Më 24 shtator 1911 lindi në Zarë të Kroacisë, Marie Kraja, një nga këngëtaret më të njohura shqiptare.
Familja e saj u vendos në Shkodër, ku Maria do të kalonte fëmijërinë. Ajo studioi për kanto në Universitetin e Gracit në Austri në vitet 1930–’34, vit kur nisi edhe karrierën artistike koncertore në Tiranë së bashku me pianistin Tonin Guraziu.
Arti dhe interpretimi i saj i veçantë u shpërfaq veçanërisht në themelimin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku ishte një ndër solistet e para, duke u bërë një prej artisteve të plejadës së artë, së bashku me Tefta Tashkon, Kristaq Antoniun, Mihal Cikon, Jorgjia Trujën etj.
“Gjithandej ka një fillim, por në Shqipëri këta artistë patën një rol shumë të madh, sepse duke studiuar në konservatore të shquara të Perëndimit, si në Milano, Grac, Monpelje etj. ata sollën një kulturë dhe një strategji për përhapjen e artit lirik: ata vunë këngën popullore përpara, duke e kënduar të shoqëruar me piano, jo me ahengun e atëhershëm që ishte më i përhapur,” tregoi maestro Zhani Ciko në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH 1 HD.
Me hapjen e Radio Tiranës, më 28 nëntor 1938, Maria u ftua në programet muzikore si soliste, e shoqëruar nga formacioni orkestral i institucionit. Ishte një kohë lufte, duke qenë se vendi gjendej i pushtuar nga gjermanët.
“Në Institutin ‘Nëna Mbretëreshë’, Maria ishte mësuese e fizkulturës dhe me shkathtësinë e saj këndoi direkt në Radio. Madje në transmetimin e parë të Radio Tiranës, në 1938-ën, e shoqëruar në piano ajo realizoi transmetimin e parë muzikor për hapjen e Radios,” kujtoi maestro Ciko.
Marie Kraja la pas një kontribut të madh në Filarmoninë e Shtetit dhe në ngritjen e operës shqiptare. Ajo u nda nga jeta më 21 dhjetor 1999 në një apartament të thjeshtë pranë kryqëzimit të 21 Dhjetorit në Tiranë.
“Në vitin 1999, në Pallatin e Kongreseve u bë një koncert i madh nga Radio Televizioni me këngët popullore të përpunuara. Ishte dita kur mbylli sytë Marie Kraja. Ky koncert filloi me homazhin për Marien, duke e lënë karrigen bosh dhe duke vendosur një buqetë të madhe me lule për këtë artiste të shkëlqyer, këtë zonjë të madhe të këngës e kantos shqiptare, që ishte në ballë të zhvillimeve muzikore të vendit,” u shpreh maestro Ciko.
Për nder të Marie Krajës, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Operistike mban emrin Marie Kraja.
– RTSH
