Ilirjan Gjika
Gjurmët e Tiranës si vendbanim janë të hershme dhe nisin prej periudhës antike. Ndër monumentet më të vjetra të saj është edhe kështjella e ndërtuar në periudhën e Justinianit (527-565).
Po kështu, ndërtime dhe rindërtime të bëra prej perandorëve bizantinë janë edhe kështjellat dhe fortesat e Dajtit, Shëngjinit, Tujanit, Petrelës, Ndroqit, Lalmit, etj. Ndërkohë si monumente të tjera të kësaj kohe që ndodhen përreth Tiranës, përmenden edhe disa objekte të dikurshme kulti. Të shkatërruara nga koha dhe braktisja ato do të zbuloheshin kryesisht nga gjetjet rastësore, për t’u studiuar më pas prej arkeologëve.
Të tilla janë rrënojat e kishave të Prushit, Brarit, Linzës dhe Mulletit.
Por le t’i shohim me radhë këto objekte mesjetare. Kështu, në vitin 1975 do të zbuloheshin rastësisht në vendin e quajtur “Kodra e Kishës’’, në fshatin Prush në Kombinat, rrënojat e një kishe të vjetër. Pranë mureve të mbetura të saj do të gjendeshin edhe objekte të tjera. Bëhej fjalë për disa varre, gurë të punuar, tulla, tjegulla, një kolonë të vogël mermeri, një bazament të rrumbullakët, një pllakë mermeri me mbishkrim, një pjesë pllake guri, etj. Ndërkohë pllaka e mermertë paraqiste interes të veçantë. Sipas arkeologëve ajo i përkiste shek. IV-V dhe kishte një mbishkrim dedikues, poshtë të cilit ishte gdhëndur një kryq i gdhendur në reliev me përmasa 30 x 18.5 cm.
Po kështu, një kryq i dytë i vogël ishte gdhendur në fillim të rreshtit të parë të mbishkrimit, prej të cilit epigrafistët do të lexonin tekstin: “Në këtë vend pushon si kujtim i mirë Andreas…” Ndërkohë që rreshti i katërt do të mbetej i padeshifruar. Kjo pllakë, kolona e vogël prej mermeri, bazamenti i rrumbullakët, pjesa e pllakës prej guri dhe një tullë e plotë, ruhen në fondet e Muzeut Arkeologjik në Tiranë. Ndërkohë në mënyrë rastësore do të zbuloheshin në vitin 1981 edhe rrënojat e kishës së “Shën Mërisë” në fshatin Brar. Nga gërmimet arkeologjike do të rezultonte se objekti i përkiste një kishe njënefëshe të ndërtuar me gurë të lidhur me llaç. E mbuluar dikur me çati druri, kjo faltore, përbëhej nga naosi me përmasa 16 x 8 m, narteksi prej 8 x 5.36 m dhe këmbanorja. Por zbulimi më me vlerë në rrënojat e saj do të ishte një varr monumental i vendosur në pjesën verilindore të narteksit.
Objekti ishte ndërtuar mbi një varr tjetër më të vjetër dhe ngrihej mbi një bazament prej tri shkallësh. Ai mbështetej në murin e kishës dhe kufizohej anash prej një sofati dhe një pllake guri gëlqeror. Kurse në të dyja anët e murit mbështetës ishin vendosur dy pilastra, midis të cilave ngrihej një nike e stilizuar e pikturuar me afreske. Por pjesa më me interes e këtij varri monumental ishte pllaka anësore, në të cilën ishte gdhëndur në reliev një harkadë prej pesë harqesh, brenda të cilëve ndodhej nga një kryq. Ndërsa në të katër këndet e këtyre kryqeve ishte gdhëndur monogrami i Krishtit.
Sipas të dhënave epigrafike këtu ishin varrosur pesë persona, anëtarë të familjes fisnike Zguro, vdekur njëherësh dhe në rrethana të panjohura.
