Shkrimi i mëposhtëm ka një vlerë të veçantë për vetëdijen kombëtare dhe kulturore të arvanitasve, si dhe për shqiptarët në tërësi. Autorja e intervistës është Chryssa Oikonomidou dhe e intervistuara është një zonjushë arvanitase që quhet Lambrini Papachristodoulou. Kjo nuk është thjesht një intervistë mbi një dialekt të rrezikuar, por një dëshmi e gjallë se si gjuha mbetet shtylla themelore e identitetit. Në rastin e arvanitishtes, kemi të bëjmë me një trashëgimi gjuhësore që lidhet drejtpërdrejt me historinë mesjetare të shqiptarëve dhe me praninë e tyre shekullore në Greqinë qendrore dhe në Peloponez.
Rëndësia e këtij shkrimi qëndron në disa plane. Së pari, ai nxjerr në pah dimensionin gjuhësor: arvanitishtja si një degë e rëndësishme e shqipes, e ruajtur për shekuj në kushte izolimi, përbën një thesar për studimet historike dhe dialektologjike shqiptare. Së dyti, ai thekson dimensionin kulturor: këngët, përrallat, proverbat dhe zakonet arvanitase janë të pandashme nga gjuha që i mbart. Humbja e saj do të nënkuptonte zbehjen e një kapitulli të tërë të historisë kulturore shqiptare në hapësirën greke. Së treti, rrëfimi i një të reje si Lambrini Papachristodoulou dëshmon se ndërgjegjësimi për trashëgiminë nuk është çështje nostalgjie, por një akt përgjegjësie ndaj së ardhmes.
Në këtë kuptim, shkrimi kontribuon në forcimin e vetëdijes për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare dhe të diversitetit kulturor si pjesë e identitetit historik të arvanitasve dhe të botës shqiptare në përgjithësi.
Arvanitasja Lambrini Papachristodoulou
Pak javë më parë, një postim në rrjetet sociale më tërhoqi vëmendjen. Ai i referohej një dokumentari të realizuar nga një nxënëse e re, Lambrini Papachristodoulou, mbi një gjuhë në zhdukje – arvanitishten. Fillimisht më bëri përshtypje fakti që një nxënëse e shkollës së mesme kishte krijuar një dokumentar, ndaj vendosa të hulumtoj më tej: e pashë dokumentarin dhe vizitova faqen e internetit që Lambrini kishte krijuar. Doja të kuptoja se si kishte lindur interesi i saj për një temë të tillë. Gjatë kërkimit hasa në fjalët e saj:
“Gjuha është thelbi i kulturës. Kur humbasim gjuhën tonë, humbasim një pjesë të pasurisë sonë kulturore. Këngët, përrallat, poezitë dhe zakonet janë të lidhura pazgjidhshmërisht me gjuhën dhe, kur ajo zhduket, edhe ato zbehen. Është si të fshish një kapitull nga një libër që nuk do të rishkruhet kurrë.”
Me fjalët e Lambrinit që më jehonin në mendje, vendosa ta kontaktoj dhe t’i kërkoj të ndajë historinë e saj me ne.
Lambrini dhe dokumentari i saj
— Mund të na tregosh pak për veten?
Quhem Lambrini Papachristodoulou dhe kam lindur e jam rritur në Athinë, Greqi. Jam rritur në një mjedis multikulturor; babai im është greko-amerikan, ndërsa nëna ime vjen nga një fshat i Peloponezit, i quajtur Limnes. Në Limnes, përveç greqishtes, flitet edhe një gjuhë e dytë: arvanitishtja, një dialekt i shqipes.
— Si lindi interesi yt për dialektin arvanitas? Çfarë të frymëzoi të krijoje një dokumentar për këtë dialekt në zhdukje?
Duke u rritur, vura re se gjyshërit e mi nga nëna flisnin greqisht me mua, por kur i drejtoheshin njëri-tjetrit, kalonin në një gjuhë të panjohur, thuajse të fshehtë. Në fëmijëri nuk i kushtova shumë rëndësi, duke menduar se kjo ishte një përvojë e zakonshme për fëmijët. Por vit pas viti, veçantia e situatës më bëhej gjithnjë e më e qartë. Kur fillova të pyes për arvanitishten, nëna ime më dekurajoi të kërkoja më tej, por dëshira ime për të zbuluar ishte shumë e fortë dhe asgjë nuk mund ta frenonte kureshtjen time.
Gjithmonë kam qenë e apasionuar pas dokumentarëve, ndaj krijimi i një të tilli më dukej mënyra më e mirë. Doja të ndërgjegjësoja njerëzit për këtë gjuhë minoritare, pasi pak grekë e dinë për ekzistencën e saj. Për më tepër, ishte një mënyrë e mirë për të mbledhur mostra të gjuhës së folur nga folësit vendas dhe për të regjistruar elemente të traditës gojore, si fabula, përralla popullore, këngë arvanitase dhe shprehje idiomatike.
— Çfarë vështirësish hasët gjatë kërkimit dhe dokumentimit të arvanitishtes?
Numri i folësve vendas po bie me shpejtësi dhe me humbjen e tyre rrezikohet të zhduket përgjithmonë një pjesë e rëndësishme e identitetit arvanitas. Një numër i madh këngësh tradicionale dhe rrëfimesh popullore po zhduken, pasi bartësit e kësaj dijeje nuk kanë ku ta transmetojnë. Për rigjallërim kulturor dhe gjuhësor duhen ndërmarrë përpjekje konkrete dhe nevojitet më shumë kërkim shkencor.
— Si e përjetojnë folësit e arvanitishtes rënien e gjuhës? A ka ndjenjë urgjence apo rezistence ndaj ndryshimit?
