Nga Gëzim Zilja
Beteja për mbrojtjen e qytetit të Janinës gjatë Luftës së Parë Ballkanike 1912-1913, u zhvillua nga tetori i vitit 1912 deri më 5 mars të vitit 1913, në të njëjtën kohë me betejën për mbrojtjen e Shkodrës. Ndërsa për të betejën për mbrojtjen e Shkodrës ( tetor 1912-prill 1913) dhe heronjtë e saj është shkruar shumë, madje komandantit turk Riza Pasha, i është ngritur monument madhështor, në qendër ë qytetit, për betejën e Janinës dhe heronjtë e saj flitet e dihet shumë pak. Në strukturat e garnizonit turk të Janinës sipas dokumenteve të kohës, bënte pjesë dhe një Divizion me redifë (rezervistë) shqiptarë nga Jugu i Shqipërisë dhe shumë forca vullnetare kryesisht nga krahina e Labërisë dhe e Çamërisë. Divizioni shqiptar përbëhej nga regjimenti i Janinës me batalionet e Margëllëçit, Filatit dhe Paramithisë, regjimenti i Vlorës me batalionet e Vlorës, Mallakastrës, Fierit e Tepelenës, regjimenti i Gjirokastrës me batalionet e Gjirokastrës, Delvinës, Përmetit dhe Leskovikut, një batalion i Skraparit dhe një i Bilishtit. Armata greke kishte filluar herët luftën kundër garnizoneve turke dhe, më 2 nëntor pushtoi Prevezën, më 11 dhjetor 1912 Sarandën, deri më 13 dhjetor kishte pushtuar Artën, Prevezën, Pargën etj. Po më 13 dhjetor 1912 trupat greke iu afruan Janinës dhe një ditë më vonë e sulmuan atë duke zhvilluar luftime të ashpra me forcat turko-shqiptare deri nga fundi i janarit 1913. Me 5 mars ushtria turke nën komandën e Esat Pashë Janinës u dorëzua pas një rezistence dy ditore 3-4 mars. Në këngët popullore ky dorëzim është konsideruar si tradhti nga ana e komandantit turk, pasi pozicionet rreth Janinës e, sidomos të Bezhanit, fortifikatat dhe mbrojtja e të cilit ishin projektuar e realizuar nga inxhinierë gjermanë, konsideroheshin të papushtueshme.
Janinë çerek Stambolli
Daltë e të bëloftë gjoli
Hapi sitë se të mori(greku)
Më tej vjen përgjigja, pse Janina është e papushtueshme jo vetëm nga pozicioni strategjik i saj, por dhe nga pengesa natyrore që është liqeni (gjoli), Bezhani i super fortifikuar dhe djemtë e nënave shqiptare.
S’më merr dot se s’më gjoli
S’e lë gjoli dhe Bezhani
Bezhani bën muharrebe(luftë)
Grihen djelt e nanave
Ja si përshkruhet e dokumentohet tradhtia e komandantit turk për rënien e Janinës:
Esat Pashë Janina
Ka vate rrufjani
Pa bukë e pa ujë
S’mbahet istikami
Për lirat që mori
Na iku vatani.
Në një këngë tjetër po për pushtimin e Janinës kuptohet qartë se shqiptarët luftuan me vetëmohim për mbrojtjen e Janinës por…
Fal(j) s’të pati shqipëtari
Po turkoshak kumandari…
Kumandari me valinë
Çamërinë me lira e shi(t)në.
Para sulmit frontal mbi Janinën u zhvilluan luftime të përgjakshme në Paramithi, Filipjadhë, Gumenicë, Volë, Margëllëç, Gribovë, Filat, Pargë, Artë e Prevezë. Këngët –dokument janë të panumërta për betejat e zhvilluara nga shqiptarët që dhanë jetën me shpresën, që Çamëria e bashkë me të Janina nuk do të dorëzoheshin te forcat greke. Për pushtimin e Filipjadhës na vijnë vargjet:
Në Gribovë atë ditë
Ne kalaja më të ngjitë
O mor të zes redifë
Ballë për ballë me moraitë
Seç i kriqosët sfungjitë
Në huxhum mbetët të gjithë.
