Me rastin e 100 vjetorit të vdekjes
Në sfondin historik të luftrave dhe përpjekjeve për liri, pavarësi, sovranitet dhe dinjitet kombëtar, bëmat dhe trimëritë e kapedanëve të Labërisë feksin me një dritë verbuese atdhetarie. Një prej këtyre kapedanëve është edhe Sali Murat Vranishti. Heroi i Popullit Sali Murati lindi më 20 mars 1880, në fshatin Vranisht të Lumit të Vlorës, në zemër të Labërisë, një krahinë e njohur për burrërinë, krenarinë dhe traditat e saj të patundura luftarake. Qysh në rini ai u veçua për karakterin sfidues, për shpirtin kryengritës dhe për drejtësinë sociale. Me zemrën pranë fshatarëve të varfër, të shtypur nga okupatorë të huaj dhe të përçmuar nga shtresa sunduese vendase, ai u vu shumë shpejt në ballë të tyre për t’ju kundërvënë aktivisht mungesës së lirisë, cënimit të sovranitetit kombëtar dhe çdo padrejtësie shoqërore. Duke qëmtuar mbi jetën e këtij kapedani të shquar, hasa disa fakte dhe cilësi që i japin një dimension më të plotë figurës së tij.
Kryengritës popullor.
Qysh në fillim të shekullit XX-të, administrata osmane e skedoi Sali Muratin si element rebel dhe kërcënues për rendin e saj. Për këtë gjurmohet, arrestohet tradhëtisht dhe izolohet në burgun e Janinës. Por as hekurat e qelisë nuk e mposhtën shpirtin e tij të lirë. Prej këtej, sfidon gardianët e hapsanës duke u arratisur nga qelia. Mori malet e Labërisë dhe fillon jetën e komitit për t’u shndërruar shumë shpejt në një figurë legjendare.
Takimi vendimtar me Ismail Qemalin në shtator 1908 në Vranisht i dha orjentim të qartë rrugëtimit të tij. Pikërisht në këtë periudhë kontakton në Tërbaç me Çerçis Topullin, krahu i armatosur i Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”, që udhëhiqej nga vëllai i tij Bajo Topulli. Këto takime inspiruan te Sali Vranishti, që përballja me okupatorët të ishte e organizuar dhe jo thjesht shprehje individuale e revoltës, prandaj në nëntor 1908 ai krijoi një çetë patriotike me luftëtarë jo vetëm nga Vranishti, por edhe nga fshatrat e Lumit të Vlorës. Hapat e parë të kësaj çete u shënuan në Palohuar të Shashicës dhe në Picar të Armenit, ku u përplasë me forcat osmane pa pësuar dëmtime, duke dhënë një sinjal të qartë se një udhë e gjatë kryengritjeje sapo kishte nisur.
Kapedan i shquar
Kryengritjet e fuqishme antiosmane të viteve 1910 – 1912 në Vilajetin e Kosovës patën ndikim të fuqishëm edhe në tre vilajetet e tjera shqiptare. Aktiviteti sfidues i Sali Vranishtit ndaj okupatorëve alarmuan strukturat e sigurisë të kazasë të Vlorës për ta kapur ose asgjesuar. Një operacion të tillë organizuan në Buzujk të Tërbaçit në maj 1912, por bilanci qe tragjik për forcat rrethuese.
Si rezultat i ashpërsimit të situatës në të katër vilajetet, më 18 gusht 1912 në Shkup u arrit një marrëveshje midis përfaqësuesve të lëvizjes kombëtare me drejtuesit e administratës osmane për plotësimin e kërkesave që buronin nga vullneti i popullit shqiptar. Nisur nga zvarrisja e jetësimit të tyre të menjëhershëm, forcat kryengritëse në të gjithë vendin nuk hezituan për të vepruar.
