Nga Dr. Nelson Çabej
Gjuha shqipe është tipari themelor i identitetit tonë kombëtar dhe burimi më i vjetër e më i rëndësishëm i prehistorisë së tij. Ajo hedh dritë deri 5 mijë vjet prapa në të shkuarën dhe prejardhjen e popullit tonë, qysh nga koha e shkëputjes së tij nga trungu i përbashkët proto-indoevropian. Burimet e lashta, kultura materiale, si dhe etnografia e mitologjia japin kontribute të vlefshme për prehistorinë, por ndërhyrjet e huaja në to janë të atilla që e bëjnë të vështirë e, ndonjëherë edhe të pamundur, ndarjen e “shapit’ të huaj nga ‘sheqeri’ i vendit. Përkundrazi, gjuhësia historike ka mjete thuajse sigurta për dalluar të huajën nga vetiakja.
Nga erdhën paraardhësit tanë ilirë
Mërgimet nga atdheu i përbashkët indoevropian në drejtim të veriut, perëndimit dhe lindjes filluan rreth 5-6 mijë vjet më parë. Këto mërgime shpunë gradualisht në formimin e gjuhëve dhe popujve indoevropianë të Evropës dhe të Azisë, duke përfshirë paraardhësit ilirë të shqiptarëve. Por ky fakt nuk na thotë ndonjë gjë për rrugën që ndoqën ata për të arritur nga atdheu protoindoeveropian deri në trojet historike të ilirëve, nga veriu i Danubit deri në Gjirin e Artës.
Treguesi më i mirë i rrugës që kanë ndjekur popujt indoevropiane të Evropës deri në trojet tyre të sotme është përcaktimi i kohës kur në ato troje shfaqen së pari kodërvarret (tumuli). Kodërvarret më të lashta në territorin ilir i takojnë një periudhe prej rreth 4500-4000 vjet më parë kurse kodërvaret më të vjetra të gjetura në Shqipërinë e sotme janë ngritur 3800-3700 vjet më parë1. Por edhe këto nuk flasin shumë për drejtimin nga kanë ardhur parailirët në trojet e sotme, e në këtë çështje duket se na vijnë në ndihmë të dhënat gjuhësore.
Shqipja ka dhënë e marrë fjalë me gjuhët fqinje si sllavishtet e Ballkanit, rumanishtja, greqishtja dhe sidomos latinishtja. Por nga mesi i shekullit XX, Ernst Fraenkel (1881-1957) vuri re se shqipja ka fjalë të ngjashme me gjuhët balte (lituanishten dhe letonishten)2 dhe gjermanike 3, 4 me të cilët ilirët nuk kanë qenë fqinjë. Ky fakt me të drejtë është vlerësuar si tregues i një fqinjësije të lashtë të parailirëve me popujt baltë dhe gjemanikë dhe se parailirët në shtegtimin e tyre të gjatë drejt Ballkanit perëndimor duhet të jenë ngulur për një farë kohe në pjesën verilindore të Evropës qendrore ku edhe kanë marrë e dhënë fjalë me gjuhët baltike dhe gjermanike.
Shqipja si faza më e re e ilirishtes
Shqiptarët dolën si komb i veçantë në Mesjetën e hershme, rreth shekujve V-VII, në trojet e Ilirisë së jugut, duke përfshirë Epirin, si një bashkësi etnike e ilirëve të jugut. Dyndjet barbare kishin shkaktuar një stres kolektiv, të cilit ilirët e jugut iu përgjigjën me një rikthim në traditën pararomake të kulturës së tyre materiale (kultura e Komanit) dhe artistike, ritet e varrimit, deri në një prirje të elitave fisnore për të favorizuar përdorimin e ilirishtes, etj., por edhe me përzierjen e dialekteve që solli zhvendosja e tyre drejt zonave malore më të mbrojtura nga sulmet barbare. Këto ndryshime bashkëndodhën me formimin e kombit arbëror në Ilirinë e jugut dhe një evolucion të përshpejtuar të fonetikes dhe morfologjisë, që shënoi fazën e parë të lindjes së shqipes/arbërishtes, që besohet të ketë qenë një process i gjatë 2-3 shekullor më shumë se sa një ndodhi e shkëputur. Këto ndryshime mund të lidhen me dukurite sociale të sipërpërmendura dhe stresin e fortë social të fundit të Lashtësisë.
