“The Shkypetars” George Fred Williams
Vendasit e Shqipërisë
Nuk janë turq sikurse shumë e mendojnë; përpara
kanë qenë të gjithë të krishterë, por gjatë shekujsh
pjesa më e madhe është kthyer në besimin mohamedan.
Shumë prej malsorëve janë katolikë,
ndërsa në Shqipërinë e Jugut pothuajse kisha
greke është krejtësisht e pranueshme përveç
mohamedanëve. Gjuha shqipe është aq e
dallueshme nga gjuhët tjera të Europës sikurse
është gjuha Kelte dhe Baske. Ata s’kanë literaturë
veçse pak libra të priftërinjve katolikë; as alfabet të
qëndrueshëm nuk kanë akoma. Në shkollat e pakta
turqit nuk kanë lejuar që të mësohet gjuha e tyre
dhe nuk janë shumë ata që dijnë me shkruajtur e
me lexuar. Historia e Shqipërisë është një shënim i
gjatë shkeljesh, plaçkitjesh dhe gjakderdhjesh.
Këngët e tyre tregojnë, theksojnë, vetëm lufta e
trimërira. Të gjitha shkeljet e Europës mizore e
kanë përshirë këtë vend me zjarrm e shpatë.
Mbasi vdiq heroi Gjergj Kastrioti që mbajti larg nga
Shqipëria për 24 vjet ushtritë e sulltanit duke i
zhdukur nga faqja e dheut njërën mbas tjetrës,
otomanët mundën ta pushtojnë Shqipërinë dhe e
mbajtën nën zgjedhë për më se 450 vjet. Përveç
popullit të fushave, të cilët i ka vrarë më shumë
zgjedha e robërisë, përgjithësisht Shqiptarët janë
trima e luftetarë të fortë. Malësori nuk del kurrë
prej shtëpisë së tij i pa armatosur, e deri bariu
mban tufën e vet i armatosur deri në dhëmbë. Lufta
ka qenë i vetmi besim i tyre; biles ata thonë: aty ku
është shpata aty është besimi. Djali rritet pa farë
edukate ose disipline përveç se përdorimit të
armëve. Në ushtrinë turke ai mësoi se si me vjedhë
e me grabitë; në shtëpinë dhe vendin e vet zyrtarët
dhe tagrambledhësit e pengonin në kursimet,
punimet dhe industritë. I rritur në një atmosferë
dhune dhe vjedhje, edhe urija shpesh here e ka
shtërnguar të fitojë rrojtjen e tij si të mundet, qofte
edhe prej armikut që i ka shkelë në votër. Nuk
duhet shikuar për çudi pse vjedhja që i bënin
turqve quhesh patriotizëm i lartë. Pa dyshim këta
malësorë janë të egër dhe të pamëshirshëm në
mësymje ose në mbrojtje. Që këta kanë edhe
zakone të këqija s’ka nevojë për vërtetim, porse janë
rritur në një atmosferë pesimiste.
Një popull fisnik
Ky popull është shembulli më i madh i të mbajturit
të moralit dhe meritave të trashëguara, për
fisnikërinë dhe për kapacitetin e tij që, megjithëse
për shekuj me rradhë ka qenë nën ndikimin tiranik
dhe zhvleftësues, e mban prap kryet lart, nuk i ka
humbur shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam
Shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrmit. Dhe për
këtë ky meriton të gradohet me një listë të gjatë
virtytesh të pastërta e shembullore. San Xhiljano
thotë se Shqiptarët janë egoista të radhës së parë.
Sigurisht ata nuk janë një racë që shtrohen dhe
kërrusen nga frika. Trimërija e tyre s’ka kufi; ata e
përballojnë vdekjen dhe fatkeqsinë e tyre pa u
trembur. Fjala e besës për ta është shumë më e
shenjtë se sa bëmat e mëdha të popujve të
qytetëruar dhe mikpritja e tyre vijon deri sa mos t’u
mbetet më kurrgjë. Virtytet e grave të tyre janë të
trashëguara dhe vdekja është dënimi i zakonshëm
dhe i shpejtë në rast tradhëtie ose imoraliteti.
Ndjeshmëria e tyre në çnderime dhe fëmijë është
shumë më i madh se sa në rrena e shpifje dhe këto
raste mbarojnë gjithmonë në gjakmarrje. Në asnjë
vend tjetër të botës nuk është ma e sigurte gruaja
nga fyerjet se sa në Shqipëri; ai qe vret një grua bie
nga vlefta dhe e humb emrin e famën. Bajroni e
nderon në këtë mënyrë besnikërinë e Shqiptarëve
nga përvoja vetjake që pati prane tyre:
T’ashpër janë djemtë e Shqipërisë,
e me gjithë këtë nuk u mungojnë virtytet,
të ishin ato virtyte më të pjekur;
Ku është armiku që ua ka pa shpinën e shtegun ta
lirojnë?
