Pluhuri që ngjitej në çdo frymëmarrje, errësira që ngjallte frikë dhe uria që sfidonte trupin, por jo vullnetin, mbeten të gjalla në kujtesë, edhe në 37-vjetorin e grevës historike kur minatorët e Trepçës i kaluan tetë ditë e tetë net nën tokë.
Disa nga ta, tash kujtojnë guximin dhe vendosmërinë për të mbrojtur Kushtetutën e vitit 1974, ndërsa solidariteti i tyre dhe mbështetja e popullit u bënë armët më të fuqishme në këtë betejë për dinjitet dhe drejtësi.
Rexhep Rrahmani, një prej minatorëve që mori pjesë në grevë, tha për KosovaPress se qëllimi i tyre ishte i qartë: mbrojtja e Kushtetutës së vitit 1974 dhe të drejtave të tyre.
Rrahmani: Na jemi hy aty për me vdek për Kosovën
“Po, na u munduam me dialog, me fjalë, plus edhe 53 kilometra shkuam në Prishtinë në këmbë, e kurgjo me ta. Prapë na torturonin, na rrihnin, nuk na lanë askund vend në sipërfaqe dhe u detyruam me shku me hy në dhe për së gjalli. Na shtini shkau. Jemi hy me mbrojtë Kushtetutën e ’74-s. Na jemi hy aty për me dek, se kur them për me dek, po them se i kam parë vetë me sytë e mi. Kur erdhi Hashim Parduzi, ka qenë pensionist, kishte dalë në pension, e kur erdhi na u bashkangjit. i thashë: ‘Hashim, çka?’ Tha: ‘Çka kujton, që ju la vetëm? Kam ardhë me dek me shokët e mi, këtu kam me dek. Qysh ju la unë vetëm?’Pastaj Muja Cerraja, ka qenë mbikëqyrës në horizontin e nëntë. Ai ka qenë i sëmurë në spital, sapo doli nga spitali, ka dëgjuar se kemi mbetur këtu dhe ka ardhë. Kur erdhi, na u bashkangjit. i pari që e pashë, krejt minatorët thoshin: ‘Qe ku u ardh Muja’. Ua dha minatorëve një fuqi të madhe. Tjetra, Rrustem Voca, kur u sëmur, tha: ‘Nuk dal prej jashtë, amanet po ua lë që të më varrosni këtu në vendin e punës ku kam punuar, këtu të më varrosni’. Hasani Keqa, kur i hoqi çizmet prej këmbëve, krejt lëkura i ra, mishi i gjallë. Duke i falënderuar mjekët, erdhën, ia lidhën varrat dhe ia ndreqnin fije-fije. Ashtu po ta tregoj se kur kemi hy aty, ka qenë vetëm për me vdekë. Por prapë na tradhtuan, na mashtruan, na qitën prej greve, na rrahën, na torturuan, na burgosën dhe na lanë invalidë. Kanë shkuar minatorët, shumë pak kemi mbetur. Kanë shkuar, kanë vdekur”- tha Rrahmani
Ai kujtoi solidaritetin mes minatorëve dhe mbështetjen e popullit.
Rrahmani: Krejt populli na u bashkangjit – ajo ka qenë më e rëndësishmja për ne
“Tetë ditë e tetë net, neve që na kanë dhënë vullnet për me qëndruar e me vdekë, na i ka dhënë populli. Krejt populli na u bashkangjit dhe na përkrahu. Ajo ka qenë më e shumta për ne. Populli, duke na përkrahur, na jepte edhe më shumë vullnet. Ne veç i kemi mbajtur kërkesat tona, se a po plotësohen, por as ato nuk na u plotësuan. Na rrejtën, na tradhtuan dhe dolëm përjashta”- ka treguar ish minatori
Rexhep Rrahmani kujton se në horizontin e nëntë u nis shteti i Kosovës që u finalizua me luftën çlirimtare.
Rrahmani: Unë e di që në horizontin e nëntë është nisur themeli i Republikës së Kosovës
“Unë e di që në horizontin e nëntë është nisur themeli i Republikës së Kosovës, kurse kulmin ia ka vënë Ushtria Çlirimtare. Pse po e them këtë? Kur ka ardhë kongresmeni Angel, e kam dërguar te njëri në Tavnik, e ka marrë një fëmijë të vogël dhe ma ka drejtuar: ‘A po e sheh këtë fëmijë?’ i thashë po. Tha: ‘Ky ka me gëzu pavarësinë’. Kur e ka lëshuar poshtë, e kam pritë dhe e kam përqafuar. Ai fëmijë ka punuar në horizontin e nëntë”- deklaroi Rexhep Rrahmani
Ndërsa, ish-minatori tjetër Ajet Tahiri ka treguar se gjatë atyre ditëve minatorët ishin shumë të lidhur mes vete dhe vepruan pa ndonjë kërkesë apo ndihmë nga udhëheqësit.Kur Serbia dhe Millosheviqi hoqën autonominë e Kosovës, ata vendosën rrugën e tyre për të mbrojtur Kushtetutën.