Në këtë kuadër edhe çeta patriotike e Sali Vranishtit shënoi një nga aktet më të guximshme: shpërtheu burgun e Vlorës më 23 gusht 1912 duke nxjerrë jashtë qelive të gjithë të burgosurit. Ky aksion i bujshëm politik në Vlorë tronditi qytetin, alarmoi administratën e lartë të Stambollit, shqetësoi konsullatat e huaja, përbëri lajm të rëndësishëm për gazetat e kohës (Gazeta “Liri e Shqipëris먔, Sofje 25 Gusht 1912; Gazeta “Politika” e Beogradit, Nr.3081, dt. 28 Gusht 1912 etj) dhe rriti famën e tij në shtresat e gjera të popullit, i cili këndoi: “Po hapsanat kush i hapi?: /Kapedan Sali Murati”! Ja çfarë i shkruan konsulli austriak në Vlorë kontit Berchtold në Vjenë, më 30 gusht 1912: “….. Në mbrëmje të datës 23 të këtij muaji, një kryetar bande me emrin Salih prej Vranishti, së bashku me shokët e tij, megjithë kundërshtimin e xhandarëve, ai e çeli burgun dhe la të lirë të gjithë të burgosurit. Pas kësaj, zbrazjet e pushkëve, që u hodhën nga gëzimi, krijuan një panik të vërtetë në qytet dhe për pasojë u mbyllën të gjitha dyqanet. Megjithë porosinë e kapedan Saliut për çeljen e tyre, e cila u njoftua me anën e tellallit publik, ato vazhduan të qëndronin të mbyllura edhe ditën e nesërme”… (AIH, Vj.22-7)
Diskretimi që iu bë strukturave ushtarake në Vlorë nëpërmjet sfidës së hapur nga Sali Murati, i detyroi instancat e larta të perandorisë të kërkonin arrestimin e menjëhershëm të tij dhe të fillonin hetimin ndaj të gjithë personave që nuk reaguan. Dokumenti arkivor i Ministrisë së Luftës flet qartë: “Kërkohet hetimi i çështjes së lirimit të të burgosurve në Vlorë, që 14 xhandarë, 15 ushtarë dhe një togë me ushtarë nuk mundën të parandalonin 5 veta, që sulmuan burgun dhe liruan të burgosurit. Kërkohet të arrestohet patjetër Salih Murati dhe shokët e tij që kryen këtë akt dhe t’i dorëzohen drejtësisë”. (11.09.1912 OSMANLI ARSIVI BEO 4083306151)
Kasnecët e pushtuesve para këtij aksioni, për të njollosur figurën e tij, përhapën tymnajën se “banda e Sali Vranishtit ka ardhur për të grabitur”. Por ky, nisur nga qëllimet liridashëse dhe cilësitë morale të pacënueshme, vuri tellall për të garantuar qytetarët dhe tregëtarët se misioni i tij është patriotik dhe kurrësesi plaçkitës. Jo rastësisht populli këtë fakt e përjetësoi në vargje: “Në Vlorë foli tellalli:/“Tregëtar’ mos kini frikë,/Kapedan Sali Murati,/Nuk ka ardhë për të grabitë,/Prandaj qepenat i hapni,/Mos dëgjoni faqezitë,/Çet’e Sali Kapedanit,/Ka punë veç me osmanllijtë,/Kush është brënda në hapsanë,/Të gjithë do të lënë qelitë”.
Fryma që nuk u shua
Pavarësisht nga marrëveshja e 18 gushtit, forcat kryengritëse u orjentuan për të mos i lëshuar armët nga dora deri sa të arrihej autonomia e Shqipërisë. Nga ana tjetër, Organizata me emrin: ”Komiteti i Fshehtë i Parreshtur” doli me një shpallje me anën e së cilës bënte thirrje që “kryengritësit të mos zbrisnin nga malet, por të mbeteshin në çdo vilajet për të parë nëse do të përmbusheshin apo jo zotimet e autoriteteve osmane”. (Prof. Dr. Ramiz Abdyli “Lëvizja kombëtare shqiptare 1911 – 1912, Libri 2, faqe 406)
Ishte kjo frymë që Sali Vranishti nuk e vari në gozhdë dyfekun. Atdheu ndjehej i kërcënuar nga të gjitha anët dhe liria nuk mund të vinte pa armë dhe as të mbrohej pa to. Koha tregoi se se kjo ishte rruga e duhur. Aksioni i suksesshëm për hapjen e burgut në Vlorë, alarmoi autoritetet vendore, të cilat u vunë në lëvizje për asgjesimin e çetës së Sali Vranishtit. “E rrethosën në Qishbardhë,/ Por s’i qaseshin dot pranë”, – thotë kënga që ruan kujtesën e asaj beteje.
