Në zemër të rrafshnaltës së Mesogjisë, aty ku sot ngrihet qyteti i Spatës (njohur botërisht për aeroportin ndërkombëtar të Athinës), historia fsheh shtresëzime që lidhin Greqinë qendrore me lëvizjet e mëdha migratore dhe ushtarake të mesjetës arbërore. Dokumentet e vjetra dhe studimet etimologjike sugjerojnë se ky toponim nuk është thjesht një emërtim gjeografik, por një monument i gjallë i familjes legjendare të Shpatajve.
Etimologjia: Shpata si simbol pushteti
Sipas fjalorëve etimologjikë dhe shënimeve gjuhësore (Fig. 5 dhe 6), fjala rrjedh nga latinishtja spatula, që në greqisht u bë σπάθη (spathē), ndërsa në gjuhën shqipe e gjejmë si “Shpata”. Ky emër nuk tregonte vetëm mjetin luftarak, por simbolizonte autoritetin dhe forcën ushtarake të një prej fiseve më të rëndësishme të kohës. Në materialet e shqyrtuara (Fig. 5), vërehet forma dialektore sepata ose sopate (sopata), që përkon me termin shqip për mjetin prerës, duke përforcuar lidhjen me gjuhën arbërore.
Gjin Bua Shpata dhe “mërgimi” i emrit
Historia e Spatës në Atikë lidhet pazgjidhshmërisht me figurën e kryezotit Çam Gjin Bue Shpata (Ginos Mpouas Spatas). Dokumentet historike të Kostandin Sathas (1867), të cituara në materialet e bashkëngjitura (Fig. 2 dhe 4), përshkruajnë Gjin Shpatën si një “burrë veprues dhe në çdo gjë të shkëlqyer” (ἀνὴρ δραστήριος καὶ τὰ πάντα λαμπρός).
Sipas Sathas, mbiemri “Spata” nuk ishte vetëm një atribut personal i Gjinit, por i përkiste gjithë familjes së “Mpouaioi” (Bua). Ai shpjegon se, sipas zakonit arbëror, ky emër u mor nga vendet ku ata zotëronin ose ku kishin lindur. Interesant është fakti se Satha përmend ekzistencën e fshatrave me emrin “Spata” jo vetëm në Atikë, por edhe në Muzakie dhe në krahinën e Tomoricës (Fig. 2). Kjo dëshmon për një shtrirje të gjerë të këtij fisi në trojet shqiptare (Shpati në Elbasan apo Kosovë) para se emri të hidhte rrënjë në Greqi.
Transformimi i Atikës
Në faqen informative mbi historinë e Spatës (Fig. 3), theksohet se në antikitet kjo zonë njihej si demi i Erchias, vendlindja e Ksenofontit. Megjithatë, emërtimi i sotëm “Spata” i detyrohet plotësisht epokës pas-bizantine.
“Emërtimi vjen nga emri i një sundimtari arbërit të zonës, të Mpuas Spata, diçka jo e pazakontë në emërtimet e zonave të Atikës,” thuhet në tekstin historik (Fig. 3). Ky fakt vërteton se Spata nuk ishte thjesht një vendbanim bujqësor, por një seli e rëndësishme e krerëve luftarakë që luajtën një rol kyç në mbrojtjen dhe administrimin e rajonit gjatë periudhës së Frankokracisë dhe më pas nën pushtimin osman. Veprimtaria politike dhe ushtarake fliste tërësisht shqip.
Një lidhje midis Shpatit dhe Spatës
Sot, kur flasim për Shpatin në Shqipërinë e Mesme apo rajonin e Shpatit në Kosovë, ne i referohemi të njëjtit trung historik. Spata e Atikës është një “degë” e këtij trungu. Familja Shpata, duke filluar nga Gjin Bua Shpata (Despoti i Artës dhe Etolisë) e deri te pasardhësit e tij si Jakub Shpata apo Skurra Bua Shpata (Sgouros Shpata), krijoi një urë lidhëse kulturore dhe politike.
Përfshirja e këtyre emrave në historinë zyrtare të Greqisë (siç shihet në botimet e vitit 1867 me miratimin e Parlamentit Grek – Fig. 1) tregon se prania arbërore ishte një element shtetformues dhe jo thjesht një episod kalimtar.
Spata e Atikës është më shumë se një toponim; është dëshmia e një elite ushtarake që nuk njihte kufij gjeografikë. Duke cituar materialet arkivore, kuptojmë se emri “Shpata” udhëtoi nga malet e Shqipërisë drejt fushave të Atikës, duke lënë pas një trashëgimi që mbijeton edhe sot, 150 vjet pas botimit të Sathas dhe qindra vjet pas bëmave të kryezotit Çam Gjin Bue Shpata.
Referencat:
- Kostandin N. Satha, “Hellenika Anekdota”, Athinë, 1867.
- Arkiva Digjitale e Historisë së Spatës (Mesogjia).
- Studime etimologjike mbi fjalorin arbëror (Faqet 377).






