Një vëllim me të vërtetë i madh të dhënash solide rreth evolucionit të emrave ilirë të vendeve në bazë të rregullave fonetikës historike të shqipes në trojet e sotme shqipfolëse e më tej, të një numri fjalësh ilire dhe epirote që lidhen vetëm me shqipen, besimi i perëndisë ilire Dei patyros në trojet ilire deri nw shekullin VI5 , huazimet nga greqishtja e lashtë, të dhëna të tjera historike, arkeologjike, etnografike e muzikologjike, provojnë se shqiptaro-arbërit, si pasardhës të ilirëve, kanë jetuar pa ndërprerje në trojet e sotme dhe historike shqipfolëse. Por ky do të jetë subjekt i një shkrimi tjetër.
Vendi i shqipes në familjen e gjuhëve indoevropiane
Pozita e shqipes si pjesëtare e familjes së gjuhëve indoevropiane u përcaktua rreth 170 vjet më parë në një libër prej 92 faqesh kushtuar kësaj çështje6 nga gjuhëtari gjerman Franz Bopp (1791-1867), njëri nga pionierët e gjuhësisë indoevropiane. Vetëm 7 vjet më vonë shqipja del në pemën (Stammbaum) e parë të familjes indoevropiane prej vetëm nëntë gjuhësh të August Schleicher-it (1821-1868).
Vrojtimi se shqipja përmbante një numër të madh fjalësh latine i bëri disa gjuhëtarë të huaj të hidhnin idenë se shqipja mund të ishte një gjuhë neolatine si rumanishtja, spanjshtja ose frëngjishtja7, por ajo që përcakton identitetin e një gjuhe nuk janë fjalët, por gramatika e saj (për këtë arsye, anglishtja sot konsiderohet gjuhë gjermanike edhe pse ka më pak fjalë gjermane e më shumë frënge). Dhe ishte indoevropianisti i madh danez Holger Pedersen (1867-1953), ai që provoi se latinishtja nuk preku sistemin gjuhësor (fonetikën, sintaksën dhe morfologjinë) e shqipes.
Edhe ndikimi i latinishtes në fjalorin e shqipes fillimisht u mbivlerësua, por 60 vjet më parë, gjuhëtari ynë Eqrem Çabej provoi se nga 1420 fjalë që Gustav Meyer i konsideroi me prejardhje latine, vetëm 550 ishin të atilla8, ndërsa sipas gjuhëtarit gjerman Harald Haarmann ato ishin vetëm 6559.
Mbi “mosvazhdimësinë” iliro-arbërore
Emri i fisit të albanëve që përmëndet nga Ptolemeu në Ilirinë e jugut në shekullin II të erës sonë () rishfaqet si emër i popullit në veprën Porfirogenetit në shekullin X10 dhe të Ataliatit11 në shekullin XI e në vazhdimësi. Për historianin amerikan John van Antwerp Fine, Jr., “mungesa e referencave për shqiptarët nuk ka ndonjë rëndësi sepse për periudhën para shekullit IX ka pak burime”12, por për historianin rus Dimitri Obolenski (1918-2001) kjo mund të provojë se shqiptarët mund të jenë vendosur në një territor të sllavizuar. Për fat të keq, kjo tezë e tij është përdorur në ndonjë rast edhe nga ndonjë historian shqiptar. Në historiografinë bizantine të kohës nuk ka jo vetëm të dhëna, por as ndonjë gjurmë mërgimesh, dhe ndërkohë që ajo ka përshkruar edhe lëvizje fisesh është e pabesueshme që ajo të mos këtë vënë re dhe mërgimin e një populli brenda territorit të perandorisë më të organizuar të kohës.
Por si është e vërteta historike?
Në shekullin VI historiani ilir Marcellinus përmend pesë herë ilirët dhe Ilirinë13; në shekullin VII në Kroniken Paskhale gjithashtu flitet për ilirët dhe Ilirinë14; në shekullin VIII Iliria përmendet në dokumente kishtare të Vatikanit15; në shekullin IX në dokumente zyrtare kishtare flitet për “peshkopë ilirë” dhe “peshkopë të Ilirisë”16 dhe në shekullin X për ilirët flitet në Enciklopedinë Suda17 kurse në shekullin X historiani dhe perandori i Bizantit, Konstantin Porfirogeneti, në mesin e shekullit X flet për një princ të Arbërisë10. Tani le të kujtojmë këtu edhe faktin që burimet bizantine për 2-3 shekuj, deri nga shekulli X, nuk flasin fare për sërbët (Σερβλοι) e kroatët (Χροβάτοι), që tanimë nuk ishin më të huaj për Bizantin, por ishin bërë pjesë e tij.
Edhe sikur të mos i kishim këto fakte, prapë këtu na vjen në ndihmë një fakt gjuhësor i sllavishtes: metateza e likuideve (l dhe r) që ndodhi në sllavishten jugore dhe perëndimore kur likuidet ndodheshin në pozicion fundor të një rrokjeje. Kështu ndodhi nga shekujt VIII-IX me shumë emra vendesh ilire që u sllavizuan nga shekulli VII, si p.sh. emri i ujdhesës Arba u bë Rab, kurse qyteti ilir Skardona u bë Skradin, Sirmium dha Srem dhe Albona dha Labin, etj.