Pas kësaj përballje, Sali Vranishti i përgjigjet thirrjes për ndihmë popullsisë delvinjote, e cila ndjehej e terrorizuar nga bandat shoviniste greke. Ai nuk nguron asnjë çast dhe shkon me çetën e tij në drejtim të Delvinës. Në këtë kohë, Kadri Gjata – Kumbaro, ishte bërë simbol i fjalës dhe i penës patriotike. Ai drejtoi gazetën “Zgjimi i Shqipërisë”, organ i Klubit të Janinës. Puna e këtij Klubi patriotik qe mjaft e vështirë sepse në Janinë kishte baza të forta lëvizja shoviniste greke.
Në fazën kur fryma shoviniste greke po bëhej më agresive, Klubi i Janinës zgjodhi në vitin 1910 kryetar Kadri Gjatën. Qarqet zyrtare turke dhe ato shoviniste greke duke parë se Kadri Gjata ishte figura kryesore e lëvizjes patriotike të Janinës, vendosën ta vrisnin atë. Dhe këtë gjë e realizuan më 12 korrik 1912. Vrasja e tij u konsiderua si një krim politik i shëmtuar, që tronditi mbarë opinionin shqiptar. U mor vesh se vrasja e Kadri Gjatës u krye nga një bandë kriminelësh në shërbim të shovinistëve grekë, e përbërë prej 25 vetash, të udhëhequr nga kapiten Jani Puteci e Grigor Farmaqi.
Jani Puteci dhe Grigor Manxhari, i mbiquajturi Grigor Farmaqi, ishin dy nga krerët më përbindsha të çetave gjakësore greke. Mjerisht të dy ishin shqiptarë. Grigori nga fshati Këllez dhe Jani Puteci nga lagja Varrosh e Gjirokastrës. Në fillim të shtatorit 1912 të dy këto çeta kishin zbritur në Ksamil ku i priste kryeandarti grek Thimjo Loli. Të gjitha këto çeta vërtiteshin në Vurg dhe vrisnin e grabisnin shqiptarët. I vënë në dijeni për këtë situatë, kapedan Sali Murati me çetën e tij zbriti rrufeshëm si skifteri për t’i shpartalluar pa mëshirë në Krane e Çukë andartët e ndërsyer e paguar nga Athina. Hakmarrja ndaj vrasësve të Kadri Gjatës dha mesazhin se fryma kombëtare nuk do shuhej kurrë. Gazetat e kohës i dhanë jehonë këtyre luftimeve, ndërsa populli i këndoi me krenari Sali Vranishtit. Sepse historia e atyre ditëve të zjarrta nuk është thjesht një kujtim lufte, është dëshmi e pavdekshme e shpirtit të pathyeshëm shqiptar.
Vazhdë patriotizmi
Rrugëtimi i gjatë dhe i pandërprerë patriotik i Sali Vranishtit u kurorëzua me besimin që i dha vetë Ismail Qemali, kryeministri i Qeverisë së Vlorës. Nuk mund të kishte zgjedhje më të qëlluar për postin e komandantit të Sigurisë Publike, një detyrë e ndjeshme, që kërkonte guxim, përvojë dhe ndjenjë të thellë atdhetarie. Ismail Qemali e njihte mirë karakterin e tij: të pathyeshëm në luftë, të drejtë në vendime dhe të përkushtuar ndaj idealit kombëtar. Kush më mirë se Sali Vranishti do të bëhej garant i rendit dhe i qetësisë në shtetin e sapo krijuar?! Prandaj Ismail Qemali nuk pati asnjë mëdyshje për përzgjedhjen e Sali Vranishtit për përmbushjen e këtij misioni të vështirë dhe delikat për kohën.
