“Mënyra më e mirë për të njohur shqiptarët, është t’i afrohesh gjuhës shqipe” me këtë shprehje Auguste Dozon, nis dhe vepra e fundit e botuar nga gjuhëtari dhe pedagogu Shezai Rrokaj.
Vepra është një monografi për një nga albanologët frankofonë më të rëndësishëm të gjysmës së dytë të shekullit XIX, i cili u mor me çështjet e gjuhës shqipe, të folklorit të saj, bejteve, këngëve dhe me historinë e shqiptarëve në hapësirën shqipfolëse të Jugut të vendit tonë.
“Në kohën kur ka botuar këtë libër ishte konsull në Janinë dhe aty u njoh dhe u dashurua me gjuhën shqipe. Në vitin 1879 ai shkroi veprën e tij, manuali I gjuhës shqipe te i cili ai përmbledh tre pjesë kryesore, një pjesë që ka të bëjë me ritet, bejtet, pjesa e dytë ka të bëjë me gramatikën dhe pjesa e tretë ka të bëjë me një fjalor dy-gjuhësh”, shprehet Rrokaj.
Vetë autori tregon se cila është e veçanta e kësaj vepre, e cila vjen për të herë të parë në një vepër të plotë për Auguste Dozon.
“Në fakt ai për të qenë sa më afër mënyrës se si flisnin shqiptarët. Ai parapëlqeu që gjuhën shqipe ta shkruante me alfabetin frank dhe kjo ka bërë dhe një vështirësi për ta njohur atë. E kam shqipëruar atë dhe kjo bën një pjesë interesantë të librit, të gjithë transkriptimet. Unë e kam transkriptuar me alfabetin frank por duke ruajtur karakteristikat e kohës në të cilën vepra u shkrua”, thotë ai.
Sipas gjuhëtarit ky libër synon që shqiptarët të njohin se çfarë është shkruar për historinë dhe gjuhën e tyre një shekull më parë ndërsa ndihmon dhe për studime të ndryshme.
















