Nga Feti ZENELI
Në hyrje të Tepelenës dhe në rrugën kryesore të saj, historia flet me gjuhën e erërave dhe të bronzit. Ajo mund të quhet shumë mirë “Rruga e Shtatoreve”. Nis me shtatoren e Ali Pashë Tepelenës, “Luanit të Janinës”, i cili me zgjuarsi e guxim ngriti një pashallëk që tronditi themelet e Perandorisë Osmane, për të përfunduar me atë të heroit simbol të Luftës së Vlorës, Selam Musa Salarisë. Ndërsa në mes të saj, në cep të sheshit “Lord Bajron”, lartësohet shtatorja e Tafil Buzit, Kapedanit të Shqipërisë. Midis dy shtatorëve të heronjve të qëndresës antiosmane, janë disa të tjera për trimat e mëvonshëm të pushkës e të penës, përfshi dhe atë të poetit të shquar Petrit Ruka, e cila u inagurua një javë më parë, në 27 shtator. Vendosja në një rresht, pranë e pranë, e këtyre figurave të shquara të Tepelenës shërben si një urë mes së shkuarës dhe së tashmes, duke i bërë të prekshme këngët dhe historinë për çdo kalimtar që i sheh.
Kjo ceremonia e fundit inaguruese, e organizuar nga shoqata atdhetare-kulturore “Tafil Buzi”, mblodhi bashkë jo vetëm vendlindasit e heroit, por edhe qindra të tjerë të ardhur nga krahinat përreth, duke e shndërruar Tepelenën në një vatër kujtese dhe nderimi. Atmosfera u gjallërua nga tingujt e këngës së Ylli Bakajt, zëri rrënqethës edhe për gurët e rrugës i aktorit të mirënjohur Xhevat Limani, i cili kishte ardhur posaçërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një lajmëtar i gjallë i kujtesës kombëtare për të recituar një fragment nga “Baladë për Tafil Buzin”, si dhe jehona e këngës së grupeve të ndryshme polifonike.
Gjithë ceremonisë i parapriu një sesion shkencor për figurën e Tafil Buzit, ku referuan Akademik Pëllumb Xhufi, Akademik Hamit Kaba dhe Prof. Dr. Bektash Mema, duke e ndriçuar edhe më shumë kontributin e tij në kryengritjet antiosmane të gjysmës së parë të shekullit XIX. Çasti kulmor i ditës mbërriti me prerjen e shiritit nga kryetari i shoqatës “Tafil Buzi”, Bashkim Brahimi dhe kryetarja në detyrë e Bashkisë Tepelenë, Julinda Karteri, moment i cili u shoqërua nga duartrokitje të fuqishme…
Dy shtatore – një kujtesë antiosmane

Historiaështë një lumë i pambarimtë, që vërshon përmes shekujve duke bartur gjatë rrjedhës figura burrash të mëdhenj. Herë ai ecën i qetë, si një melodi që ledhaton brigjet e kohës, herë dallgëzon si në një stuhi të fuqishme, duke sjellë në sipërfaqe emra që ndriçojnë në kujtesën e kombit. Në këtë rrjedhë të pandalshme, Tepelena po ngre sot shtatoren e dytë të kujtesës antiosmane, atë të Tafil Buzit, shumë pranë me shtatoren e Ali Pashë Tepelenës. Janë dy prej bijëve të saj më të nderuar në historinë e luftrave për liri e pavarësi kombëtare; dy figura që në vitet e largëta të shekullit XIX, megjithëse të ndryshëm në moshë, mision e karakter, u lidhën me një fije të përbashkët: rezistencën e fortë ndaj sundimit turk.
Ishte viti 1820, kur Tafil Buzi, ende i ri në moshë, por me shpirtin e një prijësi të lindur, mori gradën e oficerit dhe hyri në shërbim të Ali Pashës. Ai nuk ishte thjesht një ushtarak, por një pishtar që ndriçonte një udhë të re për gjithë Shqipërinë.
