Vangjush Ziko
Në përvjetorin e 35-të të ikjes së Lirikut të Madh
Duke lexuar dhe rilexuar poezinë e Lasgush Poradecit, të krijohet përshtypja e çuditshme sikur poeti këndon me dy zëra, me dy intonacione. Zëri i parë është i kthjellët, i qartë, tokësor, tingëllimi i një jete që rrjedh natyrshëm mbi faqen e dheut apo nëpër faqet e historisë.
Zëri i dytë është eterik, fluid, qiellor dhe i mistershëm. Për ta shprehur në mënyrë më të rëndomtë këtë mendim, do të thoshim sikur poeti grupin e parë të poezive e ka shkruar duke shëtitur e duke soditur realitetin konkret, kurse grupin e dytë e ka shkruar duke u mbyllur jo vetëm në shtëpi, por edhe brenda zemrës, duke lëshuar, bile, edhe perdet e dritareve për ta dëgjuar sa më kthjellët jehonën e shpirtit të vet.
Këtu nuk kemi artistikisht asnjë dyzim të zërit e të stilit poetik. Poezitë, duket qartë, që janë shkruar nga e njëjta dorë mjeshtërore, janë krijesa të së njëjtës muzë, por të shkruara në gjendje shpirtërore të ndryshme të saj. Kemi, pra, të njëjtin zë poetik, por në gjendje shpirtërore e psikologjike të ndryshme, siç ndodh rëndom me njeriun.
Poeti në ciklin “Erë trendelinë” duket sikur mbyllet brenda në faltore dhe po i flet dhe po i rrëfehet e i falet idhullit të vet. Këtë ai e bën, jo për t’ u fshehur nga bota, por për të komunikuar më mirë me të, më nga afër, në mënyrë më intime, sepse dashuria për të është gjëja më hyjnore, më e brishtë, më eterike, më magjike e mistike dhe faltorja e vërtetë e saj është zemra e njeriut. Kjo gjë të bie në sy, veçanërisht po të përqasësh ciklin “Erë trendelinë’” me ciklin “Vasha e Trimi”.
Poezitë e këtij cikli të dytë janë poezi që i këndojnë dashurisë së Vashës e të Trimit anonim, dashurisë së të tjerëve. Kurse cikli i parë është me poezi për vetveten, për dashurinë e heroit lirik dhe të adhuruarës së zemrës së vet. “Sa i përket stilit këtu (në ciklin “Erë trendelinë”, shënimi im) Lasgushi largohet prej formës popullore shqiptare duke tretur ndjesitë e tija në kallëpe të reja”. (M. Kuteli në “Ylli i zemrës”).
Lasgush Poradeci nuk është idhtar i pozave kalorësiake dashurore, as i poezive mjerane dhe vajtimtare, ashtu si nuk mund të pranojë një dashuri lakuriqe para syve të botës. Ai e ndjen me tërë qenien e vet joshjen e bukurisë femërore, ndjen afshin e trupit dhe zjarrin përvëlues të syrit femëror, “syrit vetëtitës”; digjet për t’i pushtuar ato “hapëza mëkate”. Por atij nuk i pëlqen të përshkruajë çastin konkret të dashurisë, takimin, aventurën, çastin në të cilin realizohet fizikisht dashuria.
Poeti, siç pohon Kuteli, na jep “ushëtimën e larguar të realitetit”, ai i këndon “largimit, vetmisë, mallit”. Kjo është aq e vërtetë sa edhe në një poezi të tillë si “E mora shoqezën për krahu”, ku dashuria nuk jepet si një kujtim i largët, por një çast i përjetuar realisht, poeti e mjegullon çastin sublim erotik, ia le liqenit ta përjetojë fshehtësinë e tij: “Përse buçet, liqer’i qet!/Liqer, ti ç’ thua ndaj buçet!/Çfar’ pe, liqer, mi zall të shkret!”.
Në kritikën tonë studimore rreth lirikës erotike të Lasgushit, është shprehur mendimi se poeti “dashurinë e fsheh si një krim”, se “shoqëria ia kërkon këtë flijim” (Idrizi “Vepra letrare” e L. Poradecit).
Por a është e vërtetë kjo?
