Prof. Kristo Frashëri*
Hyrje
Akademia e Shkencave e Republikës së Maqedonisë ka vënë në qarkullim që prej shtatorit 2009 “Enciklopedinë e Maqedonisë”, Shkup 2009, botuar nën kryesinë e akademikut të saj, Blazhe Ristovski. Në zërin kushtuar shqiptarëve të Maqedonisë tërhoqën vëmendjen disa formulime të vjetruara, të cilat opinioni publik shqiptar kishte shpresuar se nuk do t‘i dëgjonte më, për faktin se ato kanë qenë gatuar në të kaluarën nga mendje të zhuritura nacionaliste maqedone dhe si të tilla atyre u kishte kaluar koha. Ne nuk do të merremi me përmbajtjen e mbarë zërit “shqiptarët e Maqedonisë”, pjesë e Enciklopedisë së përmendur, e cila vuan gjithandej nga pasaktësi, pasi debati do të shkonte gjatë. Do të përqendrohemi vetëm në formulimet historike që ka Enciklopedia e përmendur mbi të ashtuquajturën vendosje e shqiptarëve në Maqedoni, pasi këto formulime krejtësisht të pasakta, pra antishkencore, na kthejnë në shekullin XIX. Aty lihet të kuptohet se shqiptarët nuk kanë qenë të pranishëm në viset e sotme të Maqedonisë as në Antikitet, as në Mesjetë. Aty ngulet këmbë se:
“Kolonizimet shqiptare në Maqedoni janë regjistruar kryesisht pas shekullit XVI. Janë dyndur heshturazi (sic!) kur tashmë ishin të islamizuar. Dyndjet përfituan nga tollovia e shekullit XVIII, kur feudalët shqiptarë vepronin për pavarësinë e tyre nga pushteti qendror dhe përpiqeshin për zgjerimin e tyre edhe në Maqedoni. Ali Pashë Janina (në fillim të shekullit XVIII) e kishte zgjeruar pushtetin e vet edhe në pjesët jugperëndimore të Maqedonisë, pas së cilës filloi kolonizimi me nga një apo më shumë familje në rreth 30 fshatra. Të gjithë ata arritën nga Shqipëria e Veriut dhe i takonin fisit geg (pra, në kohën e Ali Pashë Tepelenës, i cili ishte nga jugu, qenkan dyndur në Maqedoni shqiptarët e veriut !!! – K.F.). Në Tetovë, Gostivar dhe në vende të tjera, thuhet aty, tashmë kishin dalë pashallarë gjysmë të pavarur me prejardhje shqiptare, të cilët kishin nxitur kolonizimet. Ata përdornin banda kaçakësh të cilat e terrorizonin popullatën maqedone dhe e detyronin të shpërngulej. Nëpër shtëpitë dhe fshatrat maqedone vendoseshin familje shqiptare. Numri i tyre deri në fillim të shekullit XIX ishte rreth 20 mijë veta (sic!!!). Që nga viti 1780-1800 të ardhurit ishin nga fisi Krasniqi dhe Shalë dhe një fis nga Shqipëria e Jugut (sic!). Ata u vendosën në Manastir, në Gostivar (Sërbinovë, Gradec, Recan dhe Cegran), në Kërçovë (Zajas, Arangjel dhe Popovjan, Oriziare, Sebice dhe Celopek), në Kumanovë (Likovë), në Përlep (Desovë, Zhitoshë dhe Debresht), në Shkup (disa fshatra të Dervenit, Gumalevë, Novo Sellë dhe Brezë), në Strugë (Belicë e Poshtme) dhe në Tetovë (Tearcë, Poroj, Gajre, Recicë e Vogël, Shipkovicë, Tetovë, Kalishtë dhe Lisec)”.
Sipas autorëve të “Enciklopedisë së Maqedonisë”, periudha e dytë e kolonizimeve të dhunshme shqiptare në viset maqedone, ndodhi në fillim të viteve ‘40 të shekullit XIX, pra në vitet e Tanzimatit. Këtë radhë “ardhacakët” shqiptarë erdhën nga Elbasani, Luma dhe Mati, por edhe nga Korça e gjetkë.
Vala e tretë e kolonizimit paska ndodhur në fillim të shekullit XX, kurse vala e fundit, pra vala e katërt e kolonizimit shqiptar të Maqedonisë paska ndodhur pas vitit 1944.
Burimi kryesor për këtë zë ku janë mbështetur akademikët e Maqedonisë duket se është, siç e cilësojnë vetë, vepra e historianit maqedon, Hristo Andonov Polljanski, Shtojcë mbi marrëdhëniet maqedone-shqiptare në të kaluarën, “Vepra të zgjedhura”, V.3, Shkup 1981.
Nuk është hera e parë që dalin nga qarqet nacionaliste maqedone fyerje dhe shtrembërime në dëm të shqiptarëve. Më se një herë argumentet e tyre të ngjizura me hamendje dhe me pasione janë hedhur poshtë nga kritika historike. Megjithatë, ata vazhdojnë akoma të përsërisin refrenin e tyre të konsumuar se gjoja shqiptarët në Maqedoni janë ardhacakë të zbritur nga skërkat malore të Shqipërisë së sotme.
Synimet që kanë autorët e këtyre formulimeve nuk janë të njëjta me ato që kishin paraardhësit e tyre nacionalistë para se të formohej shteti maqedon. Në shekullin XIX dhe në fillim të shekullit XX, gjyshërit e nacionalistëve të sotshëm maqedonë synonin të bindnin diplomacinë e madhe europiane se viset e sotme të Maqedonisë veriperëndimore dhe perëndimore nuk u takojnë shqiptarëve ardhacakë, por banorëve autoktonë maqedonë. Tani që e kanë, si të thuash, tapinë në xhep, kanë synime me qitje të largët. Duan të tregojnë se shqiptarët janë ardhacakë, pra emigrantë ose azilantë. Si të tillë, shqiptarëve nuk u takon e drejta e “isopolitisë”, pra e drejta që të marrin pjesë njësoj si maqedonët në drejtimin e shtetit të tyre. Duket se ata përpiqen të spekulojnë aktet ndërkombëtare të kohëve të reja, që flasin për emigrantët, të cilët edhe kur fitojnë të drejtat e qytetarisë nuk gëzojnë të drejtën e formimit të një shteti të veçantë, as pjesëmarrjen si trup i veçantë në shtetin e tyre nacional. Këto janë pa dyshim ëndrra kimerike që i shohin nacionalistët me sy hapur, të cilët flenë akoma në djepin e shekullit XIX.
Të trajtosh shqiptarët që banojnë në atdheun e tyre që nga agimi i historisë si ardhacakë apo emigrantë, apo azilantë, është një fyerje e rëndë për ta. Ashtu siç pritej, sapo “Enciklopedia e Maqedonisë” doli në qarkullim shpërthyen kundër saj protestat e lexuesve shqiptarë brenda dhe jashtë Maqedonisë. Si pasojë e këtyre protestave krejtësisht të natyrshme, “Enciklopedia e Maqedonisë” u tërhoq shumë shpejt nga qarkullimi, pastaj u vendos që të korrigjohej zëri kushtuar shqiptarëve dhe më pas akoma ky zë të shkruhej nga e para.
Kur këto gërr-mërre dalin nga pena ordinere as që ia vlen të merresh me to. Këtë radhë puna ndryshon, mbasi me gërr-mërre po merren disa “akademikë” maqedonë. Duke marrë parasysh nivelin shkencor tepër të ulët që ka zëri kushtuar shqiptarëve në Enciklopedinë e Akademisë së Shkencave të Shkupit, ne do të përgjigjemi veçse shkurt.
Shpresojmë se formulimet fyese, absurde, provokatore që përmban zëri i përmendur jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por për pjesëtarët e mbarë kombit shqiptar – tani që Akademia e Shkupit u detyrua ta tërheqë “Enciklopedinë” nga qarkullimi për ta rishkruar – këto formulime fyese duhet të fshihen nga faqet e saj. Meqenëse historinë e kombit shqiptar ne e kemi temë qendrore të punës sonë shkencore dhe jo kujdes anësor, siç e kanë disa akademikë maqedonë të Shkupit, le të kenë durim dhe ta lexojnë këndvështrimin tonë për historinë e shqiptarëve të republikës së tyre.
1
Gabime metodike dhe faktologjike
Para se të hyjmë në temën e mirëfilltë e ndiejmë për detyrë të nënvizojmë disa kritere të gabuara që përmban sinteza mbi shqiptarët në “Enciklopedinë e Maqedonisë”, të cilat nuk tregojnë shkencë, por amatorizëm dhe nacionalizëm.
Gabimi i parë i palejueshëm për historianët, madje edhe për mësuesit e shkollave të mesme, është shkelja e parimit më elementar të metodologjisë shkencore të historiografisë, e cila kërkon që ngjarjet historike të shihen në kohë dhe në hapësirë. Është pikërisht ky gabim që vihet re në zërin shqiptarët e Maqedonisë. Në bazë të këtij parimi, Maqedonia antike nuk duhet të identifikohet as për nga shtrirja gjeografike, as për nga etnikoni i banorëve me Republikën e Maqedonisë së ditëve tona. Para së gjithash se shtrirja gjeografike e emërtimit Maqedoni, gjatë shekujve nuk ka qenë kurdoherë e njëjtë. Kohë pas kohe, kufijtë e saj territorialë kanë pësuar luhatje. Madje, ka pasur raste kur emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur krejtësisht jashtë kufijve të sotshëm të saj. Kështu për shembull, në shekujt I-II të erës sonë ekzistonin dy provinca romake me të njëjtin emër – Maqedonia e Parë (Macedonia Prima) me qendër Selanikun dhe Maqedonia e Dytë (Macedonia Secunda) me qendër Durrësin. Te vepra e gjeografit Aleksandrin të shekullit II Klaud Ptolemeu (Geographia, Libri 12), Maqedonia e Dytë, pra provinca e Durrësit shtrihej në veri deri në derdhjen e lumit Drin, në Lindje përtej Liqenit të Ohrit deri te qyteti Heraklea i Lynkestëve, kurse në Jug, përtej Vlorës deri në malet Akroceraune të Himarës. Më vonë, Maqedonia e Dytë u quajt provinca e Epirit të Ri (Epirus Nova) me qendër Durrësin dhe përfshinte, sipas njoftimeve që ndeshim në Notitia Dignitatum (III, 13) edhe një pjesë të Maqedonisë historike (Epirus nova et pars Macedonia Salutaris). Për këtë arsye, shpeshherë në burimet historike mesjetare, savante europiane, Arbëria është identifikuar me Maqedoninë (Albania sive Macedonia) dhe shqiptarët e provincës së Durrësit, janë quajtur maqedonë. Përkundrazi, banorët sllavë pasi u vendosën në Maqedoni në fillim u quajtën skllavinë dhe më vonë bullgarë, kurse vendi i tyre në fillim Skllavini dhe më vonë Bullgari. Është e vërtetë se herë pas here emërtimi gjeografik Maqedoni është zhvendosur, por zhvendosja ka ndodhur kryesisht drejt Lindjes deri në Selanik e përtej dhe asnjëherë drejt veriut, në kurriz të provincës së Dardanisë.
