E hënë, 8 Dhjetor, 2025
Kontakt: info@usalbanianmediagroup.com
  • Kyçu
US Albania Media Group
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
US Albania Media Group
Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
Kreu Kultura

Luigj Gurakuqi i Ferid Kolës, një “qendër gravitacioni kulturor” ku Shkodra lexon veten dhe e riprodhon simbolikën e tij

8 Dhjetor, 2025
Në Kultura, Pikepamje
Share on FacebookShare on Twitter

Teksti ““Estetikë e Qytetarisë: Gurakuqi i Kolës dhe Semiologjia e Hapësirës Urbane”.” i Dr. Kujtim Halilit është një ndër trajtimet më të plota dhe më të pjekura mbi raportin midis skulpturës publike, identitetit qytetar dhe transformimeve kulturore që shoqëruan Shqipërinë pas viteve ’90. Ai arrin të bëjë jo vetëm një analizë estetike të monumentit të Luigj Gurakuqit në Shkodër, por një shqyrtim të shumëfishtë ku ndërthuren estetika moderne, semiologjia, filozofia e hapësirës publike dhe sociologjia e kujtesës.

Ajo që e veçon këtë material është këndvështrimi që e sheh monumentin jo si një objekt të ngritur mbi piedestal, por si një akt gjuhësor dhe etik i qytetit. Halili shpjegon me qartësi se si vepra e Ferid Kolës nuk i përket më modelit propagandistik të monumentalitetit totalitar, por futet në paradigmën moderne ku skulptura është komunikim, dialog, rrëfim i heshtur dhe ftesë për reflektim.

Leximi i figurës së Gurakuqit si simbol i qytetarisë është një nga pikat kyçe të analizës, ai nuk paraqitet si hero i ngurtë i historisë, por si ide e vazhdimësisë morale të Shkodrës, qytet që e ka identitetin e vet të lidhur me kulturën, arsimin dhe elitën mendore. Kola e ndërton figurën me një thjeshtësi të rafinuar, me linja të spastruara nga retorika, pikërisht për t’i lënë vend karakterit intelektual. Kjo qasje formaliste është një hap i qartë drejt modernitetit skulpturor, duke e pozicionuar monumentin brenda traditës evropiane të shekullit XX.

Një element tjetër i rëndësishëm është semiologjia e hapësirës: Halili argumenton se monumenti funksionon si një pikë referimi ku kombinohen kohë të ndryshme – para-komunizmi, socializmi, kapitalizmi post-1990 – dhe se ai i jep koherencë një mozaiku urban shpesh të fragmentarizuar. Kjo e bën veprën një shenjë stabilizuese, një “qendër gravitacioni kulturor” ku qyteti lexon veten dhe e riprodhon simbolikën e tij.

E rëndësishme është edhe distanca nga heroizmi agresiv, duke privilegjuar qetësinë refleksive, intelektualitetin dhe dinjitetin etik. Monumenti nuk kërkon adhurim, por vetëdije. Nuk imponon ideologji, por krijon hapësirë për mendim. Ai është polisemik, pra i hapur ndaj leximeve të ndryshme, një cilësi thelbësore e artit publik bashkëkohor.

Në këtë sens, materiali i Halilit e vendos monumentin e Gurakuqit jo vetëm si një vepër të rëndësishme të skulpturës postkomuniste shqiptare, por si një model paradigmatik të tranzicionit tonë kulturor: kalimi nga monumentaliteti i urdhëruar në monumentalitetin që dialogon; nga historia e përdorur si instrument politik në historinë që shërben si reflektim kolektiv.

Në thelb, ky është një tekst që i jep monumentit të Ferid Kolës një vend meritor në hartën estetike dhe qytetare të Shqipërisë, duke e interpretuar si një “arkitekturë të mendimit”, si simbol të emancipimit publik dhe si një akt të pjekurisë së re kulturore që Shkodra dhe Shqipëria filluan të ndërtojnë pas viteve ’90.
Albert Vataj

“Estetikë e Qytetarisë: Gurakuqi i Kolës dhe Semiologjia e Hapësirës Urbane”

Dr. Kujtim Halili
Monumenti i Luigj Gurakuqit në Shkodër, përfunduar në vitin 1993 nga skulptori Ferid Kola, përfaqëson një ndër pikat kulmore të transformimit të skulpturës shqiptare në periudhën e pasviteve ’90 (Figura.1).

