“Mbajeni gjuhën e pastër, mos e përçudnoni përmbajtjen e saj. Jam i sigurt që mund t’ia dilni.” – Eli Vizel (Elie Wiesel)
Ruajtja e pastërtisë së gjuhës dhe shmangia nga përçudnimi i saj duhet të jetë një objektiv kryesor për të gjithë shqipfolësit, e posaçërisht për punonjësit e radio-televizionit, shkollës, administratës publike e shtetërore, etj. Nobelisti i letërsisë Eli Vizel (Elie Wiesel) jepte këtë këshillë për gjuhën: “Mbajeni gjuhën e pastër, mos e përçudnoni përmbajtjen e saj. Jam i sigurt që mund t’ia dilni.”
Sa kujdesen shqipfolësit për gjuhën e tyre amtare? Sa i zë meraku (shqetësohen) që ta flasin e ta shkruajnë shqipen e pastër nga kallëpet e huaja?
Në përdorimet e sotme publike gjithnjë e më shumë flitet dhe shkruhet një shqipe çaprazçe, jo vetëm me fjalë të huaja, por edhe me frymë të huaj, me modele a skema të huaja (anglishtes, italishtes e serbo-maqedonishtes). Çaprazçe figurshëm do të thotë në mënyrë e parregullt e jo ashtu siç duhet, shtrembër; në mënyrë të ngatërruar, artificialisht.
Çaprazçe është mënyra se si i artikulojnë fjalitë e gjymtuara e fjalitë e lodhëta shtetarët, ministrat, deputetët, politikanët e analistët tanë në debatet televizive; çaprazçe është përdorimi i ndërtimeve sintaksore të gabura, kur përdoret një ndërtim në vend të një tjetri me frymë të huaj ose pa frymë fare, pa pjesën kryesore të ligjëratës – foljen; paçka se “shqipja është një gjuhë që përdor më shumë foljen, ndryshe nga italishtja që përdor më shumë emrin” (Donika Omari), si në shembujt e mëposhtëm:
Pikëlluese të njoftohemi që në këtë ditë të parë të vitit 2026, ka vdekur Nexhat Daci… (për: Është shumë e hidhur, është pikëlluese, jam shumë i pikëlluar që…)
“Në një periudhë të ndërmjetme për institucionet legjislative të Republikës, teksa legjislatura e kaluar e vendit është shpërndarë, ndërkaq (për: ndërsa) legjislatura e re ende nuk është nxjerrë dhe konsoliduar, ky mort na bëri të bashkohemi këtu në Kuvendin e Republikës.”
Kënaqësi të pranoja librin “Negotiation in Identity Conflicts”… (për: pata kënaqësinë tëpranoja…)
Kënaqësi me të pasë në studio…(nga drejtuesit e emisioneve televizive në televizionet e Kosovës).
Mirëmbrëma! Kënaqësi me t’pasë në studio… (për: kam kënaqësinë që jeni në studio…)
Në seancën ku do të zgjedhet qeveria… (në ligjërimin parlamentar të Kosovës) qeveria zgjidhet nga Parlamenti, nuk zgjedhet).
Shumë e lumtur që ndodhem sot këtu… (për: jam shumë e lumtur).
Shumë e lumtur edhe unë…
Pasë parasysh arsyetimin e ministrit… (për: duke pasur parasysh…).
Në fund të ditës, dashuria është gjithçka që na duhet.
Në fund të ditës, të na e marrin … të keqen! (për: në fund të fundit).
Shprehja“në fund të ditës” nuk është e barasvlershme me “në fund të fundit”, tekefundit, fundi i fundit, më së fundi, së fundi, tekembramja.
Shprehjet në fund të ditës dhe në fund të fundit kanë kuptime të ndryshme, khs. dhe në frëngjishten: En fin de journée, de semaine = nga mbarimi, fundi i ditës, i javës; dhe: En fin de compte = fundi i fundit, përfundimisht, më në fund.