Kur Aliu u mbyll brenda mureve të kalasë, i rrethuar për tetëmbëdhjetë muaj nga fuqia e perandorisë, e cila u përpoq ta thërrmonte fizikisht e politikish “Luanin e Janinës”, Tafili nuk u tërhoq. Ai u vu në mbështetjen e pashait, duke shkuar përtej moshës e përvojës së tij, si një shkëmb që s’e lë rrjedhën të marrë gjithçka përpara. Në grykat e Pindit, me 15 mijë burra, ai priti me gjoks të hapur ushtritë osmane. Dhe kur Omer Vrioni iu përkul tundimit të pushtetit perandorak dhe e tradhtoi, Tafili qëndroi i palëkundur, përballë furisë së sulltanit, duke marrë mbi vete peshën e komandës. Ky ishte çasti kur u ngjiz figura e një kapedani që nuk njihte tërheqje e dorëzim. Kjo ishte prova e parë e madhe e karakterit që shtroi rrugën e herozimit të tij.
Sot, në vitin 2025, ironia e bukur e historisë na sjell përpara një pamjeje domethënëse: vetëm pak metra larg njëri-tjetrit, në rrugën kryesore të Tepelenës, ngrihen shtatoret e dy figurave që ja vështirësuan jetën Perandorisë Osmane. Kjo afërsi nuk është rastësi, por simbolikë. Ato dy shtatore flasin me heshtjen dhe bronzin e tyre: tregojnë për lidhjen e brezave dhe aleancat e dikurshme, sikundër dhe për sfidat apo betejat e një kombi që e ka pasur lirinë gjithmonë ideal të shenjtë.
Dy shtatoret qëndrojnë si dy roje të qytetit: Aliu, me ambicien shtetformuese dhe fuqinë e strategut, Tafili me besnikërinë, guximin dhe shpirtin popullor. Pranë e pranë, ata i japin Tepelenës jo vetëm pamje monumentale, por edhe një frymë të re: kujtesën që forcon identitetin kombëtar. Ato dy shtatore nuk janë thjesht metal e gur; ato janë frymë që gjallëron kujtesën. Prandaj, kur njerëzit ndalojnë hapin para këtyre dy shtatoreve, nuk shohin vetëm bronz. Shohin një kapitull të gjallë të historisë së tyre. Përballen me dy burra të rrallë, që ndonëse të ndarë në rolet historike, bashkohen në një qëllim: lirinë dhe dinjitetin e shqiptarit. Dhe kjo, më shumë se art – është mësim, frymëzim dhe urë e ndërgjegjies kombëtare mes shekujve.
Kujtimi i Tafil Buzit lidhet pazgjidhshmërisht me Kuvendin e Beratit të nëntorit 1828, atë “Lidhje Shqiptare” të hershme, ku ai u zgjodh komandant ushtarak, që administroi me mjeshtëri Kalanë e Beratit dhe u caktua të mbante marrëdhënie diplomatike me botën e jashtme. Si dihet, Kuvendi i krerëve shqiptarë e ktheu Beratin në një qendër rezistence kundër reformave osmane që binin në kundërshtim me interesat e shqiptarëve. Në këtë qëndresë të pathyeshme shpaloset figura e një kapedani që nuk e pa kurrë veten të ndarë nga populli i tij, por gjithnjë si prijës i një ëndrre të përbashkët. Gjithë rezistenca shqiptare në atë kohë kishte si qëllim futjen e elementëve të vetëqeverisjes.
Po kështu, ky kujtim lidhet edhe me betejat e tij dinjitoze në marrjen e kalasë së Beratit nga duartë e ushtarëve turq në vitet 1833, 1834 e 1835. Tri vjet rresht, tri beteja të furishme antiosmane. Prandaj emri i Tafil Buzit përfaqëson një nga figurat më domethënëse të historisë sonë, duke mishëruar në të njëjtën kohë strategjinë ushtarake dhe vizionin politik, forcën e armës me mençurinë e diplomacinë.
Dolli Tafili nga deti, doli e prin’ vilajeti

“Dolli Tafili nga deti, duall’ e prin’ vilajeti…” – ky varg i këngës popullore, që rrjedh prej shpirtit të tepelenasve, tingëllon si një thirrje e përjetshme. Ai nuk është vetëm rrëfim për një çast historik, por edhe një metaforë e ngarkuar me frymëzim e shumë domethënie. Në të shkuarën, deti ishte vendi prej nga buronte fuqia dhe shfaqej befasia e kryengritësit. Në të tashmen, deti është kujtesa jonë historike, ajo hapësirë e gjerë ku figura të tilla si Tafil Buzi marrin vlerësimin e merituar. Kësisoj, më 4 tetor 2025, në Tepelenë, historia mori një trajtë të re: shtatorja e Tafil Buzit u vendos si gur i gjallë kujtese, si simbol i përjetësuar i një burri që nuk pranoi të heshtte përballë padrejtësisë. Është shoqata “Tafil Buzi” që e bëri të mundur këtë rikthim, duke e nxjerrë figurën e luftëtarit të njohur nga thellësitë e harresës.