Skulptura e artistit shkodran, Ferid Kola e vendosur në qendër të qytetit të Shkodrës, një nga veprat më të realizuara për të jetësuar këtë personalitet unik të Shkodrës dhe Shqipërisë
Vepra ngrihet në një kontekst të ri politik dhe kulturor, kur vendi po dilte nga diktatura dhe figura e Gurakuqit; personalitet i Shqipërisë së pavarur, intelektual, politikan dhe nismëtar i arsimit kombëtar, merr një dimension të ri simbolik: jo thjesht hero kombëtar i periudhës së Rilindjes, por një figurë themelore e identitetit qytetar, demokratik dhe modern.
Në fillim të viteve ’90, pas rrëzimit të sistemit komunist, ripërcaktimi i figurave historike u bë një proces i domosdoshëm estetik dhe etik. Monumentet nuk shërbenin më si instrumente propagandistike, por si mjete për të ringritur kujtesën kritike dhe pluraliste. Në këtë kuptim, zgjedhja e Luigj Gurakuqit nuk ishte rastësore: ai mishëronte kulturën qytetare shkodrane, arsimin, mendimin politik liberal dhe frymën evropiane të ndryshimit. Ferid Kola, duke e vendosur monumentin në një pozicion solemn, por pa e mitizuar në mënyrë retorike, ndërtoi një raport të ri midis publikut dhe historisë.
Vepra paraqet një figurë monumentale të stilizuar, me velatura të gjata dhe vëllime të pasterta, që krijojnë një ekuilibër midis abstragimit formal dhe identifikimit realist. Trupi i zgjatur vertikalisht mbart një qetësi dinjitoze, ndërsa trajtimi i formës shmang retorikën dramatike të monumentalitetit klasik të epokës totalitare. Plastika e figurës është përmbajtur, e rafinuar, duke e vendosur theksin te karakteri intelektual dhe jo te heroizmi aktiv (Figura. 2).

Skulptori shkodran, Ferid Kola pranë veprës së tij, në ambientet e fonderi, para se Luigj Gurakuqi si vepër t’i përkiste Shkodrës, t’i përkiste memories historike të këtij kolosi të djalërisë, intelektualit dhe personalitetit të shquar, përpiluesit dhe nëshkruesit të dokumentit themeltar të Shtetit Shqiptar
Silueta të qëndrueshme, me qëndrim të fortë, por pa tension; krijon një raport harmonik me hapësirën urbane përreth. Kostumi qytetar, i trajtuar me shenja minimale modelimi, vjen si shenjë e njeriut të dijes, jo të luftës. Koka dhe fytyra janë punuar me një realizëm të matur, ku vërehet qartësia e vështrimit: një shikim i qetë, i përqendruar, që sugjeron reflektim. Ky karakter i brendshëm – me ton etik dhe qytetërues – bëhet elementi kryesor i leximit ikonografik.
Gjymtyrët, të gjata dhe të thjeshtuara, vendosen natyrshëm pranë trupit, duke shmangur gestikulacionet ekspresive. Ky reduktim i gjuhës plastike thekson komunikimin intelektual dhe moral të figurës, duke i dhënë monumentit një statikë që synon meditimin dhe jo retorikën.
Raportet e zgjatura të trupit krijojnë një arkitekturë të brendshme të monumentit. Kola përdor vertikalitetin si dimension moral: ngritja fizike e figurës interpretohet si ngritje simbolike e idesë së shtetformimit dhe kulturës. Gropëzime stilistike të krahëve dhe këmbëve krijojnë një ritëm që udhëheq syrin drejt fytyrës, duke e bërë atë qendrën semantike të veprës.
Volumet janë të vendosura në një gjuhë të reduktuar, ku nuk mbizotëron detaji, por struktura. Që vetë artisti në takimet tona të shpeshta pohon; “…portreti është mendimi, e kam trajtuar si kapiteli i kollones që mbart (trupi)”, duke ju referuar trajtimit plastik (Figura. 3).