Në dokumentet serbe të Mesjetës së Mesme emri i Arbërisë (Arbanum) del në formën Raban (që ka pësuar metatezën Arban>Raban, dhe tregon se serbët i kanë njohur shqiptarët në trojet e sotme jo më vonë se shekulli VIII ose IX, se përndryshe nuk do të kishte pësuar metatezën18. Vendi këtu nuk na lejon të paraqesim argumentet e shumta gjuhësore të sjella nga dijetarë shqiptarë, evropianë dhe amerikanë që provojnë praninë e pandërprerë të shqiptarëve në trojet e tyre të sotme.
Më tej akoma, rotacizmi (kur n-ja midis dy zanoreve kthehet në r), si dukuri tipike e shqipes jugore ka vepruar deri në shekullin VII, dhe fakti që nga Vlona doli Vlora, tregon se ky emër ka kaluar vetëm nëpër gojën e shqiptarëve dhe se aty kanë jetuar shqiptarë të paktën që në shekullin VI. Po në shekullin VI, leksikografi grek Hesiku19 na tregon se, edhe disa shekuj pas përhapjes së krishterimit, kreu i panteonit ilir, Dei patyros, (babai hyjnor) vazhdonte të adhurohej në brendësi të Epirit5 (Hesych), ashtu siç vazhdonin të adhuroheshin homologët e tij, Deivas në Lituani dhe Dievs në Letoni (Biezais).
Ilirët hyjnë në histori si arbër
Emrin etnik të arbërve (Άλβανοί) e përmend për herë të parë gjeografi aleksandrin Ptolemeu në shekullin II të erës sonë, si emër të një fisi ilir, që ndodhej midis Durrësit dhe Krujës, me kryeqytet Albanopolisin (Claudii Ptolemaei), që është identifikuar me qytetin e lashtë ilir në fshatin Zgërdhesh, në rrëzë të Malit të Krujës (Cabej 2014). Pas shekulli VI, kur shqi[tarët dolën si një entitet i veçante etnopolitik emri këtij fisi u përdor për të treguar popullin arbër që doli inga etnia e madhe ilire, si pjesa e sj e paromanizuar dhe e pasllavizuar.
Emri i Arbërisë/Arbnisë (Albania) del për herë të parë si një principatë brenda Bizantit, në shekullin X (Porfirogeneti). Që nga ajo kohë emrat “arbër” dhe “ilirë” vazhduan të përdoreshin pa ndërprerje si sinonime në historiografinë bizantine deri në shekullin XV (Georgios Sphrantzes (Γεώργιος Σφραντζής, 1401-1478).
Kur u shkrua gjuha shqipe
Banorët e qytetit Uruk në Irakun jugor besohet të jenë të parët që përdorën shkrimin, rreth 5200 vjet me parë. Ndër gjuhët indoevropiane, e para që është shkruar është hitishtja, gjuhë e banorëve të Azisë së Vogël që dëshmohet të jetë shkruar qysh nga viti 1650 p.e.s. (Ëest, 2007). Dokumenti i parë i shkruar që njohim në gjuhën shqipe është formula e pagëzimit e vitit 1462 nga arkipeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli/Paulus Angelus (), që do të thotë, më vonë se shumica e gjuhëve të tjera indoevropiane që fliten sot, por më parë se sa lituanishtja që del midis viteve 1503 dhe 1525, rumanishtja në 1521 dhe letonishtja në vitin 1530.
REFERENCA
1. Bodinaku, N. 1974. Rezultatet e gërmimeve në varrezën tumulare të Pazhokut. Iliria 3, 395-401.
2. Fraenkel, E. 1950. Die baltischen Sprachen. Carl Winter, Universitätsverlag, Heidelberg.
3. Meyer, G. 1891. Etymologisches Wörterbuch der albanesischen Sprache. Karl Trübner, Strassburg.
4. Çabej, E. 1963. Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe. Bul. i Universitetit Tiranës, 1, f. 116.
5. Hesychii Alexandrini Lexicon. f. 380. https://ia601600.us.archive.org/24/items/hesychiialexand00schmgoog/hesychiialexand00schmgoog.pdf
6. Bopp, F. 1855. Über das Albanesisch in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen. J.A. Stargardt, Berlin.
7. Meyer, G. 1888. Die lateinischen Elemente im Albanesischen. Nw Grobers Grundriss der romanischen Philologie I. Strassburg, f. 805.
