhe kujdesin ndaj gjuhës shqipe që në moshë të hershme.
“Përmes një qasje konkrete dhe multidisiplinore projekti synon të nxis pjesëmarrjen aktive të nxënësve dhe mësuesve që promovojnë gjuhën shqipe, trashëgiminë kulturore, historinë kombëtare dhe ndjenjën e përkatësisë. Në këtë kuadër u vendos që fokusi i projektit te jeta tek arsimi para universitar”, u shpreh Tollkuçi.
Nxënësit pjesëmarrës u shprehën të emocionuar për mundësinë që u jepet të mësojnë përmes lojës dhe garës.
Finalja e konkursit do të mbahet të premten, ku do të shpallet ekipi fitues. Konkursi do të shoqërohet edhe me performanca artistike nga grupet mbështetëse të shkollave, përmes këngës, vallëzimit dhe instrumenteve muzikore, duke e kthyer garën në një festë të vërtetë të gjuhës shqipe.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/





















