Kastriot Dervishi
Në historinë e politikës shqiptare, përveç rastit të Esatit Toptanit kanë ndodhur 3 atentate të mëdha jashtë vendit: më 2 mars 1925 ndaj Luigj Gurakuqit në Bari të Italisë; më 14 tetor 1927 ndaj Ceno Kryeziut në Pragë nga Alqiviadh Bebi (i cili u vra në sallën e gjyqit), më 21 shkurt 1931 ndaj Ahmet Zogut në Vjenë.
Në të gjitha rastet vrasësit janë vrarë në kohë të ndryshme. Por spikat fakti se dy vrasësit Avni Rustemi dhe Balto Stamolla, iu shpëtuan dënimeve me vdekje dhe u liruan nga gjykatat italiane e franceze. Të dy, duhet të ishin dënuar për krimin e vrasjes.
Por sot po ndalemi vetëm te procesi gjyqësor ndaj Avni Rustemit në Francë. Prokurori i Gjykatës së Parisit ngriti akuzë në bazë të neneve 295, 296, 302 të Kodit Penal për vrasje me paramendim (siç edhe ishte). Gjatë gjithë procesit, Avni Rustemi nuk pranoi vrasjen me dashje, por vrasjen për shkak të turbullirës dhe paqëndrueshmërisë emocionale që vinte nga “mizoritë” e Esatit në Shqipëri (i cili kish jetuar shumë pak në fakt këtu).
Në proces nga Rustemi nuk u tha ndonjë akt tradhtie i Esatit me shtete të tjera, por vetëm “mizoria” e tij si “masakrues” i shqiptarëve. Gjithë mbrojtja e Rustemit u bazua te turbullimi emocional i tij. Kësisoj gjykata mori vendimin pikërisht mbi këtë argument dhe jo sipas kërkesës së prokurorit.
Në këtë mënyrë Rustemi nuk u lirua se bëri një vrasje të drejtë “patriotike”, por për veprimin e pakontrolluar të ardhur nga turbullimi emocional. Duke u nisur nga ky fakt, ndërsa u botua pretenca, asnjëherë gjatë regjimit komunist nuk u bë i njohur vendimi i gjykatës franceze, sepse “heroi” nuk do dilte ai që ishte.
I mësuar me këtë rrugë, me kthimin në Shqipëri më 24.12.1920, Avni Rustemi përveç turbullimit të mendjeve të rinisë dhe administratës iu fut rrugës së vijimit të vrasjeve politike. Në planin e tij ngelën dy njerëz: Ahmet Zogu dhe Mufit Libohova.
Zogu ruhej jo dhe aq mirë si kryeministër, ndërsa Mufiti shtoi jashtëzakonisht masat e ruajtjes fizike të tij. Në ekipin e rojeve të Mufit bënte pjesë edhe Shefqet Peçi, më vonë drejtues i lartë komunist. Për shtetin e dobët shqiptar, ende i pandërtuar e pa kufij, kjo rrugë e vrasjeve dhe e pusive, duke shmangur konkurrencën e ndershme politike, ishte një thikë e madhe pas shpine, një tregues i lartë i paqëndrueshmërisë e shpërbërjes.
Në kujtimet e botuesit të gazetës “Drita”, Veli Hashorvës, mik i Avni Rustemit, botuar në “Revolucioni i qershorit 1924, në kujtimet e bashkëkohësve”, Tiranë 1974, në faqen 328 gjejmë edhe këto fjalë: “Avniu një ditë më pat thënë: ‘Po të mos kisha vrarë Esat Toptanin, vetë do t’ia drejtoja koburen Ahmet Zogut’.
Një vrasje të dytë nuk e dëshironte, që të mos bëhej vrasës profesionist. Kështu ndoshta inspiroi Beqir Valterin, i cili nuk doli i zoti ta qëllonte Zogun në zemër”.
Në fakt është e mirëprovuar se atentatin ndaj kryeministrit Ahmet Zogu në hollin e parlamentit shqiptar më 23.2.1924 e organizoi Avni Rustemi.
Mirë aktin e parë të vitit 1920, na e quajnë “patriotik”, po këtë të vitit 1924 si e quajnë? Çfarë po “shiste” Ahmet Zogu këtë herë. Se Mufitit nuk i bëri dot gjë se nuk kishte shans.