Nga hulumtimet gjeografike tek dëshmitë e hershme evropiane, një vështrim i thellë mbi diasporën historike Arbëreshe.
Historia e Evropës Jugore është e ndërthurur pazgjidhshmërisht me lëvizjet demografike që ndryshuan hartën etnike dhe kulturore të Mesdheut. Një nga shembujt më unikë të mbijetesës kulturore është ai i fshatrave italo-shqiptare (arbëreshe) në Italinë e Jugut. Duke u mbështetur në studime të rëndësishme si ai i gjeografit George Nicholas Nasse, “The Italo-Albanian Villages of Southern Italy” (botuar në 1964 nga Akademia Kombëtare e Shkencave e SHBA-së dhe Këshilli Kombëtar i Kërkimit), si dhe në dokumente historike e vëzhgime antropologjike, mund të vizatojmë një tablo të qartë të këtij komuniteti magjepsës.
Zanafilla e ngulimeve dhe konteksti historik i “të bukurës More”
Me rënien dhe pushtimin e Koronit në vitin 1534 — kështjellë që ndodhet ende sot në More (Peloponezi i sotëm, Greqi) — Perandori Karli V urdhëroi kapitenin Andrea Doria të transportonte popullsine vendase, fisnike, arbërore nga Moreja drejt Italisë së Jugut. Kjo lëvizje përbën një nga fazat themelore të konsolidimit të vendbanimeve arbëreshe, por edhe të komuniteteve greqishtfolëse në Italinë jugore. Pikërisht në këto çaste të mërgimit, sipas traditës gojore, arbëreshët kënduan me mall e dhimbje këngën “O e bukura More”, e cila u bë simbol i kujtesës së atdheut të lënë pas.
Vendosja e shqiptarëve në Italinë e Jugut kishte nisur më herët. Luftëtarë arbërorë, të ardhur nga Arbëria (Shqipëria e sotme), u thirrën nga Mbreti Alfonso V i Aragonës për të përforcuar pozitat e tij ushtarake kundër lëvizjeve kryengritëse angevine. Një pjesë e tyre u vendosën përfundimisht në Kalabri dhe Sicili, së bashku me familjet, duke krijuar vendbanime me karakter fillimisht ushtarak dhe strategjik.
Në vitin 1461, vetë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kryezoti i Arbërisë, ndërhyri ushtarakisht në mbështetje të Ferdinandit, birit të Alfonsit, në luftën kundër angevinëve dhe princit të Tarantos. Si shpërblim për këtë ndihmë vendimtare, atij iu dhanë dy feude në Pulia. Popullsia shqiptare që u vendos në këto territore kontribuoi jo vetëm në ripopullimin e zonave të shkatërruara, por edhe në organizimin e një strukture mbrojtëse territoriale me funksion të qartë strategjik.
Pas vdekjes së Skënderbeut (1468) dhe sidomos pas rënies së Krujës në vitin 1478, valë të mëdha shqiptarësh, në kushte dramatike, u larguan drejt Italisë. Ata u vendosën në kolonitë tashmë ekzistuese arbërore, duke themeluar edhe vendbanime të reja.
Migrime të tjera ndodhën me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Skënderbeut dhe më pas të pasardhësve të tij, përfshirë vendosjen e shqiptarëve në feudet e Pulias, si dhe ndjekjen e Irena (Irini) Kastriotit pas martesës së saj me princin e Bisignanos në Kalabri. Numri i kësaj popullsie ishte i konsiderueshëm, aq sa krijoi një hapësirë të qëndrueshme me identitet të veçantë gjuhësor, kulturor dhe tradicional — bazën e komuniteteve të sotme arbëreshe në Italinë e Jugut.
Sidoqoftë, prania shqiptare nuk ishte vetëm pasojë e refugjatëve të luftës. Dokumente historike greke dhe italiane, si p.sh. “Ekspozita Historike e Kolonive Shqiptare në Mbretërinë e Dy Siçilive” e A. Papadopoulos Vretos (Athinë, 1848), dëshmojnë edhe praninë e ushtarëve mercenarë. Në vitin 1608, Kurora Spanjolle u dha privilegje kapitenëve shqiptarë të një kompanie prej treqind kalorësish të rregullt në Mbretërinë e Napolit, të njohur historikisht si Stratiotët (Stradioti).
Rëndësia historike dhe autoktonia e kombit shqiptar vihet në dukje edhe nga gjeografi evropian Conrad Malte-Brun në veprën e tij “Géographie Universelle”, ku thekson se gjuha shqipe dëshmon që ky popull ka banuar në Europë prej kohësh po aq të lashta sa grekët dhe keltët. Ai sugjeron se fiset ilire, duke folur një gjuhë të afërt me pellazgët e dardanët, banonin në malet e Shqipërisë shumë kohë para epokave historike të regjistruara.
Gjeografia e fshatrave Italo-Shqiptare
Sipas studimit të G. N. Nasse (1964), vendbanimet arbëreshe shtrihen gjerësisht në Italinë jugore dhe në ishullin e Siçilisë. Në Siçili, ekzistojnë katër fshatra kryesore në jug të qytetit të Palermos:
- Piana degli Albanesi: Rreth 10 milje në jug të Palermos.
