“A good picture talks to you” është përshkrimi i një prej fotografive që është bërë nga Carol Guzy në mars të vitit 1999, në kohën kur fëmiu 2 vjeçar po kalonte përmes një gardhi për t’u bashkuar me familjarët, pasi kishin lënë shtëpinë e tyre gjatë luftës në Kosovë.
Fotografia po aq sa shprehja në mos edhe më shumë ka fuqinë të ndryshojë këndvështrimin tonë për botën dhe ta shpërfaqë të vërtetën. Për të folur për rëndësinë që e kanë fotografitë, gjithashtu për të diskutuar se a e ka rrezikuar profesionin e fotografëve zhvillimi i telefonave të mençur, në emisionin “LIBERO” ishin të ftuar fotografët e njohur kosovarë, Ridvan Slivova, Norik Uka dhe Arton Humolli.
Norik Uka derisa diskutoi për rëndësinë e fotografisë, ai kritikoi edhe shtetin e Kosovës që sipas tij nuk ka ofruar përkrahje të mjaftueshme për artin dhe kulturën.
“…Më pengon shumë që edukimi sa i përket artit ka qenë shumë i ulët… Shteti nuk ofron para për artin dhe kulturën, artistat i kanë larguar dhe i kanë lënë me një anë…”, tha Uka.
Ndërsa, sa i përket rrezikshmërisë që mund të kenë hasur fotografët me zhvillimin e teknologjisë, Arton Humolli, nuk e konsideroi të tillë, sepse sipas tij jo secila fotografi e realizuar me telefon është art.
“Në kuptimin e realizimit të fotografive është shumë më lehtë dhe fotografia është dukshëm medium (artistik) më i përdoruri në botë… Fotografitë me telefon janë më shumë informative, familjare, fotografi për arkiva dhe ato i mbajmë si kujtime… çdo fotografi nuk është art…”, theksoi Humolli.
Ngjashëm mendon edhe Uka, i cili theksoi se zhvillimi i teknologjisë ka qenë i nevojshëm meqenëse iu ofron të rinjve që t’i zbulojnë talentet e tyre rreth fotografisë.
“…Fotografitë me telefon sot janë të jashtëzakonshme. Ka njerëz të cilët e fillojnë talentin me telefon dhe më pas e vazhdojnë me aparate, dhe ky është fat për të rinjtë sepse mund ta gjejnë talentin përmes telefonit…”
Por, Ridvan Slivova krahas që e përkrahë zhvillimin e teknologjisë, ai shprehu një shqetësim sa i përket ndërhyrjeve në fotografi, të cilat i konsideroi mashtrime vizuale.
“Të gjithë e përkrahim teknologjinë se na lehtëson, na bën gjërat më të lehta, më të thjeshta… Por, ka humbur natyralja, shpesh ndodhin edhe mashtrime vizuale dhe unë nuk e pëlqej…”, tha ai.
Gjatë emisionit, u prezantuan disa nga fotografitë të cilat (me mesazhet që kanë përcjellur) kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në histori. Gjithashtu mysafirët e ftuar, kanë prezantuar para publikut disa nga fotografitë (e tyre) më të veçantat që i kanë realizuar deri më tani.