Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në kuadër të “Open Balkan”, kryeministri Rama dhe presidenti serb Vuçiç, u pyetën në lidhje me praninë në të ardhmen të Kosovës në këtë iniciativë. Rama në fjalën e tij u shpreh se Kosova është e mirëpritur në këtë nismë, por nëse ajo nuk bëhet pjesë Shqipëria nuk do të tërhiqet nga projekti.
Nga ana tjetër presidenti Vuçiç, zgjodhi një gjuhë të moderuar, teksa ftoi Kosovën për bashkëpunim për çështjet ekonomike, duke i lënë sipas tij në juridiksionin e Brukselit çështjet politike.
Pjesë nga konferenca
Edi Rama: Ne u bëjmë thirrje të bashkohen dhe a do heqim ne dorë nëse ata nuk bashkohen. Përgjigjja është shumë e thjeshtë, me këto vendime që kemi marrë përfitojnë qytetarët dhe janë 600-700 biznese të cilët shkojnë dhe vijnë në këto territore dhe janë shumë më tepër se 600-700 që importohen nga këto vende, këtyre njerëzve ne u kemi dhënë mundësinë të mospresin për orë të orë në kufi. Tani më falni si mendoni ju se ne këtyre njerëzve do t’i kthejmë mbrapsht barrierat se tre vende nuk zgjedhin të heqin barrierat e tyre, natyrisht që jo. Ky është Ballkani i hapur, nuk është një konspiracion është një unifikim sipas shëmbëlltyrës së Bashkimit Evropian. Ne do presim që të gjitha llojet e të papriturave të Bashkimit Evropian, se nuk duan tre vende të bashkohen.
E dyta Ballkani i Hapur është interes strategjik i shqiptarëve dhe nuk ndalet. E treta po ju them prapë që do vijnë në Ballkanin e Hapur por me vonesë dhe do të humbasin kohë. Thirrja ime nuk është hajdeni se po nuk erdhët ju ne do ta lemë këtë punë, unë them që ata janë të mirëpritur, por as nuk do ta ndalin Ballkanin e hapur apo të ndryshojnë trajektoren për tu kthyer mbrapa.
Aleksandër Vuçiç: Besoj se ne jemi përgjigjur këtë për raste të ndryshme. Zgjedhjet do të zhvillohen në Serbi për 3 muaj. Do ju përgjigjem sot, drejtpërdrejtë që të fitoj ca pikë nacionaliste në vendin tim. Do ju habis me përgjigjen time, tejet racionale. Do ju përgjigjem se pse po e bëjmë këtë. Kemi pikëpamje të ndryshme lidhur me Kosovën. Serbia, Shqipëria, Maqedonia, kanë pikëpamje të ndryshme me këtë çështje, Beogradi dhe Prishtina kanë pikëpamje të ndryshme. Nuk mendoj që është produktive për mua që t’i ftoj sepse në momentin që ftoj dikë nga Prishtina, thonë që meqë e bëri ai ftesën, ne nuk do të vijmë.
Kjo nuk është arsye që mos të flasim. Ne mund të përmendim pikat e kalimit kufitar në Jarinjë, megjithatë, të flasim për thelbin. A do të jetë më e lehtë për shqiptarët dhe serbët nëse s’do të kishte të tillë kufijtë apo radhë që njerëzit të lëviznin lirisht?! Këto krijojnë probleme të pafundme. Do ishte më e lehtë që mos të ishin. S’ka njeri, qoftë në Prishtinë, apo në Mitrovicë, Beograd dhe Tiranë, që s’do të ishte dakord kështu. Do të humbasin kohë, ata që nuk i bashkohen. Ka vetëm përfitime nga kjo nismë. Dje këshilltarët e mi, zyrtarë, më thanë se do të kthehemi, kemi zgjedhje në 3 muaj.
Më thonin se nuk duhet të shkoja në Shqipëri, se pati probleme me flamurin. Por të tjerë njerëz e bënë këtë, dhe Rama erdhi në Beograd. Nëse çështja është se kush djeg më shumë flamuj, nuk është kjo zgjidhja. Jemi për të ndërtuar ura komunikimi. Miliona fusha bashkëpunimi shtrihen para nesh. Miliona fusha, por duhet treguar përgjegjësi. Mos të bëhemi apo të patronizojmë politikat e përditshme. Duhet të sigurohemi që të ruajmë paqen. Ky është projekt paqeje”, tha Vuçiç.