Instituti i Historisë përkujtoi sot një nga historianët më të shquar latinist, Injac ZAMPUTIN. Ai lindi më 12 shkurt 1910 në Shkodër.
Me kritikën e tij të hollë mbi artin dhe letërsinë, Zamputi arriti të renditej në krah të figurave më të spikatura të zenitit kulturor të shekullit të kaluar.
Zamputi kreu Kolegjin Saverian të Jezuitëve, ndërsa studimet universitare i bëri në Trieste, ku pati si temë diplome ngulimet venedikase në Adriatik.
Në vitet `30 prof. Zamputi punoi si mësues i letërsisë në Kolegjin Saverian në Shkodër dhe bashkëpunonte në revistat e njohura “Hylli i Dritës” e “Leka”. U mor edhe me krijimtari letrare.
Pas çlirimit të vendit, shërbeu si mësues i letërsisë në gjimnazin e Gjirokastrës.
Me themelimin e Institutit të Shkencave në Tiranë, u thirr për të vazhduar punën e tij shkencore, të cilën e pat nisur së bashku me At Zef Valentinin, porsa qe diplomuar në Trieste, për shkenca politike, duke mbrojtur temën historike “700-a Veneciane dhe Shqipëria”. U emërua punonjës shkencor në sektorin e historisë mesjetare në Institutin e Historisë.
Përmes intuitës së tij prej historiani, arriti të sjellë fakte dhe zbulesa të reja në fushën administrativo-historike për Shqipërinë nën pushtimin osman.
Historisë së Mesjetës i kushtoi dyzet vjet punë, kërkime me pasion, ku u shqua përherë për nivelin e lartë shkencor.
Ndër punimet e para qenë zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit të Anonimit të Elbasanit, transkriptimi dhe komentimi i tij, zbërthimi i alfabetit të panjohur të një poezie me përmbajtje bektashiane të shekullit XIX dhe, njëherësh, realizimi i librit “Përpjekjet e shqiptarëve për liri e pavarësi në shekujt XVI-XVII”, etj.
Profesor Zamputi mbeti njohësi më i mirë i latinishtes mesjetare, transkriptuesi e interpretuesi i shkrimeve të periudhës së shekujve XIV-XVII, duke zbuluar në këto shekuj vlerat e vërteta historike e kombëtare të popullit tonë, botuar në një varg veprash të shquara në serialin “Dokumente për historinë e Shqipërisë”, herë me bashkautor e herë vetëm, gjithmonë i aftë për t’u dhënë zgjidhje problemeve më të koklavitura gjuhësore e historike.
Është dekoruar me Urdhrin “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës”.
Injac Zamputi u nda nga jeta më 28 shkurt 1998 në Tivoli të Italisë dhe, sipas porosisë së tij të fundit, u soll të prehet përgjithmonë në Shqipëri (Tiranë), në atë vend që i kushtoi jetën dhe veprën e tij.















