Nga: Qerim Vrioni
Në opusin e madh të fotove të realizuara nga studiuesja e njohur skoceze Margaret Hasluck (1885-1948) në vendin tonë, një pjesë dërmuese e tyre i përkasin mënyrës së jetesës së shqiptarëve. Në të përfshihen vendbanimet dhe veshjet, punët e përditshme dhe aspekte të mësimit, ndjekja e riteve tradicionale fetare dhe pagane, veprimtari shoqërore dhe politike, thënë ndryshe një shpërfaqje e gjerë e antropologjisë pamore të shqiptarëve.
Ndonëse me këto lloj fotografimesh ishte marrë përpara saj mikja tjetër e madhe e shqiptarëve, studiuesja angleze Edith Durham (1863-1944), fotot e Hasluckut janë disi ndryshe, sepse autorja e tyre ishte një etnografe e mirëfilltë.
Në sajë të qëndrimit të saj të gjatë e të pandërprerë prej 13 vitesh (gjatë periudhës 1926-1939) në Shqipëri, kryesisht në zonën e Elbasanit si dhe fshatra te ndryshëm të krahinës, ajo mësoi gjuhën shqipe, zakonet dhe njohu gjendjen ekonomike të banorëve të zonës. Gjatë kësaj kohe kishte mbledhur si edhe kishte botuar krijimtari popullore shqiptare. Thuajse të gjitha shkrepjet fotografike të mëposhtme janë foto-çasti, pra jo të realizuara në ndonjë studio fotografike ose me pozime të subjekteve, por në mjedise të ndryshme kudo ku jetonin në përditshmërinë e tyre dhe punonin shqiptarët.
Kjo foto pasqyron një pjesë të fasadës dhe hyrjen e një kulle në veri të vendit (në fshatin mirditor Kthellë) si dhe rojën e saj me armën pranë tij. Bie në sy qëndrimi, të themi skulpturor i malësorit, mjaft dinjitoz dhe i sigurt për detyrën e caktuar. Nga një këndvështrim tjetër mund të mendohet se roja është projeksioni i zvogëluar i kullës. Me gjasë skocezes i ka tërhequr shumë vëmendjen jo vetëm kulla e lartë, por sidomos malësori e qëndrimi i tij në mbrojtje të saj. Zgjedhja e saj për t’a fotografuar atë jo me armë në duar, duket mjaft e goditur, sepse kështu vihet në lëvizje edhe imagjinata e shikuesit, përkundër rastit me pushkë në krah. Më ndryshe, kullën ai do ta mbrojë me trup, por në rast nevoje edhe me armë.
Kut paraqiten një grup banorësh nga Shqipëria e Mesme, katër burra dhe dy fëmijë pas një ceremonie, me shumë mundësi, funerale. Nga veshjet e përziera prej qyteti dhe fshati kuptohet se janë nga ndonjë qendër urbane banimi, ende me ndikimin e traditës rurale. Tre nga meshkujt mbajnë nga një pushkë ndër duar, por me grykë të mbështetur në tokë. Nga disa të dhëna, mësohet se kështu mbaheshin armët si shenjë respekti për dikë që po ndahej nga jeta, dhe që armët i kishin hije jo vetëm në krah, por edhe në përdorim. Mendojmë se kjo traditë e mbajtjes kësisoj të armëve në raste të veçanta, ka nxitur skocezen që t’i fotografojë ata. Ndoshta fotografja e ka shikuar këtë aty pari në ndonjë oborr shtëpie dhe është habitur nga vendosja e pushkëve grykë poshtë. Mandej u ka kërkuar atyre të afroheshin tek muri ku kishte varur për fotografime një tekstil për sfond dhe të përsërisnin qëndrimin ceremonial. Disi të tepërt në foto duken dy fëmijët, njeri me një letër të madhe në duar, tjetri me një çantë në dorën e djathtë, kur tre nga të rriturit janë të armatosur mirë. Sidoqoftë, të dy djemtë e vegjël kanë mbi koka feste të zeza, ashtu si tre të mëdhenjtë. Kjo foto nuk është shkrepje-çasti, sepse është realizuar në një studio të improvizuar në mjedis të hapur dhe personat e fotografuar pozojnë para objektivit të aparatit fotografik. Ky imazh, për mënyrën e realizimit, na kujton disi foton e njohur të Kel Marubit të vitit 1922, “Dorëzimi i armëve”.