Në ciklin erotik “Vasha dhe Trimi” janë dy poezi:
“Vate prill”’ dhe “Del në porta”; e para monolog lirik i Trimit, e dyta i Vashës së dashuruar. Djali i thotë hapur botërisht: “M’u shti vashëza në gjumë/E ëmbla mi shoqe shumë/Do ta marr ta kem përfare/Moj leshverdhën lozonjare”. Kurse Vasha: “Dëgjo bota seç po thonë/Vasha po na prish zakonë”.
Dashuria këtu shpallet botërisht dhe në mënyrë sfidante. Poetin nuk e mundon asnjë paragjykim, ai ngrihet mbi ta ose i mënjanon me mospërfillje me gojën e Trimit. Atëhere shtrohet pyetja: përse poeti na e jep dashurinë si një ëndërr, si një kujtim, si një mall, si një realitet të larguar, siç përmendëm më lart? A është kjo vetëm një përzgjedhje romantike, një koncept sa artistik aq edhe estetik, një spontaneitet krijues, apo një optikë krijuese komode për poetin dhe stilin e tij?
Përgjigja e kësaj pyetjeje, para së gjithash, duhet kërkuar në botëkuptimin filozofik të vetë Lasgushit, në konceptin e tij filosofik mbi dashurinë si një ndjenjë hyjnore, si një atribut kozmik e tokësor. Poeti, duke ecur në vazhdën e simbolistëve europianë pararendës të tij, është idhtar i mitit kozmik të shpirtit, i shkrirjes së hyjnisë me botën, prandaj edhe dashurinë e jetuar mbi tokë përpiqet të na e paraqitë nëpërmjet tisit të kësaj velloje idealiste. Për të, mbi të gjitha, qëndron shpirti i dashuruar, universi i ndjenjave dhe i përjetimeve vetjake.
Poezitë lirike të Lasgushit janë një ditar i gjallë lirik, një diagramë mahnitëse e lëvizjeve më të holla të shpirtit të dashuruar, një dialog pasionant midis djalit, që vazhdimisht shpreh ndjenjat e veta të përmalluara dhe i vajzës që i përgjigjet, i flet me heshtjen e saj, me sytë e rrëzuar përdhe. Poeti, duke mbetur besnik i etikës së vet filozofike dhe artistike, gjithçka na e jep në kufijtë e ëndrrës, ku flet mendimi, gjesti, figura memece, në kufijtë midis reales dhe ireales, të imagjinatës, që, shpesh herë, na ndihmon më shumë se sa realiteti për të zbuluar të vërtetën e ndjenjës e të jetës. Në këtë mënyrë arrin Lasgushi synimin e vet artistik dhe atë estetik, e bën të flasë shpirti dhe vetëm shpirti, të jehojë ndjenja, malli mbi gjithçka. Ai arrin kështu të na japë realisht të pakapshmen si rrallë kush në lirikën tonë kombëtare.
Në lirikat e Lasgushit gjejmë një skemë të përbashkët, shumë të ngjashme. Vjersha fillon me mallin, me kujtimin e përmallshëm të dashurisë së mbetur diku larg dhe, dalngadalë, nis të rajëvizohet, të vezullojë porteti fizik dhe emocional i vashës, deri në detaje konkrete (“gropëzat në faqe, leshrat cullufederdhur, syri vramus apo gjumash i venitur gjith përdhe, buza e shkruar që flet tinëz”); marrin jetë në vargje çaste intime të paharruara (“Ti mendon mbi supë time/E mbështetur mi një faqe; Regëtin me dëshirime/zemr’e mbushur me farmaqe”).
Edhe diagrama e shpirtit të heroit lirik është sa e larmishme, po aq edhe konkrete, me një shkallëzim ndjenjash, që fillon me kujtimin e përmallshëm, vijon me lotin varfanjak, që i përvëlon në kraharuar, ku ndjehet buçima e dashurisë së gjorë, që ka mbetur pas dhe bën të përpëlitet zemra e bërë fije-fije, që buçet e llaftaruar prej buçimdhëmbshurit durim. Një diagramë me të vërtetë dramatike, por aspak tragjike. Nuk bëhet fjalë për asnjë flijim, nuk kemi të bëjmë aspak me heroinën tragjike të ambientit patriarkal të përshkruar në letërsinë tonë të vietve tridhjetë të shekullit të kaluar.