Në pragun e dyndjeve sllave ekzistonin, sipas njoftimeve që përmban vepra e udhëpërshkruesit të shekullit V, Hierocles (Synecdemus, 655, XVI, 7), përsëri dy provinca që mbanin emrin Maqedoni – njëra Macedonia Prima (Maqedonia e Parë), me qendër Selanikun, tjetra Macedonia Secunda (Maqedonia e Dytë) me qendër Stobin.
Me një fjalë, në shekullin VI e.s. kur filluan dyndjet sllave në Ballkan, emërtimet gjeografike-administrative antike, Dardani dhe Maqedoni, vazhdonin të ishin ende në përdorim. Në shekullin VI ato ishin shndërruar në njësi administrative perandorake bizantine me po ato emra – në provincën e Dardanisë dhe në provincën e Maqedonisë së Dytë. Ato ishin përsëri fqinje me njëra-tjetrën. Provinca e Dardanisë vazhdonte të kishte kryeqendër Shkupin. Përkundrazi, provinca e Maqedonisë së Dytë, tani e ngushtuar, kishte për kryeqendër përsëri Stobin. Kufiri i tyre kalonte midis Shkupit dhe Stobit, afër fshatit të sotshëm Kozhle poshtë lart në veri të qytetit Bylazora, sot Velesh, e cila kjo e fundit i takonte Pajonisë. Tjetër pikë kufitare ishte qyteti dardan, Sintia, të cilën Tit Livi e quan shkoqur “urbs dardanorum” (T. Livi XXVI, 253), diku në luginën e lumit Strimon, midis Shkupit dhe Përlepit, nga të cilat kjo e fundit i takonte Maqedonisë. Sikurse shihet, në shekullin VI viset shqiptare të Maqedonisë së sotme nuk bënin pjesë në asnjë nga dy provincat bizantine maqedone.
Përfshirja nga shumë historianë maqedonë e viseve veriore dhe veriperëndimore të Republikës së sotme të Maqedonisë, sot të banuara në shumicën dërrmuese nga popullsi shqiptare, – që nga rrethet e Ohrit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kaçanikut, Kumanovës – në kufijtë e Maqedonisë historike, është pra një shkelje e kritereve të historiografisë shkencore. Me këtë hartë gjeografike të shekullit VI, Bjeshkët e Sharrit kanë përbërë për mijëra vjet, si më parë edhe më vonë, deri më 1913, boshtin kurrizor të provincës së Dardanisë apo të Vilajetit të Kosovës dhe jo siç përbëjnë sot kufirin politik midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë.
Gabimi i dytë ka lidhje me cilësimin që akademikët e Maqedonisë u bëjnë shqiptarëve si banorë të dikurshëm të maleve të Shqipërisë, të cilët më vonë qenkan dyndur “heshturazi” në fushat e Maqedonisë, duke ia ndryshuar karakterin etnik sllav që këto vise kanë pasur më parë. Ky cilësim ka brenda saj një varg pasaktësish, madje absurditetesh.
Para së gjithash, termi që ata përdorin për dyndje të heshtur të shqiptarëve është një abuzim letrar. Historia nuk njeh dyndje të heshtura. Dyndjet kryhen kurdoherë me dhunë. Ato që zhvillohen në mënyrë të heshtur janë emigrime apo shtegtime. Përdorimi i termit dyndje të heshtura
Provinca e Dardanisë me kryeqendër Shkupin, provinca e Maqedonisë së Dytë (Macedonia Secunda) me kryeqendër Stobin, provinca e Maqedonisë së Parë (Macedonia Prima) me kryeqendër Selanikun në shekujt V-VI të erës sonë. Hartë e fotokopjuar nga botimi i Akademisë së Shkencave të Bullgarisë: Izvori za Bëllgarskata Istorija. Fontes Latini, vëll.I, Sofia 1958.
Është përdorur mbasi nuk ka fakte të dokumentuara. Deri sot asnjë historian nuk ka ndeshur në burime historike dokumentare, që të vërtetojnë shtegtime në masë të hapura, ca më pak të “heshtura” banorësh nga malësitë e Shqipërisë nëpër fushat e Maqedonisë. Në të vërtetë, në Maqedoninë historike, fqinjë e Dardanisë, ka disa enklava shqiptarësh në rrethin e Manastirit, të Përlepit apo të Veleshit, të cilat mund të thuhet se janë krijuar nga shtegtime të mëvonshme. Por shqiptarët që përbëjnë shumicën në rrethet veriperëndimore dhe veriore të Republikës së sotme të Maqedonisë, që nga Ohri deri në Kumanovë, kurrsesi nuk mund të quhen enklava, pasi ata përbëjnë shumicën e këtyre krahinave, aq më tepër që këto krahina kanë vazhdimësi territoriale me njëra-tjetrën dhe me viset shqiptare të Shqipërisë së ditëve tona. Përveçse këto krahina nuk kanë bërë pjesë në provincën e Maqedonisë as në Antikitet, as në Mesjetë, as në periudhën osmane, sikurse do të shohim, banorët e tyre janë pasardhësit e stërgjyshërve të tyre, të cilët kanë banuar për shekuj në viset jugore të Dardanisë dhe në viset lindore të provincës së Durrësit, pra në atdheun e tyre historik. Shqiptarët janë pra, banorë autoktonë, kurse ardhacakë janë banorët sllavo-maqedonë, paraardhësit e të cilëve janë vendosur në Gadishullin Ballkanik në shekullin VII të erës sonë. Me këtë pohim, as që na shkon ndër mend të lëvrojmë te shqiptarët pasione nacionaliste, as t‘ua mohojmë sllavo-maqedonëve atdheun që krijuan pas shekullit VII të erës sonë. Qëllimi ynë është vetëm të respektojmë saktësinë historike dhe t‘u vëmë ledh fyerjeve dhe synimeve politike që fshihen prapa këtyre fyerjeve.
E treta, çështja më serioze e debatit, ka lidhje me identitetin etnik, apo kombëtar, apo kulturor të maqedonëve të sotshëm.
Të gjithë popujt apo kombësitë kanë një identitet pak a shumë të përcaktuar etnik, apo kombëtar, apo kulturor, një identitet të formuar me ngjyrime të ndryshme sipas kohëve, por që në çdo kohë ai i dallon nga kombësitë dhe kombet e tjera. Në komponentët e identitetit bëjnë pjesë, jo vetëm gjuha, doket, zakonet, mentalitetet, në disa raste feja, por edhe prejardhja gjenetike. Me sa dimë ne, të gjitha kombësitë e kanë formuar prej kohësh identitetin e tyre etnik apo kulturor. Të gjithë e dinë se cila është prejardhja e tyre gjenetike. Vetëm maqedonët e sotshëm, siç po del nga pena e tyre, duket se nuk kanë ende një identitet të përcaktuar. Ata janë ende në kërkim të identitetit të tyre kulturor dhe historik. Në përgjithësi pranojnë se i përkasin familjes së madhe etnolinguistike sllave dhe se procesi i formimit të kombësisë tek ata nisi me vendosjen e tyre në Gadishullin Ballkanik. Deri në fund të shekullit XIX, madje edhe deri në pragun e Luftës së Dytë Botërore, banorët sllavë të Maqedonisë e mbanin veten në përgjithësi si pjesëtarë të kombësisë bullgare. Që nga fundi i shekullit XIX, lindi tek elitat e tyre politike ideja se ata padrejtësisht kanë qenë përfshirë në kombin bullgar. Në qoftë se ata e veçuan veten e tyre nga kombësia bullgare dhe vunë themelet e kombësisë maqedone, kjo është punë e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të ndërgjegjes së tyre. Sigurisht, që nuk na u duk e arsyeshme kur me themelimin e Republikës së Maqedonisë ata filluan të pretendojnë se ishin pasardhësit e etnisë maqedone të kohës antike dhe se Aleksandri i Maqedonisë ishte figurë e ndritur e historisë antike të maqedonëve sllavë.
Te kjo tezë e re ne shohim një nonsens, për të mos thënë një absurditet. Por, disa akademikë sllavë të Shkupit duket se nuk duan të dinë fare për saktësi historike. Për ta, maqedonët e ditëve tona, vëllezërit e bullgarëve apo kushërinjtë e serbëve, kur e do puna janë sllavë, kur nuk e do puna nuk janë sllavë. Kur flitet për autoktoni ata nuk janë sllavë, por pasardhësit e maqedonëve të Filipit të Maqedonisë e të Aleksandrit të Madh. Përkundrazi, kur takohen me vëllezërit e familjes së tyre etnogjuhësore me rusë, bullgarë, serbë, ata shndërrohen në sllavë.
Rreth 30 vjet më parë, erdhi në Tiranë profesori maqedon, Hristo Andonov Poljanski, i cili mbajti në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë një ligjëratë mbi marrëdhëniet shqiptaro-maqedone. Ai e nisi ligjëratën afërsisht me këto fjalë: Marrëdhëniet maqedone-shqiptare kanë rrënjë të lashta në histori. Ato fillojnë, tha ai, që në kohën e Aleksandrit të Madh. I nderuari profesor i Shkupit kujtoi se me këtë lashtësi që ai na atribuoi, ne, shqiptarët e Shqipërisë së sotme duhej të krenoheshim, sepse duke na trajtuar si fqinjë të lashtë nuk ishim ardhacakë, por banorë të viseve tona të paktën që në kohën e Aleksandërit të Madh. Në të vërtetë, gjithë auditori u step kur e dëgjoi këtë profesor të nxirrte nga goja xhevahirin e padëgjuar se maqedonët e sotshëm ishin stërnipër të Lekës së Madh. Ca më tepër, auditori u çudit kur profesor Poljanski tha se Heroi Kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu, nuk ishte shqiptar, por maqedon, sidomos kur shtoi se në ushtrinë që ai udhëhoqi në luftë kundër Perandorisë Osmane bënin pjesë kryesisht luftëtarë maqedonë dhe pak shqiptarë. Ne e përmbajtëm veten, por e pyetëm: Profesor, për cilët maqedonë flisni, sepse për ne historianët, në kohën e Aleksandërit të Madh, juve bridhnit ende në stepat e Rusisë, kurse në viset e Aleksandërit të Madh ju keni ardhur dhjetë shekuj më vonë. Ai u përgjigj afërsisht në këtë mënyrë: Kam respekt, tha, për kulturën tuaj dhe për dijenitë tuaja. Por ju, ende nuk e keni mësuar historinë e vërtetë. Ne, tha ai, maqedonët, me të vërtetë kemi ardhur shekuj më vonë, por përderisa u vendosëm në trojet e maqedonëve të lashtë, ne jemi pasardhësit e tyre, jo vetëm pasardhësit e tyre kulturorë, por edhe gjenetikë. Ne kemi të drejtë të krenohemi me Aleksandërin e Madh dhe të përdorim flamurin e tij. Pranojmë, i thamë, se nuk e dimë mirë historinë, prandaj u pyesim të na sqaroni çfarë do të thoshit ju nëse turqit osmanë, të cilët u vendosën në viset e Perandorisë Bizantine dhe patën të njëjtin kryeqytet, Stambollin, do ta quanin veten e tyre pasardhës gjenetikë të bizantinëve dhe shtetin e tyre do ta emërtonin në bazë të kriterit tuaj, jo Perandori Osmane, por Perandori Bizantine? Deri sot nuk kemi marrë ende përgjigje.