Por sfidat e Shqipërisë së sapolindur nuk vonuan. Pas shpalljes së Pavarësisë, Jugu i vendit u përball me rrezikun e pushtimit grek. Krah për krah me Çerçiz Topullin dhe luftëtarë të tjerë të njohur, u vu në ballë të rezistencës antishoviniste, duke mbrojtur me armë integritetin e tokave shqiptare. Patriotizmi i Sali Vranishtit në këto përleshje i dha përmasa më të gjera figurës së kapedanit që nuk njihte as frikë, as lodhje.
Kryevepra e tij mbetet Lufta e Vlorës, ku shqiptarët u ngritën kundër pushtimit italian. Sali Vranishti ishte ndër figurat e njohura që udhëhoqi çetat e Labërisë në beteja të ashpra, siç qenë ato të Drashovicës apo Kaninës, ku plumbi dhe heroizmi u bënë njësh. Ai vet u plagos rëndë gjatë këtyre luftimeve, plagë që do ta shoqëronin deri në fund të jetës. Por fjalët e tij mbetën amanet: “Fituam, por armët nuk duhet t’i lëmë të na ndryshken pasi do kemi prapë punë me to”. Koha tregoi se kishte pasur të drejtë.
Sali Vranishti nuk e kufizoi veprimtarinë e tij luftarake vetëm në trevat e Jugut. Në vitin 1921 ai mori pjesë në betejat ndaj shovinistëve serbë në Macukull të Matit. Prania e tij në këtë front dëshmoi përkushtimin ndaj mbrojtjes së mbarë trevave kombëtare.
Edhe në dhjetor 1924, kur idealet demokratike të Fan Nolit u përmbysën dhe Ahmet Zogu u rikthye në pushtet me ndihmën e trupave serbe dhe mercenarëve rusë të bardhë, të njohur si vrangelistë, Sali Vranishti nuk qëndroi mënjanë. Ai u rreshtua sërish në vijën e parë, në Shkallë të Tujanit, përballë hordhive që kërcënonin lirinë dhe demokracinë e sapolindur shqiptare.
Pas uzurpimit të pushtetit nga ana e Zogut, i tërhequr drejt vendlindjes, si pasojë e plagëve të pambyllura në trup, më 24 janar 1926, Sali Vranishti mbylli sytë. Ai la pas një emër që mbetet i gdhendur në kujtesën e shqiptarëve si një luftëtar i paepur, një prijës popullor dhe një mbrojtës i drejtësisë shoqërore. Jeta e Sali Vranishtit, e mishëruar në forcën e tij të idealit kombëtar, dashurinë e popullit ndaj tij si edhe këngët dhe rrëfimet për të, e bënë këtë kapedan pjesë të pandarë të historisë së Labërisë dhe Shqipërisë. Sali Vranishti nuk ishte thjesht një luftëtar i shquar. Ai ishte një simbol i qëndresës shqiptare, një njeri që jetoi e vdiq për Atdheun, duke lënë pas një mesazh që nuk shuhet: Shqipëria mbahet gjallë vetëm sa kohë që bijtë e saj mbeten roje të Atdheut me shpirt e me armë.
“Zapata i Labërisë”
Në kujtesën historike të popullit, Sali Vranishti është cilësuar si Robin Hudi i Pavarësisë apo Zapata i Labërisë, njëri personazh mitologjik dhe tjetri personazh historik. Është vlerësuar i tillë, se ashtu si ata, ai ishte armik i përbetuar i gjakpirësve të popullit dhe mbështetës i flaktë i shtresave të varfëra. Në zemrën e Labërisë, ai mishëroi shpirtin e rebelit, të drejtësisë dhe të lirisë. Ai zgjonte shpirtin e kryengritjes kundër shfrytëzimit dhe padrejtësisë. Në krye të çetës, Sali Vranishti u vu në mbrojtje të fshatarësisë së varfër për të mbrojtur tokën, nderin dhe dinjitetin e saj. Lufta e tij kishte sa dimesion kombëtar, por aq edhe shoqëror.
