Më shumë se tre vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Serbia ende nuk i ka vënë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës për këtë ngjarje.
Ndërkohë, Milan Radoiçiç, i cili ka pranuar se ka organizuar grupin e armatosur që qëndron pas këtij sulmi, është parë në një tubim të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) – forcës në pushtet në Serbi – ku i pranishëm ishte edhe djali i presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
Kjo paraqitje publike ka ngritur pikëpyetje serioze mbi vullnetin e Beogradit për të siguruar drejtësi për sulmin në Banjskë, si dhe mbi përgjegjësinë e autoriteteve serbe ndaj individëve të përfshirë në këtë rast.
Në një opinion të botuar së fundmi, organizata “Albanians for America” ka analizuar implikimet politike të shfaqjes publike të Radoiçiçit, duke vënë në pikëpyetje përkushtimin e Serbisë ndaj drejtësisë, stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve me Perëndimin.
Organizata u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që t’i kërkojnë Beogradit hapa konkretë dhe të matshëm për të garantuar llogaridhënie për sulmin në Banjskë.
Në reagimin e saj, “Albanians for America” thekson se drejtësia për Banjskën nuk duhet të mbetet thjesht çështje deklaratash diplomatike, por duhet të shoqërohet me veprime konkrete për t’i mbajtur përgjegjës ata që ishin të përfshirë.
Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, ka pranuar organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë më 24 shtator 2023. Ai gjithashtu ndodhet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara.
Sulmi në Banjskë përbën një ndër incidentet e sigurisë më të rënda në veri të Kosovës që nga viti 1999. Rreshteri Afrim Bunjaku u vra gjatë përleshjeve me grupin e armatosur, dhe kjo çështje vazhdon të mbetet një nga temat kyçe në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /The GeoPost
