Po cili është vilajeti që e pret? Në të kaluarën, vilajeti ishin krahinat që i bashkoheshin Tafilit, populli që e ndiqte në kryengritje, burrat dhe gratë që i jepnin zemër. Sot, vilajeti është i gjithë komuniteti i Tepelenës, por edhe më gjerë: shqiptarët kudo që janë, e që shohin në shtatoren e Tafilit një rikthim të dinjitetit dhe një kujtesë të përbashkët. Është vilajeti i zemrave të ndezura, i duartrokitjeve, i syve që shohin përmes bronzit dhe gjejnë aty shpirtin e gjallë të një luftëtari të lirisë.
Deti i kujtesës nxjerr në sipërfaqe atë që harresa kërkon ta fshehë. Por kur kujtesa materializohet dhe merr formë konkrete, heroi nuk del vetëm – ai prin. Ashtu siç thotë vargu, “duall’ e prin’ vilajeti”: Tafil Buzi, edhe si shtatore, nuk është vetëm i nderuar, por bëhet udhërrëfyes, simbol që prin brezat drejt dashurisë për atdheun.
Në këtë kuptim, ceremonia e 4 tetorit nuk është thjesht një ngjarje lokale, por një akt kombëtar. Është momenti kur deti i harresës çahet dhe nga thellësitë e tij del sërish një figurë historike që prin. Vilajeti nuk është më thjesht një territor, por bashkësia e zemrave që e presin me ovacione, si dikur fshatarët e armatosur që i dilnin përpara, por tashmë me brohoritjen e respektit dhe të mirënjohjes.
Nga deti i kujtesës, ai del sërish për të udhëhequr – jo me jatagan, por me shembullin e guximit dhe të qëndresës. Dhe vilajeti që e ndjek është sot i gjithi popull, i cili në sheshin e Tepelenës ngre zërin e mirënjohjes dhe gjen një udhërrëfyes për të ardhmen.
Amaneti i pashlyer i Tafil Buzit

Historia e Tafil Buzit është si një këngë epike, por me vargje të cunguara nga koha. Shumë kapituj të jetës së tij janë shkruar me gjak, nder e lavdi, ndërsa disa faqe mbeten ende të fshehura në arkivat e huaja, si gjethe të vyshkura nën pluhurin e harresës. Midis viteve 1847 dhe 1866, kur ai u syrgjynos nga Perandoria Osmane në Lindje, në Irak, dhe kur iu dha titulli “Rutben Pasha”, fshihet një pjesë e mistershme e jetës së tij – një errësirë që vetëm drita e hulumtimit historik mund ta zbulojë.
Ndërkohë, të jetosh me brengën e moskthimit të eshtrave të Kapedanit të Shqipërisë në atdhe është një dhembje që nuk shuhet. Edhe më e rëndë bëhet plaga kur nuk dihet se ku prehet ai. Disa thonë se mbylli sytë nga shkaqe natyrale; të tjerë besojnë se u rrëzua për vdekje nga dora e një komploti tinëzar, kurth i atyre që nuk pranonin madhështinë e tij. Por e vërteta e sigurt është se vdekja e Tafil Buzit mbetet e mbuluar me mister, dhe ky mister është plagë e hapur në ndërgjegjen kombëtare.
Po ku prehen eshtrat e tij? Askush s’e di. Ndoshta nën diellin përvëlues të Bagdadit, në një varr pa emër rreth Stambollit, ose ndoshta të zhdukur nga dora e armiqve. Por kjo mungesë nuk është boshllëk i thjeshtë; është një amanet. Është një borxh historik që kombi shqiptar e ka për të shlyer e për ta kthyer në tokën amë, aty ku i takon – në dheun shqiptar, pranë Vjosës dhe erës që valëvit kujtimin e trimërisë së tij.
Ai që dikur mbante titullin “Rutben Pasha” në oborret e Lindjes, sot është më shumë se gradë e pushtet: është ndërgjegjja e një populli që nuk pranon të lërë bijtë e vet pa varr, pa kujtim, pa nderim. Shtatorja e Tafil Buzit është, në të vërtetë, një varr simbolik: aty ku nuk kemi dot eshtrat, kemi shpirtin; aty ku mungon pllaka mortore, flet bronzi që hesht, por me një heshtje më të fuqishme se çdo fjalë. Dhe kjo heshtje thërret: të plotësohet historia, të përmbushet amaneti, që heroi të pushojë aty ku e ka vendin – në gjirin e atdheut të vet. Po kështu, të plotësohet historia dhe me bëmat e dy djemve të tij, që ecën në gjurmët e të atit.