Për shkak të idealit të fortë për liri kombëtare dhe për drejtësi sociale si edhe për mënyrën se si i organizonte fshatarët kundër tiranisë dhe shfrytëzimit, populli i dha titullin: kapedan.
Sali Vranishti, pavarësisht nga atakimet ndaj moralit, që i bënin përfaqësuesit e rrymave antipopullore nëpërmjet kalemxhinjve të tyre, u ravijëzua si “Zapata i Labërisë”, që nuk luftoi kurrë për pasuri dhe pushtet personal, por që sakrifikoi jetën për të mirën e njerzëve të thjeshtë dhe të ndershëm duke i ndërgjegjësuar ata dhe u vënë në krah të tyre, që të mos nënshtroheshin nga reaksioni vendas dhe represioni okupues. Se qe i tillë, ndaj populli e deshi me shpirt, kishte besim absulot te integriteti i tij dhe ngriti këngë për të.
Në pranverën e vitit 1910, fshatari trim i Myzeqesë së Vlorës Kili Gjonça thirri në ndihmë çetën e Sali Vranishtit për mbrojtjen e tokave të kësaj zone, që donin t’ua grabisnin agallarët. Dhe ai nuk nguroi të shkonte në Mifol duke garantuar myzeqarët se në tokat e trashëguara ishin ata zotër dhe jo gjakpirësit e tyre.
Qëllimi i okupatorëve turq nuk ishte thjesht ta mbanin të shtypur dhe të nënshtruar popullin shqiptar, por ta linin atë edhe në errësirë të plotë, duke i mohuar brutalisht çeljen e shkollave shqipe. Prandaj futja dhe përhapja në mënyrë klandestine e librave në gjuhën amtare nga patriotët shqiptarë, kërkonte jo vetëm guxim, por edhe mbështetje nga krahu i armatosur i çështjes kombëtare. Dhe në kazanë e Vlorës, njeriu i duhur për të garantuar këtë veprimtari atdhetare, nuk mund të mos ishte kapedan Sali Vranishti. Këtë fakt e vë në pah patrioti Eshfref Dano Boçari në kujtimet e tij. Sali Vranishtit jeta nuk i ofroi mundësinë e shkollimit, por ai ishte i përkushtuar që bijtë e popullit të arsimoheshin e kulturoheshin, qoftë edhe nën represionin e huaj. Edhe në këtë drejtim, kontributi i tij nuk mungoi.
Në tetor 1912, kur popullsia e Delvinës i afroi napolona flori për t’ju kundërvënë histerisë shoviniste të banditit Thimjo Loli, kapedan Sali Vranishti iu dha qetësi shpirtërore banorëve të kësaj krahine kur ju përgjegj me dinjitet dhe burrëri thirrjes së tyre: “S’është Saliu për zorrë,/ Por Thimjon të ma tregojnë”. Shkon pamëdyshje drejt Delvinës duke mbrojtur me stoicizëm dinjitetin kombëtar.
Fill mbas Luftës së Vlorës, paria e kohës, të vetmin vlerësim që bëri për ata që sollën lirinë ishte se ju dha 1(një) kg rrush dhe nga 1(një) qylaf të bardhë, ndërsa Sali Vranishtin tentuan ta joshnin që të zgjidhte vet se çfarë dëshironte të përfitonte si plaçkë lufte. Por ai u përgjegj prerë. “Nuk kam luftuar kurrë për pasuri! Më mjafton trualli që kam në Vranisht”! Shpërfillja dhe përbuzja ndaj pjesës më të varfër të popullit, pjesë e së cilës ishte vet, i lëndonte zemrën. Dhe kjo ndjenjë e thellë revolte do ta çonte drejt përplasjes me rendin e kalbur të kohës. Këtë fakt e konfirmon letra e Fejzi Alizotit dërguar Luigj Gurakuqit, më 14 Tetor 1920: “…Në vise të Toskërisë, si nga Sali Vranishti dhe të tjerë është formuar Komiteti “Dora e Zezë”. Ky fillojë të ndalojë bujqërit të mos japin të drejta të zotëvet e të mos njohin zotrimin e tyre. Kjo vepër sociale nisi me çifliqet e Syrja bej Vlorës…”. (AQSH, Fondi. 34, Dosja 35, F. 27.)
