Nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Shqiptarët masivisht nuk e kanë më Poet Kombëtar Naim Frashërin. Në fakt, nuk kanë asnjë poet kombëtar, sepse çdo poet shqiptar do të çonte vetë tek Naim Frashëri. Duhet lexuar poetët çfarë thonë për Naimin. Apatia masive për ta mbrojtur Naim Frashërin si duhet provon qartësisht këtë. Që ta kishin Naimin Poet Kombëtar do të duhej t’i mësonte sistemi edukativ formal. Sistemi edukativ nuk ia mëson dhe këtë e ka bërë qëllimisht. Qëllimi i sistemit arsimor formal “dhelparak” ka qenë që shqiptarët të mos kombëtarizohen nga shkolla, pra të mos bashkohen, por të fetarizohen, pra të përçahen dhe të konvertohen me detyrim.
Po të mësonin Naim Frashërin, Naimi do t’u thoshte se:
“Udha e vërtetës është udhë e mirësisë.”
Kështu shqiptarët bashkë me humbjen e kombëtarizmit dhe të vlerës, humbën mirësinë, pra karakterin, virtytet, moralin dhe filluan të shthuren me shpejtësi si komb. Naim Frashëri e pati qarë këtë situatë tonën me vargjet e tij:
“S’më vjen keq për dert e për fenë,
më vjen keq për njerëzinë që i dhatë arritën.”
Duke vepruar kështu, “karteli me pushtet politik e fetar” i hoqi vlerën e ligjërimit të mësuesit shqiptar dhe shkollës laike shqipe që vepron me frymën e “Mësonjëtores së parë shqipe” të Naimit dhe Samiut. Kjo bëri që “ligjin” e edukatës ta bëjnë faltoret e jo shkolla. Në të vërtetë, do ta bëjnë të huajt që financojnë faltoret në dukje “shqiptare”. Faltoret qartësisht nuk janë kombëtare, përderisa bëjnë “indiferentin” përballë shenjtërisë kombëtare që përfaqësohet nga Naim Frashëri dhe Rilindja Kombëtare.
Nuk reagojnë se e dinë që zvetënimi kombëtar shton “biznesin fetar” me njerëz të paditur nga vetë shkolla e tyre. Asnjë faltore nuk e mbron Naim Frashërin dhe Rilindjen Kombëtare.
Shkollës shqipe i humbi shenjtëria kombëtare dhe njerëzore. U hoq programi edukativ i Rilindjes Kombëtare, i cili ishte kombëtar dhe universal, duke qenë i rrallë edhe në botë për aftësinë e vet edukative të vetëdijes kombëtare dhe globale dhe të sintezës fetare.
Naim Frashëri do t’i mësonte:
“Pas kësaj, o shokë, kërkoni mos kërkoni Perëndinë nëpër mur e nëpër gur, por shihni mirë njerinë.”
“Me fjalë e me agjërime nuk e gjen dot Perëndinë, as me kreshmë e me kungime, si punojnë ata që s’dinë.”
Këto mësime të Naimit shkolla shqipe nuk ua mëson, por mëson sa për të shkuar radhën (në fakt për të fshehur braktisjen e qëllimtë). Me këtë braktisje të kombëtarizmit për fetarizim, e rrëzuan me shpejtësi punën e Pashko Vasës.
Propaganda antikombëtare diabolike e paraqet tinëzisht Naimin si “bektashi i mirë”. Bektashinjtë tundohen prej kësaj e bëhen apatikë. Ata nuk thonë “Naim Frashërin duhet ta duam si Poet Kombëtar e udhëheqës shpirtëror të shqiptarëve”, por “ai është bektashi”, pra duhet ta duan vetëm bektashinjtë. Kështu “intriga fetare” fiton dhe shqiptarët mbeten pa Poet Kombëtar, sepse nuk propagandohet vepra kombëtare, por vetëm vepra fetare.
Për “poet kombëtar”, tani shqiptarët do të kenë Nënë Terezën. Kur të bëhet gati, Edi Rama do t’i vërë edhe Ismail Kadarenë “të konvertuar në konvertues”. Kjo është arsyeja që Kadareja u përcoll me “bekimin” e Nënë Terezës mbi krye të arkivolit. Nuk është problem për Kishën Katolike që Kadareja komunist ishte punuar kundër katolikëve, priftërinjve dhe kishës. Mjafton që karteli politik i Kadaresë, pas kësaj, të punojë për Kishën Katolike. Kjo është “shenjtëria” që u ofron shqiptarëve Kisha Katolike.
Këta mjekatër vetë e sqarojnë pse u hoq “ligji i statusit” për Muzeun Kombëtar të Arsimit dhe pse u zhduk emri “Mësonjëtorja e parë shqipe” si shkombëtarizim i Korçës, heqja e mundësisë që 7 marsi 1987 të jetë Festë Zyrtare është pjesë e luftës fetare që ka nevojë për shmangien e laikizmit dhe kombëtarizmit që edukoi Rilindja Kombëtare dhe Naim Frashëri.
Heqja e dekoratës që mban emrin Naim Frashëri është provë e pakundërshtueshme se veprimtarë që qëndrojnë fshehur si program i rilindjes së Edi Ramës dhe Mirela Kumbaros dhe të Ismail Kadaresë, dekoratën që nuk e ka Naim Frashëri ia dhanë Nënë Terezës. Por Naim Frashërin nuk e lanë as me ditën e tij, 25 maj (1844). Ditën e pushimit e ka dhe do ta ketë vetëm Nënë Tereza. Po të ishte gjallë, do të turpërohej me shqiptarët që hanë e pinë ditën e pushimit dhe nuk reflektojnë (luten).
Shenjtëria e Gonxhe Bojaxhiut si shqiptare qëndron tek Naim Frashëri dhe Rilindja Kombëtare.
Pa Naim Frashërin dhe Rilindjen Kombëtare, Nënë Tereza do të dështojë dhe bashkë me të edhe Kisha Katolike apo Kisha Ortodokse, Kryegjyshata apo Komuniteti Mysliman që bëjnë sehir për dëmtimin e Naim Frashërit.
Titulli origjinal: Naim Frashëri nuk u bën më nder shqiptarëve / Nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