- Contessa Entellina: Rreth 30 milje në jug të Piana degli Albanesi.
- Palazzo Adriano: Ndodhet 15 milje në lindje të Contessa Entellina.
- Mezzojuso: Gjendet 30 milje në juglindje të Piana degli Albanesi.
Ndryshe nga fshatrat në gadishull që mund të jenë më të grupuara, këto të Siçilisë nuk formojnë një bllok të ngjeshur, por shtrihen në afërsi të autostradave kombëtare të shtruara.
Në gadishull (Kalabri, Lukani), spikasin komunitete si S. Demetrio Corone, S. Costantino Albanese, Castroregio, Plataci, Falconara Albanese dhe Casalnuovo Lucano, të cilat ndajnë elemente të përbashkëta por edhe veçori unike izolimi. Rrugët qendrore në këto fshatra mbajnë shpesh emrin historik “Via Castriota”, në nderim të heroit të tyre kombëtar.
Arkitektura dhe izolimi kulturor
Mjedisi fizik mesdhetar ka diktuar ndjeshëm stilin e ndërtimit. Shumica dërrmuese e shtëpive arbëreshe janë të suvatuara me çimento nga jashtë, duke i bërë ato të padallueshme nga shtëpitë e fshatrave tipike italiane. Megjithatë, ekzistojnë përjashtime të rëndësishme në fshatrat e Castroregio, Plataci dhe Falconara Albanese, ku shumica e shtëpive kanë mbetur të pasuvatuara, me gurin në pamje të parë.
Një rast i veçantë studimi është fshati Castroregio. Antropologët dhe studiuesit (si Profesor Mauro) kanë vërejtur se banorët e këtij fshati i ngjajnë më shumë “shqiptarëve të kohëve të vjetra” krahasuar me vendbanimet e tjera në Kalabri. Qasja në fshat në vitet ’60 kërkonte ndërmjetës, si prifti Zoti Talarico dhe mësuesi Prof. Alfredo Braile, pasi banorët kishin një dyshim dhe mosbesim të thellë ndaj të huajve, qofshin këta edhe italianë apo agjentë të qeverisë.
Veshja si shenjë e origjinës dhe identitetit
Kostumografia arbëreshe nuk është thjesht një element folklorik, por një kod gjeografik e historik i mbijetuar:
Origjina Gjeografike: Stili kompleks i veshjeve të Piana degli Albanesi tregon se banorët e saj e kanë origjinën nga veriu i Shqipërisë. Në kontrast, stili më i thjeshtë i kostumeve në Castroregio (shih Figurën 31) dëshmon një origjinë nga pjesa jugore e Shqipërisë.
Ruajtja e Identitetit: Veshja festive ka mbijetuar për shkak të ngjyrave të gjalla dhe sepse njerëzit e ruajnë atë si një thesar trashëgimie. Edhe në fshatrat ku banorët mund të kenë humbur gjuhën apo identitetin e fortë shqiptar, veshja festive shërben si një vijë ndarëse që i dallon ata nga italianët.
Jeta e Përditshme: Krahas kostumeve të festave, ekziston edhe veshja e përditshme me elemente tradicionale. Fotot e kohës tregojnë gra italo-shqiptare nga Casalnuovo Lucano (Figura 28) me rroba të thjeshta pune e të përditshme, teksa marrin pjesë në një panair bagëtish në Senise, dëshmi e jetës rurale komunitare.
Arsimi dhe riti fetar: Kolegji i Shën Adrianit
Një shtyllë themelore e mbijetesës së identitetit arbëresh ka qenë feja dhe arsimi. Italo-Shqiptarët themeluan vetëm një institucion të arsimit të lartë: Collegio Italo-Albanese di S. Adriano. Ky kolegj u themelua fillimisht në vitin 1732 në S. Benedetto Ullano nga Felice Samuele Rodota, peshkopi i parë italo-shqiptar i ritit Greko-Katolik, (asokohe pati një pajtim të përkohshëm mes ortodokësisë intitucionale dhe katolicizmit). Qëllimi kryesor ishte ofrimi i arsimit të lartë për fëmijët me origjinë shqiptare, me fokus të veçantë në udhëzimet rreth Meshës sipas ritit ortodoks. Në vitin 1794, nën drejtimin e peshkopit pasardhës Francesco Bugliari, kolegji u zhvendos në qytezën e S. Demetrio Corone, duke u strehuar brenda mjediseve të manastirit bazilian të Shën Adrianit, duke u kthyer në një vatër drite për ruajtjen e ndërgjegjes kombëtare.
Arbëreshët e Italisë nuk janë thjesht një minoritet; ata janë një kapsulë kohore e Ballkanit të shekullit të 15-të, të cilët ia dolën të ruajnë me xhelozi gjuhën, ritin fetar dhe ngjyrat e rrobave të tyre. Lidhja e tyre me të kaluarën mbetet e pathyeshme, e kurorëzuar simbolikisht me praninë krenare të monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në mes të Romës (Piazza Albania), një kujtesë e përjetshme në zemër të Italisë për atdheun e tyre të braktisur shekuj më parë.
































