Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një përmbledhje të aktiviteteve në Ditën e Pavarësisë, duke u ndalur edhe te Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës, me temë “Nga lufta në rimëkëmbje”.
Gjatë fjalës së tij, Kurti theksoi se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, duke e cilësuar atë si përpjekje çlirimtare të popullit të Kosovës.
Kreu i qeverisë së Kosovës u ndal edhe te pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri, duke deklaruar se ajo nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së.
Sipas Kurtit, kjo çështje është pjesë e një narrative hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, me synim dëmtimin e luftës çlirimtare dhe imazhit të shqiptarëve.
“Nuk ka simbolikë më të fuqishme se sa ta lidhim Ditën e Pavarësisë me përgjegjësinë tonë për reflektimin shkencor dhe institucional mbi plagët e luftës dhe rrugën e rimëkëmbjes sonë. Përtej një aktiviteti akademik, konferenca e dytë ndërkombëtare e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës “Nga lufta në rimëkëmbje” është pjesë e procesit të gjerë shtetëror dhe shoqëror për përballje me të kaluarën, për dokumentim të së vërtetës dhe drejtësi. Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tij dokumentuese dhe arkivore. Sepse një shtet që përballet me të kaluarën, ecën më i fortë drejt së ardhmes.
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet. Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës, ndaj represionit sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë deri në gjenocid. Seancat gjyqësore që po zhvillohen aktualisht në Hagë nuk mund të vënë në dyshim karakterin çlirimtar e antikolonialistë të luftës sonë, as aspiratën legjitime të Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor. E ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narratives hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Shtëpi të Verdhë” nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur “Sarajevo Safari” ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, me ç’rast për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje boshnjak civilë me snajperë në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar e gjykuar krimet e “Sarajevo Safari” do të duhej të angazhohej ndonjë gjykatë speciale ndërkombëtare”, ka shkruar ai./TCH















