Nga një analizë mbi etimologjinë e diskutueshme deri te dëshmitë e Johann Georg von Hahn, historiografia po pranon gjithnjë e më shumë se lagjja më e famshme e Athinës e ka marrë emrin nga shqipja “Plakë” (e vjetër), duke sfiduar teoritë e “rrasës së gurit”.
Athinë, 2026. Teksa ecën sot nëpër rrugicat e ngushta të Plakës, nën hijen e Akropolit, vizitori ndjen peshën e mijëvjeçarëve. Por, përtej mermerëve antikë, kjo lagje mbart një sekret identitar që për dekada u tentua të relativizohej nga historiografia zyrtare greke. Emri “Plaka”, i cili sot identifikohet me turizmin dhe historinë, fsheh në rrënjët e tij praninë e fuqishme arvanitase që ripopulloi dhe mbrojti Athinën në shekujt e vështirë të pushtimit osman.
Miti i “rrasës” dhe logjika e toponimisë
Për vite me rradhë, shpjegimi zyrtar mbështetej në teorinë e historianit Kambouroglous, i cili pretendonte se emri rridhte nga një “pllakë” (greqisht: plaka – rrasë guri) që gjendej diku në rrugën Thespidos. Mirëpo, dëshmitë e kohës dhe tekstet e zbuluara hedhin dyshime të forta mbi këtë version.
Siç theksohet në burimet arkivore, Athina e asaj kohe ishte e mbushur me mermerë, mbishkrime, varre dhe sarkofagë të shpërndarë kudo. Një rrasë e thjeshtë guri nuk do të përbënte kurrë një fenomen aq të jashtëzakonshëm sa për të pagëzuar një lagje të tërë. Për më tepër, teoria se zona quhej ashtu sepse ishte terren i rrafshët (si pllakë) bie poshtë kur shikon se lagjet fqinje si Psiri apo Mitropolis janë po aq të rrafshëta, e megjithatë nuk morën një emërtim të tillë.
Ardhja e “Gagarëve” dhe identiteti Arvanitas
Burimet dokumentare (shih fig. poshtë) konfirmojnë se në shekullin e 16-të, një grup i fuqishëm arvanitasish nga Peloponezi, të njohur si Gagarët (Gkagkareoi), u vendosën në zonën aristokrate të Plakës. Familje me emra që dëshmojnë qartë origjinën e tyre – si Adami, Gjini, Bardhi, Bua, Hajmanda, Helmi – u bënë pronarë tokash në Menidi dhe banorë të përhershëm të kësaj lagjeje.
Këta banorë ishin pjesërisht dygjuhësh, (një pjesë dinin më së shumti shqip) por siç shënon Panagis Skouzes, vetë ata e quanin zonën e tyre “Plaka”. Athinasit vendas nuk e përdornin këtë emër deri vonë; ata i referoheshin zonës me emra famullish si Alikokou apo Kondito. Identifikimi i termit “Plakiotes” (banor i Plakës) ishte i barasvlershëm me termin “Arvanit”.
Johann Georg von Hahn dhe Etimologjia Shqipe
Dëshmia më peshëvjetër vjen nga albanologu i shquar Johann Georg von Hahn (shih fig. poshtë). Në veprën e tij monumentale “Albanesische Studien” (1854), Hahn shkruan shprehimisht:
“Në Athinë, ku dikur përbënin shumicën e popullsisë, ata banojnë veçanërisht në të ashtuquajturën Plaka ose Qyteti i Vjetër (nga shqipja: pljak – i vjetër, femërore: pljaka).”
Hahn vëren se edhe në mesin e shekullit të 19-të, në shumë lagje të Athinës shqipja ishte gjuha e shtëpisë. Ky shpjegim etimologjik përputhet plotësisht me realitetin historik: Arvanitët e quanin lagjen e tyre “Plaka” thjesht sepse ishte “Lagjja e Vjetër” (shqip: e plaka).
Muret e qytetit dhe “Porta Arvanitase”
Rëndësia e këtij komuniteti pasqyrohej edhe në arkitekturën mbrojtëse të qytetit. Gjatë ndërtimit të murit të Hasekiut (shih fig. poshtë) porta që të çonte drejt jugut, në drejtim të kësaj lagjeje, quhej zyrtarisht “Porta Arvanitase e Plakës”. Kjo dëshmon se elementi shqipfolës nuk ishte thjesht një pakicë periferike, por shtylla kurrizore e jetës urbane dhe mbrojtjes së qytetit.
Madje, ndikimi i tyre ishte aq i madh sa që, siç pohonte vetë Kambouroglous (shih fig. poshtë), disa vëzhgues të kohës besonin se Athina ishte “shqiptarizuar” tërësisht, deri në pikën sa njerëzit mendonin se edhe mbishkrimet e vjetra greke ishin shkruar në gjuhën shqipe.
Trashëgimia fetare: Panagia Arvanitissa
Lidhja shpirtërore e këtij komuniteti me tokën ku jetonin ilustrohet edhe nga kulti i “Panagia Arvanitissa” (shih fig. poshtë). Megjithëse dokumenti i referohet një kishe në Kios, ai shpjegon gjenetikën e emrit: Shën Maria u shfaqej besimtarëve e veshur me kostum tradicional arvanitas (fustanellë dhe veshje arbëreshe). Ky imazh i Virgjëreshës si një “vajzë shtatgjatë me veshje arvanitase” tregon se sa thellë ishte rrënjosur ky identitet në vetëdijen popullore të krishterë të kohës.
Plaka e sotme, me restorantet e saj piktoreske dhe dyqanet e suvenirëve, mbetet një monument i gjallë i simbiozës greko-shqiptare nder shekuj. Mohimi i origjinës shqipe të emrit të saj do të ishte mohim i një kapitulli jetik të historisë së Athinës. Siç e vërtetojnë fjalorët e vjetër (shih fig. poshtë) dhe dëshmitë e dijetarëve si Hahn, “Plaka” nuk është një rrasë guri, por është “Plaka – e vjetra” – dëshmia e gjallë e një populli që e quajti Athinën shtëpinë e tij atëherë kur qyteti kishte më shumë nevojë për ringritje.





