Fortesat e shtëpitë e tyre nuk janë më të sigurta
kurrë,
sa ata vetë në kohëra turbullimi e në rast nevoje;
Sa e rëndë është mërija e tyre,
por kur ta falin, miqësia është fare e sigurtë;
Kur mirënjohja ose fisnikëria me derdh gjakun i
thërret,
të patrembur shkojnë përpara kudo që t’i çojë
udhëheqësi i vet.
Kaq tepër e admironte Bajroni këtë popull saqë
Shelli e thërriste atë me emrin përkëdhelës ALBI.
Malësori dallohet nga qytetari. Veshja përgjithësisht
është si veshja kombëtare e Greqisë. Fustanella, një
fustan i bardhë që mbërrin deri ke gjuri, çorape të
bardha mbulojne puplat e këmbëve, këpuce me
maja të kthyeme e me tufa mbi ta, rrypi i mesit i
mbushur me armë, xhamadani me mëngë të
lëshuara mbrapa dhe qeleshe. (Xhorxh Fred
Uilliams ka vizituar vetëm bregun e jugor të
Shqipërisë, prandaj përshkruan kostumin popullor
jugor Shqiptar – shën. përkth.). Ky popull rron në
formën prindërore, domethënë plaku i shtëpisë
nderohet dhe shquhet përmbi të tjerët dhe të gjithë
e dëgjojnë. Vajzat nderojnë dhe ndigjojnë nanën. Iu
mbarohet më parë çdo dëshirë prindëve e pastaj të
tjerëve. Tek ky popull nderimi për moshën është një
tipar i veçantë. Janë shumë zemër mirë për njëri
tjetrin, ndihmojnë shoqi shoqin në rast rreziku apo
nevoje, kanë respekt për eprorët e tyre dhe e
mbajnë besën me drejtësi e me ndërgjegje të pastër.
Në mes të tyre flasin një gjuhë të zbukuruar,
përdorin shprehje të pastra dhe të prishurit e gojës
shpaguhet pa vonesë e ngadonjëherë shumë rëndë.
As me qeshje nuk përdoret gjuhë përdhosëse.
Mikpritja është në kulmin e saj në Shqipëri. Një
sulm po t’i bëhet mikut në çdo mënyrë qoftë, është
një çnderim i madh për të zotin e shtëpisë e për
gjithë fisin e tij. Ai që grabit ose vjedh mikun, sipas
zakonit të vendit dënohet shumë rëndë, ose me
vdekje ose nxirret jashtë fisit. Burrat janë të gjatë,
Gegët në Veri janë më të gjatë se Toskët në Jugë;
gjithashtu më të fortë dhe më të rreptë. Një
shkrimtar e përshkruan lëvizjen e malësorëve të
Veriut si të dhive të egra që i ngjiten majave e
shkëmbinjëve më të mprehtë dhe zbresin pa pikë
frike nga këto vende, që kur i sheh thua se asgjë e
gjalle s’mund të shpëtoje nga ato. Besa është
tradita më e shenjtë; kur njëri ka besën e një
personi të mirë të njërit fis, çnderimi më i madh e
pret thyesin e saj prej personit të atij fisi. Besa e
Shqiptarit jo vetëm që mbahet dhe mbrohet me
vullnetin më të mirë, por Shqiptari po të jetë nevoja
jep edhe jetën për të mbajtur besën e dhënë. Një
udhëtar nën fjalën e besës është nën mbrojtje të
shenjtë.
Zakone gjakmarrje
Gjakmarrja është një traditë e Shqiptarëve, por e
rregulluar mbas ca ligjeve dhe zakoneve të vendit që
caktojnë kur, kush dhe si është e drejtë një
gjakmarrje. Në këto raste qeveria nuk përzihet,
edhe në qoftë se ndërhyn do të ndjekë zakonin e
vendit më tepër se ligjin. Ky “lex talionis”, rregull
që jep të drejtë që të shpaguhet një dëm i
ndërsjelltë ose si i thonë, një sy për një sy e kokë
për kokë, jo vetëm që hyri nëpër ligje gjatë
shekujve, por edhe nëpër besime. Gjykohej se
shpirti i të vrarit nuk ka qetësi deri sa të vritet
gjaksori. Në Shqipëri familjes ose trashëgimtarve
nuk u mbetet gjakmarrja vetëm për vrasje, por edhe
për çeshtje nderi grash. Gjaqet shpesh herë
shtrihen deri në bajraqe, fise, dhe shpagime
gjaqesh shumë herë kanë kapërcyer katunde e
krahina. Ligjet turke në këtë vend nuk jepnin
ndonjë farë drejtësie; madje i nxitnin këto zakone
pasi ato shkaktonin përçarje, grindje dhe armiqsira
të mbrendshme ndërmejt Shqiptarëve, gjëra që i
lehtesojnin barrën Turqisë për të zbatuar më tepër
tiraninë dhe robërinë. Me ardhjen në fuqi të ligjit të
krimeve, ky zakon ndoshta do to zhduket me kohë
sikurse në rastin e Malit të Zi.