Skulptori Ferid Kola me autorin e materialit të servirur, Dr. Kujtim Halili
Kjo qasje, e lidhur me skulpturën moderne evropiane të shek. XX, e largon veprën nga ngurtësia akademike dhe e vendos në një dialog bashkëkohor.
Ky monument është më shumë se një përkujtimore. Ai bëhet akt simbolik i rigjetjes së qytetarisë shqiptare pas 1990-s. Përmes thjeshtimit formal dhe etikës së figurës, Ferid Kola arrin të kthejë Luigj Gurakuqin në simbol të arsimit, demokracisë dhe modernitetit qytetar. Vepra nuk imponon, por dialogon. Nuk glorifikon, por nderon. Kjo është cilësia që e vendos monumentin e Kolës midis realizimeve më të rëndësishme të skulpturës shqiptare postkomuniste.
Vendosja e monumentit të Luigj Gurakuqit në Shkodër nuk është thjesht akt përkujtimor, por një proces i ngulitur në semiotikën e identitetit qytetar shkodran. Figurimi monumental, i vendosur në një nga nyjet kulturore të qytetit, e kthen hapësirën përreth në territor të kujtesës dhe të ndërveprimit publik. Monumenti funksionon si shenjuese (signifier) e një vlerë kolektive: arsimi, kultura qytetare dhe patriotizmi i përqendruar tek elita intelektuale. Ajo çfarë shenjohet (signified) nuk është thjesht figura e Gurakuqit si individ historik, por ideja e shtetformimit të kulturuar, dhe jo vetëm të armatosur.
Hapësira publike, në raport me monumentin, përbëhet nga rrugë, institucione publike, rrjedha e qytetarëve në nyen hyrese të “Pjacës”, ritmet e përditshme të jetës. Ky mjedis bëhet narrator i heshtur i veprës, duke e bërë monumentin të ndërveprojë me aktualitetin, jo vetëm me kujtesën.
Lëvizja e kalimtarëve, zhurmat, arkitektura përreth, që shpesh është e periudhave të ndryshme historike, krijojnë një narrativë të shumëfishtë semiologjike, ku monumenti është pika e fiksimit të interpretimit. Në këtë kuptim:
1. Monumenti nuk është izoluar, por integruar;
2. Nuk dominon, por komunikon;
3 Nuk kërkon homazh, por reflektim.
Orientimi i monumentit ka peshë simbolike. Drejtimi i shikimit të Gurakuqit është i ngritur dhe i orientuar drejt hapësirës publike, duke mos kërkuar një pikë të vetme përballjeje. Kjo gjuhë semiotike tregon një marrëdhënie jo-hierarkike me qytetarin: monumenti nuk e shikon popullin nga lart, por e inkurajon të ngrihet drejt së ardhmes. Koka e ngritur simbolizon frymën e projektimit politik dhe arsimor, ndërsa vertikaliteti i trupit thekson moralin e qëndrimit.
Në hapësirën rreth monumentit gjendet një heterogjenitet arkitektonik: ndërtesa të para komunizmit, struktura të socializmit dhe elemente të rinj të kapitalizmit post–1990. Në këtë përzierje semiotike, monumenti bëhet pikë stabilizimi simbolik, duke përçuar koherencë në një hapësirë që shpesh është e fragmentarizuar vizualisht dhe ekonomikisht.
Figura e Gurakuqit shfaqet si ide e përhershme e qytetarisë, e cila kapërcen periudhat ideologjike. Kjo e bën monumentin shenjë që neutralizon polaritetet historike, duke vendosur mbi to vlerën e arsimimit dhe identitetit kulturor.
Në semiologjinë e hapësirës publike, monumentet marrin kuptim jo vetëm nga forma, por nga performativiteti i përdorimit të tyre. Gjatë veprimtarive përkujtimore, aktiviteteve qytetare, protestave, apo tubimeve kulturore, monumenti i Gurakuqit bëhet qendër e artikulimit të diskursit publik.
Kjo tregon se vepra e Kolës nuk është ndërtuar për retorikë monumentale, por për aktivizim simbolik. Figura e një intelektuali bëhet platformë morale për veprimin qytetar.
Thjeshtimi plastik, i interpretuar në analizën estetike, merr një kuptim të dytë semiologjik në hapësirë: sa më pak retorikë formale, aq më shumë hapësirë për kuptimin komunitar. Thjeshtësia vizuale i lë qytetarëve mundësinë për ta ripërcaktuar figurën e Gurakuqit nëpërmjet historive personale dhe identitetit lokal. Kjo shndërron monumentin në shenjë polisemike, të hapur ndaj leximeve të ndryshme dhe jo të imponuara.
Vepra artistike e Ferid Kolës funksionon në Shkodër jo vetëm si vepër e skulpturës publik, por si mekanizëm i prodhimit të kuptimit urban. Ai nuk e ngre qytetin në hijen e së kaluarës, por e përfshin atë në një dialog modern mbi qytetarinë dhe etikën publike. Vepra ndërton një semiologji të së ardhmes, ku figura e Luigj Gurakuqit shfaqet jo si relike e historisë, por si model i vazhdueshëm i emancipimit shoqëror (Figura. 4).