Kënga popullore shpesh është më e drejtë se vetë historia e shkruar. Ajo nuk ruan vetëm ngjarjet, por edhe plagët, dhembjet, amanetet e mbetura pezull ndër shekuj. Vargjet: “Arabistan, mbeç për lumë,/ Ç’e gjeti Tafil Buz hajdunë;/ I dhanë Bagdan e Mesunë” janë më shumë se një kujtim poetik; janë dëshmi e një dhimbjeje të dyfishtë: dhimbja e një babai të syrgjynosur larg vendit dhe e bijve që mbetën “jetimë” nga kulisat osmane, por kurrë nga fryma e lirisë. Edhe pse trupi i Tafil Buzit u tret në mërgim, zemra e tij nuk pushoi kurrë së rrahuri për Shqipërinë. Dhe këtë rrahje zemre e trashëguan dy djemtë e tij, të cilët morën në dorë amanetin e të atit dhe u përfshinë në kryengritjet antiosmane të vitit 1847. Ata nuk arritën shkëlqimin e lavdisë që kënga i dha të atit, sepse historia shpesh ndriçon vetëm figurën qendrore, duke harruar hijet që e mbajnë atë lart. Por trimëria dhe flijimi i tyre ishin pjesë e të njëjtit burim që ushqeu kryengritjet e shekullit XIX.
Institucionet dhe librat e historisë u kanë mbetur borxh bijve të Tafilit. Ata ende nuk janë thirrur me zë të plotë në altarin e kujtesës kombëtare. Dhe tani, me ngritjen e shtatores, ky borxh nis të shlyhet disi. Sepse aty ku ngrihet figura e një atdhetari, natyrshëm ngrihen edhe kujtimet për bijtë e tij, për shokët e tij, për të gjithë ata që derdhën gjakun e heshtur të historisë. Në bronzin e ngritur qëndron jo vetëm historia e një njeriu, por fryma e një familjeje të tërë që ia kushtoi gjithçka lirisë. Dhe ky është mesazhi që përçohet brezave: se liria nuk fitohet nga një dorë e vetme, por nga një brez i tërë, ku edhe ata që mbetën në hije, janë dritë e pashuar e kombit.
Tafil Buzi dhe shoqata që i fali pavdekësi

Historia e një kombi nuk është thjesht rrjedhë ngjarjesh të thata, as një varg datash të shënuara me të kuqe në kalendarë. Ajo është mbi të gjitha kujtesë, gjak i derdhur për liri, gjurmë të pashlyera në kujtesën e brezave. Dhe kur kujtesa rrezikon të fashitet, duhet të ketë gjithnjë njerëz që e zgjojnë, që i japin zë dhe formë të re, sikur të ringjallin hijen e heronjve mbi sheshet e kohës sonë. Këtë mision e mori përsipër një grup bijsh e bijash të Buzit, në atë ditë të largët të 22 prillit 2002, kur me guxim e dashuri për vendlindjen, konsoliduan idenë e krijimit të një shoqate që do të mbante emrin e kapedanit të madh – Tafil Buzi.
Shoqata “Tafil Buzi”, që vetëm dy muaj më pas do të merrte formën ligjore, nuk qe thjesht një organizatë e rradhës. Ajo lindi si një betim i heshtur para figurës së një heroi që kishte sfiduar pushtues, që kishte udhëhequr beteja, por që historia shpesh e kishte lënë nën hijen e pluhurit. Qëllimi i saj nuk ishte vetëm të ruante zakonet, këngët e traditat e Buzit, por të ngulte në ndërgjegjen kombëtare bindjen se figura e Tafil Buzit meriton të qëndrojë krah më krah me emrat më të shquar të lirisë shqiptare. Shoqata nuk e pa veten si një mjedis i mbyllur lokal. Përkundrazi, që nga hapat e parë ajo i lidhte qëllimet e saj me një horizont të gjerë: njohjen, studimin dhe mbajtjen gjallë të zakoneve, të folklorit, të ndjenjës së atdhedashurisë, por sidomos dhënien e vendit të merituar të figurës së Tafil Buzit në historinë kombëtare. Ishte një mision i rëndë, sepse të ringjallësh kujtesën e një heroi nuk mjaftohet vetëm me fjalë; duheshin libra, duhej kulturë, duhej guxim dhe sakrificë.