Në vitet 1920-1922, si kudo edhe në Vranisht, marrëdhëniet agrare gjysëmfeudale e varfëruan më shumë fshatarësinë e Labërisë. Në ekonominë e vogël të tyre fshatarët nuk bënin as 2-3 muaj bukë. Taksat shtetërore që preknin fshatarin e Labërisë ishin: e dhjeta, taksa e kullotës, vergjia etj. Jeta e rëndë ekonomike plotë halle e derte bëri që fshatarët e Vranishtit në muajt e parë të vitit 1921 të lidhnin besën se nuk do të jepnin asnjë taksë. Prefektura dërgoi një forcë xhandarësh për t’i nënshtruar, por fshatarët treguan hapur dhe me guxim urrjtjen ndaj qeverisë antipopullore të kohës duke u shprehur hapur: “Ua themi shqip, jo të dhjetën, por këtë qeveri nuk e njohim fare, që këtu e gjer në Tiranë”. Fshatarët ishin të organizuar. Në qendër të këtij organizimi ishte Sali Vranishti. Ata u hodhën mbi xhandarët, që të frikësuar deri në palcë, u detyruan të iknin. Kjo ngjarje u përkrah edhe nga fshatra të tjerë të Lumit të Vlorës, duke dëshmuar se zëri i Sali Vranishtit kishte depërtuar thellë në ndërgjegjen e popullit.
Sali Vranishti, duke qëndruar shpirtërisht në anën e fshatarësisë e mëkonte atë me idenë e madhe të qëndresës kundër feudalizmit. Ai në këtë kohë e kishte përcaktuar qartë vendin e tij. Ishte për shembjen e këtij rendi shoqëror të kalbur, ishte për një zhvillim të përgjithshëm ekonomik e shoqëror. Pozicioni i tij ishte sa antifeudal, po aq edhe demokratik. Koha dhe situatat politike që pasuan e kthyen Sali Vranishtin në një demokrat revolucionar. Jo rastësisht, në zgjedhjet parlamentare të vitit 1923, krahina e Mesaplikut e përzgjodhi atë që ta kishte përfaqësues të saj.
Patrioti Muço Delo kujton: “Mbaj mend se në Lumin e Vlorës u zgjodhën elementë përparimtarë, përkrahës të bllokut demokratik. Votimet për deputetë u bënë në Vlorë. Qendra e votimit ishte në bashki. Situata për zgjedhjen e deputetëve ishte shumë e nderë. Kjo u shkaktua nga blloku reaksionar, i cili me anën e xhandarmërisë fillojë të bëjë presion mbi ne që të hidhnim votat për deputetët që donte qeveria. Për ndonjë, qeveria nuk pranoi të vihej në listë. Kështu ndodhi me kanditaturën e Sali Vranishtit”. U shmang nga parlamenti një patriot i ndershëm, një zë që vinte nga populli dhe për popullin. Por historia e njohu më mirë se çdo regjim: Sali Vranishti mbeti Zapata i Labërisë, njeriu që ngriti pushkën për liri, por njëkohësisht edhe zërin për drejtësi, duke zgjuar shpirtin rrebelues kundër shfrytëzimit dhe padrejtësive.
Armik i batakçinjve politikë
Në hapat e parë të rebelizmit të tij antiosman, Sali Vranishti luftonte për të jetuar dhe më pas, do të jetonte për të luftuar për aspiratat e popullit dhe të Atdheut.
