Në arkivat europiane ruhen dokumente të rralla që dëshmojnë rolin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve në historinë ushtarake të shekujve XVI–XVII. Një ndër to është Karta e privilegjit e dhënë nga Rudolf II, Perandori i Shenjtë Romak (1552–1612), për Gjergj Bastën (Georg Basta), një gjeneral me origjinë shqiptare, i cili arriti të bëhet një ndër komandantët më të fuqishëm të Europës së kohës. Dokumenti i ruajtur me kujdes, i ilustruar me stemën heraldike të Bastës, përfaqëson jo vetëm një akt nderimi personal, por edhe një dëshmi të peshës që kishte ky gjeneral shqiptar në politikën dhe fatet e kontinentit.
Kush ishte Gjergj Basta?
Gjergj Basta (1540–1607), sipas burimeve si studiuesi austriak Franz Babinger dhe historiani László Makkai, lindi në një familje shqiptare që ishte shpërngulur në territoret e Mbretërisë së Hungarisë. Ai shërbeu fillimisht në ushtrinë spanjolle dhe më pas në atë austriake, duke fituar gradën e gjeneralit.
Në kulmin e karrierës së tij, Basta u bë guvernator ushtarak i Transilvanisë, duke luajtur një rol kyç në luftërat mes Habsburgëve dhe Perandorisë Osmane, si dhe në përplasjet e brendshme të princave hungarezë.
Historiani gjerman Friedrich Teutsch e cilëson Bastën si një nga “strategët më të ftohtë e më të pamëshirshëm të shekullit XVII”, ndërsa studiuesit hungarezë e përshkruajnë si një figurë kontradiktore: njëkohësisht shpëtimtar dhe shtypës.
Vlera e Kartës së Rudolf II
Dokumenti i nënshkruar nga Rudolf II, i pajisur me stemën heraldike dhe vulën perandorake, kishte funksionin e një konfirmimi të titujve dhe privilegjeve të Bastës. Këto karta u jepeshin vetëm personaliteteve të jashtëzakonshme që kishin shërbyer me besnikëri dhe sukses Perandorisë.
Në këtë rast, karta për Bastën dëshmon:
- Ngritjen e një shqiptari në majat e hierarkisë ushtarake europiane.
- Njohjen e tij si një njeri i besimit të Perandorit Rudolf II.
- Legalizimin e stemës së tij heraldike, që përfaqësonte jo vetëm lavdinë personale, por edhe integrimin e plotë të Bastës në aristokracinë europiane.
Gjergj Basta dhe Shqipëria
Edhe pse veprimtaria e tij zhvillohet jashtë trojeve shqiptare, origjina e tij përmendet nga autorë të kohës si Giovanni Botero dhe Martin Zeiller, të cilët e theksojnë rrënjën shqiptare si pjesë e asaj vale ushtarësh dhe strategësh arbër që lanë gjurmë në perandoritë e mëdha. Në këtë mënyrë, figura e Bastës bëhet pjesë e mozaikut të madh të kontributit shqiptar në Europën mesjetare dhe moderne.
Gjergj Basta mbetet një figurë e debatueshme: për disa një guvernator i pamëshirshëm, për të tjerë një shpëtimtar i Transilvanisë nga osmanët. Por mbi të gjitha, ai mishëron atë tipar që historianët e quajnë “elementi shqiptar në zemër të Europës”. Karta e privilegjit e dhënë nga Rudolf II është një dëshmi e prekshme e këtij fakti, duke vërtetuar se shqiptarët nuk ishin thjesht pjesëmarrës, por edhe aktorë vendimtarë në fatet e kontinentit.
Dokumenti i Rudolf II për Gjergj Bastën nuk është vetëm një akt juridik i shekullit XVII, por një dëshmi e gjallë e lavdisë së një shqiptari që arriti të hyjë në historinë e madhe europiane. Ai mbetet një figurë që ia vlen të rishikohet me kujdes nga historiografia shqiptare, për të ndërtuar një panoramë më të plotë të kontributit tonë në qytetërimin perëndimor.
Dokumente e mëposhtme kanë një vlerë të jashtëzakonshme historike. Ato shërbejnë si një kambanë e fortë për studiuesit që shpesh kufizojnë historinë e popullit shqiptar vetëm brenda kufijve të shtetit shqiptar ose, në rastin më të gjerë, asaj që quhet me të drejtë Shqipëria Etnike. Në fakt, kontributet e shqiptarëve në historinë europiane janë të dukshme dhe të verifikueshme, sidomos në epokat kur konfliktet zgjidheshin me beteja ballore.
Në kohë të tilla, kur kërkoheshin burra të vendosur dhe trimëria ishte vlera më e lartë, shqiptarët dallonin menjëherë. Edhe sot ne trashëgojmë një karakter të ashpër e të fortë, shpesh agresiv, i cili nuk është rastësi, por rrjedh nga një histori e gjatë përplasjesh dhe betejash. Nuk është e tepërt të thuhet se shqiptarët “kanë jetuar duke shitur luftë”.
Dokumenti në fjalë, Karta e privilegjit e dhënë nga Rudolf II, nuk është gjë tjetër veçse legalizimi juridik i hyrjes së një shqiptari me të drejta të plota në aristokracinë e lartëeuropiane. Përfshirja e heraldikës me shqiponjën dykrenare nuk ishte thjesht një dekor simbolik: ajo duhej fituar dhe merituar.
Është e rëndësishme të theksohet se Rudolf II, përveçse Perandor i Shenjtë Romak, ishte gjithashtu mbret i Hungarisë, mbajtës i një serie titujsh të rëndësishëm dhe trashëgimtar i territoreve që përfshinin Kroacinë dhe një pjesë të madhe të Austrisë. Një sovran i tillë nuk jepte privilegje të dokumentuara pa arsye të forta, dhe çdo akt i tillë mbante peshën e legjitimitetit juridik dhe politik të kohës.
Vepra e Gjergj Bastës duhet parë përtej prizmit kombëtarist, pasi në kohën e tij koncepti i kombit ende nuk ishte zhvilluar si nocion politik modern. E megjithatë, karriera dhe roli i tij në arenën europiane e bëjnë një figurë që meriton studim të plotë dhe të radhitet në analet e ende të paeksploruara të historiografisë shqiptare.
Rrënjët e vlefshme të popullit tonë nuk duhet t’i lëmë në harresë. Ato duhen ruajtur me fanatizëm, ashtu siç bëjnë çdo popull tjetër europian që respekton trashëgiminë e vet historike./Përgatiti Elis Buba/usalbanianmediagroup.com

