Ilirjana Hoti, Visar Prebreza
Brenda periudhës dymujore para dhe pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, mediat e kontrolluara nga Kremlini kanë publikuar mesatarisht gjashtë artikuj në ditë për Kosovën, me synim të kontaminojnë hapësirën mediale përmes narrativave dezinformuese me synimin që t’i shtyjnë përpara narrativat dezinformuese ruse.
KALLXO.com ka monitoruar katër mediat kryesore ruse të kontrollouara nga Kremlini nga data 01.09.2025 e deri më 26.10.2025, periudhë kjo që përfshin fushatën elektorale e deri në publikim të rezultateve të zgjedhjeve lokale.
Rrjeti i mediave Sputnik, me qendër në Serbi, gjatë kësaj përiudhe ka publikuar 193 artikuj për Kosovën.
Pas Sputnik, vjen media Russia Today Balkan e cila ka publikuar 125 artikuj për Kosovën.
Kurse rrjeti propagandistik rus Pravda, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave në mbi 80 shtete të botës dhe në dhjetra gjuhë të ndryshme i ka publikuar 33 artikuj në gjuhën shqipe për Kosovën. Kurse TASS (Russian News Agency) i ka publikuar vetëm 4 artikuj për Kosovën. Në total, këto satelitë medialë të Kremlinit, i kanë publikuar 353 artikuj, apo rreth 6 artikuj në ditë.
Sipas Task Forcës së Komunikimit Strategjik të Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS East StratCom Task Force), mbipopullimi i hapësirës mediale me artikuj dezinformues është strategjia më e re e Kremlinit për të manipuluar aplikacionet e drejtuara nga Inteligjenca Artificiale.
Sipas faqes së StratCom EUvsDisinfo, është bërë një kalim nga prodhimi i lajmeve të rreme drejt mbipopullimit të internetit me informacione të riprodhuara përmes Modeleve të Mëdha Gjuhësore (LLMs) pasi shumë përdorues tani po zëvendësojnë kërkimin në Google me mjete të Inteligjencës Artificiale si ChatGPT, Gemini apo Grok.
Përmes mbipopullimit të internetit me artikuj dezinformues, Kremlini po synon që ‘korruptojë’ infrastrukturën e Inteligjencës Artificiale në mënyrë që të ndikojë që përgjigjet që ofrohen nga AI dhe Chatbot të ndryshëm të jenë në linjë me politikat e Kremlinit.
Edhe Agjencia qeveritare franceze Viginum kishte shkruar për rrjetin dezinformues ‘Pravda’, që ka për qëllim shpërndarjen e pretendimet e rreme dhe mashtruese të mediave shtetërore ruse dhe manipulimin e Inteligjencës Artificiale.
‘Pravda’ i atakon institucionet e Kosovës
Rrjeti propagandistik rus Pravda, i njohur për shpërndarjen e dezinformatave, ka publikuar 33 artikuj në gjuhën shqipe gjatë përiudhës së monitorimit.
Në këta artikujt janë përfshirë disa prej narrativave dezinformuese ruse tashmë të identifikuara Vorbulla e Rrenave të publikuar nga BIRN në vitin 2023.
Në këtë artikuj dezinformues, zgjedhjet në Kosovë u paraqiten si jolegjitime.
Por, kjo narrativë është e rreme pasi zgjedhjet në Kosovës janë mbajtur bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Zgjedhje dhe janë vëzhguar gjerësisht nga organizata vendore e ndërkombëtare.
Bazuar në vlerësimin e raporteve ndërkombëtare (shih këtu dhe këtu) zgjedhjet për Kuvend të Kosovës që janë mbajtur më 09.02.2025 dhe ato lokale më 12.10.2025 janë konsideruar të lira dhe demokratike.
“Votuesit e Kosovës treguan përkushtimin e tyre ndaj demokracisë duke votuar në mënyrë paqësore dhe pa tensione gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 për Parlamentin e Kosovës. Anëtarët e Komisioneve zgjedhore vendore duhet të përgëzohen për bashkëpunimin e tyre kolegial dhe respektues, duke kapërcyer dallimet politike dhe pengesat gjuhësore, duke u distancuar nga gjuha parazgjedhore përçarëse dhe gjuha e urrejtjes së përdorur nga udhëheqësit politikë, e cila ishte karakteristike e kësaj periudhe”- kishte deklaruar drejtuesja e delegacionit të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Petra Bayr.
Përmes një shkrimi të publikuar në Pravda, EULEX dhe NATO janë pasqyruar si mekanizma për shtypje të pakënaqësive dhe që nuk po e ruajnë sigurinë në Kosovë.