Në vjeshtën e vitit 1912 kur shovinistët grekë pushtuan, dogjën e shkatërruan trojet jugore të vendit, Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare të Kurveleshit thirri parinë e kësaj krahine dhe të Lumitt ë Vlorës. Në takimin e datës 4 Nëntor 1912 kishte ardhur edhe Eqerem Bej Vlora, si mëkëmbës i autoriteteve vendore të kazasë të Vlorës. Patrioti kuçiot Arif Mëhilli i kërkoi Beut të mos vonohej lufta në Bregdet. Por Beu ishte kundër këtij propozimi. “Prisni, mos u ngutni. Të shohim situatën, pastaj të ndezim dyfeqet”. Fjalët e tij ndezën zemërimin e burrave të Labërisë. Sali Murati, me ton të prerë dhe sy të ngulur, iu përgjigj: “Çdo gur, stan e konak i këtij vatani është i shenjtë dhe ne duhet ta mbrojmë atë nga barbaritë dhe poshtërsitë e grekërve. Ti, Eqerem Beu, nëse ke ardhur për të luftuar shovinistët hajde me ne në malet e Çikës, ndryshe mbath opingat e shko në Vlorë”.
Ky ishte temperamenti i Sali Vranishtit: i drejtpërdrejtë, i paepur dhe pa kompromis.
Edhe në vitet e Qeverisë së Vlorës, Sali Murati pati përplasje mendimesh jo vetëm me Eqerem Vlorën, por edhe me të jatin e tij, Syrja Vlorën, të cilët ishin ndër kundërshtarët e Ismail Qemalit. Një ditë, falë intuitës së tij, Sali Murati i thotë Plakut të Vlorës:
“I mërzitur më dukesh Ismail Bej”! Ismail Qemali, me ballin e vrejtur iu përgjigj: “Ç’të bëjmë Sali kapedan?! Po e hanë vatanin të liqtë dhe ligësitë”. Fjalët e tij u bënë betim për kapedanin.
Sali Vranishti ndiqte me vëmendje lajmet që qarkullonin për rreziqet ndaj Ismail Qemalit nga “të liqtë”, ndaj në një bashkëbisedim me bashkëpunëtorin e tij Tol Arapi, i shprehet: “Ismail Beut nuk i prek kush një fije floku, se e mbron dyfeku ynë”.
Në gusht 1913, kur bejlerët e Cakranit, në ortakllëk me Esat Pashë Toptanin, tentuan të komplotonin kundër Qeverisë së Vlorës dhe të përbënin një rrezik serios për çështjen e sovranitetit kombëtar, Ismail Qemali dërgoi një forcë ushtarake kundër tyre me në krye Sali Vranishtin, i cili zbatoi me besnikëri urdhërin e Plakut të Vlorës për të rivënë autoritetin e cënuar të shtetit dhe shpartalluar falangat e kësaj rryme antikombëtare. Gjatë rrugës së kthimit për në Vlorë, Sali Vranishti atentohet nga mbeturinat esadiste, por këto kërcënime fizike e bënë atë më të vendosur në besnikërinë ndaj Ismail Qemalit.
Në dhjetor 1913, duke shoqëruar Mehmet Pashë Dërallën, ministrin e Luftës, në Ujë të Ftohtë takojnë rastësisht Syrja Vlorën. Ky ironikisht i thotë Sali Muratit: “Dyfek të vjetër paske more Sali. Ti je pranë “divanit”, nuk të paskan dhënë një armë të re”?! Saliu e kuptoi ligësinë në fjalët e Beut, por nuk ja vonoi përgjigjen: “Eh, sa derra kam qëlluar me këtë dyfek Syrja Bej dhe asnjë nuk më ka shpëtuar. Por jam i sigurtë se ferrat e drizat do t’i pastrojë Ismail Beu dhe ky vend do ketë më pak derra. Kështu që nuk do harxhoj shumë fishekë”. Syrja Beu i quajti provokim të rëndë fjalët e Sali Muratit, prandaj i shkruajti një letër plotë zemërim Ismail Qemalit. Ky e kishte vënë me kohë vijën ndarëse midis besnikëve dhe batkçinjve politikë dhe Sali Vranishti qëndronte qartësisht në anën e parë. Në prag të largimit nga detyra e kryeministrit, Plaku i Vlorës, gjatë një bashkëbisedimi miqësor në zyrën e tij me Sali Vranishtin, i drejtohet këtij se si do vejë fati i tyre? Dhe përgjigja e Sali Vranishtit do të ishte emblematike: ”Ti do bëhesh “peshk” dhe do hidhesh matanë, unë do bëhem “derr” dhe do marr malet, por halli i këtij populli si do vejë”?!
