Pasi vetëm pak ditë më parë kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç bëri të ditur se ka iniciuar shkarkimin e zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviç është përballuar mbrëmjen e sotme me një turmë protestuesish të zemëruar.
Ata e kanë e cilësuar atë si tradhtar, ndërsa nuk kanë munguar as fjalët fyese ndaj tij. Përplasja mes zëvendëskryeministrit shqiptar dhe protestuesve ka ndodhur pranë godinës së qeverisë.
Protestuesit: Tradhtar, je tradhtar.
Abazoviç: Tradhtinë kërkojeni diku tjetër.
Situata politike në Mali e Zi është tensionuar, ditët e fundit veçanërisht pas njoftimit nga Lëvizja Qytetare Ura e Abazoviçit e cila bëri të ditur se ka nisur procedurën parlamentare për mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Krivokapiçit.
Nisma është firmosur nga anëtarët e koalicionit “E zeza mbi të bardhë”, Lëvizja Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës si dhe partitë opozitare Partia Socialdemokrate, Socialdemokratët, Partia Boshnjake, Lista Shqiptare, Koalicioni Shqiptar dhe një pjesë e Partisë Demokratike të Socialistëve të presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.