By Apollon Baçe. Tirana: Academy of Sciences of Albania 2022. Pp. 464. €54.
Reviewed By Therese Emanuelsson-Paulson
Libri Illyrian World: Architecture, rituals, gods and religjion, është një përkthim i zgjeruar i botimit në shqip “Arkitektura në Iliri, parë si refleks i strukturës sociale dhe botës shpirtërore (Akademia e Shkencave të Shqipërisë 2017)”. Pas disa përpjekjeve të dështuara për ta përkthyer librin profesionalisht, Baçe vendosi ta përkthente vetë, çka ndonjëherë ndihet dhe në tekst.
Libri në gjuhën angleze për arkeologjinë ilire ishte sa i vonuar aq dhe i dëshiruar, pasi shumica e studimeve arkeologjike shqiptare janë shqip, greqisht, frëngjisht ose italisht. Botimi kombinon librin për lexuesin jo profesionist me librin shkencor: Për të parin teksti shtjellohet i thjeshtuar, por në shënimet fundore jepen të plota tërë të dhënat profesionale: referencat shkencore, shpjegimet e plota të argumenteve dhe fragmentet përkatëse të autorëve antikë. Rezultati është një libër i mirë-ekuilibruar, i cili të jep kënaqësi kur e lexon.
Libri është i kuptueshëm dhe i ilustruar me fotografi të shumta, skica, plane dhe rikonstruksione hipotetike. Personalisht, do dëshiroja që çdo kapitull të shoqërohej me hartën e vendeve të gërmuara, pasi edhe nëse mjaft prej tyre njihen nga studiuesit, disa mbeten të panjohura.
Libri ofron panoramën e arkeologjisë ilire. Si i tillë ai lot një funksion të rëndësishëm, pasi arkeologjia ilire është mbetet e errësuar nga hija e arkeologjive më të famshme greke dhe romake, pa i kushtuar asaj vëmendjen që meriton. Baçe e trajton me prudencë zhvillimin e kulturës ndërtimore dhe monumenteve ilire, kryesisht në Shqipëri dhe më pak në Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Greqi dhe Itali të Jugut. Autori diskuton për Ilirinë pa e përmendur kufirin e sotëm shqiptaro-grek, çka sjell një fllad freskues për hulumtimet e nxehta arkeologjike.
Edhe nëse pjesa kryesore lidhet me Shqipërinë, botimi e lidh atë me monumentet ilire në vendet e tjera, veçanërisht me dëshmitë arkitektonike ilire në territorin grek. Baçe analizon edhe rajonin e lashtë ilir të Epirit, arealin kufitar Greqi-Shqipëri. Shpesh publiku e gjykon atë si areal grek, madje edhe gjatë periudhës arkaike- klasike para adoptimit edhe të greqishtes nga epirotët, ndërkohë që tërë autorët antikë grekë i veçojnë qartë fiset ilire në Epir nga grekët. Krahas, në periudhën e Bronzit dhe Hekurit të Hershëm, artefaktet arkeologjike të Epirit janë krejt të ngjashëm me ato të rajoneve të tjera të Ilirisë dhe të ndryshëm nga ato të botës greke.
Botimi përqendrohet kryesisht në arkitekturën ilire, e pritshme kjo pasi autori është një nga studiuesit më në zë të arkitekturës në Shqipëri: Njohuritë e Baçes për sitet arkeologjike, i mundësojnë atij që t’ju krijojë lexuesve si tablonë e gjerë të kulturës ashtu edhe imtësitë e ndërlikuara të rikonstruksionit ideal të monumenteve çka më parë nuk është njihej në anglisht.
Libri përbëhet nga tetë kapituj; Në vend të Parathënies, Banesa, Arkitektura sepulkrale, Besimi, Urbanistika, Teatri, Shëtitoret, Sporti dhe Stadiumet dhe Inxhinieria. Kronologjia e ndjekur nis me periudhën protourbane, vijon me urbanen dhe mbaron me fillimin e periudhës romake (219 p.e.s.).
Baçe e nis shkrimin me kapitullin e banesës, ku shpalos evolucionin nga Paleoliti në periudhën e Hekurit, duke u ndalur tek lëvizjet etnike, modelet e vendbanimeve dhe afritë me qendrat tjera të Ballkanit Perëndimor, Italisë dhe Francës. Vëmendje i kushtohet palafiteve, vendbanimeve buzë-liqenore, të cilët në Ballkan funksionuan deri në Hekurin e Hershëm.
Baçe shqyrton shumëllojshmërinë dhe evolucionin e tipave të banesave që nga periudha protourbane, pa u ndalur si zakonisht vetëm tek modeli i mbinjohur i shtëpisë maqedonase me peristil. Libri nuk ndalet në çdo sit, por shpalos seleksionin
e gjerë të tipave të banesave dhe i krahason me tipat e vendeve fqinjë.
Në kapitullin e arkitekturës sepulkrale, i cili trajton tipologjinë e varreve nga prehistoria deri në pushtimin romak, diferencohen modelet e përbashkëta nga variantet vendore. Autori synon ravijëzimin e tablosë të larmishme të varreve të gërmuar, me fokusim tek shembujt më të spikatur.
