Në Lezhë u prezantua për herë të parë kartografia e Parkut Arkeologjik. ”Pra, për herë të parë jepet kartografia e parkut arkeologjik të Lezhës që me pare nuk ekzistonte e cila pastaj me pas vihet në shërbim qoftë të bashkisë, qoftë të kërkimit shkencor, qoftë të institucioneve të turizmit. Synimi është krijimi i një sajti ëebgis ku hidhet i gjithë informacioni i kartografimit”,-thotë Nerita Ceka.
Studimi solli edhe një rishikim të të dhënave historike. Deri tani mendohej se Akrolisi, fortifikimi në malin e Shëlbumit, ishte shumë i lashtë dhe i përkiste periudhës së Bronzit, ndërsa studimi i ri tregon se është i periudhës protourbane, kur filloi dhe formimi i qytetit antik të Lisusit.
”Së dyti është të studiojmë më në hollësi asete arkeologjike që janë Akrolisi, dhe gjithë qyteti antik i Lezhës. Këtu mund të themi që kemi të reja në datimin, në përcaktimin. Pra për shembull për Akrolisin që është konsideruar një fortifikim i kohës së bronzit nuk është i tillë është i periudhës protourbane shekullit të V dhe përbën fillimet e qytetit të ardhshëm të Lezhës i cili zhvillohet ku është sot kalaja pak kohë më vonë se ai rreth fillimit të shekullit të V dhe gjatë shekullit të IV pastaj në fund të shekullit të IV duhet të jetë krijimi i qytetit antik Lezhë. Pra është një kronologji e re në krahasim me arritjet e mëparshme”.
Një tjetër arritje është realizimi i planimetrisë së plotë të Akrolisit dhe qytetit antik të Lezhës. Nëse më herët ekzistonte vetëm një skicim në letër i vitit 1972, sot këto të dhëna janë të përpunuara me teknologji moderne. Harta e re digjitale është në dispozicion të arkeologëve të cilët mund të kryejnë ekspedita të reja, gërmime e studime në nëntokën e pasur të Lezhës.