Në kritikën tonë letrare para edhe pas çlirimit janë shprehur dy mendime mbi natyrën emotive të poezisë erotike lasgushiane. Kuteli thotë: “Vjershat (e ka fjalën për poezitë e ciklit “Erë trendelinë”, shënimi im) janë vështjellë me një avull hidhërimi, melankolije pesimiste” (Lasgushi “Ylli i zemrës”), ndërsa M. Xhaxhiu thotë: “…trishtimi dhe skepticizmi… i japin tonin erotikës lasgushiane, e cila, nga ana tjetër, ka edhe shtresën optimiste në një pjesë të saj” (L. Poradeci “Vjersha të zgjedhura”).
E vërteta është se lirika lasgushiane i ka të përziera të dyja këto ndjenja, pesimizmin dhe optimizmin. Na duket jo bindës mendimi i shprehur në kritikën tonë se idili, dashuria e thjeshtë dhe e pastër është një burim i vërtetë optimizmi. Idili mund të jetë vetëm një ngushëllim i çastit për dy të dashuruarit e mërguar nga njëri-tjetri. Ndërsa pesimizmi është ndjenja që dominon shpirtin e dashuruar lasgushian. Dhe, megjithatë, poezitë erotike lasgushiane janë të mbushura plot dritë optimiste edhe në çastet më të trishtuara për dy shpirtrat e dashuruar.
Pesimizmit lasgushian, mbase, do t’i shkonte më tepër epiteti “vezullues”, pesimizëm vezullues që shkrepëtin nga malli i pashuar, nga pikëllimi (“Edhe stolitë e dashurisë/Më sillen varg në pikëllime/pa del në qiell një yll me dritë/Prej shpirtit tim, o motra ime”). Këtë dritë ua jep atyre nocioni filozofik lasgushian mbi dashurinë si një ndjenjë e mistershme universale pa fillim e pa mbarim (Se s’dashuroja as un’ as ti/Po dashuronte dashuria/Një dashuri, një fshehtësi/M’e fshehur sesa fshehtësia”).
Lasgushi na e thotë hapur se mbi dashurinë njerëzore qëndron dashuria universale, e cila është në themel të jetës fizike dhe metafizike. Prandaj heroi dhe heroina lasgushiane e gëzojnë dashurinë dhe nuk e qajnë atë. Ata janë pjella e kësaj ndjesie universale e cila i ka afruar, i ka bashkuar në jetë dhe i ka bërë të shijojnë “ëmbëlsi vrerore” dhe, si bij të saj, t’i thërresin njëri-tjetrit jo vetëm pëllumbeshë, trim por edhe “motriçkë”, mbase edhe “vëllaçkë”, si bij të Nënës Dashuri.
Një dashuri e tillë, që ka brenda realen dhe mistiken, patjetër do të deshte një “kallëp” të ri për t’u derdhur, siç e përcakton Kuteli. Ky kallëp përbën të veçantën, risinë, të papërsëritshmen e poezisë lirike lasgushiane, ku ndjenja dhe mendimi, fjala dhe veprimi, figura dhe ritmi në mënyrë harmonike kanë një gravitet artistik të përbashkët. E veçanta e këtij graviteti është harmonia e përgjithshme midis tyre, ndjenja dhe mendimi shkrihen në një emër simbolik të përbashkët: “mall”. Malli e zbeh dhe e topit veprimin, ai zgjon ëndrrën; ëndrra i jep krahë përfytyrimit të zjarrtë, përfytyrimi i përmalluar zgjon ankthin, që mishërohet në fjalën “llaftari”.
Pikërisht, kjo fjalë ngërthen në domethënien e saj, misterin e jetës e të vdekjes, të lumturisë së shqetësuar dhe kjo lumturi “vrerore”, si me magji, i bën fjalët të renditen, ashtu si shtrohen njëra pas tjetrës valët mbi liqen pas stuhisë duke krijuar kështu idenë e pafundësisë së mendimit, të ndjenjës, të magjisë së fjalës poetike; “një dashuri, një fshehtësi, m’e fshehur sesa fshehtësia”.
U përpoqëm të themi dy fjalë, dy mendime rreth lirikës erotike të Lasgush Poradecit, të këtij poeti magjistar të fjalës artistike, në kërkim të atij çelësi të magjishëm, që mund të hapë thellësitë e krijimtarisë së tij, çelës të cilin Poeti e ka hedhur në fund të liqerit, që i fali frymëzmin dhe magjinë e vet.
©Vangjush Ziko