(nga Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro)
Falë studimeve të njohura të dijetarëve francezë, gjermanë dhe, veçanërisht, grekë, pjesa më e errët e historisë së Greqisë mesjetare, në fund të shekullit XIX, fitoi dritë të re dhe të papritur. Baza e punës së tyre – duhet theksuar me kujdes – ishin të dhënat e marra nga kronikat vendase, të cilat në pjesën më të madhe u zhdukën gjatë pushtimit turk, si dhe korrespondenca monumentale e ruajtur në Arkivat Veneciane, Spanjolle, Franceze dhe, pjesërisht, edhe Italiane.
Vetëm në ishullin e Qipros, siç na kujton Kostantinos Sathas, ato i shpëtuan shkatërrimit të zemërimit mysliman. Ndër to spikasin “Kronikat e Qipros” të Leontios Macheras, të shkruara rreth vitit 1320, të cilat u treguan veçanërisht të rëndësishme për këtë hetim historik. Dorëshkrimi origjinal i “Kronikave të Qipros” (i zbuluar në Oksford) u botua në vitin 1882 nga “L’École des Langues Orientales Vivantes”, dhe teksti grek u përgatit nga Emmanuel Miller dhe Kostantinos Sathas.
Historiografia tradicionale ka mbajtur përherë qëndrimin se shfaqjet e para të elementit shqiptar – në veçanti në Thesali – ndodhën rreth shekujve XIII dhe XIV. Kjo derisa, më 1830, teoria e një historiani tirolez, Jakob Philipp Fallmerayer, ndezi një debat të veçantë mes studiuesve filohelenë e atyre të pavarur. Historiani tirolez, me zell të tepruar, pohonte se elementi i lashtë grek ishte shkatërruar plotësisht nga një pushtim sllav dhe se, pas rënies, Greqia ishte pothuajse e ripopulluar prej tyre.
Por sipas Sathasit, Qiproja nuk u pushtua asnjëherë nga sllavët, përveç nëse Fallmerayer do të donte të zgjaste edhe mbi ishull idenë e zhdukjes së elementit grek. Sathas vërtetoi shkencërisht se këta “sllavë të supozuar” nuk ishin veçse shqiptarë, të cilët bizantinët, nga padituria, i kishin ngatërruar me këtë popull të lashtë.
Argumentet e qëndrueshme të Sathasit hodhën poshtë teorinë e Fallmerayer-it, duke e zbuluar si një thjeshtëzim fantastik, të pambështetur në fakte kulturore, gjuhësore apo etnografike. Në Kronikat e Qipros, në vëllimin I, f. 16, Macheras shkruan:
“Shqiptarët u vendosën në ishull rreth shekullit IV, duke formuar një kastë më vete, që ekziston ende sot.”
Sathas vijon:
“Është e pabesueshme dhe e pajustifikueshme çdo teori mbi një pushtim sllav të Greqisë, duke pranuar në Greqinë moderne një prani të dukshme të elementit shqiptar, sidomos në ndikimin që gjuha shqipe ka ushtruar mbi atë greke.”
Ai shton:
“Zgjidhja e kësaj çështjeje do të na ndihmojë të kuptojmë deri në ç’masë shqipja ka ndikuar në dialektin qipriot dhe në gjuhën e gjithë Greqisë.”
Fallmerayer, i tronditur nga kritikat që mori, në vitin 1836 vendosi të udhëtonte vetë drejt Greqisë, i shoqëruar nga konti rus Aleksandër Tolstoj. I mbërritur në Morea, ai mbeti i mahnitur nga mbizotërimi i gjuhës shqipe, dhe shkroi vetë më pas:
“E gjithë Morea është e mbuluar nga e folura shqiptare.”
Në parathënien e vëllimit të dytë të “Geschichte”, po atë vit, ai pranoi:
“Revolucioni për pavarësinë e Greqisë ishte një revolucion shqiptar, e jo grek.”
Megjithëse i mbushur me ndjenja antihelenike, ai duket se e braktisi përfundimisht teorinë e tij.
