Një kontribut të madh në Revolucionin e Qershorit dhane dhe intelektualet e zones së Shijakut. Ndër më të shquarit të cilët u bënë dhe protagoniste ishin mesuesi zotni Qazim Domi dhe mesuesi Tahsim Kellici. Ishin këto dy intelektuale të cilet shkuan për të takuar Fan Nolin ne Durres, ku ai po shpaloste programin e Qeverisë së udhehequr prej tij, të dalë nga zgjedhjet e Qërshorit në një mbrëmje me perfaqësues të shoqërisë “Bashkimi”.
Kur këto dy intelektualë e takuam – shkruan në kujtimet e tij zotni Tahsim Kellici – zotni Fan Noli na hodhi dorën në qafë të dyve dhe na tha: ”Ju e dini, se unë kam shumë simpati për shijakasit dhe ju jap fjalën që do të vij në Shijak, së bashku me Bajram Begun Currin.”
-shkruan Ardit Faja dhe vijon më poshtë:
Dhe vertet Fan Noli e mbajti fjalën. Ai se bashku me Bajram Currin nga mesi i muajit Korrik vec kur mbërriti në Shijak. I gjithë qyteti kishte dalë ta priste dhe ta shihnin nga afer Fan Nolin. Jo vetëm qytetarët e Shijakut por edhe nga katunet kishin ardhur, të veshur me xhokat e tyre të zeza dhe brekushet e bardha me qeleshet karakteristike. Mbledhja u zhvillua te godina e nën/Prefektures. Në atë tryeze ishin të ftuar të gjithë burrat e mençur të Shijakut, qoftë edhe me ide politike të kundërta. Kështu diskutimin e parë e mbajti Ymer Beu Deliallisi, i cili dha mendimet e tij pro grupimit politik “setra” e cila i përkiste krahut politik të Ahmet Zogut l-rë. Të pranishëm ishin Zyber Kokoli, Hamidi i Pashabejve, Hysni Shaqiri dhe Xhemal Beu, djali i Sali Beut Deliallisi. Ai e mori fjalën i dyti pas Ymer Beut. Xhemal Beu ishte me pikepamjet e grupimit te “xhokës” dhe në fjalën e tij përkrahu Fan Nolin. Pas tyre e mori fjalën Fan Noli. Noli -vazhdon në kujtimet e tij- kishe qejf ta degjojshe. Ai fliste një shqipe të rrjedheshme e të bukur, me një zë impozant dhe me shumë kulture.
“… Duhet të punojmë me mend në kokë!.” dhe përmendi një thënie nga Napoleon Bonoparti kur nënvizonte ; ” Zemra e një burri shteti, duhet të jetë në kokë!”.
”Shqipërinë e bejnë vetëm idealistet – tha Noli, – jo politikanët, ato do e shesin për interesat e veta e do e bejnë copa-copa se nuk iu dhimbset vatani! “ Çfarë burri i urte e me mend që ishte Fan Noli!
Pas mbledhjes Noli bashkë me Bajram Currin, Sadik Zharin, e Qazim Domin dolen në ballkonin e nën/Prefekturës ku iu drejtua banorëve të Shijakut që kishin mbushur sheshin. Ai iu drejtua atyre ;
” Ju përshëndes ! Shijakasit kanë qenë gjithmonë burra të besës e trima, patriotë që kanë jetuar gjithmonë me hallet e popullit e vatanit ! Ju falemnderit për besimin ! “
Këtë fjalim e pohojnë dhe shumë të moshuar të tjerë, pjesëmarrës në atë ditë si, Qamil Deliallisi i Pashabejve, Ismail Shahini, Sulë Zalla, Abdyl Keci, Gani Keta e Ferik Deliallisi.
Por në përpjekje me milicet që i kishin shërbyer regjimit të meparshem, të cilët po përpiqeshin të krijonin trazira dhe situata të tencionuara nëpër qytetë, u vra tradhetisht pas shpine, trimi Shijakas Musa Keci, i cili ishte djali i katert i Bab Surë Kecit, djali i të cilit Zeneli ishte vrarë në Luftën e Madhe të Shkodrës.
Pas dështimit të Qeverisjes së Nolit, filluan trazirat politike në vend, dhe shumë intelektuale u përndoqen. Kështu ndodhi dhe me mësuesin tonë Qazim Domi, i cili kishte shërbyer si Kryetar i Bashkisë në kohën e Qeverisjes së Nolit. Ai u shkarkua nga detyra dhe u mbajt nën vezhgim të rreptë dhe vetëm pas dy vitesh iu dha leja që të rikthehej në arsim , por në një zonë të thellë të Shijakut, në Ishem./Konica