Tahiri:Greva ishte organizim i minatorëve, jo urdhër i dikujt
“Në atë kohë, si minatorë kemi qenë shumë të lidhur njëri me tjetrin. Me ardhjen e Serbisë dhe Slobodan Millosheviqit, që ndërhyri me na marrë autonominë e plotë të Kosovës, ne minatorët kemi biseduar mes veti, pa iniciativën e asnjë udhëheqësi, pa na detyruar askush me dhunë. Kemi gjetur një mirëkuptim se mënyra më e mirë për me mbrojtë Kushtetutën tonë dhe udhëheqësit tanë ishte rruga jonë për me shku në Prishtinë. Brenda grevës kemi qëndruar tetë ditë të plota, nga 20 shkurti deri më 28, ora 23:00, kur kemi dalë”- ka treguar Tahiri për KosovaPress
Tahiri ka treguar se gjatë qëndrimit tetëditor nën tokë, minatorët nuk mendonin të dilnin pa realizuar kërkesat e tyre, jo vetëm për interesat e tyre, por për gjithë Kosovën dhe popullin shqiptar
Tahiri: Nuk kemi menduar me dalë të gjallë pa i realizuar ato kërkesa tona
“Po, me të treguar të vërtetën, sa kemi qenë brenda, nuk kemi menduar me dalë ma gjallë pa i realizuar ato kërkesa tona, por me shpresë se po bëhet diçka më mire e po munum me dal në sipërfaqe të tokës, jo vetëm për ne si minatorë, por për gjithë Kosovën dhe popullin shqiptar. Ata që na “asishen” kanë qenë Sabedin Azemi, Rrahman Morina dhe disa të tjerë që i janë bashkangjitur Serbisë. Ne kemi kërkuar dorëheqjen e tyre. Derisa e kanë nënshkruar dorëheqjen, ne nuk kemi dalë në sipërfaqe. Por dhanë dorëheqje të rrejshme. Kur dolëm në sipërfaqe të tokës, thanë: ‘As nuk na keni marrë ju, e as nuk mundeni me na qit ju’. U rikthyen prapë në detyrë.Ne kemi pasur emocione të mëdha, vështërsi të mëdha, pastaj Serbia nisi me të madhe me na helmuar nxënësit nëpër shkolla, filloi me na marrë nëpër burgje. Unë kam qenë 60 ditë i burgosur në burgun e Smrekonicës”- tha ai
Selim Selimi, i cili e përjetoi nga afër grevën e vitit 1989, tregon se vështirësitë kishin nisur që në ditët e para të punës, kur përveç kushteve të rënda, kishte pasur edhe vonesa në paga.
Selimi: Në fillim u mendua se hymë në grevë për vonesën e rrogave
“Ndodhën tonat të këqijat, tani e filluam punën, punën e kemi filluar të gjithë, por ato ditë na u vonua edhe pak rroga, por kujtonin që për rrogë jemi ngujuar, por nuk ishte ajo punë hiç. Edhe filloi greva dhe tetë ditë duke hequr derisa u kry”- tha Selim Selimi
Ai shton se vendosmëria e minatorëve ishte e palëkundur dhe se, sapo merrnin një vendim, nuk kishte më kthim prapa. Të përgatitur edhe për sakrificën më të madhe, ata qëndruan nën tokë pa kushte minimale.
Selimi: Kur minatori e vendos diçka, nuk e ka zor hiç
“I kemi kaluar ne si minatorë, se kur minatori e vendos diçka, nuk e ka zor hiç. Na e kemi vendosur me dek aty e më nuk kemi menduar asgjë tjetër. Kemi menduar, kemi bërë hajgare, kemi qëndruar me shoqni, edhe pse ka qenë tjetër në minierë, se pa hangër, pa u pastruar, gjithë atë pluhur, gjithë atë kijamet, edhe e kemi përballuar. E kanë ditur që jemi brenda në tokë, e kanë ditur kur kemi dalë prej shtëpisë se në punë po shkojmë, pastaj përmes mjeteve të informimit e kanë marrë vesh, por kontakte jo”- shtoi ai
Greva e minatorëve të Trepçës mbetet një nga aktet më domethënëse të rezistencës qytetare në historinë e Kosovës. Sot, pas afro katër dekadash, rrëfimet e tyre dëshmojnë se liria u arrit përmes sakrificës, qëndresës dhe vendosmërisë kolektive. Kujtimet e asaj kohe mbeten një thirrje e fuqishme për të mos harruar se Kosova u ndërtua mbi guximin dhe vendosmërinë e njerëzve të zakonshëm, që nuk pranuan të heshtin.
