Në mbështetje të tezave të sigurta të Sathasit qëndron edhe udhëtari anglez Simon Simeoni, që vizitoi Greqinë në vitin 1322. Ai na la një përshkrim të vlefshëm të banorëve grekë dhe shqiptarë, tek të cilët mënyra e jetesës ndryshonte thelbësisht nga ajo e sllavëve. Jo vetëm në veshje, por edhe në mbulesën e kokës (klamida) dhe në mënyrën e prerjes së flokëve, këta dy popuj – të së njëjtës fe ortodokse dhe të një gjaku – dalloheshin nga sllavët. Simeoni shkruan:
“Sllavët kanë gjuhë të ngjashme me atë të bohemëve… Shqipëria është një provincë midis Sllavonisë (Ilirisë) dhe Rumanisë (Greqisë), me gjuhë të vetën… Shqiptarët janë shizmatikë që ndjekin ritin grek dhe në zakone e sjellje u ngjajnë plotësisht grekëve.”
Në Kronikat e Qipros, Macheras vë në dukje se shqiptarët, të ardhur në ishull gjatë shekullit IV, krijuan shpejt një kastë të veçantë, imponuan zakonet e tyre mbi pjesën më të madhe të popullsisë dhe, sipas Sathasit, ndikuan edhe mbi dialektin e lashtë qipriot.
Vendbanime paramesjetare të shqiptarëve në Greqi, të njohura si fise të lashta nga vendasit, ishin ato të Argolidës (sot në pjesën më të madhe të helenizuar), të quajtur “banorët e ishullit të Dano – Danoa – Danaoi”. Një tjetër fis i lashtë u vendos në malet e Trifilisë, të quajtur Drèdes (“luftëtarë trima”).
Një fis i lashtë shqiptarësh të Taigetos-it (në Lakoni) – tashmë i zhdukur – identifikohet nga Kostandin Porfirogjeniti me emrin Meligoi. Një dokument i shekullit X, i zbuluar e botuar më 1865 nga dijetarët gjermanë J. Samuel Ersch dhe J. Gottfried Gruber, njofton se Meligoi nuk ishin tjetër veçse Mirmidonët. Edhe sot një fshat në Lakoni mban emrin Meligoi. Sathas besonte se këta Meligoi apo Miligoi vinin nga malet e Pindit, ku ekzistonte një fis me emrin Mirmidonë. Dihet që emri “Mirmidon” rrjedh nga fjala “murmiz” (mil), por shqiptarët modernë të Tzakonisë e quajnë milingonën “meligoi” ose “melingoi”. Prandaj, a ishin në Taigeto Mirmidonët apo Meligoi? Me siguri, një fis i lashtë shqiptar.
Një tjetër temë e dashur për Kostantinos Sathasin ishte ajo e Mardaitëve. Ata nuk ishin tjetër veçse pararendësit e stradiotëve, mercenarë që shërbenin për Venedikun dhe fuqitë e tjera evropiane gjatë gjithë Mesjetës. Bizantinët i përmendnin veprimet e tyre si “taktika e Mardaitëve”, pasi ata përdornin për herë të parë taktikat e pritave të organizuara. Paraqitja e tyre e parë në shërbim të Bizantit daton në shekullin VIII, por dihet edhe për vendosjen e tyre në Liban më 677.
Rreth origjinës së Mardaitëve janë bërë shumë supozime, por gabimi kryesor ishte se u konsideruan si një popull, ndërkohë që në të vërtetë përfaqësonin një formacion ushtarak (tágma tón Mardaitón).
Dy kronistët më të hershëm bizantinë shkruajnë për ta: Teofani i quan thjesht “Mardaitë”, ndërsa Patriarku Nikefori i përkufizon si “luftëtarë të pritave”. Gjatë gjithë Mesjetës, emri i Mardaitëve përmendet në Peloponez, Kretë, Kefaloni, Tinos, Keos, Epir e gjetkë. Në Kandi (Kreta), për shembull, hasim balistierë venecianë me emrin Murtatos (sipas Chronicum Tarvisinum, 1372). Bizantinët e shek. X–XI i quajnë Murtaitas ose Murtatus. Venediku vetë kishte familje feudale të Tinos-it e Kretës me mbiemrat Mordati dhe Mortati, pra Mardaitët u shndërruan nga formacion ushtarak në familje fisnike (sipas Cancelleria Secreta).