Siç ti the (për: siç the ti).
Do ta telefonoj (për: do t’i telefonoj).
Bën avokatin (për: është avokat, shtiret si avokat).
Më ke munguar shumë (për: më ka marrë malli shumë).
Kohëve të fundit nuk jam në ngjarje… (serb. nisam u događaj) (për: kohët e fundit nuk jam në dijeni…)
Sa anëtarë të familjes duhet punuar për të pasur një jetë komode? (për: sa anëtarë të familjes duhet të punojnë…).
Perëndimi nuk duhet bërë presion mbi Kosovën, por mbi Serbinë (për: Perëndimi nuk duhet t’i bëjë presion Kosovës…).
Por, sidoqoftë, ideja është që… (fjali e pabukë).
Mund të qortohen edhe fjalët e tepërta: në kuptimin e, në punën e, lidhur me, në drejtim të, në çështjen e, etj.
– Fjalë nga e njëjta rrënjë në të njëjtën fjali: “Të ardhurat kanë ardhur duke u rritur…”
– Përshtatje të gabuara në përemrat, foljet, mbiemrat dhe përdorime fjalësh jo me kuptim të duhur (Ali Dhrimo).
Shmangiet e tilla nga norma gjuhësore qoftë si pasojë e padijes së folësve e qoftë si pasojë e indiferencës së rëndë ndaj gjuhës së tyre amtare të gazetarëve, i hap shteg krijimit të një gjuhe makaronike. Duke u shprehur me këtë shqipe artificiale, siç do të thoshim me fjalët e Justin Rrotës: “Është rrezik të na mbesin në gjuhë këto shtrembërime të pahijshme, të cilat më vonë mund të marrin tagrin e nënshtetësisë edhe, po deshëm, nuk kemi për të qenë më të zotët të shporremi më sosh.” “Një artikull i shkruar me një gjuhë të keqe jo vetëm që lexohet pa ëndje, por mund të kuptohet edhe keq” (Ali Dhrimo).
“Deri tani jemi përpjekur për vendosjen e një regjimi drejtshkrimor të njësuar në shkollat tona, për regjimin e fjalës shqipe të përbashkët, të shkruar drejt e pa gabime. Sot nuk mjafton një gjë e tillë. Regjimi drejtshkrimor duhet plotësuar nga regjimi i fjalës së folur” (Anton Çefa).
Shkrimtarët tanë të traditës pararilindëse (Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani) punuan “në dhet Arbënit, mos me lanë gjuhën e dheut me u dvarmë”. Rilindësit me përpjekjet e tyre të pareshtura punuan që gjuhën shqipe ta lulëzonin e ta ngrinin në gjuhë kombëtare dhe ta bënin një Zonjë të rëndë (Naim Frashëri, Mit’hat Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica, Fan Noli, Shtjefën Gjeçovi, etj.). Etnografi, kleriku dhe patrioti Shtjefën Gjeçovi, për fjalorin e gjuhës shqipe, i cili ”asht nji deet, qi s’ban t’marue” (një det që s’ka fund), pohonte: “Sa i hijshëm dhe i shijshëm, sa i këndshëm e i argëtueshëm, sa i nevojshëm është fjalori i gjuhës sonë.” Për ta ruajtur visarin e gjuhës sonë, ai jepte këtë porosi: “Si ruan dritën e syrit, ashtu ruaje gjuhën tënde.” E sot, Fjalorin e gjuhës shqipe dhe fjalorin drejtshkimor gati-gati nuk i hap njeri me dorë. Gramatikën dhe sintaksën e gjuhës shqipe nuk i shfleton më njeri. Fjalët shqipe u duken si rroba të vjetruara. E kemi fjalën nga ata me “shkollë”, me “tituj shkencorë” e me “poste shtetërore”, të cilët deficitin e tyre intelektual përpiqen ta mbulojnë me kapardisje që mburren e lavdërohen me fjalët e huaja e me patriotizma banale.
