Ne kujtuam se profesor Poljanski ishte një pjellë e rrallë e nacionalizmit maqedonomadh, por tani po shohim se paskemi qenë të gabuar. Paskemi qenë të gabuar, sepse më 1991, kur ish-Republika maqedone e Jugosllavisë u bë republikë e pavarur në Ballkan, udhëheqësit e saj adoptuan për flamur kombëtar të tyre flamurin e Aleksandërit të Maqedonisë. Të adoptosh emrin e lashtë të Maqedonisë si emër kombëtar të republikës së krijuar në shekullin XX dhe të adoptosh për këtë republikë të re flamurin e Aleksandërit të Maqedonisë, kjo përsëri është punë e tyre. Ne nuk kemi të drejtë të ndërhyjmë kundër vullnetit të një kombi. Megjithatë, si qytetarë të një vendi që synon të integrohet në Bashkimin Europian dhe ca më tepër, si historianë që përpiqen të përvetësojnë standardet e metodologjisë moderne të historiografisë, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje se këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të rremë, fals të identitetit kombëtar. Ja, në veprën e këtij profesori të mbushur me “madhërinë e vet” (shprehje e Migjenit) është mbështetur zëri shqiptarët e Maqedonisë, që botoi Akademia e Shkupit. Si mund të ndryshohet tri herë identiteti kombëtar brenda një shekulli? Çfarë kombi është ky, pjesëtarët e të cilit janë sllavë dhe si të tillë një shekull më parë quheshin bullgarë, pastaj e shpallën veten maqedonë, por përsëri sllavë, kurse pas vitit 1991 e quajnë veten maqedonë antikë, pra jo sllavë? Na vjen me të vërtetë keq që fqinjët tanë janë ende në kërkim të një identiteti përfundimtar kombëtar, kërkim i cili nuk dimë se ku do t‘i çojë më tej.
Tani le të kthehemi në faktet historike.
2
Struktura etnike në Maqedoninë e sotme në
shek. VI, në pragun e dyndjeve sllave
Para se sllavët të vendoseshin në Gadishullin Ballkanik, pra para Mesjetës së hershme, maqedonët e sotshëm, si pjesëtarë të etnive sllave, banonin në stepat e Rusisë. Nuk dimë të ketë historianë që ta kenë ndriçuar parahistorinë e sllavëve, pra historinë kur ata jetonin në atdheun e tyre të hershëm, e cila është ende thellësisht e errët. Në fakt, etnogjeneza e maqedonëve të sotshëm fillon me dyndjet e tyre nga stepat ruse dhe me ngulitjen e tyre në trevat ballkanike. Pra, fillon kur ata u bënë fqinjë me popullatat ilire, të cilat banonin në Gadishullin Ballkanik që nga agimi i historisë e këtej. Megjithatë, procesi i formimit të etnisë maqedone apo i paraardhësve të tyre bullgaro-sllavëve nuk u krye menjëherë pas vendosjes së tyre në Gadishullin Ballkanik. Ai pushton shekujt e Mesjetës së hershme.
Mesjeta e hershme është një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së kombësive të Gadishullit Ballkanik. Si kudo në kontinentin europian, edhe këtu, gjatë kësaj periudhe ndodhën shndërrime të thella në fushën ekonomike dhe shoqërore, politike dhe kulturore. Shkakun themelor këto shndërrime e patën te kriza që mbërtheu rendin skllavopronar dhe te vala e gjatë e dyndjeve barbare që pësoi Gadishulli Ballkanik në fund të Antikitetit dhe në fillim të Mesjetës së hershme. Në kuadrin e këtyre dy fenomeneve, shoqëria antike skllaviste në këto troje u përmbys. Mbi gërmadhat e saj lindi shoqëria feudale e Mesjetës së hershme. Në të njëjtën kohë, në përfundim të dyndjeve barbare në Gadishullin Ballkanik ndodhën ndryshime të rëndësishme edhe në hartën etnike të Europës Juglindore. Disa kombësi antike u zhdukën, disa rezistuan. Vendin e kombësive që u zhdukën e zunë popullata të reja që u dyndën nga veriu dhe nga verilindja e gadishullit.
Dihet se Mesjeta e hershme është jo vetëm për trevën shqiptare, por për mbarë Europën Juglindore, një periudhë thellësisht e varfër nga pikëpamja e burimeve dokumentare. Këtë varfëri të burimeve historike e kanë shfrytëzuar historianët e interesuar sllavë për të krijuar përshtypjen fiktive, sikur në Antikitetin e vonë, në fillim të dyndjeve barbare, trojet e Maqedonisë dhe të Dardanisë kishin mbetur pa banorë dhe se ato u mbushën, sipas tyre, me banorë të rinj sllavë, të cilët vërshuan në këto vise në pjesën e parë të shekullit VII. Me një fjalë, sipas tyre, banorët sllavë nuk janë uzurpatorë, por popullata që mbushën toka të zbrazura pa banorë, duke fituar kështu të drejtën e pronësisë mbi këto vise. Por, për të dyja këto çështje me rëndësi kapitale – për asgjësimin e popullatave të mëparshme ilire dhe për vendosjen e popullatave të dyndura sllave – historianët që përkrahin këtë tezë të re nuk kanë sjellë për asnjërën prej tyre argumente historike.
Me këtë rast dua të përsëris atë që kam pohuar në konferencën organizuar në Shkup në dhjetor të vitit 1991, me titull “Shqiptarët e Maqedonisë”. Aty kam thënë:
“Nuk është e fshehtë se është mohuar prania e shqiptarëve në viset e tyre të Ballkanit gjatë kësaj periudhe (gjatë Mesjetës së hershme – K.F.). Kjo ka krijuar atë interpretim të shtrembër sikur shqiptarët në trojet e tyre historike nuk janë të zotët e shtëpisë, por të ardhur. Është temë e vështirë sigurisht. Mungojnë materialet dhe burimet e shkruara janë shumë të varfra. Por, burimet mungojnë edhe për ata (maqedonët – K.F.) që pretendojnë se janë të zotët e shtëpisë”. (Shqiptarët e Maqedonisë, botim i Meshihati i BI në RM, Shkup 1994, f.634).
Ndërkohë, rezultatet e hulumtimeve të mëvonshme kanë hedhur nga pikëpamja dokumentare mjaft dritë mbi strukturën etnike që kishin viset shqiptare të Maqedonisë së sotme në pragun e dyndjeve sllave. Në trajtesën “Historia e Kosovës, vëll.I, Dardania (Kosova antike), përgatitur nga Kristo Frashëri, botuar nga “Dudaj”, Tiranë 2008, janë sjellë me sa e ka lejuar vendi dëshmi që provojnë se treva e gjerë e Dardanisë ka qenë që nga agimi i historisë vazhdimisht e banuar nga popullatat e etnisë ilire. Kjo për të treguar se kur filluan dyndjet e popullatave sllave, Dardania nuk ka qenë një provincë e shkretuar, siç pretendojnë historianët sllavë, por një vend me popullsi të dendur ilire, pa mohuar se krahas tyre ka pasur dhe popullata ilire të romanizuara ose thjesht banorë romakë-latinë. Ato provojnë jo vetëm se kjo pjesë e Dardanisë, e cila është e përfshirë në Republikën e sotme të Maqedonisë ka qenë e ngjeshur me banorë ilirë, por edhe faktin tepër të rëndësishëm se kjo popullsi ilire ka qenë në atë kohë shumë dinamike në jetën ekonomike, shoqërore, politike të Perandorisë Bizantine. Më tej akoma, provinca dardane ka qenë kaq dinamike dhe kaq e populluar me banorë ilirë sa nga gjiri i saj dolën gjatë shekullit VI, tre perandorë të Bizantit me origjinë ilire. Ata qenë: i pari, Justini (518-527) nga Bederiana pranë Shkupit, në Dardani, të cilin kronisti bizantin i kohës së tij, Prokopi i Cezaresë e cilëson në veprën e tij – me prejardhje ilire (Historia quae dicitur Arcana, Lipsiae, B.G. Teubner, 1913, vëll. III, 6,2); I dyti, Justiniani (527-565), i mbiquajtur i Madh, nipi i Justinit, i cili lindi, sipas Prokopit të Cezaresë, në Tauris, fshat pranë Bederianës së Dardanisë, në afërsi të Shkupit, edhe ky ilir; i treti, Justini II (565-578), i cili ishte dardan, pra ilir, posa që ishte nipi i Justinianit të Madh (Menandri, Historici Graeci Minores, edidit Ludovicus Dindofias, fr.25-26).
Fakti që Justiniani ndërtoi dhe rindërtoi në Dardani në mes të shekullit VI më shumë se 158 kala, pra shumë më tepër se në provincat e tjera (në Epirin e Ri 58 kala; në Epirin e Vjetër 36 kala; në provincën maqedone 46 kala), tregon se këtu popullsia vazhdonte të ishte e dendur dhe jo e rralluar, siç pretendojnë jo pak historianë. Edhe dekreti që nënshkroi Justiniani më 18 tetor 532 mbi vështrimin juridik të institutit të familjes drejtuar prefektit të prefekturës së Ilirikut dëshmon për një jetë shoqërore dhe sllaviste tepër aktive te dardanët. Jetën shoqërore aktive të Dardanisë e dëshmon dhe novela XI pjesë e “Codex Justinianus”, që Justiniani shpalli në vitin 535, me të cilën ai krijoi në trevën dardane, madje në vendlindjen e tij, pranë Shkupit, një kryepeshkopatë të re nën ombrellën e Romës, pa përfshirë provincën e Maqedonisë, pra një institucion kishtar që nuk do të kishte më lidhje me kryepeshkopatën e Selanikut, e cila mbeti e varur nga Kostandinopoja. Për më tepër, edhe pse nën ombrellën e Romës, institucioni i ri nuk do të ishte mitropoli, siç ishte ajo e Shkupit, por një kryepeshkopatë në një shkallë më të lartë, me statusin e ekzarkatit, e cila nënkuptonte se do të gëzonte një autoqefali kishtare. Vetë ngritja e një ekzarkati nënkupton një popullsi më me peshë se sa kishte një kryepeshkopatë në atë kohë. Fakti që kjo kryepeshkopatë kishte në vartësinë e vet disa peshkopata, është një dëshmi më tepër që provon popullsinë e dendur të krishterë të Dardanisë.