Do të ishin dy mbishkrime në gjuhët greke dhe latine, gdhendur në pjesën e sipërme dhe të poshtme të pllakës, që dëshmonin një fakt të tillë. Kështu, në mbishkrimin e parë dedikues në greqisht, ishte vendosur edhe data e llogaritur sipas kalendarit bizantin, që korrespondonte me vitin 1201. “Kujto o zot shërbëtorin tënd sevastin Mihal Zguron me bashkëshorten e tij dhe fëmijët. Viti 6709, indikti 10’’, shkruhej në të. Ndërkohë në pjesën e poshtme ishte gdhendur në gjuhën latine përkthimi i mbishkrimit të parë, por pa datë. Gjatë gërmimeve arkeologjike dhe restaurimit të monumentit, në naos dhe muret e narteksit, u gjetën edhe një sërë fragmente afreskesh të dëmtura, me mbishkrime greke dhe latine. Nga studimi i tyre u evidentuan dy skena të njohura të pikturës ikonografike, si ajo “Deisis” dhe “Dasma në Kanë”. Skena e parë që përfaqësonte edhe pikturën më të vjetër të kishës, sipas arkeologëve “… ishte me teknikë bizantine, por me frymë perëndimore’’. Po kështu, arkeologët dhe restauratorët, evidentuan edhe disa faza të ndërtimit të kishës dhe të pikturimit të afreskeve. Prej konkluzioneve të nxjerra, rezultoi se kisha e “Shën Mërisë’’ duhet të ishte ndërtuar në shek. X-XI, ndërkohë që shtresa më e vjetër e pikturës së saj i përkiste fundit të shek. XI . Më pas ky objekt do t’u nënshtrohej disa rikonstruksioneve ku do të kalonte edhe disa faza pikturimi. Një gjë e tillë do të kostatohej te afresket, mbishkrimet latine të së cilave dëshmojnë se kjo kishë do t’i shërbente më pas ritit latin. Një gjë e tillë mund të ketë ndodhur diku pas gjysmës së dytë të shek. XII, për të vijuar deri në mesin e shek. XVII, kohë kur kisha duhet do të braktisej për shkak të kthimit të banorëve në fenë islame (9). Por në këtë zonë, në Linzë, ruhet një pjesë e rrënojave të kishës së dikurshme të “Shën Mërisë”, shpallur si monument kulture në vitin 1970.
Pavarësisht se nuk ekziston ndonjë studim i mirëfilltë rreth këtij objekti, nga vjetërsia e mbetjeve mund të gjykojmë se kemi të bëjmë me një tjetër kishë të periudhës së mesjetës. Ndërkohë që një tjetër monument i periudhës bizantine është edhe paraklisi i quajtur nga vendasit si “Kisha e Manxharës”. E vendosur pranë rrugës automobilistike Tiranë-Elbasan, në Mullet, përballë kështjellës së Petrelës, objekti duhet të jetë ndërtuar diku në shek. XIII-XV. Prej tij ruhet pjesa e poshtme e mureve, brenda të cilëve ka rënë një pjesë e muraturës dhe qemerit. Kisha, emri i së cilës ka mbetur e paidentifikuar përbënte dikur një paraklis njënefësh, me planimetri në formë drejtëkëndëshi dhe me një absidë rrethore në anën lindore. Objekti ka qenë i ndërtuar me gurë shtufi dhe lumi të lidhur me llaç, teknikë që haset sipas studjuesve të fushës në kishat e vona bizantine. Ndërkohë që pjesa e poshtme e murit jugor përbëhet nga tulla të vendosura në formë të rregullt. Po kështu, tullat janë përdorur edhe si material për ndërtimin e rreshtit të sipërm rrafshues të murit, pikërisht në pjesën ku fillonin qemeret që mbulonin kishën. Ky objekt kishte vetëm një hyrje kryesore në anën perëndimore dhe një dritare të vogël ndriçimi në mes të absidës.
Pikërisht, këto ishin disa nga monumentet e kultit të periudhës bizantine në Tiranë. Prej kësaj kohe ruhen deri deri në ditët tona edhe emrat e fshatrave Shëngjergj, Shëngjin, Shënkoll, Pashkashesh, Shërmi, etj.
Po kështu, presin gërmimet dhe studimet e zgjeruara edhe një sërë objektesh të tjera kishtare të mesjetës, të evidentuara nga arkeologët në Bovillë, Priskën e Vogël apo Priskën e Madhe. Ndërkohë duhet theksuar se monumenti më i vjetër arkeologjik i kryeqytetit, “Mozaiku i Tiranës”, nuk është një mozaik i mirëfilltë siç shënohet në guidat, udhërrëfyesit dhe botimet e ndryshme me karakter promovues. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë tjetër veçse me mozaikun e dyshemesë së një kishe të periudhës paleokristiane, të shek. IV. Është pikërisht ky objekt i cili konsiderohet si një prej kishave më të vjetra të ndërtuara dikur në territorin e Shqipërisë.