Dhe koha u bë dëshmitare e veprimit. Nuk kishte kaluar veçse një vit nga lindja e shoqatës, kur pena e Limo Pazës dhuroi monografinë “Tafil Buzi – kryekënga e trimave”, një vepër që nuk ishte thjesht libër, por një fletëz e re e shkruar me shkronjat e gjakut të një kapedani emërmadh.
Pesë vite më pas, në tetorin e vitit 2008, Buzi Qendër u zgjua në një mëngjes tjetër. Aty ku kishin hedhur hapat e parë fëmijërorë buziotët, u vendos busti i Tafil Buzit. Në sytë e pleqve të fshatit, ai bust nuk ishte vetëm bronz – ishte ringjallja e një figure që shihte sërish vendlindjen, njësoj siç e kishte parë dikur, kur kthehej nga betejat.
Vitet kalonin dhe përkushtimi i shoqatës nuk shuhej. Më 13 tetor të vitit 2013, përpjekjet e tyre të palodhura do kurorëzoheshin me një tjetër fitore simbolike: titulli “Nder i Kombit” iu dha Tafil Buzit nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani
Por kulmi i gjithë këtij përkushtimi u bë i prekshëm më 4 tetor 2025, kur në qytetin e Tepelenës, aty ku mali takon lumin dhe historia bashkohet me krenarinë, u përurua shtatorja e Tafil Buzit. Ishte një ëndërr e kahershme e shoqatës, një dëshirë që kishte pritur vite të tëra, derisa kryebashkiaku Tërmet Peçi hapi rrugën. Megjithatë, pjesa më e madhe e punës, barra më e rëndë, ra mbi shpatullat e shoqatës “Tafil Buzi”. Drejtuesit e saj u shndërruan në zëdhënës, lobues, mbledhës fondesh, organizatorë, e mbi të gjitha – në besimtarë të idesë se kjo figurë e madhe e historisë duhej nderuar siç i takon. Dhe më në fund, ëndrra u bë realitet: në zemër të Tepelenës, u përurua shtatorja e Tafil Buzit. Një shtatore që nuk është vetëm bronz mbi piedestal, por një frymëmarrje e gjallë e historisë, një betim i ngritur mbi sokël se kujtesa e kombit nuk vdes. Sot, kur kalon pranë asaj shtatoreje dhe sheh siluetën e kapedanit që sodit horizontin, ndien se ke përballë jo vetëm një figurë të së shkuarës, por një shembull të gjallë. Ai nuk është thjesht një hero i luftërave të dikurshme; ai është frymëzim për brezat që rriten me ëndrrën e një Shqipërie të lirë, të pavarur dhe të ndershme.
Kështu, Shoqata “Tafil Buzi” nuk u bë vetëm një organizatë kulturore, por një urë mes së shkuarës dhe së ardhmes. Ajo na mësoi se kujtimi i një heroi nuk mbahet gjallë vetëm me këngë e rrëfenja, por me punë konkrete, me libra, me monumente, me zë të përbashkët. Shoqata “Tafil Buzi” me veprën e saj tregoi se historia nuk është thjesht e kaluar – ajo është përgjegjësi. Më së shumti kjo përgjegjësi është mbajtur nga shpatullat e kryetarëve të saj, duke filluar nga Sadik Bejko, Eqerem Osmani, Medin Duro dhe kryetari aktual, Bashkim Brahimi. Por dhe e organeve drejtuese, anëtarësisë së thjeshtë, miqve e dashamirësve të shoqatës e kështu me radhë.
Sot, kur ecën në rrugën kryesore të Tepelenës dhe sheh shtatoren e Kapedanit të Shqipërisë në cep të sheshit “Lord Bajron”, që sodit krenar horizontin, ndien se historia nuk është harruar. Tafil Buzi, trimi i çartur i betejave, burri i fjalës së mbajtur dhe simboli i lirisë, ka zënë vendin e merituar në ndërgjegjen tonë kombëtare. Dhe kjo falë bijve të Buzit, që e deshën aq shumë sa t’i falin pavdekësinë në bronz e në fjalë, në këngë e në kujtesë. Dhe një komb që nderon heronjtë e vet, nuk vdes kurrë.