Në kundërshtim me historianët kryesisht sllavë, të cilët mohojnë karakterin etnik ilir të banorëve që popullonin brezin jugor të trevës dardane, me qendër Shkupin, nuk mungojnë historianë jugosllavë, të cilët nuk pajtohen me kolegët e tyre të politizuar. Midis tyre, vlen të përmendet një nga penat më të njohura të historiografisë bashkëkohore jugosllave, Fanulla Papazoglu. Ajo ka shkruar se Dardania ishte “një nga krahinat ballkanike më pak të romanizuara” dhe se “popullsia e saj vendase duket se e kishte ruajtur më mirë se gjetiu individualitetin dhe vetëdijen e saj etnike”. Pastaj “nuk duhet pra, përjashtuar mundësia që dardanët, të cilët i shpëtuan romanizimit, të kenë mbijetuar, përfundon ajo, edhe pas migracionit sllav dhe të kenë dalë në Mesjetë me emrin shqiptar”. (F. Papazoglu, Les royaumes d‘Illyrie et de Dardanie. Origines et developpement. Structures, hellenisation et romanisation. Në: “Iliri e Albanci”, Beograd 1988, f. 19). Po ashtu, gjuhëtari i shquar serb, Henrik Bariç, pranon se shqiptarët banonin në hapësirën e Dardanisë dhe të Peonisë, para se në këto vise të dyndeshin sllavët. Në mungesë të njoftimeve historike, shkruan ai, praninë e shqiptarëve në këto vise në fund të Antikitetit dhe në fillim të Mesjetës e vërtetojnë jo vetëm emrat ilirë të personave që ndeshen në mbishkrimet e varreve, por edhe toponimitë antike të kësaj treve, siç janë Scupi, Naissus, Astibos, Lychnis, shndërrimi i të cilëve në trajtat e mëvonshme Shkup (Scupi), Nish (Naissus), Shtip (Astibos), Ohër (Lychnid), etj., shpjegohet me anën e ligjeve fonetike jo të sllavishtes, por të shqipes (H. Bariç, Hymje në historinë e gjuhës shqipe. Prishtinë 1955, f. 49-50).
Nga sa u tha deri këtu dalin dy konkluzione, të cilat akademikët e Maqedonisë duhet t‘i kenë parasysh: e para, se në pragun e dyndjes së barbarëve në Gadishullin Ballkanik provinca e Dardanisë nuk ishte rralluar për nga popullsia, por kishte banorë ilirë aktivë dhe, e dyta, se këto vise ilire ku dhe sot e kësaj dite banojnë shqiptarë në shumicë, të cilët në shekullin VI vazhdonin ta kishin fytyrën të kthyer nga Roma, nuk kishin asnjë lidhje me provincën maqedone, e cila kishtarisht mbeti e lidhur me Kostandinopojën. Mohimi i këtyre konkluzioneve është një spekulim pa shije.
Të dy këto konkluzione na bindin se, teza e përhapur në historiografinë ballkanistike se në fund të Antikitetit, pra para ngulimeve sllave në Ballkan viset e sotme të Maqedonisë ishin pa banorë, mbështetet në pohime aprioristike pa dëshmi dokumentare. Kundërshtarët e këtyre dy konkluzioneve citojnë jo burimet dokumentare të Antikitetit të vonë, por njëri-tjetrin ose shumë-shumë toponimet sllave që ndeshen në viset shqiptare të Maqedonisë. Toponimet sllave, të cilat sot janë tepër të përhapura jo vetëm në viset shqiptare të Maqedonisë, por edhe në mbarë Gadishullin Ballkanik, nuk ndeshen në shekujt e hershëm mesjetarë. Ato dalin në fushën e burimeve dokumentare më vonë, duke filluar nga shekulli XI e këtej. Nuk është pa vend të përmendim këtu njoftimin që na jep kronisti bizantin me origjinë ilire, Marcelin Komesi, sekretari i perandorit Justinian, me origjinë dardane në veprën e vet “Chronicon”. Shkupin ai nuk e vendos në asnjë nga të dyja Maqedonitë, por në provincën e Dardanisë (Marcellinus Comes, Chronicon, ad An. 518). Po ashtu, edhe Hierokli e quan Shkupin “Skupimetropolis”, domethënë kryeqendrën e Dardanisë (Synecdemos 655, XVI, 8).
Si përfundim, nuk është e drejtë orvatja e disa historianëve, të cilët kur ngjarje që kanë ndodhur në brezin jugor të Dardanisë antike i përfshijnë si ngjarje që i takojnë Maqedonisë antike dhe mesjetare.
Çështja nëse territoret e banuara në fund të Antikitetit të vonë nga popullatat ilire u mbuluan gjatë shekullit VII nga popullata sllave dhe nëse popullatat ilire i shpëtuan presionit të sllavizimit nga invazorët e rinj – është rrahur mjaft në historiografinë e shekullit të kaluar. Në përgjithësi, historiografia europiane e ka pranuar në parim tezën se shqiptarët, si kombësi, janë pasardhësit gjenetikë të ilirëve antikë dhe se ata i bënë ballë njësoj si presionit të romanizimit ashtu dhe presionit të sllavizimit. Megjithatë, ka ende historianë, të cilët shfaqin rezerva ndaj kësaj teze. Rezervat kanë lidhje me hapësirën gjeografike që zinin ilirët në fund të Antikitetit. Midis tyre ka historianë që mendojnë se procesit të romanizimit i shpëtuan vetëm popullatat ilire që banonin të ngushtuara në malet e Shqipërisë së ditëve tona. Por ka dhe historianë që mendojnë se ilirët që i rezistuan romanizimit dhe sllavizimit banonin në provincën dardane. Si rrjedhim, provincën dardane ata e konsiderojnë si djepin ku gjatë Mesjetës së hershme u formua kombësia shqiptare. Por ka dhe një grup të tretë historianësh, ndër ta edhe autori i këtij punimi, të cilët mbrojnë tezën se procesit të romanizimit dhe më pas të sllavizimit i shpëtuan ilirët që banonin ndoshta më tepër në viset malore dhe më pak fushore në katër provincat perëndimore të Gadishullit Ballkanik (Dardani, Prevalitani, Epiri i Ri, Epiri i Vjetër). Autorët që kanë trajtuar zërin shqiptarët e Maqedonisë, i cili është përfshirë në Enciklopedinë e përmendur të Shkupit mbrojnë tezën e parë. Brenda këtij qerthulli problemor qëndron pra, çështja që na intereson: nëse viset veriore dhe veriperëndimore të Republikës së sotme të Maqedonisë, të banuara, siç u tha, në shekullin VI, nga popullata ilire, u sllavizuan ose jo gjatë shek. VII.
Në fakt, çështja që ne po trajtojmë është e lidhur me një temë më të gjerë – me çështjen nëse provinca antike e Dardanisë ku bënin pjesë dhe viset shqiptare të Maqedonisë së sotme, u sllavizua ose jo gjatë shekullit VII-VIII. Kjo, nga ana e saj, është pjesë përbërëse e një teme shumë më të gjerë, e rrahur vazhdimisht në historiografinë ndërkombëtare – me çështjen e dyndjeve sllave që pësoi Gadishulli Ballkanik në shek VII, madje jo aq me dyndjet se sa me vendet ku grupet sllave u ngulitën përfundimisht në Gadishullin Ballkanik.
Për të sqaruar problemin ose jo të sllavizimit të këtyre viseve është e domosdoshme të ndjekim dinamikën e dyndjeve të fiseve sllave në këtë pjesë të Gadishullit Ballkanik. Kjo, nga ana e vet, kërkon që të kemi parasysh praktikën që kanë ndjekur historianët e shquar bizantinistë, të cilët e ndajnë vërshimin e sllavëve në Ballkan në dy periudha – në periudhën e mirëfilltë të dyndjeve apo, siç e quajnë ata, të invazioneve dhe në periudhën e migracioneve apo kolonizimeve të tyre në vise të ndryshme të gadishullit. Gjatë periudhës së parë, turma sllave të rreshtuara në veri të Danubit të paraprirura nga turmat avare, pasi kalonin lumin e madh kryenin inkursione grabitqare – plaçkisnin qytete, digjnin fshatra, grabisnin njerëz, rrëmbenin bagëti dhe me plaçkën që grumbullonin tërhiqeshin përsëri në vendbanimet e Danubit. Gjatë periudhës së dytë, grupe sllavësh shtegtonin në kërkim të vendbanimeve të përhershme, të përshtatshme kryesisht për bujqësi.
Dihet se fiset e para sllave u dukën në vendbanimet ilire që në fillim të shekullit VI. Për gati 80 vjet, pasi kryenin inkursione plaçkitëse të shoqëruara me rrënime qytetesh dhe fshatrash, tërhiqeshin ose dëboheshin nga bizantinët përsëri në veri të Danubit. Inkursioni i parë sllav në trojet e Maqedonisë ndodhi në kohën e perandorit Anastas, në vitin 517. Sipas Marcelin Komesit, atë vit ata shkretuan të dy Maqedonitë dhe përtej tyre Thesalinë, por Dardaninë ai nuk e zë në gojë (M. Comes, Chronicon ad An. 517). Dy dekada më vonë, gjatë viteve 539-540 kuturgurët (protobullgarët), duke marshuar në drejtim të Selanikut, prekën pjesën lindore të Maqedonisë së sotme. Në vitin 547 ose 548, fise të tjera sllave shkelën pjesën perëndimore të Maqedonisë së sotme dhe pastaj, nëpërmjet rrugës Egnatia iu turrën provincës së Epirit të Ri, duke arritur deri në dyert e kryeqendrës së saj, Durrësit (Procopiius Caesarensis, De aedificiis, 434-435).
