Historia e Ballkanit është një gërshetim i ndërlikuar ndodhishe dhe identitetesh, ku shpesh individë me vullnet të hekurt kanë thyer kufijtë etnikë për të lënë gjurmë të pashlyeshme në kombet fqinje. Një nga rastet më emblematike është ai i Vasile Lupit (Vasilis Loupos, 1595–1661), Voivodës së Moldavisë, i cili gjatë sundimit të tij midis viteve 1634 dhe 1653, u bë një nga figurat më të fuqishme dhe më të pasura të Lindjes.
Një origjinë mes legjendës dhe dokumentit historik
Sipas dokumenteve të kohës dhe studimeve historiografike (siç shihet në arkivat e World Heritage Encyclopedia dhe shënimet e historianëve si Steven Runciman), Vasile Lupu kishte origjinë të qartë shqiptare. I njohur fillimisht si Vasile Coci, babai i tij, Nikollë Coci, përshkruhet nga Runciman si një “aventurier shqiptar” që u vendos në fillim të shekullit të 16-të në Arbanasi të Bullgarisë—një vendbanim i njohur historikisht për popullsinë e tij shqiptare (Arbanasët).
Në burimet greke, si ato të botuara nga Tryfon Evangelidos në veprën “Arsimi gjatë Turkokracisë”, Lupu referohet shpesh si “Ellino-alvanos” (Grekoshqiptar), pasi ishte ortodoks i ritit grek. Ky emërtim, siç sqarojnë shënimet akademike, nuk duhet parë thjesht si një përcaktim etnik i dyfishtë, por si një tregues i formimit të tij kulturor: një shqiptar i krishterë, i edukuar në frymën dhe gjuhën greke, që shërbeu si urë lidhëse mes traditës ballkanike dhe elitës fanariote.
Ngjitja në pushtet e “Ujkut” të Moldavisë
Vasile mori mbiemrin Lupu (Ujku), një emër që reflektonte mprehtësinë e tij politike. Ai arriti të siguronte fronin e Moldavisë në vitin 1634 pas një sërë intrigash diplomatike në Stamboll, duke u konfirmuar nga autoritetet otomane falë aftësive të tij si financier dhe diplomat.
Në rrafshin administrativ, Lupu njihet si një reformator i madh. Ai futi kodin e parë të shkruar të ligjeve në Moldavi në vitin 1646 (Pravila lui Vasile Lupu), duke modernizuar sistemin juridik të principatës.
Patronazhi i kultures dhe arsimit
Studimet akademike mbi Lupun e vendosin atë në qendër të Rilindjes kulturore të Moldavisë. Nën patronazhin e tij:
- U themelua Akademia e Shën Savës në Iași, sipas modelit të Akademive Greke.
- U instalua shtypshkronja e parë në Moldavi, ku u botuan libra me rëndësi jetike për kishën dhe shtetin.
- U ndërtua Kisha e mrekullueshme e Të Tre Hierarkëve (Trei Ierarhi) në Iași, një perlë e arkitekturës që dëshmon për pasurinë dhe shijen e tij artistike.
Dimitrie Cantemir, historiani i madh rumun, e quante atë thjesht “Albanezul” (Shqiptari), duke konfirmuar se edhe dekada pas vdekjes së tij, origjina e tij ishte një fakt i mirënjohur në oborret evropiane.
Shqiptarët si formues shtetesh
Rasti i Vasile Lupit nuk është i izoluar, por pjesë e një rryme më të gjerë të emigracionit shqiptar në Rumani, ku familje si Gjika (Ghica) do të dominonin skenën politike për shekuj me radhë. Lupu përfaqëson atë shtresë të shqiptarëve që, edhe pse të integruar plotësisht në kontekstin vendas rumun, ruajtën një dinamizëm që ndryshoi rrjedhën e historisë së atij vendi.
Sot, Vasile Lupu vlerësohet si një nga “Etërit” e Moldavisë moderne. Për historinë shqiptare, ai mbetet një dëshmi e gjallë e vitalitetit të diasporës sonë historike, e cila, edhe kur operonte nën petkun e arsimimit grek apo administratës otomane, arriti të prodhonte personalitete të kalibrit botëror. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com




