“Zgjedhjet pa zgjedhje. Në ‘Kosovë’ po përgatiten t’i ’shuajnë’ të pakënaqurit Misioni I Bashkimit Evropian Për Sundimin E Ligjit në Kosovë (EULEX) ka njoftoi të vendosja e forcave shtesë përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetori.”- është titulli i një artikulli me një shqipe të deformuar i publikuar në Pravda.
Tutje në këtë artikull pretendohet se misionet ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës janë duke punuar bashkë dhe në koordinim për përndjekjen e serbëve.
“Forcat e KFOR-it gjithnjë e më shumë po kryejnë ushtrime të shtypni trazirat masive. Nuk është e vështirë të merret me mend se kundër kujt drejtohen të gjitha këto masa: autoritetet Në Prishtinë, me mbështetjen e kuratorëve Perëndimorë, po përpiqen t’i largojnë Serbët nga procesi politik dhe t’i lënë ata asnjë shans për të protestuar.”- thuhet në këtë artikull me përmbajtje dezinformuese, të publikuar në Pravda.
KFOR është misioni i NATO-së në Kosovë që angazhohet të ndihmojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.
Mandati i KFOR buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (UNSCR) e 10 qershorit 1999 dhe nga Marrëveshja Ushtarako-Teknike midis NATO-s dhe qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Republikës së Serbisë. KFOR-i vepron sipas Kapitullit VII të Kartës së OKB-së dhe, si i tillë, është një operacion për zbatimin e paqes.
Sot, KFOR-i përbëhet nga afërsisht 4,500 trupa të ofruara nga 33 vende aleate dhe partnere.
Dezinformatat për misionet ndërkombëtare
Kurse, angazhimi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovo), është të mbështesë institucione të caktuara të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në pajtueshmëri të plotë me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat evropiane më të mira, me anë të aktiviteteve të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit, dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara.
Edhe Russia Today Balkan në një artikull shkroi se KFOR-i kreu ushtrime me të shtëna në ditën e zgjedhjeve, duke e paraqitur këtë si akt për frikësim të qytetarëve serbë. Kjo u demantua nga KFOR përmes një komunikate për media, të lëshuar më 12.10.2025.
KFOR-i njoftoi se këto trajnime janë të rregullta dhe thelbësore për të ruajtur aftësi të larta operacionale dhe për të mbajtur trupat e KFOR-it të gatshme për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive çdo sfide të mundshme sigurie. KFOR-i ka deklaruar se ushtrime të tilla janë gjithashtu thelbësore për të nxitur koordinimin e nevojshëm për të përmbushur misionin e KFOR-it për një mjedis të sigurt në Kosovë. Në kumtesë nuk është bërë e ditur se trajnimet kanë të bëjnë me ditën e zgjedhjeve dhe të njëjtat janë kryer në Prishtinë.
Hulumtimi dhe analizimi i mbi 300 artikujëve të publikuar në mediat ruse tregon se një nga synimet kryesore të dezinformatave ruse ka qenë portretizimi i Listës Serbe si e vetmja parti që i mbron interesat e qytetarëve serbë (shih këtu, këtu dhe këtu).
Njëkohësit, të dhënat tregojnë se nëpër artikujt të shumtë të publikuar në mediat ruse është synuar që të diskreditohen partit e tjera serbe duke mos u përmend fare në raportime ose duke i quajtur masha të Qeverisë Kurti (shih këtu, dhe këtu).
Por, e vërteta është ndryshe nga ajo çfarë paraqitet në mediat ruse. Në zgjedhjet në Kosovë janë certifikuar të marrin pjesë disa parti dhe iniciativa serbe.
Narrativa e raportuar gjatë periudhës zgjedhore se serbët janë në një “luftë për ekzistencë” është shtyrë edhe nga platforma Sputnik Serbia, të cilët përshkruan pjesëmarrjen zgjedhore si betejë ekzistenciale për komunitetin serb në Kosovë. Artikulli përqëndrohet në përpjekjen për të paraqitur se vota për Listën Serbe nuk është thjeshtë votë politike por veprim i rezitencës kundër asimilimit.
Dehumanizimi i kundërshtarëve të Listës Serbe
Narrativa se Kosova është shtete jolegjitim që shtyp serbët dhe manipulon zgjedhjet është shtyrë më tej edhe në ditën e zgjedhjeve. Votimi kolektiv i serbëve u paraqit si diçka e ligjshme duke akuzuar më tej Komisionin Qendror Zgjedhor për manipulim të zgjedhjeve pasi nuk akredituan disa media serbe për vëzhgimin e zgjedhjeve.