Në sajë të kalave të shumta që ndërtoi perandori Justinian, inkursionet sllave në gadishull u rralluan. Danubi mbeti për disa dhjetëvjeçarë kufiri verior i Perandorisë Bizantine. Por pas vdekjes së tij gjatë sundimit të Justinit (565-578) vija mbrojtëse e Danubit u plasarit, kurse gjatë sundimit të Tiberit (578-582) vija danubiane pothuajse u përmbys. Në këtë kohë filloi faza e dytë e historisë sllave. U dukën hapat e para të ngulimeve të grupeve sllave në Panoni e në Mëzi, në Dalmaci e në Thrakë. Megjithatë, perandori bizantin Maurik i zmbrapsi sllavët nga viset e kolonizuara prej tyre. Maqedonia nuk u kolonizua menjëherë, por vazhdoi edhe për disa kohë të sulmohej nga avarët dhe sllavët, të cilët pas plaçkitjeve dhe rrënimeve të zakonshme largoheshin në drejtime të tjera.
Një nga dokumentet historike me vlerë të jashtëzakonshme që flet për dyndjet e sllavëve në Gadishullin Ballkanik është kodeksi i njohur me emrin “Miracula Sancti Demetrii” (Mrekullitë e Shën Dhimitrit). Kodeksi është mbajtur nga peshkopët e Selanikut në gjuhën greqisht gjatë shekullit VII. Në të nuk mungojnë edhe të dhëna që i përkasin fundit të shekullit VI. Sipas Miracula-s, në vitin 586, rreth njëqind mijë skllavenë të shtyrë nga avarët u dukën në muret e Selanikut, por pas shtatë ditë luftimesh pa sukses, u detyruan të largoheshin. Pas dështimit të sulmit avarët të pasuar përsëri nga skllavenët u drejtuan për në jug të Gadishullit, duke marshuar deri në Peloponez. Në këtë pjesë të tregimit, Miracula nuk e zë fare në gojë as Maqedoninë, as Dardaninë. Për këtë inkursion flitet edhe në kronikën e Monemvasisë, shkruar në po këtë shekull. Edhe këtu radhiten viset e shkelura nga sllavët: Thesalia, Helada, Atika, Eubeja, Epiri i Ri, por edhe këtu as Maqedonia as Dardania nuk përmenden.
Në Miracula thuhet se në pjesën e parë të sundimit të Herakliut (610-641) fiset sllave të Draguvitëve, Sagudatëve, Velegezitëve, Vajunitëve, Bërzitëve dhe fise të tjera invaduan tërë Thesalinë, Epirin, Akainë dhe pjesën më të madhe (pra jo krejt) të Illyricum-it, madje dhe një pjesë të mirë të ishujve të Egjeut, “duke lënë – vazhdon kronika – të shkretuar pas tyre pjesën më të madhe të qyteteve dhe të eparhive”. Pastaj iu turrën Selanikut, të cilin nuk e morën dot. Nga këto njoftime që jep Miracula, shumë historianë medievistë kanë nxjerrë konkluzionin se me përjashtim të Selanikut, Nishit dhe Sardikës, praktikisht gjithë Illyricum-i, ra në duart e skllavenëve. Por një konkluzion i tillë nuk është i sigurt, mbasi kur në Miracula trajtohen sulmet e tyre kundër Selanikut, aty flitet jo për vendosjen e skllavenëve, por për rrënimet që ata lanë pas tyre, në pjesën më të madhe të Illyricum-it dhe në tërë viset e Epirit, por përsëri u larguan.
Ndërkohë, sipas Miracula-s, rreth mesit të shekullit VII disa fise sllave qenë vendosur në hapësirën jashtë Selanikut. Në bazë të kontekstit të Miracula-s del se deri në atë moment historik, fiset sllave ishin vendosur në Trakë (sagudatët, runçinët, draguvitët, smolienët), në Maqedoni (vajunitët, berzitët), në Thesali (velegezitët) dhe në Peloponez (milingët, ezeritët). Përsëri nuk thuhet asgjë për vendosjen e skllavinëve në provincat jugore ilire përfshirë dhe Dardaninë. (Miracula, Libri 2, I, 158). Madje, nga njoftimet e saj kuptohet se nuk banonin fise sllave në perëndim të berzitëve, të cilët ishin ngulitur në Maqedoninë e sotme, rreth e rrotull Manastirit (Bitoljit).
Siç shihet, këto të dhëna janë tepër të varfra. Me to është vështirë të nxjerrësh përfundime bindëse. Megjithatë, historianët që janë marrë me këtë temë kanë hartuar disa formulime, të cilat ndryshojnë në jo pak pika midis tyre. Ne kemi parasysh vizionin që kanë formuluar pesë historianë bizantinistë me prestigj ndërkombëtar: Ch. Diehl, Le Monde Oriental de 395 a 1081, Vëll. I, Paris 1944; A.A. Vasiliev, History of the Byzantine Empire, Madison 1952; L. Niederle, Manuel de l‘Antiquite slave, Paris 1923; G. Ostrogorski, Geschichte des Byzantinischen Staates, Munchen 1963 (Në shqip: Historia e Perandorisë Bizantine, përkthyer nga P. Xhufi, Tiranë 1997); P. Lemerle, Invasions et migrations dans les Balkans – depuis la fin de l‘epoque Romaine jusqu au VIII e siecle – Revue histonque, 78 (1954).
Kështu për shembull, medjevisti i njohur frëng Ch. Diehl thotë se në përfundim të stuhisë barbare dhe të valangës sllave treva e ilirëve pësoi një përmbysje të thellë (un profond bouleversement) si në fushën ekonomike e shoqërore, ashtu dhe nga ana politike e etnike. Sipas tij, rreth mesit të shek. VII të gjitha provincat e Ilirikut ishin të rrënuara ekonomikisht. Përgjithësisht qytetet ishin gërmadha. Shumica e fortesave (citadele) qenë rrëzuar. Banorët e mëparshëm kishin ikur në masë. Nëpër rrugët e tyre tani ndihej më tepër sllavishtja se ilirishtja e latinishtja. Nëpër qytete, përfundon historiani frëng, numri i zejtarëve dhe tregtarëve ishte shumë i pakët. Pasi pohon se Iliriku u sllavizua krejtësisht (l‘Illyricum deisormais slavisé) dhe pasi në trevën e sllavizuar përfshin edhe brendësinë e Maqedonisë (l‘interieur de la Macedoine), megjithatë shkruan Ch.Diehl, disa etni të vjetra të Ballkanit i mbijetuan sllavizimit, kurse disa vise të Ilirikut u prekën pak nga sllavizimi. Midis atyre që u prekën pak, ai sjell si shembull Shqipërinë e sotme (Ch.Diehl, po aty, f.212, 214, 221). Historiani frëng nuk e zë në gojë Dardaninë, por ai lë të kuptohet se si pjesë e Ilirikut edhe banorët e saj u sllavizuan. Sikurse do të shihet, përfshirja e Dardanisë në viset e sllavizuara, nuk është e saktë jo vetëm për shek. VII, por as për shekujt e mëvonshëm.
Edhe G. Ostrogorski pranon se në fillim “sllavët mjaftoheshin me plaçkitjen e vendit dhe ktheheshin përsëri matanë Danubit”. Asnjë nga ngjarjet e mëdha që ndodhën në periudhën e hershme të Perandorisë Bizantine, shkruan G. Ostrogorski, “nuk pati ato pasoja për të ardhmen e perandorisë sa depërtimi i sllavëve në Ballkan… Të gjitha dyndjet barbare të mëparshme patën një karakter të përkohshëm… Përkundrazi, sllavët pas periudhës së grabitjeve u vendosën përfundimisht në Ballkan dhe me vendosjen e tyre fillon një proces i tërë, i cili në fund të fundit do të çojë në formimin e shteteve sllave në territorin bizantin”. (G. Ostrogorski, po aty, f. 50). Sipas tij, fillimi i kolonizimit sllav u duk në vitin 592. Atë vit, shkruan G. Ostrogorski filloi një luftë vendimtare për fatet e Ballkanit. Në fillim duket sikur punët po shkonin mirë për bizantinët, mbasi sllavët të prirur nga avarët u thyen disa herë, duke u detyruar të ktheheshin në veri të Danubit. Por, me thellimin e krizës së brendshme, që kishte ngërthyer Perandorinë Bizantine, sllavët arritën ta detyronin perandorin Heraklius të pranonte vendosjen e tyre përfundimisht në Gadishullin Ballkanik. G. Ostrogorski njofton se grupe të veçanta sllave ishin vendosur në Gadishullin Ballkanik qysh në fund të shek. VI (se ku nuk e përcakton), kurse ngulitja filloi të zhvillohej në shkallë më të gjerë në vitet e para të shek. VII (as në këtë rast nuk i përcakton vendet). Dyndjet (jo ngulimet) e tyre të udhëhequra nga avarët, vazhduan drejt jugut të Gadishullit. “Pas shkatërrimeve dhe plaçkitjeve të tmerrshme, pjesa më e madhe e avarëve u kthye përsëri përtej Danubit, ndërsa sllavët u vendosën në gadishull dhe zunë pjesë të territorit”.
Pasi morën fund ngulitjet e sllavëve në Gadishullin Ballkanik, G. Ostrogorski shkruan për vendet e kolonizuara prej tyre. Madje, edhe këto nuk i thotë me hollësi. Ai shkruan: “Jo vetëm provincat danubiane, por dhe e gjithë Maqedonia u pushtua nga mizëritë sllave, kurse Traka u shkretua deri nën muret e Kostandinopojës. Veçanërisht të rrepta qenë sulmet kundër Selanikut, që u rrethua dhe u sulmua në mënyrë të përsëritur nga hordhitë sllave dhe avare. Qyteti rezistoi, por viset rreth e rrotull ranë në duar të sllavëve; rryma sllavo-avare u lëshua në Thesali e vazhdoi poshtë, në Greqinë e mesme, e deri në Peloponez… Me pasoja qenë inkursionet sllave edhe në Dalmaci… Përveç Salonës dhe qyteteve të tjera dalmate, në këtë kohë ra në duar të invazorëve sllavë dhe shumica e qyteteve të mëdha të pjesës së brendshme të Gadishullit Ballkanik, si Singuiduni (Beogradi), Viminaci (Kostolaci), Naisus (Nishi), Serdica (Sofie)”. (G. Ostrogorski, Po aty, f. 65). Ai pranon se në brezin bregdetar të Adriatikut popullsitë autoktone i bënë ballë dyndjes sllave, veçse në këto zona, nënvizon ai, pati infiltrime sllave. “Pjesa më e madhe e Gadishullit Ballkanik e viset e brendshme në tërësinë e tyre, përfundon ai, u kthyen në vende thjesht sllave”. Sikurse shihet, as Ostrogorski nuk e zë me gojë Dardaninë.