Gratë Shqiptare
Ndërsa, si dhe në shtetet tjera të Ballkanit, gruaja
bën të gjitha punët, si në fushë ashtu edhe në
shtëpi, ajo shikohet më me respekt dhe zë një
pozitë më të lartë se gruaja e Lindjes. Një grua
mund të shëtisi prej një ane të Shqipërisë në tjetrën
pa farë dyshimi, bile edhe një burrë që mund të
ndodhet me të, nga shkaku i gruas është i sigurtë.
Në qoftë se një vajzë e fejuar le të fejuarin e vet, ajo
e ngarkon familjen e saj me një gjak të cilin e ka të
drejtë i fejuari i saj. Përveç atyre të qytetit, nusja
nuk merr pajë nga ati i saj, përkundrazi dhëndri i
paguan një shumë të hollash të atit të vajzës; për
gratë e veja paguhet gjysma. Ndër gratë Shqiptare
dashuria dhe bukuria nuk luajnë një rol me
rëndësi. Ç’ka ia shton rëndësinë gruas pranë burrit
është të pjellurit; dukë shtuar femijët, shtohet edhe
pozita. Nuk egzistojnë gjëkundi gra më të
virtytshme se në Shqipëri.
Brez i fuqishëm
Gjaku i Shqiptarëve është gjak burrërie. Shqiptari i
ka dhënë Turqisë gjeneralët dhe ministrat më të
mirë. Vëllezërit e tyre në Itali, Toskanët, vunë
themelet e vertetë të madhështisë së Romës. Pesë
perandorë të Romës qenë bij malësorësh Ilirianë;
ata e forcuan racën Italiane. Në grykat dhe në malet
e Atikës gjuha Shqipe është në përdorim edhe sot.
Në përpjekjet e Greqisë për liri, Shqiptarët lanë
emra fame. Ata trazohen me të tjerët, por në trazim
nuk bashkohen, domethënë nuk i përziejnë gjakun
dhe zakonet e tyre. Të ruajturit e gjuhës dhe të
zakoneve të veta nën thembrën dhe tiraninë e
shekujve tregon mundësitë e një race të fortë e të
pamundëshme. Do të shohim se si Europa e
përdori këtë çelës të Ballkaneve për të mbajtur
mbyllur dyert e mëshirës e të dritës mbi një popull,
i cili tani po lutet për pavarësi e liri.
Ngatërresat e fuqive të mëdha
“Djali im, ti nuk e di se me sa pak mëshirë qeveriset
bota.”
Uksensherna, kryeministër i Suedisë, 1612
Shqipëria, një vend kaq i vogël e i prapambetur, pa
kurrfarë qytetërimi, pse luan një rol kaq të madh në
politikën e Europës? Është e nevojshme që t’i
pergjigjem këtu kësaj pyetje, përgjigjia e së cilës
trajton përmbajtjen e ndërlikuar të diplomacisë
Europiane. Përgjigjia e shkurtër është se situata
gjeografike e Shqipërisë paraqet probleme politike
edhe më të gjëra se ato të parashtruara prej
shteteve të tjerë të Ballkanit. Gjendja e Shqipërisë
është një faktor kryesor i problemit të Lindjes,
mbasi kjo është udha natyrale e kalimit prej
Adriatikut në Lindje. Përveç kësaj është edhe
pikërisht vendi për daljen e tregtisë së Ballkanit
dhe së fundi ajo ka në dorë komandën e hyrjes në
Aariatik në ngushticën e Otrantos. Portet e saja, me
portin në detin Egje të Selanikut dhe të Bosforit,
janë çelsat e dyerve të Europës Lindore për në detin
Mesdhe. Për të marrë në dorë këta çelsa diplomacia
e Europës ka punuar për dy shekuj rresht.
