Në kuadër të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Biblioteka Kombëtare solli në vëmendje komunikimin mes Faik Konicës dhe at Shtjefën Gjeçovit.
Nëpërmjet një letre që Faik Konica i drejton at Shtjefën Gjeçovit, ai ngre shqetësimin për gjuhën shqipe dhe çështje të tjera të kulturës dhe aktualitetit të kohës.
“Janë dy letra, dy dorëshkrime nga Faik Konica, njëra prej tyre mban datën 15 nëntor 1907 ndërsa letra tjetër nuk ka datë, drejtuar at Shtjefën Gjeçovit, në të cilën flitet për alfabetin e shoqërisë Bashkimi por edhe për çështje të tjera të kulturës, të gjuhës shqipe, të kulturës, të albanologjisë”, thotë Jola Tasellari, specialiste për Marrëdhënie publike dhe komunikim.
Në këto letra, Faik Konica e prezanton At Shtjefenin me të rejat më të fundit të botimeve shqip dhe kjo tregon një lidhje jo vetëm patriotike por edhe kulturore.
Dorëshkrimi, që ruhet në fondin e Bibliotekës Kombëtare, është dëshmi e një dialogu të thellë intelektual mbi çështjen kombëtare, kulturën dhe fatin historik të shqiptarëve.
Kjo letër kujton se, pavarësia është jo vetëm një akt politik, por edhe një projekt kulturor.

