Një nga studiuesit më të njohur të gjenezës së popujve sllavë të Ballkanit, medevisti çek, L. Niederle, është përpjekur të përcaktojë me një farë objektiviteti masën e kolonizimit që pësoi prej tyre Europa Juglindore në fillim të Mesjetës së hershme. Ai pohon se atdheu i hershëm i sllavëve në Ballkan ishte shumë më i ngushtë se ai që ata formuan me pushtim tokash në shekujt XII-XIII. Sipas tij, kufijtë perëndimorë të sllavinëve të Ballkanit shtriheshin deri aty ku qenë vendosur berzitët, në trevën midis Manastirit, Përlepit dhe Veleshit (L. Niederle, po aty, f. 106).
Deri këtu historianët flasin në bazë të dokumentacionit pastaj fillojnë e flasin në bazë të toponimisë. Shkenca ka provuar se toponimia nuk është ndonjë fakt kategorik historik. Sidomos në Gadishullin Ballkanik toponimitë shpeshherë kanë qenë diktuar nga presioni i administratës së pushtuesit. Kështu ka ndodhur për shembull në periudhën e sundimit bullgar, serb, osman në Shqipëri. Është i njohur gjithashtu edhe fenomeni i emigrimit të toponimive. Kur grupe fshatarësh shqiptarë emigrojnë në vendbanime të reja marrin me vete edhe emrin e fshatit të origjinës, pavarësisht nëse është me origjinë sllave ose jo sllave.
Sipas historianëve, ato që nuk ndryshojnë shpesh dhe që tregojnë vazhdimësi janë jo emrat e fshatrave, por të qyteteve dhe të lumenjve të mëdhenj. Nga kjo pikëpamje, historianët të mbështetur nga linguistët e pranojnë si dëshmi të vazhdimësisë së popullsisë, vazhdimësinë e emrave të qyteteve. Kështu për shembull me gjithë tollovitë që pësoi Gadishulli Ballkanik gjatë Mesjetës së hershme, të paktën emrat e katër qyteteve kryesore të trevës së sotme të Maqedonisë, Shkupi, Shtipi, Ohri, Nishi, dikur qytete ilire (Scupi, Astibos, Lychnidos, Naissus), siç u tha tregojnë se ato kanë qenë banuar vazhdimisht nga e njëjta popullsi. Nuk është pra, e rastit që kjo trevë përputhet me hapësirën gjeografike që nuk u cenua nga kolonizimi i hershëm sllav. Njoftimet historike, gjetjet arkeologjike dhe konstatimet gjuhësore tregojnë se kjo përputhje nuk është e rastit.
Burimet historike tregojnë se as më vonë gjatë Mesjetës së hershme, treva midis këtyre qyteteve nuk u prek nga kolonizimi sllav. Në vitin 658, me ndihmat ushtarake që u dha khagani i Avarëve, skllavenët e sulmuan përsëri Selanikun, por pas 33 ditë luftimesh dhe pasi lidhën marrëveshje paqësore me bizantinët, u tërhoqën përsëri. Pas marrëveshjes, skllavenët u vendosën në viset lindore, veriore dhe perëndimore të Selanikut. Nga një njoftim lakonik që na jep Theofani, një kronist oborrtar i Kostandinopojës, mësojmë se në vitin 658 skllavenët ishin në kryengritje dhe se perandori Kostanti II ndërmori, thotë ai, “një ekspeditë kundër Skllavinive, bëri shumë robër dhe u imponoi autoritetin e vet” (Theophanes, Ed. Bonn, I, f. 347). Emërtimi “Skllavini” nënkupton vendbanimet e reja të krijuara nga vendosja e skllavenëve, të cilat gëzuan, me miratimin e Kostandinopojës, një autonomi territoriale (Shih: V. Popoviç, Aux origines de la slavisation des Balkans, la constitution des premieres Sklavinies macedoniennes vers la fin du VI-siecle. Në: “Compterendus de l‘Academic des Inscriptions”, Paris 1980).
Theofani i shekullit VII nuk na thotë se ku ndodheshin këto Skllavini. Njoftime nuk na jep as vazhduesi i tij (Theophanes Continuatur), i cili flet gjithashtu për ekzistencën e Skllavinive. Një autor i shekullit IX, Ignac Diakoni (Ignatio Diacone), në Jetëshkrimin e Gregor Dekopolitit (Vita Gregorii Decapolitani) na lë të kuptojmë se Skllavinitë ishin në trojet që përshkohen nga lumi Struma në Maqedoninë Lindore, kurse Joan Zonaras (Ioannes Zonaras), në Lexicon-in e “Historisë” së tij, Skllavininë e vendos në Bullgari. Nga ana e tyre, medievistët e kohëve të reja duke gjurmuar me mjete historike vendet ku u vendosën fiset skllavene gjatë shekullit VII në Ballkanin Qendror, pranojnë po atë rezultat që ka arritur L. Niederle se skaji më perëndimor ku u vendosën skllavinët ishin bezitët në rrethin e Përlepit.
Një burim tjetër që ka njoftime rreth dyndjeve të sllavëve në Gadishullin Ballkanik është vepra e perandorit bizantin të shekullit X, Kostandin Porfirogjeneti me titull “Mbi administrimin e Perandorisë” (De administrando Imperio), e cila ndonëse është shkruar dy shekuj e ca më vonë nga ngjarjet, është mbështetur mbi njoftime të besueshme historike më të vjetra, të panjohura nga ne. Perandori shkrimtar na jep mjaft emra fisesh sllave të vendosura në Ballkanin Perëndimor gjatë sundimit të perandorit bizantin Heraklius (610-641). Ai përmend kroatët, serbët, zahlumët, terbunjanët, kanalitët, diokleanët dhe paganët, të cilët, siç dihet u vendosën qysh në shekullin VII në viset e sotme të Kroacisë, Serbisë, Bosnjës, Hercegovinës, Dalmacisë dhe në një pjesë të Malit të Zi. Kostandin Porfirogjeneti nuk zë në gojë asnjë popullatë sllave që të jetë vendosur në Dardani, në Maqedoni apo në viset e sotme të Shqipërisë (C. Porphyrogeneti, De admininistrando Imperio, 7, f. 206).
Me një fjalë, deri sot nuk ka dalë në dritë asnjë burim i shkruar historik dhe asnjë gjurmë materiale arkeologjike që të vërtetojë se popullatat sllave u vendosën gjatë shekujve VI-VIII në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të Maqedonisë së sotme, në viset ku ende sot shqiptarët përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë.
Nuk përjashtohet mundësia që gjatë këtyre shekujve të hershëm mesjetarë të kenë depërtuar në trojet ilire grupe të kufizuara banorësh sllavë dhe të kenë mbijetuar për disa kohë si enklava të shpërndara në detin shqiptar. Por edhe ekzistenca e këtyre enklavave në shekujt VI-VIII mbetet hipotetike, mbasi ato nuk janë vërtetuar deri sot as në burime të shkruara, as me objekte arkeologjike.
Është me rëndësi fakti se edhe bizantinistët me emër në fushën e historiografisë botërore, të cilët flasin me kompetencë shkencore mbi invazionet dhe migracionet sllave gjatë Mesjetës së hershme në Gadishullin Ballkanik nuk sjellin asnjë dëshmi për kolonizimin prej tyre të Dardanisë në këto shekuj. Në vargun e këtyre dëshmive, ne sollëm jo rastësisht dëshminë e katër bizantinistëve sllavë – A.A. Vasiliev, L. Niederle, G. Ostrogorski dhe V. Popoviç – me qëllim që të mos u japim rast historianëve maqedonë të Enciklopedisë së Shkupit të na akuzojnë si antisllavë.
Shqiptarë dhe bullgaro-maqedonë në Maqedoni në shekujt XI-XIV
Pasi Perandoria Bullgare u shemb në vitin 1018, në viset e sunduara prej saj, përfshirë edhe viset shqiptare, u rivendos përsëri pushteti bizantin. Ndërkohë, patriarkatin kishtar të Ohrit, themeluar në fund të shekullit X nga perandori Samuel, Vasili II e rrudhi në kryepeshkopatë dhe e la të lirë të vepronte me emrin kryepeshkopata e Bullgarisë në një pjesë të viseve ballkanike. Kryepeshkopata e Bullgarisë tani kishte nën vartësinë e saj 31 peshkopata. Në juridiksionin e saj hynin përveç Dardanisë, edhe viset shqiptare në jug të lumit Shkumbin. Këtë e dëshmojnë dy diploma të perandorit Vasili II drejtuar murgut Johan, njëra në vitin 1019, tjetra në vitin 1020. Me to, ai ripohonte rimëkëmbjen e “Kryepeshkopatës së Bullgarisë” me seli në Ohër. Në diplomën e parë thuhej se tani që pushteti i bullgarëve iu nënshtrua sundimit të romejve (bizantinëve) Vasili II e ruajti kryepeshkopatën e Bullgarisë duke emëruar në krye të saj si kryepeshkop murgun Johan. Në të njëjtën kohë, në diplomë përcaktohet dhe juridiksioni kishtar i kryepeshkopatës. Kryepeshkopata e Bullgarisë do të kishte sipas diplomës në juridiksionin e saj në hapësirën shqiptare: vetë peshkopatën në qytetin e enorisë së vet në Ohër (ΆχÏίδα) me Prespën, Mokrën dhe Kicevin (Kërçovën); peshkopatën e Kosturit (KαστοÏίας) me Kosturin, Kurentën, Kolonjën, Devollin, Voosën (Vjosën) dhe Morën (Moron); peshkopatën e Glavinicës (Δλαβενίτζης, Ballshi), me Glavinicën, Kaninën dhe Neaniskën; peshkopatën e Beratit (ΑελαγÏαδων) me Beratin, me Gradecin, Omcon, Glaventinën (Glavën), si dhe Kishën e Bardhë (ΆσπÏήν Έκκλσίαν, sot Qishbardhë), peshkopatën e Shkupit (τών Σκοπίων) me Shkupin, me Vinecin, me Preamorën, me Likovën, me Prinipën; peshkopatën e Prizrenit (Î ÏισδÏιάνων) me vetë Prizrenin, me Hosnon (Pejë), me Leaskumcon (Ljaskovec), me Bratin, me Lipeniun (Λιπαινίον, Lipjan) me vetë qendrën e saj.
