Nga Elis Buba
Nga intervista e mbrëmshme e presidentit Meta, në Zonë e Lirë, më saktë nga hakërrima e tij, shpesh jashtë shinave politike, ndaj kryeministrit, u vu re se konflikti politik është rikthyer në nivelet e dikurshme, kur Meta e shthurte fjalorin në adresë të Ramës, duke harruar postet dhe imazhet përkatëse. Por është Shqipëri, dhe ne kemi pasjon të shfrenuar për të folur e piskamur sidomos për dikë që s’është i pranishëm. Këtu analizoj, pasi s’jam i denjë të jem avokat i kurrfarë djalli, për të cilin në bindjen time, duhet hetuar në mënyrë të skajshme. S’mbroj askën. Thjesht raportoj atë që lexohej mbrëmë ndër rreshta.
Ajo që realisht vlerësova tek Çani si drejtues i emisionit, është vetëm një pyëtje. Që s’u la pa replikur nga Meta. “Cili është qëllimi juaj, çfarë pritet në të ardhmen…etj.etj.”. Presidenti gjatë gjithë bisedës ka përdorur si bosht mbështetës populizmin dhe u përgjigj “Dua që tu kthej Shqipërinë shqiptarëve.” Pyetja që kjo përgjigje lyp, por që mungoi është: – Gjatë gjithë këtyre viteve që forca juaj politike, ka shërbyer si kushinetë, për këdo që ka mbajtur pushtetin, a s’keni patur rast t’ua ktheni Shqipërinë shqiptarëve?-
Më herët Rama. është shprehur në lidhje me Metën tekstualisht – “Çfarë kërkon ky, të bëhet mbret apo të bjerë dëshmor”?
Në Zone e Lirë, Meta ka gjetur rast t’i japë publikisht përgjigjen:
“Jo. Mua të më thotë ai dëshmor, ai qen bir qeni. Ai që thotë Vojo Kushi. Vojo Kushi është president sot, janë 10 milionë shqiptarë Vojo Kush. Këtë ta dish ti dhe ata maskarenj, diplomatë kingfilmat e tu që vë në telefon që ti thonë Presidenti mbasi Venecia thotë Ardian Dvorani shkatërroi gjykatën Kushtetuese, ti thonë, prano ti këtë se ndryshe do dalësh kundër nesh. I thuaji Sorosit të vijë të bëjë investime. Të zbrapsë Sorosi Shqipërinë për llogari të veta, kjo nuk ndodh. Ta kam thënë para dy vjetësh se keni 5 vjet që mbani peng këtë vend e këtë shtet. Pikë.” Transkripti është pak a shumë ky.
Nga një dallgë e tillë fjalësh, menjëherë lind pyetja, që nuk u shqiptua në studio. Kur e di ç’qen bir qeni, sipas jush, ke në krye të shtetit e në koalicion, përse të mos veprohej më herët kundër tij?! Përse pritet fushata elektorale, për t’u shndërruar të gjithë në qengja?
Ajo që bën përshtypje në ligjëratën e numrit një të shtetit është bindja që ai ka, sa i takon mbështetjes që gëzon në popull. Madje ai përmend shifra të tilla si 10 milionë shqiptarë. Duke pasur parasysh ndoshta edhe shqiptarët e rajonit, emigrantët dhe diasporën. Që dëshiron tu veshë uniformën e forcës politike që drejtonte e që përfaqëson në shumë nivele. Këtë distancimin bashkëshortor, për hir të politikës dhe pozitave të momentit s’kam për ta kuptuar dhe pranuar kurrë. Është dukshëm fazadë, për këdo që ka sy ta shohë.
Jo zotërinj! Ne s’kemi të bëjnë fare me qengja, por me ujqër të kamufluar, që o të bëjnë si veten ose përpiqen të të hanë.
I vetmi që mori atriburet e gazetarit të vërtetë për një moment ishte Rezart Veleshnja, në rolin e Arian Çanit, teksa e pyeti presidentit e republikes, “Përse thonë se je djal flori?”. Duke iu referuar nofkës së famshme te Metës, Like floriri. Hetoni pak mbi këtë nofkë…!
Në atë kakofoni të gjeneruar në Zonën e Lirë, që e duan të gjithë për gallatën e përfundjafshme, u kritikuan e akuzuan kaq shumë oligarkët, por s’kuptoj nëse e kuptuat që kjo është thjesht një luftë brenda llojit. Oligarkëve të politikës nuk i mbajnë më nervat karshi shoku-shokut. Kjo është ajo që populli e kupton shumë qartë, por s’ka ç’të bëj, sepse rriskon vendin e punës dhe bukën e gojës. Po! Ky vend s’ka elektorat të lirë, ka vetëm të marrë peng, nga buka e fëmijëve. Dhe këta burrështetas që hiqen si njerëz me rëndësi të veçantë, s’kanë asgjë të përbashkët me popullin që i zgjedh.
Një mik gazetar. Këto ditë është në kërkim të blerjes së një apartamenti. Para se të marrë kredinë, sigurisht që do të gjejë diçka të përshtatshme për konditat e tij. Në këtë proces, po e ndihmoj edhe unë me aq sa më lejon koha. Të kërkuarët, nëpërmjet një agjensie pronash, na dërgoi në fund të rrugës Irfan Tomini, Tiranë, në disa lagje të përçudnuara nga amortizimi. Në katin e pestë të një pallati, trokitëm në një derë, material rimeso, të lyer me bojë vaji të bardhë. Na u përgjigj në derë, një vajzë, që hapi derën e mjerimit ku ajo jeton. Me një fëmijë në krahe, e një tjetër që çapitej zbathur në ato pllaka ku unë kisha merak të shkelja me këpucë. Nuhata, preka dhe pashë mjerimin, që vishte, mbathte, ushqente ata njerëz. Mu duk vetja si në apartamentin e Raskolnikovit, në “Krim dhe ndëshkim”… ato orendi, ato veshje, ajo rrëmujë konstante e pajetë…
Banorët e atij pallati me mure të nxirë i përfytyrova kështu, njerëzit e tjerë në atë lagje i përfytyrova kështu. Një filtër i ri sikur u krijua në vetëdijen time. Gjithçka që shihja e sitja ndryshe. Këta janë shqiptarët e fjalimeve të presidentit. Kjo është jeta këtu, mes pallateve dhe betonit të oligarkëve që nuk jetojnë vetë aty.
Dhe, zoti president, unë s’ju besoj dot ju, s’besoj dot as kryeministrin. Por jam i bindur se për këta njerëz, ky do jetë realiteti edhe pas datës 25 prill, edhe pas çdo date tjetër, ku në garë elektorale do jenë hajdutë të veshur me kostumin e politikanit.
Të gjithë mund të jënë mashtruesa deri në njëfarë niveli, por disa politikanë të shekullit tonë kanë thyer rekorde ekstreme.
Edhe pse ju e dini mirë që ai popull që fle në demokraci, zgjohet në diktaturë, vetëm tani i ndalët ninullat e po na këndoni kushtrimin. Përse vallë?