Stiljan Dedja
Dita e verës vjen nga thellësitë e shekujve,lashtësisë iliro- arbëreshe. Ajo është festë e gjithë trojeve shqiptare dhe shqipfolëse në Ballkan dhe kudo. Ajo simbolizon gëzimin e ripërtëritjes së gjithësisë dhe e gjallërimit të natyrës dhe vazhdimit të jetës. Dihet që e gjithë Shqipëria sot feston ditën e verës,por kultin e kësaj feste të shenjte, tempullin e vet e ka në rrethinat e Elbasanit konkretisht në faltoren e dëgjuar të- Zanës së Çermenikës “Djana e Candaviensis”. Kjo perëndeshë simbolizonte në atë kohë të lashta hyjneshën e gjuetisë, pyjeve dhe të gjithë natyrës. Kjo perëndeshë ka pasur kultin e vet në “kohët antike”, e cila më vonë u përhap në të gjitha hapësirat Ilire dhe shqip folëse. Dihet që statuja e Zanës në mermer u zbulua në Apolloni, në brigjet e Afrikës veriore dhe në Azinë e vogël me emrin :” Djana Candaviensis”. Me dyndjen e popujve sllavë dhe pushtimin e trojeve Ilire dhe shqip- folëse ata përvetësuan këtë festë pagane Ilire dhe e përshtatën atë sipas vendit dhe zakoneve të tyre. Populli shqiptar e ruajti me fanatizëm këtë trashëgiminë kulturore të paraardhësve të vet dhe e trashëgoi atë deri në ditët e sotme. Kjo festë u muar dhe festohej edhe nga perandoria bizantine dhe nga kombet e reja sllave që u formuan në Ballkan.
Faik Konica për ditën e verës në “ Albanian “ shkruan se:”I gëzohej emancipimit të gruas, që shfaqej me një bukuri të veçantë, kësaj të kremteje”.Në këtë ditë feste grat dhe vajzat dilnin për të festuar dhe duhej të vishnin rrobet më të bukura tradicionale popullore, që ato i ruanin vetëm për këtë ditë. Atë ditë femra dhe gruaja simbolizonin bukurinë femërore dhe ardhjen e stinës së bukur të pranverës. Vajzat në këtë ditë dilnin me familjet apo edhe me shoqet e tyre, duke shkëmbyer shikimet e tyre me djemtë, të cilët kishin edhe rastin për të vlerësuar dhe pëlqyer ndonjë vajzë. Përsëri Konica do të shprehej: “Dita e verës është dita në të cilin stërgjyshërit tanë, kur ende nuk kishte lindur krishterimi, do të kremtojnë bashkë me romanët edhe me grekët e vjetër, perënditë e luleve, shelgjeve dhe krojeve, ku ç’krin dimëri dhe qaset vera e qeshur e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botticelli, zemra e njeriut ç’karkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjejnë një detyrë tu falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që qujmë dit’ e verës”. Ajo kremtohej si një adhurim për :- nënën natyrë , për pjellorinë e saj dhe për begatinë e saj në ditët që do të vinin. Dita e verës u kthye në pjesë të identitetit tonë kombëtar. Dita e verës e qytetit të Elbasanit mbetej një festë unikale. Në këtë ditë do të ruheshin edhe prodhimet e vitit të kaluar si:palët e fikut, arrat, ftojt, mollët, pekmezi, majlti etj. Kjo festë do të niste me bërjen e revanisë, e cila deri at’here ishte ëmbëlsira tradicionale e ditës së verës, pasi ballakumja duket që është futur më vonë. Patjetër që çdo shtëpi elbasanase ruante enët prej bakri kastile për këtë ditë, për bërjen e ballakumeve dhe të revanisë. Revania e ardhur mirë ishte një shenjë e mirë dhe një ogur i mire,ndërsa revania e ardhur tuç, ishte një shenjë e keqe, apo shenjë e egzistencës së “qoftëlargut dhe syrit të lig”.
Pjesë e rëndësishme e ditës së verës është dhe “verorja” ,që përbëhet nga dy fije leshi të bardhë dhe të kuq. Ajo simbolizon gjakun e kuq të moshës së bardhë të brezit të ri. Ky symbol vjen nga “periudha prehistorike”, ku nuk egzistonin nuskat apo dhe i shenjave priftërore. Ajo simbolizon mbrojtjen e të sëmurëve dhe ata që i ka kapur “syu i keq”, e cila na jep të kuptojmë që kjo simbolikë arkaike vjen nga koha e vjetër prehistorike e bestytnive natyrore dhe materiale. Ka egzistuar edhe fjala :- dimri qe me cule, e vera vjen me lule. Të këqiat si: sëmundjet, dobësinë, plogështinë, ngathtësinë, mërzitninë, i mori dimri me vehte. Dita e verës e Elbasanit është një trashigimni e vlefëshme e e traditës dhe Candavës Ilire. Rrapi I Mansit dhe pelegrnazhi, kanë qenë vendet ku zhvillohej historikisht kjo festë,na japin të kuptojmë për një ceremoni të herëshme, ku si kult i vetëm ka qenë Zana e Kandaveve apo Diana Candaviensis. Historianët na tregojnë se: Mansi i sotëm apo “Manthiona antike”, ka qenë një stacion i famshëm i Egnatias, që ishte një stacion që priste pelegrinë që vizitonin Skampinin, me qëllimin e vetëm për t’u falur në tempullin e “Dianës së Kandavëve”.Dita e verës nuk festohet vetëm në Elbasan sot por nga veriu në jug të Shqipërisë. Ajo është një festë pagane, që fillimet e saj i ka përpara Krishtërimit. Në Lezhë në këtë ditë ndizeshin zjarre për t’i dhënë forcë diellit nëpër toka dhe shtëpia. Edhe festimet e kësaj feste të bukur nga popujt sllavë tregon edhe për origjinën e tyre ilire. Kjo festë nisi si një festë pagane Ilire dhe u përvetësua edhe nga popujt e tjerë ardhës në këto troje, të cilët bashkëjetuan me popullin Ilir shqipfolës, duke marrë prej tij edhe ato zakone festa apo tradita të bukura, të cilat ishin pjesë e jetës së tij. Dita e verës prej kohësh është kthyer në një festë gjithëkombëtare, e cila festohet në të gjithë trevat dhe qytetet e Shqipërisë, Kosovës Çamërisë dhe në Ballkan, atje ku banojnë pasardhësit e ilirëve, me gjuhën e tyre shqipe të vjetër. Dita e verës sot simbolizon një festë gëzimi familjare dhe shoqërore, ku njerëzit gëzojnë së bashku dhe festojnë për ardhjen e pranverës dhe për ditët më të mira që do të vijnë, si dhe çeljen e një perspektive më të mire që po vjen. Mbledhja e luleve në këtë ditë dhe bërja e tyre kurorë në kokë, apo vendosja e tyre në vazo, tregon për paqen dhe dashurin që sjell kjo ditë tek ne dhe në familjet tona.