Nga: Vera Bekteshi
Në romanin historiko-politik “Enveriada”, hapësira kohore 45-vjeçare e sundimit të Diktaturës në Shqipëri, është ndarë në katër dimensione, duke tentuar t’i përngjajë hapësirës katërdimensionale të konceptuar nga Ajnshtajni për një botë shumë më të madhe se kjo jona. Këto hapësira janë:
Kupola e pushtetit;
Ditari i një të internuari;
Zona Sofi, apo molla e sherrit;
Zona gri, apo pasojat nga ekzistenca e Kupolës.
Dialogu në zonën e parë është gjetja më interesante e librit; ditari pjesa më prekëse dhe më groteske; dy dimensionet e tjera, të domosdoshme për historinë që tregohet.
Më lejoni të bëj një paralele me kryeveprën e Kadaresë, “Pallati i ëndrrave”. Në këtë të fundit bisedat e Abu Qerimit me nëpunësit e Tabir Sarajit ku sapo është emëruar, u përngjajnë shumë bisedave të Udhëheqësit të Ri (Ramiz A.) me Besim K, kreun e Organizatës Syri i shqiponjës, edhe ajo një tjetër gjetje interesante e autorit. Udhëheqësi i Ri dhe Abu Qerimi ngjajnë vetëm në një aspekt, në rrugën për në krye të pushtetit, që i pari, pra Ramizi, e ka ndërtuar vetë me shumë kujdes, kurse shqiptarit të Stambollit, ia kanë hapur brez pas brezi paraardhësit e tij, Qyprillinjtë. Sikurse dhe letrat e popullit në libër, u përngjajnë aq shumë letrave të ëndërr përshkruesve, që Tabir Saraji i perandorisë otomane, i mblidhte, klasifikonte dhe përpunonte me aq kujdes, saqë prej tyre zbulonte komplotet e ardhshëm.
Kryeqyteti i kohës së komunizmit përshkruhet me nota të sakta, gati prekëse, si kryeqendra e vendit në çdo aspekt jetësor, përfshirë këtu edhe elementin kryesor zbavitës Bulevardin e madh, një institucion i vërtetë i asaj kohe, së bashku me personazhet e Tiranës së viteve ’80. Do kish qenë mirë ta kishin shijuar të gjithë atë shëtitje, veçanërisht të rinjtë e sotëm, sepse do arrinin të kuptonin rëndësinë e saj si e vetmja kënaqësi e banorëve tiranas.
Është fare lehtë të orientohesh në detin e emrave të personazheve, pseudonimeve, numrave dhe vendosjes së tyre në hapësirë dhe kohë. Në libër përdoren si emrat e vërtetë të disa personazheve, edhe të sajuarit, që janë lehtësisht të identifikueshëm, gjë që duhet të ketë qenë edhe qëllim, apo dëshirë e autorit.
Ajo që më tërheq veçanërisht është ‘abuzimi’ me dy metafora, si ora me rërë dhe algoritmi, me sa duket për të na treguar se organizata Syri i Shqiponjës përdor qëllimin për të përcaktuar mjetet e punës. Ora me rërë, që fillon nga fundi numërimin e kohës ngase është programuar e tillë, garon me algoritmin, që përdoret gjerësisht nga Organizata dhe që hyn në lojë sa herë kërkohen zgjidhje të reja, sepse është formula magjike për të arritur tek qëllimi. Punë fort e ngatërruar, por ata ia dalin në krye gjithnjë, sepse janë të dedikuar me mish dhe shpirt ndaj detyrës, se janë gati ‘të qëndisin’ edhe në dritën e hënës.
Dialogu i Ramizit me kreun e Organizatës është një lajtmotiv në roman dhe bukuria e tij nuk qëndron vetëm tek përshkrimi i figurës së të dyve, por tek përulja e Udhëheqësit të Ri, të vetmit të mbijetuar nga Nomenklatura e lartë, ndaj një shërbyesi të kësaj nomenklature. Natyrisht, sepse detyra e këtij të fundit, pra e shërbyesit, ishte t’i qëndronte besnik vetëm Njëshit, Enverit, që ishte edhe krijuesi i kësaj organizate mostër. Gjithë loja e pushtetit të ri, që po instalohet, luhet midis të dyve, përmes këtij dialogu, ku kaposhi me pendë të ndritura palloi është kreu i Organizatës, kurse nxënësi, i pasigurti, i përuluri, është ai që sapo është ngritur në pushtet. Këto janë skena të realizuara bukur!
Por autori ironizon edhe Njëshin, Enverin. Ai shkruan se ëndrra e Tij më e madhe ishte: “Ta bënte Shqipërinë si Korea e Veriut, që edhe vendi i Tij të kishte potencial bërthamor…”
Në librin e tij të parë “Sarah”, Alfred Peza ka si strumbullar të historisë një grua të hijshme, kërcimtaren më të mirë të mbretërisë. Aty, ajo është e dashura e mbretit. Këtu, Sofi, basketbollistja më e mirë, do bëhet e fejuara e djalit të dytë të Pasardhësit, Mehmet SH. Mirë, ottima soluzione, do thoshin italianët, por në të vërtetë asnjëra prej tyre nuk shkaktoi ndonjë uragan në pushtet, bile nuk arritën as të ndryshojnë rregullat e oborrit ku tentuan të futen.