Monumenti i Luigj Gurakuqit në Shkodër përfaqëson një identitet të ri monumental, ku skulptura nuk shërben më si instrument ideologjik, por si mjet i memorizimit refleksiv dhe qytetar. Nëpërmjet një gjuhe plastike të përmbajtur, abstragimit të matur dhe theksimit të figurës intelektuale, Ferid Kola krijon një monument që sintetizon historinë, artin dhe etikën publike. Kjo vepër bëhet shembull i mënyrës së re të përfaqësimit të personaliteteve kombëtare në hapësirën shqiptare, duke vendosur dialog mes së shkuarës dhe të tashmes, mes kujtesës dhe së ardhmes.

Etiketa: ferid kolagurakuqiluigj gurakuqimonumentpermendorerilindasshtatoreskulpture
Shkrimi Mëparshëm

Janina dhe përkatësia shqiptare: Historia, gjeografia dhe gjeopolitika e identitetit të qytetit që dikur frymonte shqip

Shkrimi Vijues

Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

Të Ngjashme

Kultura arbëreshe prezantohet në Vatikan
Aktualitet

Kultura arbëreshe prezantohet në Vatikan

8 Dhjetor, 2025
Janina dhe përkatësia shqiptare: Historia, gjeografia dhe gjeopolitika e identitetit të qytetit që dikur frymonte shqip
Kultura

Janina dhe përkatësia shqiptare: Historia, gjeografia dhe gjeopolitika e identitetit të qytetit që dikur frymonte shqip

8 Dhjetor, 2025
Trashëgimia që bashkon trojet shqiptare: Tropoja përkujton përfshirjen në UNESCO
Aktualitet

Trashëgimia që bashkon trojet shqiptare: Tropoja përkujton përfshirjen në UNESCO

6 Dhjetor, 2025
Dioqeza Prizren-Prishtinë dhe Argjipeshkvia e Tivarit shënojnë “Ditët e Bogdanit 2025″
Aktualitet

Dioqeza Prizren-Prishtinë dhe Argjipeshkvia e Tivarit shënojnë “Ditët e Bogdanit 2025″

6 Dhjetor, 2025
Luigj Gurakuqi në dokumente – Ekspozitë me materiale arkivore kroate mbi vrasjen e patriotit
Aktualitet

Luigj Gurakuqi në dokumente – Ekspozitë me materiale arkivore kroate mbi vrasjen e patriotit

6 Dhjetor, 2025
Vazhdimësia Etnokulturore: Një analizë mbi identitetin Shqiptar të Himariotëve, Suliotëve, Epirotëve, Arbëreshëve dhe Arvanitasve
Kultura

Vazhdimësia Etnokulturore: Një analizë mbi identitetin Shqiptar të Himariotëve, Suliotëve, Epirotëve, Arbëreshëve dhe Arvanitasve