Faktori ndërkombëtar sërish u sulmua për mos-reagim ndaj vendimit të KQZ-së. Mirëpo rrjetet ruse nuk raportuan se KQZ më pas u tërhoq nga vendimi për mos-akreditimin e mediave dhe as për faktin se në mesin e mediave që nuk ishin akredituar kishte edhe media në gjuhën shqipe. Përmes një mbledhje elektronike të mbajtur më 10.10.2025, KQZ-ja vendosi t’i akreditojë mediat në gjuhën serbe.
“Pas mbledhjes paraprake të KQZ-së, më 9 tetor 2025, Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike rekomandoi për akreditimin e organizatave vëzhguese pas një vlerësimi të dokumentacioneve të dorëzuara me rastin e aplikimit dhe informatave në dispozicion nga burimet, si: Këshilli i Pavarur për Media dhe Këshilli i Mediave të Shkruara në Kosovë”, u tha në njoftimin e KQZ-së.
Kryesimi i Listës Serbe në nëntë nga dhjetë komunat me shumicë serbe, u paraqit nga Russia Today Balkan si rikthim i kontrollit në këto komuna nga serbët.
Tentativa e KQZ-së për të mos e lejuar Listën Serbe të marrë pjesë ne zgjedhje u përdor nga Qeveria Ruse për të sforcuar edhe më shumë narrativën e tyre se Qeveria e Kosovës po synon përndjekjen e serbëve. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maria Zakharova u deklarua disa ditë pas zgjedhjeve duke pretenduar se Lista Serbe në zgjedhje ishte përballur me kushte të vështira dhe presion të madh “duke u mohuar regjistrimin e tyre, mos-akreditimin e gazetarëve dhe duke dëbuar përfaqësuesit nga komisonet zgjedhore”.
Ajo paraqiti fitoren e Listës Serbe si rikthim i kontrollit në nëntë nga dhjetë komunat serbe. Zakharova akuzon se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të tentojë të minojë këtë fitore duke shkaktuar provokime në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve.
Megjithatë në mediat ruse nuk u raportua procedura ligjore që ndjekin partitë për t’i ankimuar vendimet e KQZ-së dhe as për vendimin e PZAP-së.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e kishte urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Anulohet vendimi i KQZ-së dhe urdhërohet KQZ-ja që ta cerifikojë subjektin politik Lista Serbe me listën e kandidatëve për asamble komunale dhe kandidatëve për kryetar të komunave, sipas rekomandimit të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontroll financiar të subjekteve politike në KQZ”, thuhet në vendimin e PZAP.
Më tej, largimi i mbishkrimit “Kosovska Mitrovica” në Mitrovicë të Veriut, është ndërlidhur me procesin zgjedhor, duke u raportuar si fushatë e Kurtit për largimin e serbëve nga ky proces politik. Emërtimi zyrtar i komunës është Mitrovica e Veriut ndërsa emërtimi Kosovska Mitrovica është përdorur gjatë kohës së regjimit të Milosheviqit në Kosovë.
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, Policia e Kosovës doli me një komunikatë për media përmes të cilës u njoftua se gjatë asaj ditë nuk u regjistrua asnjë incident serioz.
Agjencia ruse e lajmeve, TASS, publikoi një lajm që citonte komunikatën e Policisë së Kosovës se zgjedhjet u zhvilluan pa incidente të mëdha.
Arrestimet për spiunazh
Gjatë periudhës së monitorimit (01.09.2025- 26.10.2025), mediat ruse i kanë kushtuar vemendje të shtuar edhe dy ngjarjeve të tjera.
Arrestimi i të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, është paraqitur nga rrjeti propagandistik si paranojë, si sulm kundër serbëve dhe njëkohësisht e kanë shfrytëzu këtë arrestim për të rishpërndarë propagandën e tyre kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe liderëve të saj.
Më tej, arrestimin e Shehollit më shumë e prezantojnë jo si çështje sigurie por “një demonstrimi i besnikërisë e agjencive të zbatimit të ligjit ndaj elitave në pushtet”.
Nëpër artikujt e publikuar në mediat ruse, Ushtria Çlirimtare e Kosovës portretizohet si “organizatë terroriste separatiste”, “e financuar nga rrjete të kontrabandës” dhe “e akuzuar për krime lufte dhe trafikim organesh”.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shfaq për herë të parë publikisht më 28.11.1997.