Mos lëngimi i popullit nga okupacioni i huaj apo batakçinjtë politikë vendas, që kishin shitur Atdheun dhe shpirtin për një karrike apo një titull, mbeti shqetësimi permanent i Sali Vranishtit gjatë gjithë jetës së tij. Kur Drashovica ra në duart e kryengritëse në 5 qershor 1920, në vend që paria të mendonte për fatin e mëtejshëm të luftës, meraku i saj ishte se kush do ishte prefekt. Dhe kur këtë post e donte me ngulm Qazim Kokoshi, reagimi i sertë Sali Vranishti ndaj tij, ç’tensionoi situatën: “Në qoftëse ti je “kokosh”, ta shkul bishtin e të bëj “pulë”. Këtu nuk kemi ardhur për frone, por për luftë, prandaj rri urtë”! Edhe kur fitorja triumfoi, Sali Vranishti nga spitali i Kotës, ku kuroheshin të plagosurit e luftës, do të ishte një nga nënshkruesit e letrës për kryeministrin Sulejman Delvina, ku midis të tjerash theksohej:” Derdhëm gjakun tonë në fushën e nderit për shpëtimin e Vlorës dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, jo nga influenca dhe hatëri i ndonjërit, veçse ndjenjave patriotike, prandaj i lutemi zotrisë tuaj të mos pranoni as ndonjë lutje të ndonjë personi i shtyrë prej ambicjes personale, që kryengritësisht kërkon të bëhet prefekt”.
Por batakçinjtë nuk u pajtuan me të as pas vdekjes. Në vitin 1937, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, Komisioni zyrtar i Bashkisë Vlorë propozoi që shumë shkolla në qytet e fshat të merrnin emra patriotësh. Në këtë listë përfshihej edhe emri i Sali Vranishtit. Por kolltukofagët në shërbim të pallatit mbretëror, të cilët e kishin parë Sali Vranishtin si armik të interesave të tyre të ndotura, ndikuan që ky propozim të mos konkretizohej.
Nisur nga cilësistë e karakterit të tij, kalemxhinjtë e klasave sunduese, në jo pak raste e kanë anatemuar atë duke zhgarravitur nëpër gazeta apo dizinformuar kancelaritë e huaja, ku kishin shitur lëkurën. Por populli i Labërisë nuk i besoi kurrë shpifjeve të tilla. Ai e njihte Sali Murat Vranishtin siç ishte: i ndershëm, i pastër, i papërlyer. Pasuria e tij më e madhe mbeti titulli “Kapedan” dhe morali i kristaltë. Ai nuk luftoi kurrë për pasuri. Pushka e tij zbrazi plumba vetëm ndaj okupatorëve, shovinistëve dhe atyre që mbanin gjallë moton e urryer “Përça e sundo”. Motivi që e udhëhoqi gjithë jetën ishte i vetëm: dashuria për Atdheun. Sali Vranishti mbylli sytë me nder, si luftëtar i paepur i lirisë dhe i pavarësisë, armik i intrigave e poshtërsive, kundërshtar i aristokracisë së kalbur dhe mbrojtës i palëkundur i aspiratave të popullit.
Sali Vranishti është cilësuar si kapedan i krismës së rëndë, që kur luftonte hidhte valle; është vlerësuar “Dëshmor i Atdheut”, “Hero i Popullit” dhe “Nder i Kombit”; është derdhur në bronz dhe gdhendur në dhjetra vargje nga muza e popullit.
Sali Vranishti ishte një kapedan i dalë nga gjiri i popullit, ashtu siç dalin lisat nga shkëmbinjtë.

