Me kërkesën e kryepeshkopit Johan, perandori Vasil II nënshkroi më 1020 një diplomë të dytë me të cilën përfshinte në juridiksionin e kryepeshkopatës së Ohrit peshkopatat që nuk përmendeshin në diplomën e vitit të mëparshëm. Midis peshkopatave që u përkisnin viseve shqiptare në këtë diplomë të dytë përmenden: peshkopata e Çernikut (ΤςεÏνίκου, Çermenikës) dhe peshkopata e Himarës (ΧιμαίÏας). Në këtë diplomë theksohej se nga juridiksioni i kryepeshkopatës së Ohrit përjashtohej kryepeshkopata e Durrësit me sufraganet e saj. Midis të drejtave që perandori bizantin u njihte këtyre peshkopatave, ai përfshinte edhe përjashtimin e tyre nga e dhjeta dhe angaritë e tjera, të drejta këto që i kishin fituar që në kohën e perandorit Samuel. (J. Ivanov, Bëllgarski starini iz Makedonija, 1931, ff. 558-559).
Ripohimi nga perandori bizantin i kryepeshkopatës së Ohrit si kryepeshkopatë e Bullgarisë nuk do të thotë se në juridiksionin e saj banonin vetëm popullata sllave. Janë burime të tjera bizantine që flasin se në këto vise banonin bullgarë dhe romej (bizantinë). Sikurse u tha, nën apelativin romej vazhdonin të përfshiheshin edhe nënshtetasit bizantinë të kombësisë shqiptare të ritit lindor.
Gati gjysmëshekulli më vonë, perandori bizantin, Roman Diogjeni (1068-1071), ngriti në afërsi të Shkupit manastirin kushtuar Shën Gjergjit, në afërsi të fshatrave Vodno dhe Nerez, sot me banorë shqiptarë, të cilat po të gjykojmë nga dialekti i tyre tepër arkaik banohen ndoshta që nga kohët e lashta, me siguri që nga shekujt mesjetarë nga banorë shqiptarë. Sikurse do ta shohim më tej, prania e banorëve shqiptarë në rrethinat e manastirit të Shën Gjergjit të Shkupit, dëshmohet nga burime dokumentare sllave që në fund të shekullit XIII.
Numri i pakët i toponimeve sllave që përmenden në diplomat bizantine të viteve 1019-1020, tregon gjithashtu se numri i banorëve sllavë në atë kohë ishte i pakët. Megjithatë, nuk mund të thuhet se gjatë këtyre pushtimeve viset shqiptare i shpëtuan fenomenit ballkanik – shtegtimeve të brendshme të popullatave që jetonin dhe banonin në këto vise. Fenomeni i shtegtimeve të heshtura e ka shoqëruar Gadishullin Ballkanik edhe kur nuk vepronin dyndjet e dhunshme. Të tri perandoritë (Romake, Bizantine, Bullgare) që kanë ushtruar pushtet politik gjatë mijëvjeçarit të parë të erës sonë, nuk kanë pasur kufij të brendshëm. Lëvizjet e brendshme për nevoja jetese nuk kanë pasur pengesa. Rrugët kanë qenë të hapura. Vetëkuptohet se mundësitë e lëvizjeve e të shtegtimeve i kanë shfrytëzuar më tepër etnitë mbi të cilat mbështeteshin perandoritë. Shqiptarët, të cilët nuk kanë pasur gjatë mijëvjeçarit të parë as shtet, as perandori të tyren, kanë qenë kurdoherë viktima. Si viktima ata nuk kanë pasur mundësi të dynden në viset e populluara nga grekët. Aq më tepër që nuk ka burime historike që të vërtetojnë shtegtimin e shqiptarëve jashtë trojeve të tyre etnike. Përkundrazi, ekzistenca në vitin 1020 kur mori fund sundimi bullgar i vetëm dy peshkopatave në trevën e gjerë të Dardanisë – njëra në veri dhe tjetra në jug të Bjeshkëve të Sharrit, – tregon se numri i besnikëve të Kishës së ritit lindor bullgar, bizantin, por edhe shqiptarë të të njëjtit rit ka qenë tepër i pakët. Nga ana tjetër, kjo tregon se shumica e popullsisë nuk e ndiqte ritin lindor, por i qëndronte edhe pa praninë e institucioneve kishtare katolike, besnike traditave të tyre të ritit të krishterë perëndimor. Ky konkluzion del kur lexon veprat thelbësisht të dokumentuara të Daniel Farlatit, një nga njohësit më të spikatur të historisë kishtare të Gadishullit Ballkanik. Farlati thotë se në fillim të shekullit XI, si feja e krishterë ashtu dhe juridiksioni i tij kishtar, në këtë trevë pësuan goditje të rënda nga skizmatikët e Rashës, gjë që solli ftohjen e marrëdhënieve midis mbretërisë serbe të Rashës dhe Selisë së Kishës Romane (sed a Rascianus Schismaticis saepe oppugnata intraque afficta fuit. Farlati, Illuricum sacrum, vëll. VIII, f.2). Si rrjedhim, nën presionin e tri perandorive shqiptarët brenda vendit, edhe pse të ngushtuar mbetën aty ku qenë. Ardhacakë janë popullatat që erdhën nga stepat e Azisë dhe pasi u vendosën me dhunë në jug të Danubit të Poshtëm filluan të shtriheshin dalëngadalë drejt perëndimit. Jo vetëm kaq, por me shtrirjen e tyre drejt perëndimit dhe me konceptin dogmatik mbi etninë, ata ua fshinë emrin historik edhe banorëve që ndiqnin ritin kishtar lindor. Pasi ua fshinë apelativin e vërtetë etnik, ka kohë që ata po u fryjnë borive se në viset e sunduara prej tyre nuk ka pasur banorë shqiptarë.
Kur në çerekun e dytë të shekullit XI në burimet historike shfaqet emri etnik i shqiptarëve, atëherë ata u detyruan të pranojnë se nga popullsitë e lashta të kësaj treve kishin shpëtuar pa u zhdukur disa “ashkla”, të cilat nuk quheshin më ilirë, por sipas dokumenteve të mëvonshme emërtoheshin albanë, albanitë, arbanitë, arbanezë, albanezi, arvanitë, arbanski, rabanski, arbanas e të tjera e të tjera.
Historiografia shqiptare i ka dhënë një përgjigje më bindëse pyetjes: përse emri i shqiptarëve në burimet historike shfaqet në çerekun e dytë të shekullit XI dhe jo më herët? Përgjigjja duhet kërkuar përsëri te koncepti dogmatik mesjetar mbi kombësinë. Sapo banorët e krahinës Arbëri (Arbanon) me qendër Krujën, për arsye që këtu nuk është vendi për t‘i trajtuar, u shpallën haptazi katolikë, ata nuk mund të emëroheshin as romej, as bullgarë. Kjo del shkoqur nga njoftimi që na jep kronisti bizantin i shekullit XI, M. Attaliati. Duke përshkruar kryengritjen e dukës bizantin të Sicilisë, Gjergj Maniakes, ai shkruan se kur duka zbriti në Durrës në vitin 1043, ai marshoi kundër Kostandinopojës në krye të një ushtrie të përbërë nga romej (Ïωμαίον) dhe albanë (αλβανών). Ai shkruan tekstualisht: “Edhe bashkëluftëtarët e dikurshëm (të bizantinëve – K.F.) me rastin e ngjarjeve që ndodhën në Durrës në vitin 1043 – dhe që marrin pjesë së bashku me ne në bashkëqeverisjen (isopolitinë) dhe në vetë fenë, shqiptarë e latinë (αλβανοί καί λατίνοι), të gjithë ata që pas Romës perëndimore janë afër vendeve italike vepruan si armiq, shumë të paarsyeshëm, duke u sjellë në mënyrë të paturpshme”, ngase “duka bizantin i Durrësit, Mihail Dokiani, kishte mbajtur një qëndrim poshtërues ndaj prijësit të tyre” (M. Attalaiti, Historia, Ed. Bekker, Bonnae 1853, kap.9, pr.9, ff.8-9, sipas Burime tregimtare bizantine për historinë e Shqipërisë, shek.X-Xv. Përgatitur nga K. Bozhori, F. Liço, Tiranë 1975, f. 46).
Më tej, Attaliati shkruan se midis popujve të tjerë edhe arvanitët (αÏνανίται), të cilët banonin në krahinën e Arbanonit (ΑÏβανόν) morën pjesë gjithashtu në vitin 1078 në kryengritjen e dukës së Durrësit, Niqifor Bazilakios. Këtë njoftim e pohon pikë për pikë edhe kronisti tjetër bizantin i këtij shekulli Johan Skylitzes. Kjo është arsyeja përse gjatë shek. XII dhe gjysmës së parë të shek. XIII, emri etnik i shqiptarëve përmendet në burimet historike mesjetare dora-dorës me shpalljen e tyre katolikë.
Dëshmi është fakti se në shekullin XI filluan të rimëkëmbeshin nën juridiksionin e kryepeshkopatës së Tivarit peshkopatat katolike në viset e sotme të Shqipërisë veriore. Në fillim të shekullit XII ato u rishfaqën, gjithashtu nën juridiksionin e kryepeshkopatës së Tivarit, edhe në Dardani, përfshirë edhe viset veriore të Maqedonisë së ditëve tona, pra pikërisht aty ku banojnë edhe sot popullsi shqiptare. Me këtë rast duhet shtuar se, sipas disa historianëve objektivë sllavë, dyndja e serbëve në hapësirën e Dardanisë filloi jo në shek. VII siç pohojnë nacionalistët serbë, por në fund të shekullit XII. Megjithatë, para serbëve viset e Dardanisë u pushtuan nga bullgarët në mos krejtësisht, të paktën pjesërisht jo para shekullit X. Dy historianë të njohur medjevistë, K. Jireçek dhe J. Radoniç në veprën e tyre të përbashkët “Historia serbe” pohojnë se kur në fund të shekullit XII serbët filluan të depërtonin në Kosovë, pra në Dardani, ata gjetën aty banorë shqiptarë dhe vllahë (Jireçek, Radoniç, Historia serba, vëll.I, Beograd 33, 36).