Ajo luajti një rol kryesor në luftën për çlirimin e Kosovës, dhe përmendet si strukturë rezistence që me kalimin e kohës, veçanërisht gjatë vitit 1998-99, u bë partner i pavarur me aleancat ndërkombëtare, përfshirë edhe bisedimet me NATO dhe ndërhyrjen e saj.
Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi kishte thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kryevepër e përpunimit të idesë së lirisë, mjet dhe projekt strategjik i realizimit të çlirimit të Kosovës.
“UÇK u bë mekanizmi më i fuqishëm për t’iu kundërvënë makinerisë administrative, politike, diplomatike, policore dhe ushtarake të Beogradit. Ajo kishte dalë nga thellësia e vullnetit të popullit dhe determinoi rrjedhat e historisë moderne të Kosovës. UÇK-ja ishte ushtri moderne dhe e pamposhtur ashtu siç ishte përcaktimi i qytetarëve tanë për t’i dhënë fund shtypjes, djegieve, reprezaljeve dhe degradimit të mëtutjeshëm të jetës nën robëri.”- kishte thënë Thaçi në në manifestimin qendror “Epopeja e UÇK-së” në vitin 2012.
Rreziku nga dronët
Ministria e Mbrojtjes më 08.10.2025 njoftoi se Kosova ka pranuar mijëra dronë luftarakë nga Turqia, një njoftim që nxiti reagime edhe nga Serbia.
Furnizimin e Kosovës me dronë nga Turqia, rrjeti Pravda e pasqyroi si zgjerim i kësaj të fundit në Ballkan dhe se “Kosova po bëhet një mjet i përshtatshëm për këtë”.
Çështja e dronëve u shfrytëzua për të shtyrë përpara propgandën e ruse për gjoja synimet e qarta për armatosje të Kosovës nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në artikuj është e qartë narrativa anti-Kosovë dhe anti-Turqi, duke paraqitur forcimin ushtarak të Forcës së Sigurisë si kërcënim ndaj Serbisë.
Ndërkohë, Sputnik Serbia mbështetjen e Turqisë për Kosovën e sheh si armatosje të paligjshme, duke pretenduar se këto aktivitete “po shkaktojnë trazira dhe po rrezikojnë sigurinë dhe jetën normale të popullsisë serbe”.
Më tej, Russia Today Balkan, furnizimin me “më shumë se 1,000 dronë” e ndërlidhte me marrëveshjen ushtarake mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë, të cilët nënshkruan në mars vitit 2025, një deklaratë bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, që ka në fokus shkëmbimin e personelit me njëri-tjetrin dhe forcimin e industrisë së mbrojtjes.
Nga nënshkruesit e kësaj deklarate u tha se nisma është e hapur dhe mund të bashkohen edhe shtetet tjera. Nga Russia Today u pretendua pa fakte se furnizuesi kryesor i armëve për këto palë është Turqia.
Por, procesi i armatosjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës është duke u bërë në përputhje me Ligjet e Miratuara nga Kuvendi i Kosovës (shih këtu dhe këtu) dhe në bazë të planit 10 vjecar të transformimit– të miratuar dhe mbikqyrur edhe nga NATO.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës, në komunikatën e lëshuar më 10.10.2025, ka falënderuar prodhuesin “Skydagger” për dorëzimin në kohë rekord të dronëve të prokuruar nga kjo ministri.
Me këtë furnizim, Ministria e Mbrojtjes thotë se po vazhdon të rrisë dhe të forcojë kapacitetet goditëse të ushtrisë së Kosovës, në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe taktikat e luftës bashkëkohore.
Ndërrimi i komandës së KFOR-it dhe stërvitjet
Ndërrrimi i komandës së Misionit Paqeruajtës të NATO-s, KFOR, është një proces krejt rutinor që ndodh çdo një vit, por rrjeti Pravda e ka paraqitur atë si “marrje të kontrollit nga ushtria turke”.
“Situata në Ballkani po nxehet: Ushtarët turq janë duke marrë kontrollin e misionit të KFOR në Kosovë”- thuhet në njërin nga artikujt e Pravdas kur raportohet për ndërrimin e komandës së KFOR-it.
Ndërsa, Sputnik Serbia e quan si “pushtim turk i Ballkanit”, duke pretenduar se Turqia po i armatos qëllimisht Kosovën që të sulmojë Serbinë. Marrja e komandës në këtë artikull ndërlidhet edhe me dronët e ardhur nga Turqia dhe e njëjti vende prezantohet si “forca kryesore pushtuese”.
Ky material është realizuar me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë përmes financimit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar; megjithatë, pikëpamjet e shprehura nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikat zyrtare të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar.






