Sofi, në libër sikurse dhe në jetë, largohet nga skena ku e imponuan të futej, pa u ndier (sipas autorit, sepse të vërtetën e dinë vetëm ata që e pësuan), por nuk u kthye as në simbol qëndrese si i shket autorit në faqet e fundit, ose e ka përdorur qëllimisht në këtë rast si mjet letrar, sepse personazhet e librit dhe ato të ëndrrës nuk ekzistojnë, sa për të perifrazuar fundin e librit tim “Ora me Rërë”.
Çifti Sofi – Gjergji është idealizuar, mesa duket për të treguar se si diktaturat shkatërrojnë të mirën dhe të bukurën, sesi i përdorin ndjenjat njerëzore për të vënë në jetë krimin e radhës, atë që në rastin tonë, është më i bujshmi i historisë 45 vjeçare të këtij pushteti mizor.
Kam kaluar padashur nga dimensioni i parë në të tretin pa përmendur të dytin, që është me siguri pjesa më prekëse e librit, pra kapitujt Ditari i një të internuari. Janë po aq të vërteta, apo më saktë po aq absurde si të ishin shkruar nga vetë ata që e patën provuar padrejtësinë dhe ‘kotësinë’ e atij dënimi.
Personazhet kryesore, pushtetarët, janë jo pak naivë, gjë që më bën të mendoj se është shkruar qëllimisht nga autori, përndryshe ata nuk do të mund të qëndronin pa u frikuar, pa luajtur nga pozitat e dikurshme, pa iu shkuar aspak ndër mend se, më së paku, ka edhe një njerëzillëk minimal si kërkimi i faljes.
Nga ana tjetër poshtërimi i kundërshtarëve politike, qofshin këta nga ish-klasat e përmbysura, apo nga ish-shokët që së bashku i përmbysën këto klasa, është dhënë me një paragraf, po një lexues i vëmendshëm nuk e kalon pa e vënë re.
Por, Peza nuk ka si ta dijë se mjeti më efikas i torturës psikologjike, apo poshtërimi më ekstrem, ishte presioni që organizata Syri i shqiponjës zbatonte tek ata që s’pranonin të nënshtroheshin, duke u kërkuar grave dhe fëmijëve të tyre, që nëse donin të jetonin, duhej të braktisnin etërit dhe burrat.
Herë-herë në libër portreti i Udhëheqësit të Ri, Ramizit, merr nota realiste, si rasti kur ai përdor dialektin e jugut, jo vetëm se veprimtarinë partiake gjatë rinisë e pat ushtruar në këtë pjesë të vendit, por edhe sepse ashtu bëhet më i pëlqyeshëm, më i besueshëm. Por autori nuk ka arritur të përshkruajë nuancën e zërit, elementin më domethënës të karakterit, apo thënë më qartë, matësin më të saktë të guximit apo dredhisë.
Luhet gjithashtu me Situatën sinoptike ku fajet e Paraardhësit, apo Njëshit, i vishen pasardhësit, Mehmet Shehut, ngjarje prej kohësh e njohur në letërsinë botërore nga romani fort i guximshëm Washington D.C. i Gore Vidal, që zhvillohet në mjediset e kupolës së shtetit amerikan.
Në roman ka gjithashtu aludime interesante se djegia e letrave të popullit nuk është gjë tjetër veç djegies së dosjeve, si dhe rolin dhe marrëdhëniet mes treshes Nexhmije, Fiqiret, Vito, si gratë sunduese në Bllok.
Në përfundim mendoj se ky roman e ka tejkaluar si strukturë romanin e parë Sarah, edhe pse ai është më romantik, ndoshta për shkak të distancës kohore; se autori gjatë faqeve të librit vjen në rritje si në ritëm dhe në mjeshtërinë e të shkruarit; se ai ka avantazhin e madh të shprehet lirshëm, sepse këto personazhe dominuese të jetës sonë nuk janë më dhe nuk e ka vështirë të luajë profetin; se e njeh politikën, gati aq mirë sa gazetarinë; se ka ditur të dallojë që gruaja e Udhëheqësit të Ri, Semiramisi, për aq sa jetoi, ka pasur ndjeshmërinë dhe forcën e njeriut të shkencës për të mos u marrë me politikë, se ajo ishte kryekëput e ndryshme nga të tria Fatat e Bllokut, gjë që e dinë të gjithë, që e jetuan atë kohë.
Përgëzimet më të sinqerta autorit, që në një kohë ‘të pamjaftueshme’ ka arritur të na japë një vepër letrare dinjitoze, të pasur me informacion shumë interesant dhe që shkruhet nga një njeri që ka njohur vetëm majën e ajsbergut të atij regjimi mizor, duke dhënë njëkohshëm edhe një kontribut të rëndësishëm në letërsinë për Diktaturën. /Gazeta Liberale/