Georgio Codino, në veprën De Officialibus Palati Constantinopolitani dhe De Officiis Magnae Ecclesiae (botuar nga I. Bekker, 1839), përmend në shek. XV mes dinjitarëve të oborrit perandorak edhe Murtaitët, megas Murtaitët dhe stratopedarkët Murtaitë. Pra, edhe në Kostandinopojë ata u bënë familje të rangut të lartë. Në Peloponez ishin feudalë dhe luftëtarë të shkëlqyer, siç na e pohon Anna Komnena (1103), e cila përshkruan trimërinë e feudaleve peloponeziakë, sidomos në betejat detare.
Në regjistrat e dy ekspeditave kundër arabëve të Kretës, Mardaitët dhanë për flotën perandorake, herën e parë 5087 dhe herën e dytë 3000 luftëtarë të armatosur – trupa që vinin nga Peloponezi, Epiri dhe Kefalonia (Historia Miscella).
Por kush ishin në të vërtetë Mardaitët? Kishin origjinë shqiptare, greke apo lindore? Në përfundim, Mardaitët nuk ishin një popull, por një trupë luftëtarësh, taktikat e të cilëve – pritë, rrufe, e befasime – ishin tipike të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Greqisë.
Edhe sot, dy krahina – një në Çamëri dhe një në veriun e Shqipërisë – ruajnë kujtimin e tyre në emrin Mirditë. Për më tepër, fjala “Mardaitë” duket se rrjedh nga termi shqip mardhë / mardha (rrudhë, palë). Emra të ngjashëm gjenden në Epir dhe Greqi – si Mirtidi, Mortati – dhe në Trifili ndodhet një fshat i lashtë shqiptar me emrin Mortatu.
Nga kjo mund të përfundohet se emri i Mardaitëve është ndër ata që kanë hyrë në Greqi para Mesjetës.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm, i përbashkët për shqiptarët dhe grekët, është vallja pirrike.
Sipas disa studiuesve, shpikësi i saj ishte zoti Kureti Pirrikos, ndërsa të tjerë e lidhin me Piron, birin e Akilit. Kjo valle ushtarake, që sot grekët e quajnë vallja e Arvanitëve, ndërsa vetë arvanitët “Bale” (me shkronjën beta), ka padyshim origjinë epirote. Ajo u përhap shumë në kohën e Kostandinit Porfirogjenit, që në greqishten e vjetër e quante “balesmos” të shqiptarëve. Venedikasit e quanin “Moreska”, për shkak të pantomimave me prejardhje maure. G. Haecquard shkruante:
“Vallja e shqiptarëve kretas është një përbërje kërcimesh që imiton skena të jetës… një lloj valleje e quajtur ‘bale’, në përdorim që nga kohët më të lashta.”
Nga kjo mund të kuptohet se këta shqiptarë të lashtë, që arritën në Greqi para Mesjetës, kanë lënë gjurmë të thella në çdo fushë. Me siguri, përparimet e ardhshme të historiografisë do të na japin me më shumë saktësi data, rrethana dhe ngjarje. Përgatiti në shqip Elis Buba / usalbanianmediagroup.com
Bibliografi thelbësore
- K. Sathas, Mnemeia Elleninikes Historias – Documents inédits relatifs à l’histoire de la Grèce au Moyen Âge, Vol. IV, Parathënie, Paris, Maisonneuve et C. Editeurs, 1881.
- Leontios Macheras, Chronique de Chypre (Teksti grek), botim dhe redaktim nga E. Miller dhe K. Sathas (École des Langues Orientales Vivantes), Paris, Ernest Leroux Éditeur, 1882.
- Itinerarium Simeon Simeoni, Cambridge, 1914, te K. Sathas, vep. e cituar.
- Leonicus Chalcondyles, Istoriarum Demonstrationes, Budapest, 1922, te K. Sathas, vep. e cituar.
- J. Samuel Ersch & J. Gottfried Gruber, Encyclopédie Historique Allemande, Paris, 1883.
- Alfred Nicolas Rambaud, L’Empire Grec au Xe Siècle, Constantin Porphyrogénète, Librairie A. Frank, Paris, 1870.





















