Nga mbi 12 milionë turistë të huaj që vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2025, mbi 1.5 milionë vizitorë nga shtete të ndryshme e zgjodhën vendin tonë për sitet kulturore dhe historike.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Turizmit, kjo shifër e vizitorëve ka pësuar rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin 2024 dhe rreth 52% më shumë në raport me vitin 2023.
Ndër pikat turistike historike më të preferuara nga vizitorët e shumtë, në vendin e parë renditet Kalaja e Gjirokastrës, me mbi 307 mijë persona që e kanë vizituar.
Më pas renditet Parku Kombëtar i Butrintit, me mbi 295 mijë vizitorë, si një tjetër atraksion turistik tepër i kërkuar, veçanërisht nga të huajt.
Një tjetër site historik i kërkuar është Muzeu “Gjergj Kastrioti” në Krujë, me mbi 182 mijë vizitorë përgjatë vitit 2025, ndërsa Kalaja e Shkodrës ka regjistruar gjatë vitit të kaluar rreth 179 mijë vizitorë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara së fundmi.
Këto shifra tregojnë se Shqipëria nuk është e preferuar vetëm për sezonin e plazhit, por përgjatë gjithë vitit, duke e konsoliduar vendin si një destinacion turistik gjithëvjetor.
Vizitorët në 2025 në Sitet Historike
Kalaja e Gjirokastrës – 307 mijë e 164 vizitorë
Parku Kombëtar i Butrintit – 295 mijë e 152 vizitorë
Muzeu “Gjergj Kastrioti” – 182 mijë e 083 vizitorë
Kalaja e Shkodrës – 178 mijë e 942 vizitorë
Klan News
