Folësit e fundit të rrjedhshëm janë shumë krenarë për identitetin e tyre dhe gjithmonë të gatshëm të ndihmojnë këdo që tregon interes për trashëgiminë e tyre. Ekziston një ndjenjë turpi brezash brenda brezit X – ata që janë folës pasivë dhe nuk ua transmetuan gjuhën fëmijëve të tyre. Megjithatë, besoj se brezat më të rinj po shfaqin interes të dukshëm për përpjekje të mundshme rigjallërimi dhe janë krenarë për identitetin e tyre.
— Çfarë ndikimi shpreson të ketë dokumentari yt tek brezi i ri dhe e ardhmja e arvanitishtes?
Do të isha mirënjohëse nëse qoftë edhe një i ri do të reflektonte mbi dokumentarin dhe do të kuptonte përfitimet e diversitetit dhe të veçantisë së arvanitishtes dhe të gjuhëve të rrezikuara në përgjithësi.
Dialekti arvanitas
— Çfarë është arvanitishtja dhe si ka evoluar ajo ndër shekuj?
Arvanitasit janë folësit e arvanitishtes, një nga dialektet kryesore të shqipes. Në fund të shekullit XII dhe fillim të shekullit XIII, një popullsi nga Epiri i Veriut migroi drejt Greqisë Qendrore, Peloponezit dhe ishujve të tij. Atje krijuan bashkësi të pavarura që mbetën të izoluara për rreth tetë shekuj, gjë që lejoi ruajtjen e formave të lashta të gjuhës dhe lulëzimin e kulturës së veçantë arvanitase.
— Pse arvanitishtja konsiderohet dialekt i rrezikuar dhe cilat janë arsyet kryesore të rënies së saj?
Arvanitishtja është klasifikuar nga UNESCO si “në rrezik kritik”. Kjo lidhet me rënien e saj të shpejtë gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit. Pas Luftës së Madhe, bashkësitë e izoluara arvanitase nisën të hynin në kontakt me popullsi që flisnin vetëm greqisht. Për herë të parë u krijuan martesa mes folësve dhe jofolësve të arvanitishtes dhe numri i familjeve që e përdornin si gjuhë kryesore filloi të bjerë. Më pas, hapja e shkollave në këto fshatra kufizoi ndjeshëm përdorimin e saj në jetën e përditshme, ndërsa përdorimi i arvanitishtes në mjedise akademike dekurajohej fort. Më shumë mbi këtë temë gjendet në dokumentarin tim.
— Çfarë mendon se e ardhmja rezervon për arvanitishten? A ka përpjekje për ta rigjallëruar ose mbrojtur?
Përpjekjet për rigjallërim ekzistojnë kryesisht përmes promovimit të traditave, zakoneve, valleve dhe këngëve arvanitase. Qendra kulturore e fshatit organizon me sukses veprimtari, ekspozita dhe aktivitete për të nxitur përdorimin dhe mësimin e gjuhës, si dhe për të edukuar publikun mbi arvanitasit. Shumë fëmijë nga fshatrat përreth njohin dhe këndojnë rregullisht këngë në arvanitisht dhe kërcejnë vallet e saj. Si hap i ardhshëm, botimi i një fjalori arvanitisht–greqisht dhe hapja e një kursi gjuhe do t’u jepnin mundësi familjeve të reja të rrisin fëmijë që flasin arvanitisht.
— Si mund t’i inkurajojmë brezat e rinj të angazhohen me gjuhët e tyre stërgjyshore, sidomos kur ato janë të rrezikuara?
Mund t’i inkurajojmë përmes veprimtarive kulturore të përmendura dhe duke promovuar shoqërizimin, diversitetin dhe respektin për individualitetin. Diversiteti gjuhësor pasuron bashkësitë ku jetojmë. Gjithashtu, rekomandoj që kushdo i interesuar të shkarkojë udhëzuesin falas të studimit që ofroj në faqen time.
Mësime për familjet shumëgjuhëshe
— Çfarë këshille do t’u jepje familjeve shumëgjuhëshe që përpiqen të ruajnë dhe transmetojnë gjuhën e tyre, sidomos kur jetojnë jashtë ose kur bëhet fjalë për një dialekt të rrezikuar?
Të theksojnë rëndësinë e ruajtjes së diversitetit të tyre, të krenohen me rrënjët dhe të përpiqen ta transmetojnë gjuhën e tyre brezave të rinj krahas gjuhës së vendit ku jetojnë. Gjuha e vendit pritës do të mësohet natyrshëm; por gjuha e tyre do të ruhet vetëm nëse përdoret dhe transmetohet në mënyrë aktive.
— Çfarë roli luajnë komunitetet dhe nismat lokale në ruajtjen e gjuhës?
Komunitetet dhe nismat lokale kanë rol parësor, sepse prej tyre nis dhe transmetohet dija.
Epilog
Emri “Lambrini” do të thotë “e ndritshme” apo “rrezatuese”, “llamburitëse”. I referohet dikujt që shkëlqen dhe përhap dritë. Lambrini Papachristodoulou është pikërisht një llambë e tillë, drita e së cilës shkëlqeu aq fort sa më arriti edhe mua nga larg — edhe pse unë ndodhem në Danimarkë dhe ajo në Greqi. Faleminderit, Lambrini. Faleminderit që u thellove në diçka që të interesonte dhe që ndave me ne përvojën dhe mendimet e tua.
Gjuha që flasim në shtëpi është thesari ynë. Askush nuk duhet të ndihet kurrë i turpëruar për këtë thesar.
Intervistoi Chryssa Oikonomidou / multilingual-families.com Publikuar fillimisht më 08/01/2025
Kliko: Video e Dokumentarit te plote


