Disa vite më vonë, më 1203, pra një vit para se të shembej Perandoria Bizantine nga kryqëzata e katërt, në Ballkanin Qendror dhe kryesisht në Dardani u ringjallën kishat katolike. Atë vit disa prelatë katolikë në një letër drejtuar Papës së Romës, Inocentit III, pasi i shfaqnin përulësinë dhe besnikërinë, i kërkonin falje për mëkatin që kishin bërë më parë, meqenëse deri atëherë i kishin shërbyer Kishës së Ohrit. Midis atyre që i nënshkruan këto letra ishin: Marini, peshkopi i kishës Hujlindëse të Shkupit (Scopia); Abrahami peshkopi i Prizrenit; Kiriku peshkopi i Nishit (Niso); Klementi peshkopi i Vidinit (Bydinensis) (Izvori za bëllgarskata istorija. Fontes latini, vol.3, sac.XI-XIII, Sofie, f. 337). Por, kur më 1214 Prizreni dhe Kosova u pushtuan nga mbreti serb, peshkopatat katolike të Dardanisë zhduken përsëri nga burimet historike. Me krijimin më 1220 të kishës së pavarur serbe, me në krye Shën Savën, filloi fushata për serbizimin nëpërmjet kishës së tyre së banorëve që jetonin në viset e pushtuara prej tyre. Në këtë ambient nacionalist serb kisha katolike në viset shqiptare u rrudh përsëri si në kohën e perandorive, bizantine dhe bullgare. Në shekullin XIII për pushtetarët kishtarë dhe kronistët e kohës shqiptarët përfshiheshin në emërtimet ose bizantinë, ose bullgarë, ose serbë. Për ta, shqiptarë të mirëfilltë ishin vetëm ata, të cilët praktikonin qoftë edhe pa kishat e tyre ritin katolik. Vetëm me shpalljen më 1272 nga Karli I anzhuin i “Mbretërisë Shqiptare”, apelativi shqiptar si etni u konsolidua për të gjithë folësit e gjuhës shqipe me ndonjë përjashtim që jetonin brenda kufijve të shtetit të tij.
Kjo qe një goditje që pësoi koncepti dogmatik mesjetar ballkanik mbi kombësinë. Në përshtatje me këtë produkt të konceptit perëndimor, që merrte si komponent të kombësisë edhe gjuhën e të folurit, kronistët bizantinë, por jo të gjithë, qenë të parët që filluan t‘i emërtonin folësit e gjuhës shqipe që banonin nën pushtetin anzhuin dhe bizantin me emrin e tyre etnik “arvanitë”, edhe kur i takonin ritit të tyre lindor. Përkundrazi, pushtetarët dhe kishtarët bullgarë dhe serbë, vazhduan deri vonë t‘i emërtonin “shqiptarë” vetëm folësit e gjuhës shqipe të ritit katolik. Në një krisobulë të mbretit serb, Stefan Uroshi II Milutini, që mban datën 1300 ku flitet për panairin që zhvillohej çdo vit më 8 nëntor në manastirin e Shën Gjergjit pranë Shkupit, thuhet ndër të tjera: “Kushdo që të vijë në këtë panair, qoftë grek ose bullgar, ose serb, latin, shqiptar, vllah të japë doganën ligjore ashtu si në Tetovë dhe në Graçanicë dhe në të tërë kishat e tjera” (S. Novakoviç, Zakonski spomenici srpski drzava srednjega veka, Beograd 1912, f. 620; Burime të zgjedhura për historinë e Shqipërisë, Vëllimi I, Red. Kristo Frashëri, Tiranë 1962, f. 125). Emërtimi “shqiptar” në këtë krisobulë duhet kuptuar jo siç e shpjegojnë historianët sllavë me një prani të izoluar të shqiptarëve, por mbi frekuentimin e këtij panairi nga shqiptarë katolikë, të cilët nuk mund të quheshin as bullgarë, as serbë, as romej. Veç kësaj, kjo do të thotë se midis atyre kishte dhe shqiptarë të ritit lindor, të cilët përfshiheshin në apelativët bullgarë, serbë, romej. Nga krisobula e Stefan Uroshit II Milutinit del tërthorazi se shqiptarë kishte dhe në rrethinat e Tetovës dhe të Kraçanicës.
Në një dokument të botuar nga R. M. Grunjic, flitet se në fund të shekullit XIII një person me emrin Progon, pa dyshim shqiptar, kishte përvetësuar kodrën Plesh afër Tetovës (G. Gjini, Ipeshkvia Shkup, Prizren nëpër shekuj, 1992, f. 105). Në lidhje me praninë e shqiptarëve në rrethin e Tetovës kemi dhe një dokument tjetër sllav. Është krisobula e car Stefan Dushanit lëshuar midis viteve 1337-1346, me të cilën ai i dhuron manastirit të Shën Mërisë me qendër në Tetovë, përveç një vargu fshatrash në fushën e Pologut edhe malin Janov Dol. Në lidhje me këtë dhuratë, cari thekson se ishte e ndaluar futja në pyll e çdo nëpunësi të mbretërisë së tij, përfshirë dhe tagrambledhësit e barit, si dhe, thuhet në Krisobule, as shqiptarët, as vllahët (S. Novakovic, Zakonski, ff. 657-661, Burime, f. 125-128).
Gjatë dhjetëvjeçarëve ‘30, ‘40, ‘50 të shekullit XIV, kur trojet e Kosovës, Shqipërisë dhe të Maqedonisë hyjnë nën sundimin e car Stefan Dushanit, shqiptarët pësuan një diskriminim më të thellë sesa atë që kishin pësuar nga paraardhësit e tij. Për Stefan Dushanin, shqiptarët që pranonin me hir a me pahir ritin ortodoks të kishës së Shën Savës, ishin serbë. Edhe vjehrri i tij, Dhimitër Suma, një shqiptar i mirëfilltë nga treva e Shkodrës, për të dhe për kronistët e tij, ishte serb. Shqiptarët e ritit katolik nuk mungonin as në viset e Dardanisë, as në ato të Shqipërisë së sotme. Por, ata ishin të përjashtuar nga radhët e fisnikërisë së Mbretërisë Serbe, në qoftë se nuk pranonin ritin e Shën Savës. Për arsye të persekutimit të egër serb, kisha katolike e Shkupit, thuhet në një akt të vitit 1352, ishte thellësisht e varfër, aq sa nuk ishte në gjendje t‘i paguante detyrimet Romës (G. Gjini, po aty, f. 87). Kjo është arsyeja përse në aktdhurimet që kanë nënshkruar mbretërit serbë, përfshirë edhe ato të car Stefan Dushanit në favor të manastireve të tyre – ne njohim nja dhjetë akt-dhurime – ku përmenden si shqiptarë vetëm bujq, barinj, mercenarë, rrogëtarë, bujkrobër, tregtarë. Në një akt të Stefan Dushanit të vitit 1350, ndër katër bujkrobërit që kishte Ivarko Probishtitoviç-i, në Shtip njëri ishte shqiptar dhe mbante emrin Gjin Arbanasi (A. Solovjev, Odabrani spomenici srpskog prava od XII do kraja XV veka, Beograd 1962, ff. 150-152; Lj. Doklestic, Kroz historiju Makedonije, Izabrani izvori, Zagreb 1964, ff. 48-49; Sipas G. Gjinit, po aty, f. 105). Më në fund, nga Zakoniku i Stefan Dushanit redaktuar në vitin 1349, katolicizmi shpallet herezi latine, kurse katolikët gjysmëbesimtarë. Nga kjo mospërfillje, të krijohet përshtypja se shqiptarët (arbanasët) që banonin në viset e sotme të Kosovës e të Maqedonisë qenë minoritet. Sipas historianëve nacionalistë serbë, numri i pakët i shqiptarëve që përmenden në këto aktdhurime tregon numrin e pakët të banorëve etnikë shqiptarë në Kosovën dhe në Maqedoninë mesjetare paraosmane. Por ky interpretim nuk është i drejtë. Sipas mendimit tonë, shpjegimi që kanë dhënë medjevistët e njohur M. Shuflai, K. Jirecek dhe F. Thallozy, se me emrin “arbanas”, pra shqiptarë, në burimet mesjetare serbe janë emërtuar vetëm folësit katolikë të gjuhës shqipe, që banonin në Dalmaci, u përshtatet edhe folësve të gjuhës shqipe që përmenden në burimet mesjetare serbe dhe bullgare në Mesjetë në Kosovë e në Maqedoni. Nga ana tjetër, Selami Pulaha ka vënë re se mjaft banorë, të regjistruar si sllavë, kanë emra apo mbiemra, të cilët nga rrënja e tyre i takojnë onomastikës shqipe – emra të tillë si Pal, Gjin, Gjon ose mbiemra Lekiç (nga Lekë), Paliç (nga Pal), Gjinovski (nga gjin) etj.
Me këtë rast shtrohet pyetja: a është e vërtetë që folësit e gjuhës shqipe të ritit katolik që banonin para pushtimit osman në Kosovë dhe në viset veriore apo veriperëndimore të Maqedonisë së ditëve tona, përbënin një numër të papërfillshëm? Përgjigjen na e japin institucionet kishtare katolike që vepronin në këto vise para pushtimit osman.
Pas rrudhjes që pësuan peshkopatat katolike të Kosovës dhe të Maqedonisë Veriore nga kisha bullgare e Ohrit dhe nga kisha serbe e Shën Savës, e krijuar më 1220 dhe pas goditjes që Mbretëria serbe e Rashës pësoi në Shqipëri nga Mbretëria anzhuine pas vitit 1272, institucionet kishtare katolike në këto vise filluan ta rimerrnin veten. Në burimet dokumentare përmendet peshkopi katolik i Shkupit me emrin Johan II ose Johan Stroti (1298-1321), i cili sipas një akti koncistorial të vitit 1316 del i varur nga Roma (Farlati, po aty, vëll.VII, 16-17) dhe i cili duhet të ketë vdekur në Shkup, posa që është varrosur në kishën dominikane të atij qyteti. (G. Gjini, po aty, f. 18). Pas tij, në Shkup shfaqet më 1327 si peshkop Johani III, kurse më 1351 përsëri një peshkop me emrin Friederik. Shkupi pati pas tij dhe peshkopë të tjerë – Hermani (pa datë) dhe Antoni (1400), kurse pas tij një tjetër peshkop me emrin Albert (G. Gjini, po aty, f. 19).
Po të marrim parasysh se nuk ka kryepeshkopatë pa disa peshkopata dhe se nuk ka peshkopatë pa disa famulli, më në fund, se nuk ka famulli pa një numër të konsiderueshëm familjesh të krishtera – veç kësaj, po të marrim parasysh se popullsitë bullgare-maqedone dhe serbe nuk kishin arsye përse të hiqnin dorë nga kisha e tyre ortodokse për të hyrë në vartësinë e Romës – me dashje ose pa dashje jemi të detyruar të pranojmë se popullsia katolike e këtyre dioqezave përbëhej nga banorë shqiptarë, të lidhur tradicionalisht me kishën e Romës.
Nga sa u tha, kemi të drejtë të pohojmë se në pragun e pushtimit osman, në viset e Dardanisë antike, pra edhe në krahinat e saj jugore, të cilat bëjnë pjesë në Republikën e sotme të Maqedonisë, ishin të pranishëm në një masë të konsiderueshme jo vetëm shqiptarët e ritit perëndimor, por edhe ata të ritit lindor, me ndryshim se të dytët vazhdonin të fshiheshin prapa emërtimeve etnike serbë apo bullgarë apo romej.
*Anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Fillimisht është botuar te „Gazeta Shqip“ – Tiranë, 10 – 11. 12. 2009