6 Dhjetor, 2025
Shkrimi Vijues
Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

  • Prirje
  • Komente
  • Të fundit

Legjenda e Rozafës, për t’u ngritur një kala, u flijua një grua

25 Qershor, 2021

Realizuar në vitin 1467, zbulohet portreti origjinal i Skënderbeut nga Gentile Belini

21 Mars, 2024

Populli vuante për bukë, shikoni si jetonte Enver Hoxha, gazetari anglez publikon fotot e pabesueshme

22 Dhjetor, 2020

E vërteta mbi historinë e xhaxhait të Vjosa Osmanit, që u varros i gjallë nga Enveri

18 Dhjetor, 2020

Shqiptarët në Udhëkryq!

0

Meditime NYC 2020…

0

Paradokset e ditës së parë të shkollës

0

Foto – “ 70% plagjaturë në artikullin shkencor”/ Studiuesi “nxjerr zbuluar” Ministren e re të Arsimit

0
Kultura arbëreshe prezantohet në Vatikan

Kultura arbëreshe prezantohet në Vatikan

8 Dhjetor, 2025
Godina historike e Teatrit të Kukullave, me hapësirë të re muzeale kushtuar Parlamentit të parë

Godina historike e Teatrit të Kukullave, me hapësirë të re muzeale kushtuar Parlamentit të parë

8 Dhjetor, 2025
Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

8 Dhjetor, 2025
Luigj Gurakuqi i Ferid Kolës, një “qendër gravitacioni kulturor” ku Shkodra lexon veten dhe e riprodhon simbolikën e tij

Luigj Gurakuqi i Ferid Kolës, një “qendër gravitacioni kulturor” ku Shkodra lexon veten dhe e riprodhon simbolikën e tij

8 Dhjetor, 2025
Kultura arbëreshe prezantohet në Vatikan

Kultura arbëreshe prezantohet në Vatikan

8 Dhjetor, 2025
Godina historike e Teatrit të Kukullave, me hapësirë të re muzeale kushtuar Parlamentit të parë

Godina historike e Teatrit të Kukullave, me hapësirë të re muzeale kushtuar Parlamentit të parë

8 Dhjetor, 2025
Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

Ivanka Trump publikon librat për historinë shqiptare: Çfarë po hulumton?

8 Dhjetor, 2025
Luigj Gurakuqi i Ferid Kolës, një “qendër gravitacioni kulturor” ku Shkodra lexon veten dhe e riprodhon simbolikën e tij

Luigj Gurakuqi i Ferid Kolës, një “qendër gravitacioni kulturor” ku Shkodra lexon veten dhe e riprodhon simbolikën e tij

8 Dhjetor, 2025
Janina dhe përkatësia shqiptare: Historia, gjeografia dhe gjeopolitika e identitetit të qytetit që dikur frymonte shqip

Janina dhe përkatësia shqiptare: Historia, gjeografia dhe gjeopolitika e identitetit të qytetit që dikur frymonte shqip

8 Dhjetor, 2025
Një kompani shqiptare që ka ndërtuar reputacionin e saj mbi cilësinë, korrektësinë dhe përkushtimin

Një kompani shqiptare që ka ndërtuar reputacionin e saj mbi cilësinë, korrektësinë dhe përkushtimin

6 Dhjetor, 2025

© 2022 USAlbanian Media Group / Kontakt: info@usalbanianmediagroup.com

Asnjë Rezultat
Shikoni të Gjithë Rezultatet
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politika
    • Kronike
    • Ekonomia
  • Pikepamje
  • Rajoni
  • Bota
  • Diaspora
  • Sociale
  • Kultura
  • English

© 2022 USAlbanian Media Group / Kontakt: info@usalbanianmediagroup.com

Mirë se Erdhe!

Hyni në llogarinë tuaj më poshtë

Harruat Fjalëkalimin?

Merrni Fjalëkalimin

Ju lutemi shkruani emrin e përdoruesit ose adresën e emailit për të rivendosur fjalëkalimin tuaj.

Identifikohu

Add New Playlist