Historia e lirisë së Kretës mban brenda saj kapituj të pashkruar, ku emrat e vullnetarëve shqiptarë, e konkretisht të sojit të lebërve (të njohur në bibliografinë greke si Liapides), shfaqen si protagonistë të heshtur, por vendimtarë. Revolucioni i Kretës i vitit 1866 shënon një prej pikave kulmore të këtij kontributi, ku zbarkimi i lebërve në Mirabello mbetet një dëshmi e gjallë e solidaritetit luftarak arvanito-shqiptar në pellgun e Egjeut.
Zbarkimi në Mirabello dhe sfida ndaj Omer Pashës
Në verën e vitit 1866, ndërsa flaka e kryengritjes kishte përfshirë Lasithin, një korpus vullnetarësh rebelë, të përbërë nga “Liapides” (lebër) që vinin nga Morea dhe Greqia Qendrore, zbarkuan në Mirabello. Ky operacion ushtarak kishte një qëllim të qartë strategjik: të zmbrapsnin fushatën e egër të Omer Pashës, i cili synonte të shtypte me zjarr e hekur rezistencën kretase në lartësitë e Lasithit.
Sipas raporteve të kohës, këta vullnetarë “Liapides” përfaqësonin elementin më të sprovuar luftarak, të cilët pavarësisht distancës gjeografike, shihnin te Kreta një front të përbashkët kundër tiranisë osmane.
Paragjykimi historiografik: Nga Pouqueville te “liapis” me “l” të vogël
Një pikë me rëndësi akademike që vërehet në dokumentacionin e siguruar është trajtimi “i shtrënguar” që historianët grekë u kanë bërë arvanitëve. Është paradoksale që në shumë shkrime, emri “Liapis” (Lebër) shkruhet me shkronjë të vogël, si një përpjekje për të zhveshur këtë grup etnik nga identiteti i tij i spikatur.
Rrënjët e këtij nënçmimi i gjejmë te konsulli francez në Janinë, Pouqueville. Duke qenë në një konflikt të vazhdueshëm me Ali Pashë Tepelenën (të cilin ai e quante “Liapis Alipasas” Ali Pashë Labi), Pouqueville u hakmor përmes penës, duke shkruar faqe të tëra denigruese për sojin e lebërve. Kjo mendësi u trashëgua në historiografinë e mëvonshme greke, e ushqyer edhe nga konfliktet e brendshme civile midis lebërve dhe suliotëve/çamëve, të cilët historikisht shpesh janë gjendur në kampe kundërshtare.
Masakra në Psara dhe Ali Pashë Tepelena
Dokumentet përmendin gjithashtu një ngjarje tragjike e të dhimbshme: “Holokaustin e Lebërve në Psara”. Kjo dëshmi tregon se prezenca e tyre në ishujt e Greqisë nuk ishte sporadike, por një prani konstante në momentet më kritike të luftës. Lidhja e tyre me Ali Pashë Tepelenën, figurën qendrore të qëndresës dhe autonomisë në Epir, bëri që lebërit të shiheshin me dyshim nga fuqitë e mëdha (si Franca) dhe nga disa qarqe që synonin një Greqi të pastër nga elementët arbëror ose ndryshe arvanitë.
1828: Kapiteti Malikoutis dhe “Gjashtë Leventët Lebër”
Një tjetër dëshmi prekëse vjen nga viti 1828 në Mesara të Heraklionit. Kapiteni kretas Malikoutis, pasi u ngrit kundër agait turk të zonës, u rrethua në një kishë. Gazeta kretase “PATRIS” ruan një rimë popullore të asaj kohe, e cila përshkruan momentet e fundit heroike të kapitenit, i cili nuk ishte vetëm, por i shoqëruar nga “gjashtë leventë lebër” (exi Leventes Liapides).
Kjo vjershë popullore është ndoshta dëshmia më e pastër e vëllazërisë në armë; aty ku dokumentet zyrtare heshtin, kënga popullore ruan emrin e “leventëve lebër” që ranë në altarin e lirisë së Kretës.
Pjesëmarrja e lebërve në Revolucionin e Kretës të vitit 1866 dhe në betejat e vitit 1828, tregon se identiteti shqiptar ishte një motor jetëdhënës në kryengritjet e Ballkanit. Ndonëse historiografia mund t’i ketë lënë në hije, të shtyrë nga inatet e vjetra të Pouqueville-it apo ndasitë krahinore, faktet arkivore dhe poezia popullore flasin qartë. Lebërit nuk ishin thjesht vullnetarë; ata ishin elita luftarake që në Mirabello dhe Heraklion shkruan me gjak një pjesë të historisë së Kretës.
Burimet:
- Arkiva e Revolucionit të Kretës (1866) – Zbarkimi në Mirabello.
- Gazeta “PATRIS” (Kretë) – Arkiva e poezisë popullore.
- Shënime mbi veprën e Pouqueville dhe ndikimin e tij në historiografinë ballkanike.
- Referenca mbi Ali Pashë Tepelenën dhe masakrën e Psarës.

