8. Çabej, E. 1962. Zur Charakteristik der lateinischen Lehnwörter im Albanischen. Revue de Linguistique 7, f. 161-199.
9. Haarmann, H. 1972. Der lateinische Lehnwortschatz im Albanischen. Vol. 19 Hamburger philologische Studien. H. Buske f. 1.
10. Constantine VII Porphyrogenitus. De Ceremoniis Aulae Byzantinae. f. 688.
11. Michaelis Attaliotae Historia Opus. Weber, Bonn, 1853, f. 9, 18 dhe 297.
12. Fine, J.V.A. Jr. 1991. The Early Medieval Balkans: “The lack of early references to the Albanians is not significant. The centuries before the ninth are a period of few sources”.
13. Marcellini Comitis V. C. Në Mommsen. Chronica Minora II, 1894.
14. Paschalion, Seu Chronicon Paschale. Vol. 4 i De Byzntiae Historiae Scriptoribus. Red. C. Du Fresne Du Change, Javarina, 1729, f. 23.
15. Brubaker, L. 2011. Byzantium in the Iconoclast Era: A History. Cambridge University Press, f. 87.
16. Wyrwoll, N. 1996. Politischer oder petrinischer Primat? Zwei Zewugnisse zur Primatauffassung im 9. Jahrhund. Excerpta ex dissertarioe ad Lauream in Facultate Theologica, Pontificae Universitatis Gregorianae, Hildes, Wunstorf, f. 25.
17. Suda Online: Byzantine Lexicography. https://www.cs.uky.edu/~raphael/sol/sol-html/.
18. Çabej, N. 1990. Sa të vjetër janë emrat “arbër” dhe “Arbëri”? Bashkimi 10 shkurt, 1990; Çabej, N.R. 2013. Ilirët që Mbijetuan. Fan Noli, Tiranë, ff. 151-160. Çabej, N.R. 2014. Vazhdimësi iliro-shqiptare në emrat e vendeve. Fan Noli, Tiranë, ff.158-161.
19. Biezais, H. 1986. Geschichte und Struktur der balto-slavischen Religion. Anthropos 81, 1/3, 151-176.
20.
21. West, M.L. 2007. Indo-European Poetry and Myth. Oxford University Press, New York. p. 7.
Claudii Ptolemaei, Geographia I, Red. C.F.A., Nobbe, Tauchnitz, Leipzig, 1843. Libri 3, 13, 23.
Hieroclis Synecdemus accedunt fragmenta apud Constantinum Porphyrogennetum servata et nomina urbium mutate. Ed. A Burckhardt, Teubner, Leipzig, p. 68.
Phrantzes, G. Ioannes Cananus, Ioannes Anagnostes Volume 26 of Corpus scriptorum historiae byzantinae. Weber, Bonn, 1838, p. 38.
Michaelis Attaliotae Historia Opus. Weber, Bonn, 1853, f. 9, 18 dhe 297.
West, M.L. 2007. Indo-European Poetry and Myth. Oxford University Press, New York. p. 7.
Meyer, G. 1891. Vep. e përm. f. 85.
JOHN V. A. FINE, JR.: “The lack of early references to the Albanians is not significant. The centuries before the ninth are a period of few sources”
Die lateinischen Elemente im Albanischen. Nw Grundriss der romanischen Philologie I, Trübner, Strassburg, f. 804-821: “Es ist keine Grund vorhanden, dieselbe für etwas anderes zu halten, als für die jüngere Phase des alten Illyrisch oder richtiger einer der alten illyrischen Mundarten.”).
Ende sot pas një shekulli, ideja se një përbërës trak mund të ketë marrë pjesë në formimin e shqipes nuk ka gjetur asnjë mbështetje reale ose, siç shprehet R. Katičić-i, R. “Asgjë me vlerën e një prove nuk është paraqitur deri sot për prejardhjen trake të shqiptarëve” (Katičić R. (1976). Ancient Languages of the Balkans. Ed. W. Winter, Mouton & Co., The Hague, f. 187-188). Edhe sot, pas 135 vjetwsh, qwndron ajo qw shkruante autori i fjalorit të parë etimologjik të shqipes, Gustav Meyer: “Nuk ka arsye që këtë gjuhë të mund ta marrim për diçka tjetër, veç një fazë më të re të ilirishtes së vjetër ose, më drejt, si një nga dialektet e ilirishtës së vjetër” (Meyer, G. (1888).
-Ghuha e parë indoevropiane e shkruat eshtë hitishtja e banorëve të Azisë së Vogël që dëshmohet të jetë shkruar qysh nga viti 1650 p.e.s. (West, M.L., Indo-European Poetry and Myth. Oxford University Press, New York. p. 7)