E shtunë, 15 Nëntor, 2025
Kontakt: info@usalbanianmediagroup.com

“Myslimanen e dua, islamiken e kam frikë” – Aktori Bejleri reciton kapitullin më ‘ngacmues’ nga romani i Blushit

Shkrimtari dhe publicisti i njohur, Ben Blushi, ka publikuar një recitim të aktorit Vin Bejleri, nga romani i tij më i ri ‘Jam Mysliman’, që u dha edhe në promovimin e kësaj vepre që ka ngjallur kureshtje të madhe te publiku.

Në këtë pjesë të ndarë nga vet autori, shpjegohet ndryshimi mes një myslimani dhe një islamiku, transmeton Klankosova.tv

Kapitullin që aktori e quajti si “më ngacmuesi dhe mbase më analizuesi”, Blushi thotë se i kërkoi ta recitonte sërish, pas shumë kërkesave që pati.

Ky është recitimi i fragmentit nga romani ‘Jam Mysliman’: 

 “Duhej ta kisha bërë me kohë dallimin mes myslimanëve dhe islamikëve, ata nuk janë e njëjta gjë.

Në Arabi dhe sidomos në Mekë, janë të gjithë myslimanë.

Muhamedi ishe mysliman. Ata që mbulojnë bukurinë e grave me burka, ata janë islamikë.

Profeti ishe mysliman.

Ata që vrasin në emrin e tij janë islamikë.

Islami është mysliman.

Sharia është islamike.

Ali Baba po ashtu është mysliman.

Imami i rrugës së Kavajës është islamik.

Në Arabi gruaja ime ishte myslimane, kurse në Shqipëri ajo është islamike dhe prandaj kam përshtypjen se jetoj me dy gra të ndryshme.

Myslimanen e dua, islamiken e kam frikë.

Unë i dua të gjithë myslimanet.

E dua Ali Babën, të cilit ia kam blerë një palë tespije, që i mbajta në duar gjatë udhëtimit. Ato kanë prekjen time të butë prej ateisti plastik dhe formën e gishtave të mi prej shkrimtari kokëfortë.

E kur Ali Baba t’i marrë në duar do të ndjejë vërshimin e dashurisë sime të sinqertë. Ai është njeriu që më mësoi të dalloj një mysliman nga një islamik.

Myslimanët janë si dyqani i ëmbëlsirave, ku ai drejton si një profet, kurse islamikët janë si thertoret e mishit Hallall në rrugën e Kavajës.

Myslimanët e mirë u ngjajnë qenve shtëpiakë që lëshojnë jargë ylberi nga dashuria për njerëzit.

Kurse islamikët janë disa ujq me sy të kuq që përveç depozitave ushqimore, kërcënojnë edhe tepricat e kafshëve tjera.

Myslimanët përfaqësojnë një besim, kurse islamikët një ideologji.

Për myslimanët, Islami është paqe, për islamikët është pushtim.

Aty ku myslimanët kanë zbuluar një profet, islamikët kanë gjetur një komandant.

Myslimanët pinë, kërcejnë, bëjnë fotografi, dashurojnë, i lënë gratë e lira, qeshin, qajnë bashkë me to, shkojnë në maternitet dhe presin fëmijët nga duart e mamive. I çojnë familjet në plazh, zhvishen, notojnë, hanë mish të pjekur, hedhin parfum, blejnë dhurata, dhe kur vjen Dita e Bajramit shtrojnë një drektë të bollshme dhe i ftojnë qafirët në shtëpi, pa i detyruar të heqin këpucët.

Islamikët nuk i pinë asnjëherë, nuk i lejojnë fëmijët të bëjnë selfie. Nuk varin asnjë fotografi të prindërve në mur. Ndalojnë muzikën. I mbulojnë gratë. I rrahin vajzat e vogla kur lyejnë sytë. Mbajnë mjekra të yndyrshme gjer në gjoks. Presin mustaqet bashkë me pantallonat. Nuk e çojnë familjen kurrë në det. Dhe quajnë  haram çdo gjë të bukur që ka krijuar natyra, që nga vallëzimi, te kinemaja, piktura te dashuria e lirë e vajzave dhe djemve.

Kur arrita në Tiranë, islamikët po më prisnin. Gjatë gjithë natës, ushtria e tyre kishte sulmuar Facebook-un tim, duke më mallkuar  me disa breza. Gjyshi dhe babai im ishin pushkatuar si komunistë të devotshëm, por gruaja ime e parë nuk i kishte shpëtuar shënjestrës së tyre vulgare.

Aty kuptova se islamikët kanë disa pika të dobëta.

Nuk kanë shumë informacion. Ndoshta ata besojnë se informacioni i detajaur për qafirët nuk u duhet. Qafirët mbeten qafirë edhe kur martohen, edhe kur ndahen, edhe kur shkojnë në spital.

I vetmi informacion i vlefshëm për jetën e një qafiri është dita e tij e vdekjes.

Një qafir i mirë është një qafir i vdekur. “