Historia e kryengritësit shqiptar që rrëzoi Sulltan Ahmedin III dhe ndryshoi kursin e historisë osmane në vitin 1730.
Origjina dhe Formimi: Nga Hrupishta në galerën “La Patrona”
Halil Patrona lindi rreth vitit 1690 në Hrupishta (sot Orestida, në vilajetin e atëhershëm të Manastirit) nga një familje shqiptare, Halili nuk e nisi jetën në sallonet e larta të pushtetit. Dokumentet historike dhe dëshmitë e kohës, si ato të J.C. Hobhouse (1813), e përshkruajnë atë si një “levanti” (marinar) që shërbeu në galerën e dytë të flotës osmane, të quajtur “La Patrona”. Ishte pikërisht ky shërbim që i dha nofkën e tij të famshme, pasi në hierarkinë detare, anija e dytë pas asaj të Kapudan-Pashës njihej si “Patrona”.
Përpara se të bëhej figura qendrore e revoltës së vitit 1730, Halili kishte një jetë të larmishme dhe shpesh të dhunshme. Ai shërbeu si jeniçer në videt e Vidinit dhe Nishit, ku mori pjesë në rebelime të hershme, duke treguar talentin e tij natyror për udhëheqjen e masave të pakënaqura. Në Kostandinopojë, ai njihej edhe si një shitës shëtitës dhe ndihmës në hamame, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në “meyhanet” (tavernat) e Galatasë, ku krijoi lidhjet e para me grupet e margjinalizuara dhe jeniçerët shqiptarë.
Shkëndija e revoltës: Një akt mizorie dhe preteksti i taksave
Viti 1730 gjeti Perandorinë Osmane në një krizë të thellë. Ndërsa Sulltan Ahmedi III dhe Veziri i Madh, Nevşehirli Damat Ibrahim Pasha, po shijonin luksin e “Epokës së Tulipanëve” (Lale Devri), ushtria dhe populli po vuanin pasojat e luftërave të pasuksesshme me Persinë.
Një dokument francez i kohës zbulon një detaj rrëqethës që shërbeu si katalizator moral për Patronën: Gjatë luftës me persët, këta të fundit u kishin prerë hundët 300 (disa burime thonë 500) jeniçerëve të zënë rob dhe i kishin dërguar mbrapsht në Turqi si shenjë poshtërimi. Veziri i Madh, në përpjekje për të fshehur këtë turp nga sytë e kryeqytetit, urdhëroi mbytjen e këtyre ushtarëve të pafat në det. Për Halil Patronën, ky ishte një ofendim i pafalshëm ndaj gjakut të ushtarëve.
Me mbështetjen e 12,000 jeniçerëve, kryesisht shqiptarë, më 28 shtator 1730, Patrona ndezi flakën e rebelimit. Ndonëse taksat e reja dhe ekonomia e rrënuar ishin preteksti zyrtar, zemërimi ishte i drejtuar ndaj korrupsionit dhe stilit të jetesës perëndimore të elitës osmane.
Tre javët e fuqisë absolute
Guximi i Patronës ishte i pashoq. Ai urdhëroi mbylljen e dyqaneve të Kostandinopojës dhe marshoi drejt Serajit. Nën presionin e rebelëve, Sulltani u detyrua të mblidhte Divanin. Patrona kërkoi kokat e tre zyrtarëve më të lartë: Vezirit të Madh Ibrahim Pasha, Guvernatorit të Kostandinopojës dhe Shefit të Jeniçerëve.
Sulltani, në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar fronin, urdhëroi ekzekutimin e tyre dhe u dërgoi trupat rebelëve. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi. Rebelët, të irrituar që personat që donin t’i merrnin në pyetje u dërguan të vdekur, vendosën rrëzimin e Ahmedit III. Në vend të tij, ata ngjitën në fron nipin e tij, Mahmudin I.
Për tre javë, Halil Patrona ishte zoti i vërtetë i Stambollit. Ai shfaqej para Sulltanit të ri zbathur dhe me uniformën e thjeshtë të ushtarit, duke diktuar emërimet e reja. Një rast interesant i treguar në dokumentet angleze është ai i Yanakit, një kasapi grek që i kishte dhënë borxh Patronës gjatë ditëve të revoltës. Si shenjë mirënjohjeje, Patrona e detyroi Divanin ta emëronte Yanakin si Princ (Hospodar) të Moldavisë.
Fundi i përgjakshëm i një rebeli
Fuqia e Patronës u bë e padurueshme për pallatin. Ai filloi të organizonte komplote të reja, duke emëruar veten Kapitan-Pasha (Admiral) dhe duke marrë nën kontroll arsenalin. Sulltani Mahmudi I, i paaftë për ta kontrolluar me mjete ligjore, përdori dinakërinë.
Me pretekstin e diskutimit të projekteve të reja ushtarake, Patrona dhe shoqëruesit e tij u thirrën në një audiencë në Seraje. Atje, larg syve të ndjekësve të tij, ai u masakrua brutalisht.
Trashëgimia e Patronës
Nga pikëpamja historike, revolta e Halil Patronës nuk ishte thjesht një trazirë rrugësh. Ajo shënoi fundin e një epoke të orientimit drejt stilit evropian dhe riafirmoi fuqinë e rrjeteve etnike (shqiptare) brenda korpusit të jeniçerëve. Patrona mbetet një figurë komplekse: për disa, një vrasës dhe rebel i rrezikshëm; për të tjerë, një mbrojtës i dinjitetit të ushtarit të thjeshtë dhe një njeri që, pavarësisht origjinës modeste, arriti të diktonte fatet e një perandorie botërore. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com
Burimet:
- “Biographie universelle, ou Dictionnaire historique des hommes qui se sont fait un nom par leur génie, leurs talents, leurs erreurs ou leurs crimes…faq. 395 – 1730.
- J.C. Hobhouse, “A Journey through Albania…”, London, 1813.
- Wikipedia turke (Patrona Halil Maddesi).
- Dokumente mbi etnografinë shqiptare (Edmondo De Amicis, 1883).
