Këshilli i Ministrave në Vlorë, më 29 janar 1913, mori zyrtarisht vendimin “Të mbrohet me çdo kusht Janina” dhe u dërgoi thirrje gjithë krahinave të vendit të mobilizonin e dërgonin rezervistë e vullnetarë në betejën për mbrojtjen e Janinës. Thirrjes së Qeverisë së Vlorës iu përgjigjën burrat e Çamërisë e të Labërisë. Kënga thotë:
Kërkon vatani e mileti
Të venë djeltë rrëpjeti
Tetëmbëdhjetë milë vanë
Që nga tetëmbëdhjetë vjeç djalë
Morën dufeq e gjerdanë
Ikën djeltë edhe vanë
Nanat haber nuk kanë
Janë gjallë apo u vranë
Lufta dhe betejat e zhvilluara janë të ashpra deri në vetëmohim. Të dhënat jepen me saktësi të madhe, krahasuar me dokumentet e kohës:
Taburri i Vlorës u vranë
Na njëmilë e diqind q’ishnë
Gjashtëqind u katandisnë
Edhe taburri me çamë
Dhe këta u grinë, u vranë
Lëfton labi, lëfton çami
Ne Pesë Puset u bë nami.
Ditën e Bajramit grekët vendosin të sulmojnë forcat shqiptare, duke menduar t’i kapin në befasi. Por ja sesi vjen informacioni për qëndrimin e shqiptarëve myslimanë:
Jorgos vanë e i thanë
Në Grebenic’ në majë
Shqiptarët falin Bajramnë
Po ti ç’bënë pse s’hidhe parë
Se ata topa s’të kanë
I ze tek falin bajramnë
Edhe këtë herë si në çdo rast tjetër shqiptari para fesë do të vendos atdheun: Ai është i pari, është më i shtrenjë se çdo gjë tjetër:
Po ne nuk falëm bajramnë
Se do të mbrojtimë vatanë
Më tej vjen hakërrima:
Jorgo dhëndër i Rusisë
Ti s’njeh djelt e Çamërisë
E marrin plumbin në sisë
Tij ta bëjnë ferrë e drizë
Është interesant fakti që në luftën për mbrojtjen e Janinës por edhe territoreve të tjera të Çamërisë, morën pjesë çamët ortodoksë si, Konomenjtë, fis nga Gliqia i Paramithisë, Çallëkenjtë e Potamesë, Gogozotot nga Rrapëza, pranë Agjisë, Papenjtë në Kastri të Gumenicës etj. Ata qëndruan në ballë të përpjekjeve për mbrojtjen e trojeve shqiptare, duke luftuar krah për krah me vëllezërit e tyre të besimit mysliman. Ja ç’thotë kënga:
Thereti pesëmbëdhjetë
Seç na duall’ Konomenjtë
Mblodhën e nisën gjithë djeltë
Për në Bezhanin e shkretë
Me dufeqe e me fishekë
Me lopata e kazmenjtë
Të mos çan greku rëpjetë
Ku ipjet kanë foletë.
Sot kur shikon që luginat e Përmetit, Gjirokastrës e Korçës, janë mbushur me kryqe e varreza të qena e të paqena të ushtarëve grekë të luftës së dytë botërore, nuk ka si të mos trishtohesh. Në Çamëri nuk ka pëllëmbë toke, pa u vaditur me gjakun e dëshmorëve çamë. Vetëm në përroin e Selanit, më 1913, u kapën pabesisht (u thirrën gjoja për bisedime) dhe u masakruan 72 burra nga më të shquarit e Çamërisë, kundërshtarë të pushtuesve grekë. Për ta, ashtu si në Bezhan, Gribovë, Filipjadhë e gjetkë nuk ka as varr, as pllakë, madje dhe këngët për ta janë rrudhur:
Në Selan të shkretë
Kullon gjak shqiptari
Klani more shokë
Se na zu dushmani.
Ne kushtet e tanishme ne nuk e ndryshojmë dot kufijtë e vendosura nga ligjet dhe vendimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Por në gjithë atë tokë të banuar dikur tërësisht nga shqiptarët të mos ketë një pllakë, një lapidar, një shenjë sado modeste, që të tregojë historinë është e pafalshme. Duket i pakuptimtë, servilizmi i pështirë dhe i njëanshëm i qeverive shqiptare për këtë çështje, gjatë këtyre tridhjetë viteve demokraci.