Nga Elis Buba
Tirana dhe çarqet e saj shumëkatëshe
Tirana dhe çarqet e saj shumëkatëshe, jane një lënde që duhet ende të studiohet. Pikë së pari në aspektin arkitektonik, janë mjaft të rrezikshme për jetën e familjarëve, në afate të mesme dhe të gjata. Zhurma konstante dhe shqetësimet e tjera si prurje e masivizimit kultivojnë tek qytetarët një sjellje pasive-agresive, ndaj fqinjeve dhe një neveri gjithnjë e më shumë në rritje ndaj vendbanimit.
Mungesa e hapësirave jetësore është gjithashtu një arsye për të mbërritur tek i njëjti rezultat si më lartë. Hapësira ku të mund të shëtitet, apo të pushohet, hapësira ku të mund të parkohet automjeti, apo ku të luajnë fëmijët. Tashmë të gjitha këto elemente të listuar shkurtimisht, përbëjnë një listë shërbimesh të cilat mund t’i aksesos në hapësira dhe kohë të përcaktuar, vetëm nëpërmjet pagesës. Kjo është arbitrare dhe diçka në limit të shkeljes së të drejtave bazike të njeriut. Kësisoj, nëpërmjet dakortësisë së një familjari me shpatulla pas muri e me mungesë evidente të zgjedhjes, legjitimohet një lloj i ri ndasie dhe një lloj tjetër klasizimi në shoqeri.
Bashkia Tiranë, me dhënien e një leje formale ndërtimi, u siguron ligjërisht një pjese të banorëve të qytetit, shqetësim konstant, për një periudhe kohe të papërcaktuar. U zë hapësirën dhe dritët shtëpive ekzistuese për aq sa kanë jetën njëri apo tjetri objekt dhe me së fundmi por kryesorja, u jep mundësi ndërtuesve, pronarëve, palëve të interesit në ndërtim, që të shfrytëzojnë si subjekt tregtar, një qendër komunitare, ku supozohet se jetojnë njerëz të lirë e me të drejta të pacënueshme.
Përse e them këtë?! Sepse është parë e udhës nga shumica dërrmuese e ndërtuesve që tu kushtojnë mesatarisht 2-3 katet e para të godinave të ndërtuara prej tyre, subjekteve tregëtare dhe të shërbimit. Kjo supozohet në të mirë të komunitetit dhe me pretekstin për t’i ardhur sa më pranë familjarëve. Por sa e shëndetshme është kjo?
Ne jemi popull i duruar nuk ankohemi edhe aq lehtë. Për një rrugë të baltosur para shtëpisë, mund të presim dekada të tëra pa bërë zë.
Dhe kjo pa asnjë dyshim që është aspak e shëndetshme për familjet që jetojnë aty. Por sigurisht mjaft e volitshme për ata që e shfrytëzojnë financiarisht këtë kurth njerëzor. Sa evoluim brenda llojit sjell kjo? Pozitivisht supozohet zero, sepse mendoj se krijohet një mendesi konformiste ku të gjitha pamundësitë e tua si indivit jane të betonuara tashme dhe kështu do funksionojë deri në fund. Ndaj ty s’të mbetet tjetër veç të parkosh “tek unë”, të hashë e pish “tek unë”, të vishesh e mbathesh, të bleshë ilaçet dhe shërbimet “tek une, që jam pronar i përjetshëm i vendit ku ti jeton, si kontribuent i imi”.