Përjashtimi i Rusisë nga deti Mesdhe
Përmbi të gjitha del e dukshme figura e Rusisë,
qëllimi kryesoer politik i së cilës ka qenë me patur
kalim të lirë në detin Mesdhe. Për këtë qëllim ajo e
pa të arsyeshme shkatërrimin e Turqisë. Në vitin
1711, Pjetri i Madh thirri në ndihmë shtetet sllave
të Serbisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Bosnjës,
Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi për t’u
bashkuar me të në një luftë fetare e racore për të
liruar të krishterët ortodoksë dhe gjithë popujt që
flasin gjuhën sllave nga zgjedha otomane. Që prej
asaj kohe, Rusia dhe Turqia kanë qenë në një
ndeshje të përhershme dhe Rusia është bërë
mbrojtësja dhe ndihmësja e shteteve sllave. Këto
kondita iu paraqitën parlamentit prej Sir Eduard
Greit (Ministër i Jashtëm i Britanisë), parlament i
cili ishte vendi i zakonoshem i diplomacisë
Europiane në të kaluarën. Është për t’u shënuar se
shtetet që emëroi Cari i Madh, bashkë me
Hungarinë dhe Poloninë, formonin një rreth të fortë
popujsh sllave kundrejt Austrisë Gjermane. Ëndrra
për t’i bashkuar këta popuj në një perandori sllave
qe një lumturi për Rusinë dhe Serbinë, por një
tmerr për popujt Gjermane dhe për të gjithë
Europën Perendimore. Nga frika e kësaj fantazme të
një perandorie sllave, fuqitë e Europës kanë
ndenjur të bashkuara për të mos e lënë Rusinë e as
aleatët e saj sllave me zënë vend ose me krijuar
ndonjë kalim për në detin Mesdhe.
Por fakti kryesor që i takon Shqipërisë është se
fuqitë Enropiane e përkrahën sundimin turk në
Europë dhe e mbrojtën atë kundra Rusisë për të
vetmen arsye se zhdukja e Turqisë nga Adriatiku
deri në Stamboll do të shkaktonte ndarjen e këtyre
vendeve fqinjëve të tjerë, dhe në këtë menyre do të
hapej çeshtja e madhe e sllavëve për të dalë në
detin Mesdhe. Lufta Krimesë u bë prej Anglisë dhe
Francës për të mbrojtur Turqinë kundra Rusisë dhe
përfundoi me traktatin e Parisit në të cilin
pavarësia e Turqisë u garantua dhe u sigurua. Ajo
u pranua që të marrë pjesë në marreveshjet e fuqive
Europiane, kurse popujt e krishterë të Lindjes u
lanë nën mëshirën e dobët të Sulltanit. Ishte
përpara kësaj lufte kur Car Nikolla parashtroi që
perandoria turke të mos njihej nga ana e Rusisë
dhe Anglisë, por kjo e fundit nuk e pranoi këtë
kërkesë.
Traktati i Berlinit
Në vitin 1878, Rusia pushtoi Turqinë dhe ndaloi në
dyert e Stambollit. Traktati i Shën Stefanit u bë në
mes të dy ndërluftuesve dhe me të cilin
mjeshtërisht Rusia për të mirën dhe përdorimin e
vet krijoi një shtet të madh Bullgar, që nga ana
Jugore do të shtrihej deri në detin Egje duke
përfshirë edhe portin e Selanikut. Kjo shkaktoi
mbledhjen e shpejtë të fuqive Europiane të cilat
bënë traktatin e Berlinit. Ky traktat ndaloi formimin
e shtetit Bullgar të projektuar dhe vuri në heshtje
kërkesat e Rusisë për të pasë një port në detin
Mesdhe. Serbia, Rumania dhe Mali i Zi u shpallën
shtete të pavarura. Një hartë e kohës së fundit do të
tregoje se traktati e la një copë të Ballkanit akoma
nën sundimin turk, e cila shtrihej prej Adriatikut
deri në Stamboll dhe përmblidhte Bosforin,
Selanikun, Maqedoninë dhe Shqipërinë. Shtetet
sllave të Bosnjes dhe Hercegovinës në Adriatik iu
dhane Austrisë. Qe një këmbëngulje e vendosur për
Europën që të mos lejonte shtet sllav të kishte një
dalje në detin Mesdhe. Skllavëria dhe robëria e të
shkretës Shqipëri nuk u bisedua; kjo ishte viktima
e parimit të kësaj diplomacie të Europës.
———————————————————————————–
Sipas “The Shkypetars” George Fred Williams – 1918
/ Përgatiti Elis Buba usalbanianmediagroup.com