Tumat e periudhës së Bronzit që u zhvilluan në Evropën Qendrore, startojnë arkitekturën monumentale sepulkrale Ilire. Baçe jep pasqyrën e zhvillimit deri në Hekurin e Vonë kur nisi zhdukja e tyre graduale. Në periudhën urbane, kultura sepulkrale ilire ndryshon duke krijuar një sërë tipash të organizuar në varreza qytetare. Zhdukjen e varreve monumentale ilire pas pushtimit romak, Baçe, e lidh me fundin e dinastive mbretërore.
Në kapitullin e besimit, Baçe e lidh Ilirinë me një areal mjaft të gjerë. Për të besimi ilir ishte vazhdimi i besimit proto-indo-evropian (PIE) të periudhës së Bronzit, gjurmët e të cilit hasen në tërë Ballkanin perëndimor, nga Kroacia në Greqi.
Besimi ilir bazat e tija i kishte në natyrë dhe hyjnitë adhuroheshin burimeve, shpellave dhe korijeve, por rreth shek. 5. p.e.s., ai u afrua me panteonin grek, veçanërisht në zonat jugore.
Ilirët i praktikonin ritualet në natyrë dhe faltorja e tyre më e famshme ishte korija e shenjtë e orakullit të Dodonës në Epir, e asociuar më tej me Zeusin. Bazuar në faktin se ilirët e njihnin arkitekturën monumentale, duke ndërtuar që herët mure mbrojtëse, shëtitore dhe teatro, Baçe arrin bindshëm në përfundimin se mungesa e tempujve të stilit grek nuk lidhet me prapambetjen arkitektonike, por me zhvillimin e riteve në natyrë, pa tempuj.
Kapitujt pasues përqendrohen në urbanizimin ilire dhe krijimin e monumenteve dhe konstruksioneve specifike. Për shkak të gërmimeve të mangëta, ky urbanizim është pak i studiuar, ndonëse njihet një numër i konsiderueshëm qytetesh të ngulitur në pozicione strategjike, lehtësisht të mbrojtshme. Për ilustrimin e këtij zhvillimi, Baçe mbështetet në analizën e qyteteve të mëdhenj të njohur, por edhe në analizën e siteve pak të njohura.
Ashtu si dhe formulimi urban grek, struktura urbane ilire përqendrohej rreth agorasë, kornizë e së cilës ishin shëtitoret, stadiumeve dhe teatrove, prej të cilëve tre nga shtatë më të mëdhenjtë e botës antike pararomake, ndodhen në Iliri. Ndërkohë Baçe arrin në përfundimin se shumica e tyre kanë madhësi mesatare dhe i kanë shërbyer tërë koinesë dhe jo vetëm qytetit.
Shëtitoret janë të pranishme në çdo qytet, por kapitulli për to është i shkurtër pasi tipi është qartësisht i huazuar nga arkitektura greke dhe specifikat janë të rangut rajonal.
Baçe përfshihet në diskutimin për elementët e veçantë arkitektonikë, fushë ku herë pa here shkrepin shkëndijat e rivaliteti të arkeologjisë greke me arkeologjinë shqiptare. Autori përqendrohet në hulumtimin e origjinës së tyre, në se ato janë ndikime maqedonase, italike para-romake ose greke apo janë krijime të pavarura.
Edhe më i më i shkurtër se kapitulli i shëtitoreve është kapitulli mbi sportet dhe stadiumet, kjo jo për shkak të parapëlqimit të autorit, por gërmimeve të kufizuara. Kapitulli pararendet nga një përmbledhje e shkurtër e sportit të zhvilluar në to, më tepër në lojërat panhelenike sesa lojërat lokale ilire. Funksionet e stadiumeve ilustrohen me stadiumin e Bylisit, Amanties dhe stadiumin panhelen të Dodonës, duke sjellë dhe diferencën mes tyre.
Kapitulli i fundit për inxhinierinë trajton konstruksionet ndërtimore: urat, portet dhe guroret, duke sjellë shembuj të pakët për secilën kategori. Baçe nxjerr në pah vendndodhjet, strukturën e transportit tokësor, furnizimin me ujë dhe drenimet e sofistikuar që i mbijetojnë thatësirave dhe rrebesheve.
Parë në tërësi, libri është shterues dhe i këndshëm në lexim. Tematika e ilustruar hollësisht dhe begatshëm me skica dhe foto ndiqet lehtë. Ai e ka tërë potencialin për tu kthyer në tekst standard për arkeologjinë ilire. Si bonus fundor, e vlerësoj librin të përsosur për “tryezën e kafesë” (it looks great on the coffee table). [1]
_______
Therese Emanuelsson-Paulson, Department of Archaeology and Classical Studies, Stockholm University, Stockholm, Sweden therese.emanuelsson.paulson@antiken.su.se
[1] Wikipedia: “libër i tavolinës së kafesë, quhet libri voluminoz dhe me kopertinë të fortë, i cili vendoset panë ku ulen mysafirët dhe që shërben për hapjen dhe frymëzimin e bisedës.





















