Kisha e Shën Mërisë në Vllahogoranxi të Dropullit, daton në vitin 1622.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja e cilësoi këtë kishë, një thesar të rrallë të trashëgimisë sonë kulturore.

Kisha ruan në brendësi pikturat murale të realizuara nga mjeshtri i shquar i ikonografisë, Onufër Qiprioti, duke dëshmuar vazhdimësinë e traditës së shkollës së ikonografisë shqiptare dhe vlerat e saj të jashtëzakonshme artistike e shpirtërore.
Përveç Onufër Qipriotit, kisha mban edhe afreske nga Aliviziu, gjë që vërtetohet nga një mbishkrim që gjendet mbi faqen e murit jugor të kishës.

Sipas prof. Pirro Thomos kisha e Shën Mërisë në fshatin Vllahogoranxi është e tipit bazilikë me kupolë, me përmasa 7.50×6.80 metra. Ajo përbëhet nga naosi dhe altari. Vite më vonë është shtuar narteksi.

Pjesa e vjetër e kishës ka në brendësi të saj gjashtë kolona prej rrotullash guri, të cilat lidhen me njëra-tjetrën me llaç dhe kapitele guri. Mbi kollonat kalojnë dy harkada, që e ndajnë kishën në tri nefe.
Naosi lidhet me narteksin në anën perëndimore. Kisha është e ndërtuar me gurë, të lidhur me llaç gëlqereje. Nëpër qoshet e mureve ka blloqe gurësh të mëdhenj. Mbi portën perëndimore të kishës ka zbukurime antike. Mbi katër kolonat nga lindja, nëpërmjet një sistemi harqesh mbajtëse, ngrihet tamburi, i cili mbulohet nga kupola.


















