Ka data që nuk shënojnë vetëm kalendarin – ato shënojnë zemrën. Shqipëria është një vend ku nëntori nuk vjen vetëm me shi, por me kujtesë, me zemër të ndezur dhe me flamurin që nuk plaket kurrë. Dhe në këtë ditë, në këtë udhë të largët që të çon nga Kruja në Vlorë, nga Prekazi në rrëzë të malit, populli shqiptar rihap librin e tij të madh të mbijetesës.
Sot dhe mot në këngët e gjata shqiptare me lahutë, cifteli e iso, rrjedhin si një lumë që ka shijen e gjakut, të baltës më të embël se mjalti, të gurit, grurit dhe të lirisë.
28 Nëntor 1443 – Ngritja e flamurit në Krujë, nga Gjergj Kastrioti
Në atë ditë të ftohtë në Krujë, nuk ishte vetëm një flamur që u ngrit – ishte ngritja e vetë shqiptarit. Skënderbeu, biri i një epoke të përgjakur, e ngriti flamurin e Kastriotit si të ishte një diell i kuq që i shpallte qiellit se edhe popujt e vegjël nuk mposhten dot nga perandoritë e mëdha.
Sipas dokumenteve të kronistëve venedikas, “ditën kur Skënderbeu ngriti shqiponjën, qyteti u trondit si prej një feste hyjnore”. Kjo nuk ishte një kryengritje e zakonshme: ishte fillimi i konceptit të vetëdijes kombëtare në një Europë të përçarë. Një projekt politik dhe ushtarak që në histori njihet si një nga rezistencat më të gjata dhe më të zëmëdha të mesjetës së vonë ndaj Perandorisë Osmane.
Kjo ditë, pra, nuk është një kujtim romantik – është një shkencë e lirisë. Flamuri në Krujë simbolizoi aktin e parë të një populli që nuk pranoi të ishte hije.
28 Nëntor 1912 – Ngritja e flamurit në Vlorë
Në Vlorën e lagur nga deti, ku dallgët godasin shkëmbin sikur duan t’i lajnë plagët, Ismail Qemali e ngriti flamurin jo vetëm për të shpallur pavarësinë, por për t’i dhënë një emër të ri qytetërimit shqiptar. Ishte epoka e kombeve, dhe shqiptarët, të ndarë në vilajete, në fe, në dialekte të ndryshme, u bashkuan në një akt që historianët e shohin si revolucionar për Ballkanin.
Një akt themelimi që nuk ishte vetëm simbolik: ishte juridik, politik dhe gjeostrategjik. Shpallja e pavarësisë ishte një thirrje ndaj Fuqive të Mëdha, një deklaratë se ky popull i lashtë nuk mund të shpërbëhej më.
Dhe flamuri, ai i njëjti flamur që u ngrit në Krujë 469 vite më herët, u ngrit sërish si një testament – një trashëgimi e pandashme.
Flamuri i kuq, i përvëluar nga shekujt, u ngrit mbi det si një zemër e thyer që ribashkohet nën qiellin e lirisë, për të bërë njësh epokat shqiptare. Të shkuarën e të tashmen, që shtyn nga e ardhmja.
28 Nëntor 1955 – Ditëlindja e komandantit Adem Jashari
Në këtë ditë, në Prekaz, lindi një djalosh që do të bëhej miti i gjallë i një kombi. Historikisht, epoka e pasluftës në Jugosllavi solli ndryshime strukturore në Kosovë: represion, kolonizim, shpërngulje. Në këtë realitet, Adem Jashari do të mishëronte frymën e një rezistence të lashtë, atë të një populli që prej antikitetit ka mbijetuar midis perandorive.
Studiuesit e lëvizjeve çlirimtare e quajnë Adem Jasharin “nyja antropologjike e identitetit të rezistencës shqiptare”. Ai nuk ishte thjesht një komandant; ai u bë simboli që kapërcen politikën dhe hyn në traditën e epikës, si heronjtë homerikë apo ata të Rilindjes Kombëtare.
Nga një shtëpi e vogël në Prekaz u ngrit një zë që i foli botës me zjarr. Sakrifisa e zemre dardane që u shua, për të mos vdekur kurrë, bashkë me 55 zemra të tjera të familjes, nuk ishte parë askund në histori.
28 Nëntor 1997 – Dalja publike e UÇK-së
Kur pushkët e para të UÇK-së u dëgjuan publikisht më 28 nëntor 1997, Evropa modernë u trondit. Ishte koha kur kombet pas komunizmit kërkonin identitetet e tyre të humbura, por në Kosovë çështja ishte më e thjeshtë dhe njëkohësisht më e tmerrshme: ishte çështje mbijetese.
Historikisht, ky moment shënon rrokullisjen e status quo-së së imponuar nga Serbia dhe hyrjen e çështjes së Kosovës në fokusin ndërkombëtar. Ai akt i vogël i disa luftëtarëve në malet e Drenicës ishte si një shkëndijë që paralajmëroi stuhinë e madhe të viteve 1998–1999.
Kur populli s’ka më asgjë, ai ngre zërin; kur zëri nuk mjafton, ai ngre pushkën.
Mesazhi për shqiptarët
Shqiptarë, bij të së njëjtës tokë që ka pirë gjakun e shekujve e sakrificave,
mos e braktisni vendin tuaj. Ky vend është i vogël, por zemra e tij është më e madhe se malet. Këtu janë rrënjët tuaja, eshtrat e paraardhësve, këngët e nënave, vetëtimat e historisë suaj. Nuk ka vend në botë ku lumturia të vjen më lirë:
mjafton pak punë, pak djersë, pak besim. Zbriteni shpatën e mosbesimit, ngriteni flamurin e mundësisë. Atdheu nuk është një hotel ku futesh e del;
Atdheu është një zemër ku ti jeton e ja ndjen dhe përjeton rrahjet së brendshmi.
Siç thoshte Çajupi:
“Mëmëdhe quhet toka
ku më ka rënë koka,…
ku rroj me gas e me shpres,
ku kam dëshirë të vdes.”
Gëzuar 28 Nëntorin.
Gëzuar ditën e flamurit tuaj historik, nga Nishi në Artë, nga Durrësi në Shkup.
Gëzuar ditën kur shqiptarët kujtojnë kush janë –
që të dinë çfarë duan të bëhen.
Gëzuar nga Us Albanian Media Group dhe nga Organizata Shqipëria Tjetër. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com