“Welcome to the Machine”- Mirë se erdhe në mekanizëm
Jeta e fëmijëve përqendrohet në familjet e tyre. Aty ata mësojnë se si të jenë individë dhe si të përshtaten në shoqëri. Për të pasur sukses, fëmijët kanë nevojë për një mjedis pozitiv familjar e jo për prindër që rrojnë një hap larg skllavërisë si rezultat i miopisë së shtetit. Si është e mundur të ndërtohet ai mjedisi pozitiv në nxitimin e jetës moderne? Kur vetë prindërit kanë një karrierë jo rrallë sfilitëse në kushtet e Shqipërisë, fëmijët kanë nevojë për shkollë, edukim, përkujdesje dhe teknologjia nga e cila varemi gjithnjë e më shumë për fat të keq, ndryshon me shpejtësinë e dritës. Jeta familjare nuk ndërtohet brenda një dite, kjo është mëse e qartë. Familjes i kushtojmë gjithë veten e gjithë jetën për aq kohë sa mundemi.
Shumë qytetarë të Tiranës tashmë qajnë dukjen estetike të kryeqytetit, tashmë të zhbërë nga nevoja fiktive për pallate në të gjithë hapësirat e mundshme. Por diçka tjetër që duhet qarë e vuajtur seriozisht është e ardhmja e amullt që po projektohet në këto pallate. Njerëzit që do hyjnë në këto apartamente, a po hyjnë drejtë jetës së tyre të re, apo drejt një kurthi social, që do i pozicionojë ata në një frimë në kosheren që e vjel një dorë e vetme, ende pa një emër konkret social, por që jeton në kurriz të punës dhe mundit të të tjerëve, që tashmë kanë rënë në çarkun e tij.
Përkrahja aktive dhe pasive e shtetit, nëpërmjet instancave të tij të fjetura ose ngjyera në kompromentim, është thellësisht kriminale. Nuk ka faljë për këtë manovër pakvjeçare që do i kushtojë shtrenjte shumë shqiptarëve. Mbështetja e shtetit, në vënien e qytetarëve në të vjelat e “bejlerëve” nuk kufizohet vetëm tek të rriturit, por shumë shpejt s’është çudi të bëhet taksative për bizneset të hapin pranë zyrave të tyre edhe çerdhe e kopshte për fëmijët e punonjësve.
Shembullin e solli vetë “Lali Eri” i cili së bashku me CEO-n e Bankës Kombëtare Tregtare, Seyhan Pencabligil inspektuan çerdhen e parë të hapur në një biznes privat për t’ju ardhur në ndihmë prindërve që punojnë aty. Realizimin e këtij projekti, Veliaj e cilësoi si një revolucion social në Tiranë.
Sigurisht revolucion! Por në shfarosjen e të drejtave bazike komunitare. Fëmija s’do jetë më i lirë të rritet mes fëmijëve të tjerë të lagjes si i barabartë, por si fëmija i një nëpunësi, drejtori, funksionari, sanitare, tekniku etj.
Më kujton këngën e vrerosur në vërtetësi të Pink Floyd “Welcome to the Machine”. Mirë se erdhe në makineri-mekanizëm. Dije që je thjesht një ingranazh i të gjithës, krejtësisht me zgjedhjen tënde aktive ose pasive.
Vetë qendrat e banimit janë mjelëse, makineri, mekanizma vjedhëse dhe zvetnuese të qytetarisë. Ty s’të duhet as të lëvizesh larg mjelëses, mekanizmit të më të fortëve e të pushtetshmëve, veçse për arsye pune. Madje edhe në punë do shkosh bashke me famijën, që edhe ai të kuptojë sa më parë se si dora-dorës jeta bëhet një labirint dhe t’i duhet të ndjesh erën e djathit dhe të ndjekësh verbërisht vetëm drejtimin që të imponojnë të tjerët.
Shteti në të gjithë mënyrat të bën të qartë pozicionin tend e të fëmijëve të tu në shoqëri. Ti dhe fëmija yt vlejnë aq sa vlen pozita juaj sociale, pozita juaj zyrtare dhe aftësite dhe mundësitë tuaja shpenzuese.
Askush askurrë të mos guxojë të fyej rininë shqiptare, që s’punon e s’jeton në Shqipëri. Ta dinë të gjithë se kësaj rinie ti Shqipëri s’po i hap vend, e s’po i jep dinjitet e nder, por po i jep veç emrin shqiptar.